Koloneli Myslim Pashaj: Kronika nga Orteku i Malit me Gropa, një simfoni e elegjisë së nënës së tij.


Myslim Pashaj (lindur në vitin 1945) është një kolonel i pensionuar dhe ish-kreu i qendrës kartografike të Shqipërisë. Ai ishte një ndër kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes për kufirin detar shqiptaro-grek, të cilën e cilësoi si një humbje territoriale për Shqipërinë. Ai fitoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ai u kërcënua me shantazh dhe disa persona deklaruan se do ta vrisnin për shkak të kundërshtisë ndaj kësaj marrëveshjeje.

PAS ORTEKUT IDEOLOGJIK

Viti 1981 nuk është viti i brishtë. Ai ka një ditë më pak, 365. Këtë plotësim të tij e përmbush një vepër e lartë aq unike, që ndodhi në 6 shkurt të atij viti. Nuk ka ndonjë tipizim, as përkim krahasimor apo simbolikë tjetër. Veç një ortek në Malet me Gropa, mali i Fekenit, i Miçekut, e sollën atë mbresë, e cila nuk mund të shlyhet me kollaj. Në kujtesë të shqiptarëve, viti 1981, është quajtur tragjikisht si “viti i Mehmet Shehut” jo për ndonjë lloj mitizimi të figurës së tij, por për vetëvrasjen e tij, që do të përkonte me mbylljen e një cikli fatal të fundit të sistemit komunist në Shqipëri.

Orteku social kish ngrehinën e tij çka lidhej me ortekun ideologjik që kishin ngrënë qysh atëherë shumë grupe armiqësore, në ushtri, art, kulturë dhe ekonomi. Ishte pushkatuar grupi i gjeneralëve, përmes “Tezash të Zeza”, të cilat e kishin një stres të vijueshëm brendapërbrenda ushtrisë.Ishte ngrënie të vetvetes dhe po i afrohej lëvizjes së ortekut, me vetë Mehmet Shehun e të tjerë.

Ndërkaq, bashkësia ushtarake e kohës ishte, ndoshta, një nga tërësitë më të veçanta, që edhe pse e ideologjizuar, e mbante në thelb ideologjinë atdhetare, epike, e cila ruhej në themel të saj. Krahasimet me përballje të armiqve dhe koalicioneve të armiqve në një izolim të skajshëm, përbënin një hiperbolë që mund ta besoje vetëm në përralla.

NATYRA NË NJË EKSPERIMENT MITIK

Dimri, bora, acari, kuisje e ujqërve… në atë 6 shkurt ushtarak, sikur po e hapte siparin e atij viti tragjik. Populli gjëllinte në trysninë e pambarimtë të diktaturës, shtrëngesës, izolimit dhe mundimeve dhe një erozion i vijueshëm po e hante sistemin. Në atë 6 shkurt, në Malin me Gropa, Miçek e Feken, jepej një shenjë e natyrës, e provuar përballë një bashkësie të organizuar ushtarake të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Ishte një ditë, e cila ishte e përcaktuar për t’u ngjitur përballë malit, pjerrësisë së relievit dhe dëborës së rënë në tri shtresa… Nuk dihet e saktë dhe as është kërkuar për ta marrë një informacion…, nëse ishte studiuar terreni, akulli, era, shtresat e tri dëborërave njëra mbi tjetrën… se si… nuk dihet gjithashtu se çfarë thanë instruktorët… por vetëm ajo që rron dhe bëhet pjesë e një simbolike, ishte prova e përvitshme e luftës me dimrin dhe relievin.

Ata do të ngjiteshin për të arritur atë majë të lartë të Malit me Gropa. Kjo ishte e rëndësishme dhe mbi të gjitha, si pjesë e epikës së qëndresës, pavarësisht se në cilën Doktrinë Ideologjike ata rriteshin, veçse në zemër të tyre ideologjia atdhetare ishte themelore.

