Mesazhi i Z. Luan Rama për Samitin e Diasporës

Ideja për t’iu drejtuar diasporës është për t’u përshendetur, por ne kemi nevojë për një filozofi praktike dhe jo politike, për një filozofi bashkëpunimi ku duhet operuar veç e veç, sipas sektorëve, pa nevojë samitesh jorezultative për kombin.

Mesazhi i Z. Luan Rama, shkrimtar për Samitin e Parë të Diasporës 

Ideja për t’iu drejtuar diasporës shqiptare në botë, që dhe ajo të kontribuojë në zhvillimet e sotme të Shqipërisë është për t’u përshëndetur.

Që para disa vitesh, me një grup këtu në Paris diskutonim çështjen sesi mundej që diaspora shqiptare e Francës të kontribuonte drejtpërdrejt në fusha të ndryshme në Shqipëri, meqë dhe një elitë intelektuale është formuar e krijuar në Francë. Por thirrja e një konference të tillë i quajtur Samit i Diasporës, edhe pse në kohë, mendoj se mënyra si u organizua lë për të dëshiruar, pasi tubime të tilla të mëdha, me thirrjen të vijë kush të dëshirojë etj., mbetet në kuadrin e një nisme më shumë propagandistike sesa të një rezultati real, pasi që nga ky samit, nuk dimë të ketë një vazhdimësi për ta vënë në lëvizje këtë diasporë drejt Shqipërisë.

Edhe në vende të tjera, diaspora nuk ka operuar me të tilla samite, por në mënyra konkrete dhe pa nevojën e propagandës. Diaspora s’ka nevojë për fjalime, por ka nevojë për interlokutorë, pasi dëshira e intelektualëve të diasporës për të kontribuar ekziston, ajo është reale dhe e natyrshme dhe ku intelektuali i diasporës nuk vjen për para, por për të dhënë një përvojë, si një detyrë atdhetare. Sot ne kemi një elitë intelektuale për t’u admiruar në diasporë, një brez që ka studiuar në universitetet më të mira europiane e të Amerikës, personalitete që kanë krijuar një përvojë disavjeçare dhe që drejtojnë institucione, departamente, klinika të ndryshme, që punojnë në laboratorë me emër në fushën e kërkimeve shkencore, etj.

Por këta intelektualë nuk mund t’i mbledhësh të gjithë bashkë e t’u thuash: “Hë, ç’mund të bëni?” Ata kanë nevojë të thirren nga institucionet që kanë lidhje me profesionet e tyre, nga interlokutorë vendas që do të jenë kolegët e tyre në nismën e një bashkëpunimi afatgjatë. Thelbësore sot është si të përfitojmë nga kjo elitë e diasporës?

Pra ne kemi nevojë për një filozofi praktike dhe jo politike, kemi nevojë për një filozofi bashkëpunimi ku duhet operuar veç e veç, sipas sektorëve, pa nevojë samitesh jorezultative për kombin, por në konferenca të specializuara, në fusha të veçanta, me interlokutorë të konkretizuar. P.sh. në fushën e mjekësisë. Shumë mjekë të angazhuar në laboratorët e kërkimit shkencor, apo në klinika të njohura, në spitale të specializuara etj., duhet të ftohen nga interlokutorët e tyre në Tiranë, nën drejtimin e qendrës më të rëndësishme spitalore dhe me pjesëmarrjen e universiteteve në këtë fushë, në mënyrë që bashkëpunimi të mos ketë efekt vetëm përmes kolegësh shqiptarë, por dhe në rrjetin universitar.

Me këtë rast zhvillohen “work-shop”-e të specializuara, ku përvojat shkëmbehen praktikisht dhe direkt dhe ajo që është më e rëndësishme, nga ky kontakt i parë vendosen marrëveshje në vazhdimësi, për një bashkëpunim afatgjatë, ku ata mund të jenë dhe lektorë të jashtëm, si specialistë në fushat e tyre. E njëjta filozofi pune do të ishte dhe për në fushat e tjera.

Le t’u them dhe diçka nga përvoja personale. Gjatë pothuaj njëzet vjiteve, krijimtaria ime është drejtuar përgjithësisht në itinerarin Francë-Shqipëri. Bëhet fjalë për një krijimtari në kuadrin historik, krijimtari letrare apo publicistike, çka vazhdon dhe sot. Madje kam botuar dhe një libër historik mbi emigracionin shqiptar në Francë që nga koha e stratiotëve e deri më sot dhe ku emigracioni më frytdhënës në këtë drejtim ka qenë ai i viteve ‘30 të shekullit XX.

Por ajo që konstaton sot është se në Francë, si dhe ne vende të tjera të Europës apo Amerikës, ka një elitë të re për t’u admiruar, me qindra e qindra intelektualë të tillë, njerëz të shkencës e të kulturës që mund të japin dijet e tyre dhe për Shqipërinë. P.sh. vajza ime e formuar në një universitet me emër, e specializuar për «rrezikun financiar» të shoqërive dhe ndërmarrjeve të mëdha, fare mirë mund të jepte përvojën e saj në këtë drejtim, e kështu me radhë.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë urat e bashkëpunimit, ku secili të vendosë një gur dhe ku gurët të krijojnë themelet, vetë urën nga kudo të shtegtojnë përvojat në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Atëherë, në këtë mënyrë, çdo institucion në Shqipëri do të mund ta çelte një bashkëpunim konkret me diasporën shqiptare, pasi ta ketë identifikuar atë.

Është koha për të vepruar…

Artemisa Hoxha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights