Teatri arbëresh në Frasnitë, një shpirt i gjallë e shembullor për ruajtjen e gjuhës arbërore.

Mbresa nga një arbëreshe!

Është mbrëmje dhe gjendemi në Frasnitë, një ngulim arbëresh në Kalabri. Në këtë qytezë Lidhja e Krijuesve në Mërgatë zhvilloi aktivitetin e saj vjetor të quajtur “Pranvera arbëreshe”, pranë Bibliotekës internacionale A. Bellusci.


Bëhem gati shpejt e shpejt dhe nisem tek auditori. Ndërsa ecën në këtë qytezë zhytesh në një dialektikë ku frymëmarrja dhe mendimet dialogojnë, e lënë hieroglifët e tyre në këto rrugica, arkitektura 400-vjeçare. Rrugicat e fqinjësisë janë të ngushta. Hedh sytë. Shikon stema shtëpish, eleganca e një epoke të shoqëruar nga një heshtje e zhurmshme shekullore. Mbartin patos, janë solemne e të trishtueshme. Një skenografi dramatike, në pragjet e tyre copëza- jete.
Heshtje e këtyre shtëpive “të boshatisura”, boshllëqe që lihen të zbuluara. “…il dolore non sta sulla carne, ma sul tempo”.


Te një parvaz ka mbirë lulëkuqja dhe bari i egër, e si nëpër mugëtirë ndien atë profumin e një melankolie të një jete të shkuar.
Mure që psherëtijnë, zgavra që ulërijnë përpjekje e mundi të atyre shpirtrave arbëror që kurrë nuk u pikturuan. Të trembin luftërat, por të frikësojnë edhe këto heshtje shtëpish ku shumë prej tyre nuk pipëtijnë jetë njeriu. Është e egër qenia njerëzore. Ajo nuk vret vetëm me armë, ajo shuan kombe apo popuj edhe me asimilim. Si mentesha të mbërthejnë këto psherëtima të heshtura, e pergamena mendimesh rrjedhin në hapësirë sikur të isha në brendësi të atyre pikturave sterile të E. Hooper, ku heshtje dhe qenia humane shkrihen në një fasadë inerte.
Vazhdoj të eci.


Jam disi me vonesë, por hapat e mia ndjekin ritmin e kësaj qyteze. Këtu askush nuk vrapon, edhe hapi im i ngadalshëm duket shumë i shpejt. Dikush, i ulur te stoli pranë kroit të kishës, bastunin e ka ndër duar dhe kokën varur mbi të. Ndoshta ndjeu hapat e mi. Ngre disi kokën, i jap një buzëqeshje, i flas shqip, nuk më kupton, dhe vazhdoj destinacionin. Mendimet nuk më lënë të shoh përqark.
Por është zëri i Emanueles, një djalosh arbëresh, avokat nga San Cosmo, i cili më thërret: “Eja, shpjet se po të presim!”


Ulem. Salla ishte mbushur plot. Një kontrast me atë çka kisha përjetuar jashtë. Nuk vonon, dhe spektakli fillon. Aktorët hyjnë në skenë. Gëzimi i spektatorëve shqiptarë është shumë i madh. Nisin debutimin me fjalët arbërisht. Për herë të parë shohin një teatër arbëresh, dhe me sa duket nuk janë të interesuar për debutimin e tij, se sa të interesuar për të veçantën e këtij teatri, në gjuhën arbëreshe. Të gjithë sytë nga palkosheniku. Mjafton fraza e parë dhe sytë e mëndja e spektatorëve, të ardhur nga diaspora, përqendrohen tek ta. Flasin një gjuhë 600-vjeçare të ruajtur në një atdhe të dytë. Nuk e kanë të lehtë t’i kuptojnë frazat, ndikimi i shekujve mbi gjuhë ka bërë punën e saj, por mallëngjehen, se vëllezërit e tyre vazhdojnë të flasin gjuhën e mëmës dhe tatës së epokës së Skënderbeut. Emocion shikon në sytë e miqve të diasporës. Skeçet vijnë njëri pas tjetrit dhe entuziazmi, sentimenti, i të gjithë këtyre artistëve e poetëve si një sinergji e fuqishme shkrihen me njeri-tjetrin dhe krijojnë atë magji që vetëm gjaku i diasporës me gjakun e shprishur dinë ta krijojnë.


Sot “Pitoni-asimilim” i pa mëshirshëm, i mbështjellë çdo ditë e më shumë duke i tkurrur gjuhën, deklaruar nga UNESCO si gjuhë në rrezik zhdukjeje. Ligji 482\ 99 një ligj i çalët, që nuk mbulon mësimin e gjuhës së detyrueshme nëpër shkolla, sforcon në maksimum si individin edhe shoqatat, për të mbijetuar pa ndihmën e institucioneve, por në këto qyteza shpirti i arbrit rron i destinuar për të qenë i përjetshëm.
I afrohemi zonjës Luçia Martino, e cila është edhe themeluesja e këtij teatri dhe i kërkojmë të na informojë diçka për këtë teatër.


“Unë nuk vij nga një shkollim artistik, – na thotë Luçia. – Unë jam një profesoreshë në pension dhe kam punuar në Institutin Comprensiv “Ernesto Koliqi”. Kur ligji 482\99 dha mundësi fakultative që ne t’iu mësonim gjuhën dhe kulturën fëmijëve, kështu mendova të hapja laboratorin e kuzhinës, ku të flitej arbërisht dhe të bëheshin recetat e kuzhinës arbëreshe, dhe në të njëjtën kohë edhe një laborator të teatrit. Me pak fjalë mësonin gjuhën e të parëve duke u zbavitur. Gramatika iu duhet gjuhëtarëve dhe jo fëmijëve. Kur unë isha e vogël(sot jam 73 vjeç) në shtëpi flisnim vetëm italisht, në shkollë unë nuk dija italisht atë e mësova dalëngadalë në shkollë. Dua t’iu them se në familje dhe në shkollë mësohet gjuha.”
Kur dola në pension mendova të krijoja një teatër dhe kjo u bë pjesë e shoqatës “Vorea” e cila u krijua në 14 shtator 2014. Këtë vit kemi 10-vjetorin e krijimit të saj. Qëllimi ishte ruajtja dhe përhapja e gjuhës arbëreshe. Aktiviteti ynë mbahet jo vetëm në auditori, por e sjellim edhe ne sheshet e katundit tonë. Teatrin nga viti në vit kërkojmë ta pasurojmë, me skeç, me parodi, e komedi. Por puna jonë e pa ndalur ka bërë që të paraqesim edhe dy vepra kulturore: ”Legjenda e Kostantinit dhe Jurendinës”, dhe të fabulës “Ish- një herë Pinoqi”, të cilat i kemi paraqitur edhe në Tiranë dhe Ulqin” – përfundon mësuese Luçia.

Spektakli që pamë në mbrëmjen e datës 5 maj ishte i mrekullueshëm.
Serioziteti dhe angazhimi i këtyre aktorëve amatorë që debutojnë në një gjuhë, të cilën nuk e shkruajnë, dhe as nuk është në shkollë e detyrueshme, por vetëm transmetohet brez pas brezi, në shekuj në familje, i bën të gjithë këta aktor të mrekullueshëm më tepër se sa profesionistët e vërtetë.
Mbyllen perdet dhe një nga një dalin këta aktorët në moshë të rritur: Amato Elena, Marietta di Cunto, Pace Salvadore, Stabile Maria Pia, Cecarini Gemma, Basile Salvadore, Ferrari Margarita. Këta aktorë kanë edhe një regjisore, quhet Ima Guarisci, e cila nuk është arbëreshe, por duke parë përpjekjet që bëjnë këta arbëreshë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, edhe ajo vendos jo vetëm profesionalizmin e saj, por edhe shpirtin. Komeditë janë shkruar nga i madhi Vicenzo Bruno.


Sot, në auditor ka spektatorë të veçantë, mbledhur nga e gjithë diaspora: Franca, Gjermania, Austria, Sllovenia, Mal të Zi, Maqedonia, Shqipëria, Kosova. Marrin pjesë kryetari i Lidhje së Krijuesve në Diasporë z. Musa Jopulli, Sekretari z. Mentor Thaqi, miku i madh i arbëreshëve, gazetari Rexhep Rifati, hulumtuesi, studiuesi dhe autor i dhjetëra librave z.Hazir Mehmeti me banim në Austri, mbështetësi i gjuhës dhe kulturës arbëreshe z. Heset Ahmeti, studiuesi slloven Petro Stoka, arkitektja dhe kryetarja e shoqatës Gjenocidi në Kosovë znj. Shqipe Bytyqi, koordinatori i hapjes së 105 shkollave të gjuhës shqipe në Zvicër z. Vaxhid Sejdiu dhe bashkëshortja e tij, mësuesja Qefsere Sejdiu, atelier Sokol Hametaj nga Franca, piktori Milazim Ukëhaxhaj, e me dhjetëra e dhjetëra mësues, mjekë, intelektualë të diasporës, dashamirës dhe miq të botës arbëreshe. Merrnin pjesë edhe shumë arbëreshë, si: mësuesja Antonieta Rimoli, Francesco Frega, Emanuele Rossanuova, Michele Greco etj..
Luçies, i kanë ardhur vëllezërit dhe motrat anë e mbanë Europës dhe ajo si gjithmonë nuk kursehet. Ajo kishte përgatitur për ta një bufe tipike arbëreshe.

Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe emocionuese. Atë mbrëmje ishte edhe këngëtari Francesco Frega, i cili i dha mbrëmjes atë ton gazmor duke improvizuar një program spontan, me repertor të këngëve arbëreshe. U ndjemë kaq mirë, sa dikush edhe u përlot.
U kthyem në dhomat tona më të pasur, dhe më përgjegjës për atë çka ndodh e po ndodh mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe e cila po asimilohet nga dita në ditë, dhe që mbahet gjallë falë këtyre arbëresheve.
Arbërisë së arbëreshëve duhet t’iu jemi mirënjohës që me forcat e tyre kërkojnë sado pak të mbajnë gjallë gjuhën. Luçia është edhe themeluese e shoqatës “Vorea”, edhe të një vepre letrare “La donna Arbereshe, Ieri, Oggi, e Domani.(tra sacro e profano)”, me autorë Emilia Blaiotta, Lucia Martino, Flavia D’Agostino e Lucrezia Lindia, Prefazione di Adela Kolea, Design: Francesco Di Benedetto. Libri është një himn i gruas arbëreshe, edukatore, që jepte kulturën arbëreshe, ishte mësuese, iu mësonte gjuhën fëmijëve; artiste, sepse qepte kostumin arbëresh me duart e saj, patriote, dhe amvisë shumë e mirë. Gratë, dje, sot dhe nesër, një vazhdimësi në epopenë e tyre, si krijuese, sa të mrekullueshme, por edhe aq trime, e të zonjat që mbanin mbi shpatull shtëpinë, miqësinë e shoqërinë.


Luçia, ka dhënë dhe jep një kontribut të madh dhe për këtë është vlerësuar dhe nderuar me shumë tituj e çmime, por Luçia ngelet në zemrën e cilitdo që e takon si një grua fisnike.
Siç e shohim, Arbëria nuk është thjesht e gajdexhinjve, që iu bien lëkurave e i fryjnë pipëzave. Arbëria, është art, mbajnë polifoninë e hershme, është vazhdimësi e një folklori të mbijetuar, e shenjtë dhe e përcjellë me dashuri e fisnikëri.


Arbëri, shkroi gjuhën e vet, në dejtë e tij. Arbëri edhe pse sot i tkurrur vazhdon ta përfaqësojë atë identitetin e tij në një mënyrë mahnitëse. Kjo Arbëri nuk është e padukshme, ajo po ulurin me të gjithë format e saj. Kjo Arbëri, është e lënë në indiferencën e atyre të cilët nuk duan ta shohin, nuk ta prekin, nuk duan ta mbështesin, me dinjitet ashtu siç e meriton. Gjuha mëmë është e drejta e tyre.
Mos e harroni këtë Arbëri. Ne ikim e vijmë, brohorasim për ato pak orë që qëndrojmë duke thënë: sa e bukur, sa mirë që e kanë ruajtur gjuhën, dhe shpesh kur ikin nuk kthehet koka më prapa tek këta njerëz me gjak arbri, ku shpirti i të cilit rron!


Arbëria, nuk është atavizëm. Është qytetërim. Arbëria është dinjitoze, nuk kërkon mëshirë, as vuan nga deliri i madhështisë. Arbëria kërkon vendin e saj në hapësirën e saj që meriton.
Në këto qyteza, falë këtyre arbëreshëve, rron ajo vlerë e qytetërimit dhe e kulturës e mbi të gjitha të kësaj gjuhe, e cila u ka mbijetuar dhunimeve të kohës, natyrës, njerëzve, globalizimit.


Etnia arbëreshe prej 600 vjetësh është në sytë e mbarë botës si pistili luleve të bajames, të përsosur dhe në të njëjtën kohë të pa përsosur, por që bletët këto lule i tërheqin shumë se kush lule tjetër…
…Të ringjallësh identitetin,
fillo nga ajo pakëz që ka ngelur,
e këtë humus, spërkate me frymën e dashurisë!
Arbëreshët i ngjajnë feniksit
Ringjallen, edhe atëherë kur duken të djegur!
Arbëria është e destinuar për të qenë e përjetshme!
Mos harroni aty ku është një arbëresh është një Arbëri!
Në vijim disa sekuenca nga teatri, fotografi i tyre është Pierfrancesco Ferrari. Një fotograf gjithmonë i pranishëm në çdo detaj të botës arbëreshe. Askush si ai nuk qëndron çdo ditë pa fotografuar çdo pjesë që rrethon këtë qytezë të botës arbëreshë.

Ornela Radovicka
Qendra Albanologjike “A. Bellusci” themeluar 1980

Back to top button
Verified by MonsterInsights