Sallata ruse

Sallata ruse është sallata më e preferuar në çdo familje shqiptare në festat e fundvitit. Nuk është recetë tipike shqiptare por është pjesë e tryezës tonë për shumë vite. Na pëlqen aq shumë sa e kemi bërë tonën tashmë.

Përbërësit:

  • 1 filxhan çaji me bizele
  • 125 gr karrota
  • 125 gr fasule
  • 1 kokërr e madhe patate
  • 3 gota me majonezë
  • Një lugë e vogël me kripë (sipas preferencës)
  • Një lugë e vogël piper
  • Gjysmë kavanoz kastraveca turshi
  • Tre speca të kuq turshi (gogozhare)
  • Një lugë vaj ulliri

Përgatitja:
Zjejmë të parat fasulet. Më pas karrotat, pataten dhe bizelet i hedhim në një enë dhe i zjejmë.

Në momentin që shohim që janë të zjera i heqim dhe i lëmë të ftohen.

Presim pataten dhe karrotat në kubikë të vegjël, i hedhim në një tas, bashkojmë fasulet e zjera, bizelet.

Presim në kubikë të vegjël edhe kastravecat dhe specat gogozhare (një spec e presim në vija të holla dhe e përim në fund për dekorimin e sallatës), i shtojmë në tasin me perime.

Hedhim kripën dhe piperin dhe i përzjejmë. Në fund, shtojmë majonezën i përzjejmë të gjitha bashkë derisa sallata të jetë e njëtrajtshme.

Hedhim një lugë vaj ulliri sipër dhe e servirim duke vendosur për zbukurim shiritat e specave gogozhare. Shoqërohet me çdo lloj gatimi, sidomos me mishra, por edhe supra dhe gjellra të ndryshme.

Back to top button
Verified by MonsterInsights