Oficerë, studentë, ushtarë, as që e dinin se ç’bëhej në Parti e as në Qeveri, se ata kishin tjetër detyrë, ishin roje e atdheut dhe kjo ishte kryefjalë. Ky ishte një ndryshim i madh mes veprës së tyre dhe Doktrinës Ideologjike të kohës, mbasi Doktrina Ushtarake e tyre ishte përballja në atë qëndresë të buruar nga historia.

Në rrethim… në izolim… çka bëhej shumëfish tragjike.

Ngjan sikur vetë natyra bëri një eksperiment mitik të kësaj fryme të shenjtë. Shqipëria vuante varfërinë e mjerimin e saj, mburrej me “fenerin e saj ndriçues” në botë, e kjo ishte një absurd i madh.

6 shkurti i vitit 1981, koha dhe hapësira rrotull ku përshkohen ngjarjet, la një mbresë të pazakontë që duhet përkthyer, mbasi ajo bashkësi ushtarakësh u bë pjesë e një simboli që disa syresh… as që duan t’i afrohen, sepse sistemi komunist, sipas tyre, gjykohet në mënyrë tërësore si “diktaturë kriminale”, çka nuk është aspak e drejtë.

OHEJ! NA MYTI ORTEKI…ISHTE ZËRI I MARK MICIT…

Sa kishin shkuar në mes të malit, vjen një kumt si nga një mit: “Ohej… na myti orteki!”. Ky ishte zëri i Mark Micit, pedagog ushtarak.

“Tri pemët e vetmuara” ishin shenjat si një kod hartografik i terrenit. Ata ngjiteshin në malin e bardhë me tri shtresa dëbore njëra pas tjetrës. Në 200 metra gjatësi, mali lëvizi në fillim lehtas… për të arrirë atë duf prej vdekjeje. 250 studentë ushtarakë instruktorë dhe pedagogë ishin në zigzaget ngjitëse të malit.

“Tri pemët e vetmuara” si tri xhufka të vdekjes u shkëputën nga bora. Orteku po i merrte me vete për t’i përtypur. Rinia e gjallë ushtarake jepte provën e jashtëzakonshme. Zërat njerëzorë ngrihen në kulm. Të shtëna të armëve vinin nga të dy krahët ku nuk kish arrirë gjerësia e ortekut.

Poshtë, në kamping, ishte pjesa tjetër që s’e kishte radhën e ngjitjes. U dha alarmi. U ngritën të gjithë dhe ashtu u nisën te hapësira me vdekje që po mbahej nga gjokset e shokëve të tyre. Prova shumëfishohej. Oficerët Petrit Murzaku, Çlirim Pulaj, Dushan Shameti, Muzafer Kambo, Bashkim Lika e shumë të tjerë po ngjiteshin. Të tjerë zbrisnin poshtë me shokët në krahë, ashtu të kërleshur me borën e bardhë. Orteku hidhte gjymtyrët e tij të verbër mbi njerëzit e gjallë.

Kërkoheshin se ku ishin vallë, pozicionet e qëndresës së luftëtarëve. Po beteja e provës nuk kish mbaruar.

Urdhri tjetër i natyrës e nisi ortekun e dytë.

Britmat sërish e mbytën luginën dhe shpatin në të katër anët. Ishte një përleshje tjetër e shumëfishtë në provën e saj të pazakontë. E gjithë bashkësia po mbante ortekun në gjoks. Ajo që ndodhi është shumë herë më mitike sesa epika e lashtësisë dhe tragjeditë e saj. Në kërkim të majës së malit dhe të njëri-tjetrit, këtu ishte e mbrujtur psikologjia e përballjes së atij orteku të provës, ku kish vetëmohim e sakrificë reale, aq të rrallë që do të rrojë në kohë. Studiuesit e kanë frikë t’i afrohen ta shpjegojnë… se e kanë hallin e përgojimit për atë “se ajo ushtri i shërbente Diktaturës së Proletariatit…”.

I KUJT ËSHTË KY MAL? PROVA E VETVETES EPIKE!

Bëhej bilanci… po cili bilanc …sa të gjallë… e sa të mbërthyer përjetshëm, me ortekun… sa u shpëtuan… sa po ngjiten sërish… sa u plaguan… ç’është kjo llogari lufte, beteje e paparë… në këtë provë të madhe!?

Qemal Lika, Bilbil Pasha, Nexhip Çoba, Dushan Shameti, Nikollaq Bero, Besnik Shehu, Ilir Gramatikoi, Bujar Ago, Aleko Gjoni, Pëllumb Rrapo …të shtrirë, me sytë ende hapur, me krahë të nxehtë, me shpatulla të lira prej rëndesës, me një shëmbëllim fytyre të dhimbjes së thellë, por ashtu, të bukur në misionin të provës së tyre… që s’matet dot, jo prej plagëve, as prej goditjeve të malit. Gjashtëdhjetë të tjerë u gjymtuan, dy prej tyre, Përparim Veliu nga Saranda dhe Luan Muça nga Peshkopia, mbetën ashtu të paralizuar.

ÇLIRIM PULAJ, NË KËRKIMIN HARTOGRAFIK

Po Çlirim Pulaj, miku im me sy blu, me lopatën në dorë për ta shqyer atë ortek… në hartografinë e shpirtit të kohës. Ku është? Akoma atje, duke hapur thellësitë, ndaj nuk po kthehet. Shokët po i ktheheshin malit sërish, për të gjetur pedagogun dhe instruktorin e shpresës dhe bukurisë shpirtërore. Ishte një përballje tjetër.Dhe erdhi një gjetje topografike prej shtresash njëra mbi tjetrën, atje si në themele gjeologjike priste ai shokët e tij, për t’u gjendur aty në jetë të jetës. Ata nuk e dinin se si në kohën që e jep goditjen në borë në shkëmb apo rrëshqitje, është shpatulla njerëzore që bëhet njësh me malin dhe po ashtulloj ngrihet në qiell sërish për t’u rikthyer. Ky ishte Çlirim Pulaj e po ta doni mund të shkoni sa herë për ta takuar, ai nuk është i ngrirë, por në rekonicion e përnjohje, nga udha e ngjitjes në udhën tjetër qiellore të shpirtit shqiptar.

Të gjitha u ngritën që të fillonin nga e para një përballje të re.Ishte metafizika e simbolit kombëtar që s’humb kurrë!

Ata u bënë pjesë e malit me ortek. U bënë simbol qëndrese në një kohë të rëndë, ndaj ata rrojnë.

*)Kolonel në lirim i FA, Profesor Asoc.,vëllai i një prej heronjve të ortekut, Bilbil Pashajt

Koloneli Myslim Pashaj me anë të një postimi në rrjetet sociale ka treguar elegjinë që nëna e tij krijoi për birin e saj të vdekur, në momentet kur trupi i tij arriti në shtëpi, si më poshtë:

6 shkurt 1981… Bilbil Pasha, im vëlla SKËNDERBEGAS, ra në ortekun e dëborës, në Feken. Nëna jonë DEKUA, teksa Ai, sapo kish ardhur në avllinë para shtëpisë sonë në Mallakastër, qau me ligje…krijoi atypëraty një elegji, e cila u stilizua më vonë… Po iua përcjell miqve të mi! Janë kujtime Shqipërie dhe kanë një domethënie të rrallë !

 ELEGJI…OSE…KËNGË VAJI E DEKOS PËR DITËN KUR BILBILI RA NË ORTEKUN E DËBORËS. BIR 0 BIR! PËR SHQIPËRINË…

Ore ti Mali me Gropa!
Ma bëre Bilibilin copa,..
Ore ti Mali me Gurë!
Bilbil dhashë, Bilbil ke prurë!
Ore ti Mali Feken
Loti im e zgjoftë dhenë!
Bir o bir! Të pashtë në ëndërr!
Sikur mbrëmë m’u bëre dhëndërr…
Unë qaja , shpendër më shpendër.
Mal o mal që të dhashë zemër!

0 Bilbil, o bir…o bir!
Ku je ngrysur e ku je gdhirë!?
Në atë borë të bardhë, qefin!
Kërkoj dorën , ti ma shtrin.
Kërkoj syrin që të ndrin.
Dhe ti vjen, më mbush shtëpinë!
Bir o bir, për SHQIPËRINË!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights