Klodian Cami: Bashkim, atdhedashuri

Intervistë me përfaqësuesin e shoqatës shqiptare “Shqiponja” në Reggio Emilia në Itali

Klodian Cami: Bashkim, atdhedashuri midis shqiptarëve në botë

Shoqata “Shqiponja” radhitet ndër të parat shoqata shqiptare të krijuara në Itali pas viteve ’90. Nisi si një nismë me 18 vetë, por që gradualisht u rrit për t’u bërë një shoqatë me themele të forta, e cila ka si synim të sajin bashkimin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe simotrave të kësaj shoqate në botë. Mësimi i gjuhës amë për fëmijët e emigrantëve në Itali është një ndër qëllimet kryesore të kësaj shoqate, bashkë me  përcjelljen  e vlerave shqiptare, si dhe dhënia e ndihmës  komunitetit për ku të jetë nevoja..

  1. Cami, ju jeni një ndër themeluesit e shoqatës shqiptare “Shqiponja” të Reggio Emilia-s në Itali, ç’mund të na thoni në lidhje me vizionin e kësaj shoqate?

Shoqata “Shqiponja” radhitet ndër të parat shoqata shqiptare të krijuara në Itali pas emigrimit në vitet ‘90. Siç dihet, për shumë vite me radhë, shqiptarët nuk kishin asnjë lloj organizimi dhe përfaqësimi mes tyre, si mes vetes, ashtu edhe nga shteti. Shoqata “Shqiponja” u zyrtarizua me datë 30 shtator  të 2010-s. Në fakt, si ide ishte shumë më e kahershme, por vështirësitë bënë të sajën. Idetë ishin mes çdo shqiptari, por në fakt, në grupin nismëtar ishim vetëm 18 veta për t’u shtuar gradualisht dita-ditës .

Si lindi ideja për të krijuar këtë shoqatë?

Idetë ishin pjesë e çdo shqiptari për t’i përçuar edhe në vendin ku jetojmë kulturën tonë shqiptare dhe gjuhën shqipe. Ato vite, shqiptarët sa kishin filluar të integroheshin dhe të çliroheshin nga e kaluara e tyre emigruese e 10-15 viteve të para sipas parimit që të mblidhnin para e të ktheheshin doemos në vendlindje. Familjet shqiptare filluan të bashkoheshin me njerëzit më të shtrenjtë, gratë, prindërit e tyre dhe fëmijët në Itali, gjë që çoi në krijimin e komunitetit tonë aty. Ideja u bë realitet vetëm pasi komuniteti ynë këtu kuptoi se të përçarë nuk fitohej asnjë e drejtë.

A janë të interesuar emigrantët shqiptarë të bëhen anëtarë të kësaj shoqate?

Emigrantët shqiptarë janë shumë të interesuar të marrin pjesë  në aktivitetet tona, pra të anëtarësohen në shoqatë. Janë të shumtë ata që anëtarësohen, por,  po ta analizosh ate me numrin total të komunitetit tonë në Itali, përqindja ngelet e dobët.  Arsyeja mendoj unë nuk është vullneti për t’u anëtarësuar pranë nesh, por mentaliteti ynë në lidhje me shoqatat vullnetare.  

Cilat janë aktivitetet kryesore që organizohen nga shoqata juaj dhe cili është qëllimi i këtyre aktiviteteve?

Me nismën dhe punën e pandërprerë të shoqatës sonë dhe falë vullnetit te tre mësuesve vullnetarë që profesionin e tyre e ushtrojnë me shumë pasion, u mundësua mësimi i gjuhës shqipe. Kurset e gjuhës shqipe jane në vitin e tyre  të dytë dhe mungesa e dorës së shtetit amë na i  vështirëson më së shumti përpjekjet tona, sepse është  e rëndësishme njohja zyrtare e këtyre kurseve, për të inkurajuar më shumë si besimin e prindërve të fëmijëve, por edhe për të rritur cilësinë dhe nxitjen e mësuesve vullnetarë në shërbim të komunitetit tonë në Itali.

Kemi pasur furnizime me tekste shkollore  nga ambasada shqiptare  e drejtuar nga z Neritan Ceka, por  pas tij kemi një rënie të cilësisë së  marrëdhënieve me drejtuesit e rinj të ambasadës. Ka pasur edhe nisma të veçanta më parë, por pa sukses. Arsyeja janë vështirësitë në organizim. Shqiptarët bëjnë punë me orare të stërgjatura dhe gjejnë vështirësi të shoqërojnë fëmijët e tyre që të marrin pjesë në  kurset tona, ndonëse te gjitha janë falas.  Aktivitetet kryesore që shoqata jonë organizon çdo vit,  janë festa kombëtare e 28 Nëntorit dhe e 17 Shkurtit, data historike të tjera që përkujtojnë Çamërinë dhe qytete të tjera historike si Lidhja e Prizrenit. Ne gjithashtu  ndihmojmë emigrantët dhe familjet shqiptare për sa u përket dokumenteve dhe rinovimit të tyre. Këshillojmë përmes avokatëve tanë për problematika të ndryshme se si të orientohen drejt një zgjidhjeje sa më reale dhe me më pak kosto.

Organizojmë eskursione të ndryshme me fëmijët shqiptarë jashtë qytetit ku jetojmë dhe më kryesorja është se gjithë shërbimi ynë si grup, ofron shërbime falas, jo vetëm për shqiptarët, por edhe pranë qendrave që ushqejnë njerëzit në nevojë, si Caritas etj., në shenjë solidariteti me ta.

Po aktivitete të veçanta vetëm për fëmijët a organizohen nga shoqata juaj?

Për fëmijët një pjesë janë sporadike, lojëra të rastit, ekskursione pranë lumenjve dhe parqeve, ndonjë lojë futbolli për zbavitje. 1 Qershorin e bëjmë në bazë të traditës shqiptare si dita e fëmijëve. Në festat e ndryshme patriotike u mesojme  recitim dhe teatër Aktiviteti më i suksesshëm  yni është një ekip futbolli dhe që prej tre vitesh jemi të parët në listë. Deri vjet luanim në nivel qarku, sivjet jemi ngjitur në nivel krahinor që këta i thonë ‘Reggione’ dhe synojmë që vitin e ardhshëm  të luajmë në Serinë C në nivel kombëtar.

A mund të na flisni për objektivat që keni ju në lidhje me të ardhmen e kësaj shoqate?

Në botë mbajmë lidhje dhe bashkëpunojmë me shumë shoqata simotra dhe ndonjëherë bëjmë  edhe takime të drejtpërdrejta, por në shumicën e rasteve lidhjet me disa i mbajmë vetëm përmes rrjetit social FB .

Por, megjithatë kemi pasur edhe raste takimi të mirëfilltë të takohemi  si staf, siç është rasti i vizitës sonë në në Athinë, në Greqi, për të shkëmbyer përvojat tona mes nesh.. Këto bashkëpunime më shumë i kemi organizuar në rrafshin e federatave, pasi shoqata jonë ka dy vite që është pjesëtare e federatës së shoqatave shqiptare të Italisë, ku ne kemi nderin të jemi jo vetëm  anëtarë të rëndësishëm të saj, por edhe bashkëkrijues.

Cili është mesazhi i shoqatës juaj për të gjithë shqiptarët e diasporës?

Mesazhi ynë per diasporën është vazhdimi i fjalëve të Skënderbeut: “Bashkim, sakrificë, punë, atdhedashuri, arsim, kulturë, vendosmëri, tolerancë”, virtyte  këto të domosdoshme për të krijuar një qenie sa më humane dhe të plotësuar.

Luljeta Lamçe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights