Gjuha dhe kultura jonë mund të përcillen mjaft mirë edhe nëpërmjet këngëve dhe valleve shqiptare. Kjo tregohet më së miri në Qendrën Kulturore të Suedisë, ku punohet fort çdo ditë që vlerat tona më të mira të trashëgohen brez pas brezi. Kjo qendër u themelua në vitin 2014, me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës në Kosovë. Gjithsej janë tri qendra kulturore, ajo e Stambollit, e Zvicrës dhe në Suedi. Më 23 shkurt të vitit 2013, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me shtetin e Turqisë, arriti të hapte qendrën e parë kulturore në diasporë, në qytetin e Stambollit. Në një intervistë për revistën “Votra”, përgjegjësi për kulturën në Qendrën Kulturore të Suedisë, Bashkim Jashari, dhe mësuesi i gjuhës shqipe, Xhevat Isufi, tregojnë me detaje mbi punën e tij me shqiptarët në Suedi. Zoti Jashari na rrëfen mbi festivalet dhe aktivitetet që kjo qendër realizon, për të bërë bashkë shqiptarët dhe për t’u sjellë atyre sa më pranë atdheun e munguar. Ai ka edhe një mesazh për bashkëkombësit, në mënyrë që gjuha jonë e bukur të përcillet ndër breza.
“Kultura shqiptare është aq e lashtë edhe ka aq shumë për të dhënë, saqë mendoj se ne ende nuk kemi mundur që të bëjmë një prezantim të duhur edhe në shtetet ku ne jetojmë. Kemi aq shumë për të dhënë, për të punuar, për të kultivuar dhe mendoj se jemi në një rrugë ku kërkohet punë. Aktivitete të ndryshme nuk duhet të ndalen në këtë drejtim”, shprehet zoti Jashari. Ndërsa mësuesi i gjuhës shqipe në shkollat suedeze, zoti Xhevat Isufi, tregon mbi mundësitë e shumta dhe mbështetjen që ofron Suedia për të huajt, në këtë rast për shqiptarët. Veç kësaj ai thekson se formimi i Qendrës Kulturore në Suedi është rikthimi i dinjitetit të mërgimtarit.”Qendra Kulturore e Kosovës është institucioni i dytë i Republikës së Kosovës dhe me vendim të qeverisë janë themeluar tri qendra deri më tani, në Turqi, në Zvicër dhe në Suedi. Ky është një kthim i dinjitetit të mërgimtarëve për kontributin e dhënë, para, gjatë dhe pas luftës në shtetformim dhe shtetndërtim. Financimi mbështetet nga qeveria e Kosovës”, tregon ai.
- Zoti Bashkim, ju jeni pjesë e Qendrës Kulturore të Suedisë. Mund të na tregoni si funksionon kjo qendër?
Puna jonë bëhet në kuadër të Qendrës Kulturore të Kosovës, e cila është me bazë në Suedi. Qendra kulturore është e hapur për të gjithë shqiptarët. Në kuadër të saj kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë në aktivitete të ndryshme kulturore. Ne jemi të hapur në organizimet e ndryshme që bëjmë. Dalim dhe i pyesim kush është i interesuar për të marrë pjesë. Nëse njohim persona që kanë një talent të caktuar, bisedojmë me ta dhe arrijmë të bëjmë një aktivitet të caktuar. Nuk i drejtohet vetëm një moshe, pasi i kemi të gjitha moshat. Pra, ne punojmë me të gjithë pa dallim. Meqenëse mundohemi të ruajmë dhe mbështesim brezin e dytë, përqendrohemi më tepër te fëmijët, për të ruajtur kulturën dhe për ta zhvilluar, që të mos asimilohet. Ne festojmë të gjitha festat tona kombëtare. Ne festojmë jo vetëm 28 Nëntorin, por edhe 17 Shkurtin. Kemi promovim të ndryshëm të veprave artistike dhe letrare. Bëjmë promovimin e skulptorëve të ndryshëm, programet, ekspozitat. Kemi filluar edhe me drama, si dhe organizojmë shfaqje të ndryshme. Së fundmi, jemi marrë me organizimin e filmave me metrazh të shkurtër.
- A ka interes nga shqiptarët për t’u bërë pjesë e këtyre aktiviteteve kaq të bukura?
Interesi është i kënaqshëm. Për shkak të mundësive gjeografike në Suedi, shpeshherë bëhet e vështirë që të ketë një pjesëmarrje masive, por bashkësia jonë ka interes të madh dhe besoj që do të rritet edhe më shumë. Ne kemi edhe shoqata të ndryshme, të cilat funksionojnë si ndarje të veçanta dhe bëjmë bashkëpunim me ta për t’i mbledhur shqiptarët kudo që janë nëpër Suedi.
- Ju drejtoni edhe një shoqatë, “Okarina”. Cili është roli i saj në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave?
Ne jemi më tepër të orientuar në muzikën shqiptare, që të përçojmë vlerat tona më tutje dhe t’i ruajmë ato. Kemi pjesën kulturore ku bëhet prezantimi i këngëve kushtuar festave të ndryshme. Në këtë kuadër kemi lloje të muzikës popullore, artistike dhe folklorike. Ka mosha të ndryshme që nga fëmijët 5 vjeç e deri të moshat e mëdha. Kemi edhe poezi, recitale të ndryshme, të cilat në të shumtën e rasteve janë edukative. Aktivitetet bëhen në kuadër të qendrës dhe organizohen në lokalet e qendrës, por edhe në qytete të ndryshme. Në kuadër të saj, ne mblidhemi një herë në javë dhe zgjedhim këngët për festa të ndryshme që do t’i prezantojmë. Për çdo festë ka këngë të veçanta. Për shembull, për festën e Pavarësisë këndojmë këngë për Shqipërinë, për flamurin. Grupmosha të ndryshme bëhen bashkë dhe më pas i caktojmë për prezantimin që do të bëjmë në kuadër të festës që organizojmë.
- Mund të na tregoni diçka për Festivalin e Rapsodëve?
Në Suedi për herë të dytë organizohet Festivali i Rapsodëve, i cili i kushtohet kryesisht moshës madhore, pra të rritur, të cilët kultivojnë atë zhanër të muzikës. Festivali zhvillohet një herë në vit dhe është i orientuar drejt muzikës rapsodike. Në muzikën rapsodike marrin pjesë persona amatorë. Interesi është që të prezantohet muzika rapsodike, nuk është e cekur nëse do jetë epike apo diçka tjetër, por do të kompletohet dhe do të vazhdohet më tutje. Në manifestime të ndryshme, mbrëmje kulturore aty ka mundësi që të prezantohen lloje dhe stile të ndryshme të muzikës. Në këtë mënyrë e kultivojmë dhe e çojmë më tej këtë zhanër të muzikës. Ka aktivitete të ndryshme, për të cilat ne punojmë gjatë vitit dhe i prezantojmë. Festivali zgjedh edhe 3 fitues, vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Ata marrin një medalje mirënjohjeje dhe një kupë nga ana jonë. Kohët e fundit kemi stimuluar më tepër brezat e rinj, për t’i nxitur që të punojnë më shumë. Në vitin 2015 kemi arritur të bëjmë 14 aktivitete.
- Sa ndikojnë këto aktivitete te shqiptarët për ruajtjen e gjuhës?
Kjo ka të bëjë më tepër me ruajtjen e vlerave tona kulturore. Por ne punojmë që të bëhet edhe një integrim me kulturën suedeze. Të kemi mësim me dy fronte. Një front është që ne të mundohemi të punojmë me ta për të ruajtur dhe promovuar kulturën tonë. Fronti tjetër është që të integrohemi me kulturën suedeze. Kemi raste kur zhvillojmë edhe aktivitete të përbashkëta me suedezët.
- Si është bashkëpunimi i fëmijëve shqiptarë me ata suedezë?
Ka një bashkëpunim shumë të mirë mes tyre, pasi fëmijët shqiptarë janë lindur dhe rritur aty.
- Sa mësojnë fëmijët shqiptarë dhe prindërit e tyre nga kjo që ju bëni?
Mësimi është i tërthortë në një farë mënyre, pasi ata mësojnë nëpërmjet këngës, poezisë, recitalit ose dramave të ndryshme. Në këtë mënyrë ata i mbajnë mend më shumë.
- Cilat janë pritshmëritë tuaja nga Samiti i Diasporës, që u mbajt në Tiranë më 18-20 nëntor?
Mendoj se samiti do na japë një mundësi bashkëpunimi mes shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe punojnë. Do punojmë që të gjejmë mënyra që të jemi si një trup i vetëm.
- Cili është mesazhi juaj për bashkëkombësit?
Kultura shqiptare është aq e lashtë edhe kaq ka shumë për të dhënë saqë mendoj se ne ende nuk kemi mundur që të bëjmë një prezantim të duhur edhe në shtetet ku ne jetojmë. Kemi aq shumë për të dhënë, për të punuar, për të kultivuar dhe mendoj se jemi në një rrugë ku kërkohet punë. Aktivitetet e ndryshme nuk duhet të ndalen në këtë drejtim.
Intervista Xhevat Isufi
- Sa mundësi ofron Suedia që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre? A ka ndonjë dallim me shtetet e tjera?
Suedia është një shtet që ofron mundësi të mrekullueshme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe identitetin të fëmijëve tanë mërgimtarë. Mësimi i gjuhës shqipe nuk është i organizuar nga shoqata ose organizata të ndryshme, nga lidhjet e arsimtarëve ose të prindërve, siç është në Gjermani, Zvicër apo shtete të tjera, por është lëndë mësimore që zhvillohet në kuadër të shkollës suedeze dhe nxënësit marrin notë. Kjo notë është e barasvlefshme me notat që merren në të gjitha lëndët e tjera, ai gjuha suedeze, angleze ose matematika. Pra, ka plane, programe të veçanta dhe janë të organizuara shumë mirë. Mësuesit paguhen nga shteti suedez, nga Ministria e Arsimit të Suedisë dhe kanë një status të barabartë me kolegë të tjerë suedezë. E fillojnë mësimin si zakonisht nga ora 8 dhe e mbarojnë në të njëjtën kohë që e mbyllin orarin edhe kolegët e tyre suedezë.Gjuha shqipe mësohet brenda të gjitha shkollave suedeze ku ka fëmijë shqiptarë. Janë rreth 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe dhe punojnë në komuna të shpërndara në të gjithë Suedinë. Kjo është falë rregullave të këtij shteti.
- Çfarë tekstesh përdorin nxënësit shqiptarë në Suedi?
Ne u jemi mirënjohës Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Diasporës, pasi falë tyre, fëmijët tanë i kanë edhe tekstet dhe mjetet mësimore të nevojshme për mësimin e gjuhës. Janë të përpiluara në bazë të kurrikulave europiane, por me mbështetjen e ministrive tona. Ne nuk përdorim tekstet që përdoren në Shqipëri dhe Kosovë, por janë tekste të hartuara në bazë të kurrikulave të vendeve ku zhvillohet mësimi. Nxënësit e bëjnë gjuhën shqipe një orë në javë, 60 minuta. Kusht për të nisur mësimin e gjuhës shqipe në një komunë është që më së paku të ketë kërkesë nga 5 fëmijë që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Dhe atëherë shteti është i detyruar të sigurojë arsimtarin.
- Cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një mësimdhënës për t’u punësuar si mësues i gjuhës shqipe në shkollat suedeze?
Duhet të ketë përgatitje shkollore nga atdheu dhe duhet të ketë nivelet e gjuhës suedeze. Të jetë i licencuar nga pala suedeze. Pastaj ka trajnime të herëpashershme që i bëjnë në mënyrë që mësuesit të punojnë në mënyrë të njëjtë me kolegët e tyre.
- Sa për qind e fëmijëve shqiptarë mësojnë gjuhën e atdheut të tyre?
Po ta marrim në përqindje, 65 për qind e fëmijë të ardhur vijojnë të mësojnë e gjuhën shqipe, çka është shumë e kënaqshme, krahasuar me vendet e tjera të Europës, ku janë me 1, 2 apo 7 për qind. Përveç mësimit të rregullt, ne zhvillojmë edhe aktivitete të shumta së bashku me këta fëmijë.
- Cilat janë këto disa nga këto aktivitete?
14 vjet rresht kemi vizituar atdheun, Shqipërinë dhe Kosovën dhe nuk ka vend që nuk e kemi shkelur me këmbë dhe prekur me dorë. Bashkëpunojmë më shkolla të ndryshme, fëmijët tanë marrin pjesë në orë mësimore. Mirëpo, vitet e fundit ne marrim edhe shkolla nga atdheu dhe i sjellim në Suedi. Kemi realizuar mjaft programe kulturore për festat tona kombëtare, për festat e fëmijëve, të shkollave dhe ato ndërkombëtare. Qeveria suedeze na stimulon dhe na mbështet ekonomikisht dhe moralisht. Me rastin e 100-vjetorit, ne kemi organizuar diçka të veçantë. Kemi shkuar në Krujë dhe më pas kemi vizituar Tiranën, Vlorën me 100 nxënës, numër që përkonte me përvjetorin e 100 të shtetit tonë.
Ilda Hoxha