Grupi polifonik “Zëri i bilbilit”- Sarandë
Shekuj më parë, në truallin e Labërisë, krahas monofonisë, po kristalizohej një formë tjetër e ndërgjegjes artistike muzikore të banorëve vendas të saj, polifonia.
Termi “polifoni” vjen nga greqishtja, “poli” shumë «foni» – zë, tingull, d.m.th., shumë zëra, tinguj, melodi. Deri afër mesit të shekullit XX, ajo simbolizonte shfaqjen kryesore të jetës muzikore të kësaj krahine, në mos të vetmen. Kënga polifonike labe është ndër dëshmitë më të dukshme të talentit të popullit tonë, që e ruajti atë të pastër, në luftë ndaj rrebesheve të kohërave.
Në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe, si mbarë arti ynë muzikor popullor, është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, thjesht familjare. Ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës së dytë të shekullit tonë. Kultura muzikore polifonike labe është shquar gjithmonë nga gjallëria.
Si bashkudhëtare e ditëve të gëzuara e të trishtuara të malësorit të Jugut, polifonia labe simbolizonte vazhdimisht një art tepër të dashur për të. Duke pasqyruar aspekte të ndryshme të historisë dhe të jetës së labëve, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm edukues.
Polifonia labe gjallon në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, duke u kënduar në mënyrë të pjesshme ose të plotë nga popullsia e rretheve: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Fier. Ajo përbën një nga katër dialekte kryesore të polifonisë popullore shqiptare, krahas asaj myzeqare, toske, çame. Nga ana tjetër, këto dialekte ndahen gjithashtu në një mori stilesh muzikore. Kur flitet për muzikën tonë popullore zanore, tërheq vëmendjen fakti se, ndërsa në pjesën veriore dhe të mesme të vendit ajo është përgjithësisht me një zë, homofonike, në pjesën jugore shfaqet përgjithësisht me shumë zëra, polifonike.
Kultura muzikore polifonike labe ekziston në tre lloje ose grupe kryesore: polifoni me dy zëra, polifoni me tre zëra, polifoni me katër zëra. Polifonia me dy zëra këndohet kryesisht, nga gra të qytetit të Gjirokastrës, gra të disa fshatrave të zonës së Gorishtit, të fshatit Kaninë, burra të fshatit Duka etj. Ndërsa polifoni me tre dhe katër zëra, dëgjohet në mbarë fshatrat dhe rrethinat e Labërisë.
Nëse, dhjetëvjeçarëve të shkuar, më e përhapur ka qenë polifonia trizërëshe, në ditët tona, përdorim më të madh është duke fituar polifonia katërzërëshe. Solisti i parë i polifonisë labe quhet “marrës”, i dyti – “kthyes”, i treti – “hedhës” ose “mbushës” dhe përbërësi i katërt – “iso”. Ky i fundit në dallim nga të tjerët, këndohet prej shumë vetave. Emërtimi i këngëtarëve shpreh një raport të përcaktuar mirë, ai niset nga një lidhje përmbajtjeje, e brendshme dhe organike që ekziston mes tyre.
Çështja e origjinës, moshës së polifonisë labe, sikurse e mbarë polifonisë popullore shqiptare, në kushtet e mungesës së dokumenteve historike, paraqitet mjaft e ndërlikuar. Me të janë marrë disa nga etnomuzikologët tanë. Ndërkohë, mjaft studiues të huaj, sipas rastit, në një masë më të madhe ose më të vogël, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kanë trajtuar gjithashtu fillesën
e polifonisë popullore në përgjithësi dhe të polifonisë së vendeve përkatëse në veçanti.
Nga kërkimet e derisotme del që, në gadishullin e Ballkanit, kënga polifonike shfaqet si një kulturë muzikore karakteristike për shqiptarët, grekët; aromunët, bullgarët, maqedonasit, boshnjakët, serbët.
Lashtësia e polifonisë labe, në rrethanat e mungesës së dokumenteve historike, mund të ndriçohet, para së gjithash, nëpërmjet hulumtimit të lëndës së gjallë muzikore. Që fillesa e saj është e një epoke të lashtë, këtë e tregojnë qartë, vetë tiparet kryesore individuale, ndërtimi i brendshëm etj. Kështu, për hershmëri flet afria që ekziston mes intonacioneve të këngës polifonike labe dhe atyre të të folurit njerëzor. Kuptimplotë është edhe fakti që intonacioneve të saj, si do të shohim, herë-herë; na japin ndjesi të jetës blegtorale, si, p.sh., thirrje tipike barinjsh etj.
Polifonia labe lidhet ngushtë me ndikimin që kanë ushtruar historikisht ndaj saj kushtet ekonomiko-shoqërore.
Përshtypja akustike që krijon kënga labe mund të krahasohet me tingullin e këmborëve të bagëtive”.
Ndikimi i jetës blegtorale dallohet qartë gjithashtu në muzikën popullore instrumentale labe.
Faktorët shoqërorë që ndikuan mbi kulturën muzikore popullore labe janë, së paku, dy llojesh: martesore e zakonore në përgjithësi dhe të solidaritetit atdhetar. Labët kanë bërë e bëjnë me shumicë si martesa brenda fshatrave të veçanta, ashtu edhe jashtë tyre.
Ata, si dje edhe sot, marrin e japin gjithashtu qoftë brenda, qoftë jashtë zonave të caktuara etnografike. Gjithsesi, martesat brenda fshatrave kanë qenë, përgjithësisht, më të kufizuara sesa ato ndërfshatare, kurse martesat brenda zonave, si rregull, gëzonin përparësi mbi ato ndërzonale.
Është e qartë se faktorët shoqërorë, veçanërisht ata zakonorë, nuk mund të mos kenë ndikuar së brendshmi që të përftohej një kulturë muzikore e njësuar, me tipare intonativo-modale mbare labe.
Labët kanë jetuar e jetojnë në një truall me male të larta, të ashpra e shkëmbore, me mungesë të ndjeshme bimësie, klimë në përgjithësi malore, me verë të freskët e dimër të ashpër, por vende-vende edhe mesdhetare, ku vera është e nxehtë dhe e thatë dhe dimri i butë e i lagët, duke u kufizuar në perëndim nga deti Jon. Ndikimi i kushteve të tilla natyrore reflektohet përsëri, sidomos, mbi këngën polifonike labe.
Kënga shumëzërëshe labe duket se është ndikuar në një masë edhe nga bukuria e veçantë e natyrës bregdetare.
Ndikimi i kushteve natyrore shquan gjithashtu në muzikën popullore instrumentore labe, homofonike dhe polifonike. Notat kryesisht lirike të saj, veç tjerash, nxiten edhe nga madhështia e natyrës sonë. Fyelli dhe culdyjarja si vegla tipike për të gjithë Labërinë, krijojnë përshtypje e lidhje të qarta të natyrës shqiptare.
Në intonacionet muzikore të tyre shquhet me lehtësi bukuria e peizazhit tonë natyror, që jepet përmes botës shpirtërore të bariut.
Labët, në të kaluarën, zhvillonin, përgjithësisht, një jetë artistike folklorike të veçuar, të mbyllur, konservatore, larg ndikimeve të mundshme të ndonjë kulture të huaj artistike. Një jetë të tillë e përcaktonin, deri diku, edhe kushtet natyrore. Në rrethanat e këtij veçimi, ata kanë mundur të rritin e zhvillojnë një folklor autentik.
Kultura fshatare vendase ka qenë nëpër shekuj mjaft e mbyllur dhe, për pasojë, etnikisht më e pastër, më autoktone. Tiparet etnike origjinale spikatin më fort në kulturën fshatare. Kur vendi ynë ishte i përfshirë në Perandorinë e Bizantit, në kulturën tonë qytetare popullore ose reflekse u vunë re gjurmë të kulturës bizantine. Pas pushtimit osman u shfaqën mbi të ndikime orientale.
Siç kanë pohuar studiuesit, në sistemin e qarkullimit të folklorit në kohën e sotme po përdoren gjerësisht edhe mjetet teknike moderne të informacionit, që kanë një efektshmëri të madhe transmetuese informative mbi përdoruesit e vlerave folklorike, pavarësisht nga niveli arsimor i tyre.
Sinan Ahmeti
Kryetari i shoqates folklorike “Zeri i Bilbilit”, Sarande