Prof. Rrezeart GALICA
Edhe pse posterët nuk kanë histori të gjerë si gjinitë e tjera të artit, posteri mund të quhet si një lloj relativisht i ri i artit dhe si formë e rëndësishme e shumë koleksioneve kombëtare dhe private. Numri i festivaleve dhe i konkurseve ndërkombëtare i posterëve dëshmon se ky lloj i artit ka një pozitë të rëndësishme në mesin e zhanreve të tjera dhe ka adhurues e krijues të tij.
Origjina e posterit lidhet me fillimet e shtypit. Gjermani Alois Senefelder ka shpikur litografinë në vitin 1796, kurse dekada më vonë, diku rreth vitit 1827, është prezantuar kromolitografia (fjalorë të ndryshëm të artit dhe burime të tjera mund të japin të dhëna paksa të ndryshme). Mënyra e shtypjes dhe e shumëzimit pas këtij zbulimi hapi mundësinë për të krijuar posterë me ngjyra të ndërthurur me tipografi e imazhe. Kjo përbënte bazën e veprave të artit më të rëndësishme të shtypit të asaj kohe. Megjithatë, hapi më i rëndësishëm në tërë historinë e posterit është zhvillimi i teknikave për shtyp.[1]
Posteri porsa kishte lindur në Francë nga duart e Zhyl Shehrre (Jules Chéret) pas shpikjes së litografisë me ngjyra. I lindur në vitin 1836, Zhyl Shehrre është konsideruar nga një rreth i gjerë si “babai” i posterit modern. Shehrre filloi të studiojë litografinë në moshën 30-vjeçare dhe në moshën 60-vjeçare mori klasën në Shkollën Nacionale të Artit (Ecole Nationale de Dessin) në Paris. Ai bëri posterët e parë bardhezi në vitin 1855 dhe nga viti 1859 deri në vitin 1866 studioi litografinë në Londër.[2] Në vitin 1858, Shehrre krijoi posterin e tij të parë për kompozitorin Jacques Offenbach dhe kur ky poster nuk i kaloi në komision, ai vendosi që të kthehet në Londër që t’i japë këtij posteri dorën e dytë.
Si në Europë ashtu dhe në Amerikë ka pasur përparime në teknologjinë e shtypit nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Francë, litografia me ngjyra përparoi dukshëm nga Zhyl Shehrre, duke lejuar ngjyrën e madhe dhe nuancat në riprodhimin e posterëve. Artisti Shehrre, përveçse konsiderohet si “babai i posterit”, ai është edhe mjeshtër i ngjyrave. Veprat e tij artistike kanë frymëzuar breza të tërë të artistëve, duke i përfshirë edhe artistët Tulyz-Liutrek (Touluse-Lautrec), Pjerr Bonar (Pierre Bonnard) dhe Alfons Muha (Alphonse Mucha), krahas të tjerëve që punuan në stile të ndryshme, duke filluar nga ai bizantin e roko e deri tek ai realist dhe arti novu. Zhyl Shehrre u shqua si një krijues posteri dhe gjeni i madh, sepse kishte prodhuar më shumë se 1000 posterë gjatë karrierës së tij shumë të gjatë.
Pa litografi dhe pa Zhyl Shehrre, posterët siç i njohim ne sot, thjesht nuk do të ekzistonin.
Sot në botë ekzistojnë disa muze të posterit, si në: Francë, Angli, Amerikë, Gjermani etj. Po përmendim atë më të hershmin, muzeu i posterit në Uilanou (polonisht: Múzeum Plakatu w Wilanowie) është muzeu i parë dhe më i vjetri i posterit në botë, i cili u hap më 1968 si degë e Muzeut Nacional të Varshavës në Poloni. Në themelimin e tij, muzeu kishte 13.000 artikuj, duke përfshirë rreth 500 posterë të ruajtur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Koleksioni i muzeut është vazhdimisht në rritje, nëpërmjet dhuratave nga donatorë polakë e ndërkombëtarë.
Vlen të theksohet se bienale ose trienale ekspozitash të posterëve organizohen gjithandej në botë, si në Bërno, Chaumont, Esen, Fort Kollins, Katovice, Lahti, Meksiko Sity, Mons, Moskë, Riga, Tallin, Tojama, Tërnava, Vilnius, Varshavë, Zagreb, Sofje etj.
(Autori është doktorant pranë Qendrës për Studime Albanologjike në Tiranë)
[1] Man, Felix H. 150 Years of Artists’ Lithographs: 1803-1953, William Heinemann Limited, 1953 – Lithography, United Kingdom (Edicioni I) 1953, f. 12-18.
[2] Gallo, Max &Quintavalle, Arturo Carlo. The Poster in History. W.W. Norton, New York, 2002, f. 5-10.