Samiti i parë shqiptar i organizuar dhe me koncept.

Samiti i pare shqiptar, një aktivitet jopolitik për të vendosur një urë komunikimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm mes atdheut dhe bashkëkombësve jashtë vendit.

Donika Hoxha

Drejtore e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës

-Për herë të parë në Shqipëri u mbajt një samit, i cili mblodhi përfaqësues të shqiptarëve në botë në kryeqytetin shqiptar. Si lindi kjo ide?

Ky samit, i një  rëndësie të veçantë, për faktin se ishte hera e parë që  organizohej me një koncept dhe përmasa të tilla, është propozuar në planin e punës së Drejtorisë së Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës në MPJ, ndërsa u çel nga Kryeministri Rama në tetor të 2015-s gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në SHBA, në kontekstin e pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë kuadër, u ngrit Komiteti Organizator me urdhër të Kryeministrit, ku rolin e koordinatorit e mori Ministria e Punëve të Jashtme, e cila kishte rolin kryesor në organizimin dhe mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Kryeministrinë dhe institucionet e tjera të linjës.

-Si ishte përfaqësimi i shqiptarëve në këtë aktivitet, pasi le të themi që ka pasur edhe kritika për mungesë ftesash apo për një përfaqësim ‘të vakët’?

Samiti,  nga gjeneza e krijimit të kësaj ideje, u konceptua si një aktivitet jopolitik bazuar në parimin gjithëpërfshirës, me dëshirën për të vendosur një urë komunikimi gjithnjë të dëshiruar, por të munguar dhe për të krijuar një mekanizëm komunikimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm mes atdheut dhe bashkëkombësve jashtë vendit. Në këtë linjë, në samit mund të merrte pjesë çdo anëtar i diasporës shqiptare, pavarësisht origjinës apo bindjeve politike ose çdo arsye tjetër të mundshme diskriminimi. Për si më sipër, MPJ ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjitha përfaqësitë e vendit nëpër botë me anë të së cilave çdo pjesëtar i diasporës shqiptare mund të aplikonte për të marrë pjesë në samit. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës para zhvillimit të samitit, çdo shqiptar nëpër botë mund të aplikonte për të marrë pjesë në samit nëpërmjet regjistrimit online në faqen zyrtare web të samitit. Fakti më domethënës për të vërtetuar të mësipërmen është fakti që samiti mblodhi rreth 800 përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, personalitete të shquara, por edhe anëtarë të thjeshtë, bashkëkombës nga 40 vende, prej të gjitha kontinenteve, pa dallime politike, gjeografike dhe prejardhje brezash.

-Sa e vështirë ka qenë për ju për të kontaktuar dhe për të sjellë në Tiranë, biznesmenë, politikanë, artistë të njohur shqiptarë në mbarë botën?

Qeveria shqiptare gjithnjë ka vlerësuar lart kontributin e paçmueshëm që diaspora shqiptare ka dhënë ndër vite, si për mbrojtjen e të drejtave individuale e shoqërore, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit, mbrojtjen dhe përparimin e interesave mbarëkombëtarë, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror në atdhe. Si pasojë, ky samit dhe përafrimi i këtyre personaliteteve të lartpërmendura ishte minimalisht një detyrim moral ndaj këtyre sakrificave të komuniteteve shqiptare në botë, jo vetëm si shenjë mirënjohjeje ndaj tyre, por edhe forcimin e një lidhjeje kaq të natyrshme, por të munguar në vite. Nga ana tjetër, dëshira e vetë këtyre personazheve kaq të rëndësishme të diasporës shqiptare për të marrë pjesë në këtë aktivitet madhor për të dhënë dhe njëherë kontributin e tyre për ndërtimin e një marrëdhënieje të re ndërvepruese me shtetin amë, ishte e jashtëzakonshme, duke vërtetuar që diaspora shqiptare është pjesa tjetër e shpirtit të copëtuar shqiptar në shekuj.

-Nëse mund të na tregonit ndonjë moment të bukur, pse jo dhe të sikletshëm nga gjithë ky aktivitet që mblodhi si rrallëherë rreth 1 mijë personalitete të njohura në mbarë botën?

I gjithë zhvillimi i Samitit të parë të diasporës ka qenë një moment i bukur për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin e tij si një çast i paharrueshëm gjatë punës së tyre ashtu si edhe për diasporën, e cila për herë të parë ka përjetuar një “përkujdesje” të tillë nga shteti shqiptar. Nëse duhet të veçojmë diçka më shumë se të tjerat, ndoshta kjo mund të jetë mbrëmja Gala e Samitit që përmbyllte dhe punimet e këtij eventi. Gjatë mbrëmjes gala, midis të tjerash, u shpërndanë 15 çmime “Shqiponja e Artë” për disa prej shoqatave dhe personaliteteve të spikatura të diasporës shqiptare, si një vlerësimin i punës së tyre të çmuar në vendet e pritjes, si dhe për shtetin dhe kombin shqiptar. Kjo mbrëmje ishte e mbushur me momente emocionale, pasi janë këto personazhe që me përulje dhe pa zhurmë kanë dhënë edhe më shumë se nga çfarë shteti amë mund të kërkonte nga ata. Nga ana tjetër, momenti më i sikletshëm, por në një farë mënyre shumë i këndshëm ishte ankthi pikërisht për të sistemuar këtë det njerëzor, të cilët nga të gjitha anët e botës kishin ardhur në Tiranë për të ndjekur këtë aktivitet historik dhe për të thënë fjalën e tyre. Përfundimi i samitit mundi të “shuajë” dhe këtë shqetësim, pasi komentet e pjesëmarrësve ishin një “shpërblim” për punën madhore gjatë organizimit të një aktiviteti me këto përmasa.

-A u arritën objektivat që qeveria shqiptare kishte parashikuar të përmbushte me këtë samit të parë në Shqipëri?

Synimi  i organizimit të Samitit të Parë të Diasporës ishte krijimi i një ure bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe atdheut, si edhe mes komuniteteve të veçanta, në vende e kontinente të ndryshme. Ky synim u arrit duke krijuar pikësëpari një database dhe hartëzim të shqiptarëve në botë dhe duke sjellë në Tiranë një pjesë të rëndësishme prej tyre. Ky “kuvend” i shqiptarëve nuk përfundon me kaq, pasi ky samit pritet të bëhet traditë ndërsa së shpejti do të kemi edhe institucionalizimin e tij. Më konkretisht, objektivi afatgjatë i organizimit të samitit është krijimi i një marrëdhënieje të re dhe ndërvepruese, për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm, përmes zhvillimit të një dialogu të vazhdueshëm e të strukturuar dhe një bashkëpunimi të efektshëm të atdheut me diasporën, për të përparuar ne përpjekjet e përbashkëta të materializuara në projekte konkrete në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive shqiptare dhe interesave kombëtare. Në këtë kuadër, është propozuar krijimi i Këshillit të Diasporës Shqiptare, i cili do jetë organi kryesor përgjegjës për zhvillimin e kësaj marrëdhënieje dypalëshe me interes të përbashkët.

-Cilat janë pritshmëritë tashmë nga shqiptarët e diasporës nga ky samit, flasim në drejtimin e bashkëpunimit në sektorin ekonomik apo dhe atë kulturor?

Komunitetet shqiptare në botë, por edhe qeveria shqiptare synojnë që marrëdhënia e njëanshme deri më tani midis palëve të forcohet dhe të bëhet ndërvepruese, pasi ashtu siç shteti shqiptar ka pasur gjithnjë nevojë për kontributin e diasporës së vet, ashtu dhe diaspora shqiptare ka nevojë që shteti shqiptar të ndërhyjë në zgjedhjen e çështjeve, të cilat prekin shqiptarët anembanë botës. Siç u përmend dhe më lart, Këshilli i Diasporës Shqiptare është vetëm hapi i parë. Ky këshill do të drejtohet nga vetë Diaspora dhe do të ketë kompetenca të zgjeruara, për ta bërë atë efektive në dhënien e zgjidhjeve të problemeve të që shqiptarët hasin në vendet pritëse. Nga ana tjetër, për sa i përket asaj që vetë shteti shqiptar mund të bëjë në shërbim të nevojave të shtetasve të saj në botë, tashmë me krenari mund të themi se një nga premtimet më të madha të samitit, u kurorëzua me sukses me anë të aplikimit të Shërbimit Konsullor Online (SHKO), i cili sjell më afër shtetin shqiptar me qytetarët e tij me anë të ofrimit të shërbimeve konsullore, të cilat tashmë mund të bëhen me anë të këtij aplikimi për të shmangur humbjen e kohës dhe parave të qytetarëve, të cilët deri dje e kishin më të vështirë marrjen e këtyre shërbimeve.

-Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij në një nga panelet që u diskutua la të hapur mundësinë që një samit i tillë të mbahet vitin tjetër në Kosovë. Ndonjë informacion më shumë për këtë nismë?

Republika e Kosovës ka qenë një kontribuuese për organizimin e Samitit të parë të Diasporës dhe bashkëpunimi në këtë kuadër ka qenë i ngushtë dhe i frytshëm. Një nga elementet që na lidh me Kosovën është jo vetëm origjina jonë e njëjtë shqiptare, por edhe fakti që të dyja shtetet tona ndajnë një numër shumë të madh qytetarësh shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë kufijve zyrtarë të dy shteteve tona vëllazërore. Në këtë linjë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë sërish në çdo formë dhe vendndodhje që do të përcaktohet në linjë me këtë frymë vëllazërore.

Artemisa Hoxha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights