Historia e arsimit shqip është sa e lashtë, po aq edhe krenare, me gjithë vështirësitë dhe sakrificat e zhvillimit të saj. Themi e lashtë për faktin se shqiptarët nuk pushuan së punuari për të zhvilluar arsimin shqip në trojet etnike shqiptare. Kështu, historia e arsimit shqip është e mbushur me ngjarje lavdie, krenarie, deri në sakrifica sublime që bënë mësuesit e popullit. Ata duke ditur thënien e njohur se “arsimi është arma kryesore e çdo populli” dhanë çdo gjë për çështjen e arsimit shqip. Ndërsa kur themi krenare, mendojmë tek gjenerata të tëra që kontribuan në rritjen e arsimit shqip, duke filluar me mësuesin e parë Pandeli Sotirin, pastaj Sevasti e Gjerazim Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ernest Koliqin, Ali Harshovën, etj, të cilët me punën e tyre lanë gjurmë të pashlyera në historinë e arsimit shqip.
Sa i përket historisë së arsimit shqip, ndër momentet kyqe të saj ishin pa dyshim hapja e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887, në Korçë, Kongresi i Manastirit më 14 nëntor 1908, ku u vendos çështja e alfabetit shqip, pastaj hapja e “Normales së Elbasanit”, më 1909, që njihet si shkolla e parë e mesme shqipe etj.
Po ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), arsimi shqip shënon një periudhë të zhvillimit, duke ulur kështu shkallën e analfabetizmit, që ishte tejet e lartë, si brenda edhe jashtë Shqipërisë politike të vitit 1913.
Në marrëveshjen e arritur në Vjenë, më 21-22 prill 1941, ndërmjet Berlinit dhe Romës, të përfaqësuar nga ministri i Jashtëm gjerman, Ribentrop, dhe ministrit i Jashtëm i Italisë, Galeaco Çiano, ishte përcaktuaa harta e re politike të Ballkanit. Harta mbështetej në parimet e ndarjes së zonave të influencës midise Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë. Nga ky parim viset shqiptare nën Jugosllavi u ndanë ndërmjet këtyre tri shteteve. Në këtë marrëveshje Italia do të merrte pjesën më të madhe të Rrafshit të Kosovës, me qytete si Prishtinën, Ferizajn, Gjilanin, Kamenicën, rajonin e Drenicës, Rrafshin e Dukagjinit me Pejën, Gjakovën, Prizrenin, territoret në veri, Ulqinin, Tuzin, Plavën e Gucinë si dhe ato në lindje: Tetovën, Gostivarin, Kërҫovën, Strugën dhe një pjesë të viseve të Prespës, duke krijuara të ashtuquajturën Shqipërinë e Madhe.
Ndërsa rajoni i Mitrovicës, Pudujevës dhe Vuҫitërnës, për shkake të industrisë, minierave të Trepҫës dhe pasurisë nëntokësore që ofronte ky rajon dhe për interesa strategjike të Gjermanisë dhe nevojat që kishte për luftë, u përfshinë në kuadër të shtetit kuisling serb të Nediҫit.
Në bisedimet e Vjenës, Gjermania kërkoi edhe plotësimin e kërkesave të Bullgarisë, aleatit tjetër të Bllokut Fashist. Kështu, në Vjenë parashikohej që të kalonin nën sundimin bullgar një pjesë e rretheve të Gjilanit, e të Ferizajit, Vitia, Kaçaniku, rajoni i Preshevës, i Kumanovës dhe i Shkupit.
Siç dihet e ashtuquajtura “Shqipëria e Madhe” nuk ishte Shqipëri etnike, ngase ajo nuk përfshinte të gjitha trojet etnike të banuara me shqiptarë, pasi jashtë saj mbeti një pjesë e madhe e banuar historikisht me shqiptarë. Krijimi i të ashtuquajturës “Shqipëri e madhe” siç e quanin pa të drejtë, ishte e lidhur me fitoren e fuqive të boshtit Romë-Berlin, në radhë të parë për interesa strategjike të pushtuesit, ngase pushtuesi italian u mundua t’i shfrytëzonte imperialistët shqiptarë për të zgjeruar influencën e vetë.
Pavarësisht nga synimet e pushtuesit, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë solli disa rrjedhoja pozitive për shqiptarët, pasi u shemb “muri kinez”, që mbante të ndarë prej vitesh dhe krijoi një komunikim të lirë e të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre.
Pushtuesi njohu të drejtën përdorimit të gjuhës shqipe dhe të zhvillimit të arsimit e të shkollave shqipe. Këto masa do të ndikonin në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Pasi që Kosova dhe viset e tjera u bashkuan me Shqipërinë, autoritetet italiane i ndanë territoret shqiptare në zona të pushtimit, dhe më pas morën masa për organizimin e rendit pushtues, përkatësisht pushtetit civil e ushtarak në Kosovë. Organizimi i pushtetit civil i’u ngarkua Komisariatit të Lartë Civil, me seli në Prizren, që drejtohej nga Fejzi Alizoti.
Gjatë viteve 1941-1944 arsimi në Kosovë punonte në bazë të ligjeve dhe rregullave arsimore të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, të cilën e udhëheqtë fillimesh Ernest Koliqi. Kjo ministri përcaktoi detyrat e Drejtorisë së Arsimit, të inspektorëve të arsimit, drejtorive didaktike, këshillave shkollorë, si dhe komisioneve shkollore. Po ashtu kjo Ministri merrej edhe me studimin e programeve mësimore, teksteve shkollore, si dhe me nevojat e tjera që mund të dilnin gjatë punës.
Komisionet shkollore krijoheshin pranë ҫdo komune dhe përbëheshin nga kryetari i komunës, drejtori apo kryesuesi i shkollës si dhe nga përfaqësues të prindërve. Ky komision përkujdesej për nevojat e zhvillimit dhe mirëvajtjes së arsimit në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, si në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
Ministria e Arsimit në vitin 1941 themeloi edhe 5 inspektori të arsimit që funksionuan në 5 qendra që iu bashkuan shtetit-shqiptar: Inspektoritë e Arsimit: në Prishtinë, Prizren, Pejë, Tetovë dhe në Dibër.
Në këtë periudhë, sipas të dhënave, në Kosovë u hapën 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe, disa të mesme si gjimnazet në Prishtinë, dhe Prizren, pastaj në Pejë Instituti Tregtar Agrar dhe Shkolla Normale-Tregtare në Gjakovë dhe disa gjimnaze të ulëta me gjithsej 267 paralele. Në këto shkolla punuan 264 mësues që zhvillonin mësimin në to dhe u frekuentuan nga 13.665 nxënës, 4.000 prej të cilëve ishin nga zona e okupimit gjerman.
Kështu, mësuesit e ardhur nga Shqipëria, përveç tjerash, patën një ndikim edhe në fuqizimin e ndjenjës kombëtare, ngase nëpër shkolla u mësonin fëmijëve shqiptarë historinë kombëtare e cila ishte pak e njohur për ta, ngase deri në këtë periudhë, ata mësonin nëpër shkolla vetëm në gjuhën serbe. Po ashtu ky bashkëpunim ishte i pari në këto përmasa që nga ndarja e Kosovës nga trungu i saj më 1913, prandaj rëndësia e tij ishte e shumanshme, sepse mundësoi, ndër të tjera, që shqiptarët të shtojnë kontaktet e tyre në të gjitha fushat.
Se arsimi shqip në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore pati një zhvillim të hovshëm, është mjaftë e qartë, sidomos nga viti 1941. Prandaj me të drejtë konkludojmë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në gusht të vitit 1941 është arsyea kryesore dhe më e fuqishme që ndihmoi në zhvillimin e shpejt të arsimit shqip në Kosovë. Po ashtu, afër 300 mësues të ardhur nga Shqipëria, jo vetëm që hapën shkollat, por dhe mbanin kurse për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha qendrat e Kosovës, me grup-mosha të ndryshme.
Këta mësues, përveç lëndëve të tjera, u mësonin në veçanti nxënësve kosovarë gjuhën shqipe, historinë etj. Kështu, në këtë periudhë janë shpjeguar tema nga historia kombëtare si Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë etj, si dhe janë dhë njohuri për personalitete të shquara të kombit shqiptar. Për nxënësit shqiptar në Kosovë që deri atëherë mësonin nëpër shkolla vetëm në gjuhën serbe, arsimi shqip dhe mësuesit shqiptarë shikoheshin si “mesia” i tyre. Themi kështu, ngase mësuesit e ardhur nga Shqipëria ndikuan në fuqizimin e ndërgjegjes kombëtare.
Autori është Hulumtues i pavarur shkencor për shek.XX në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Prishtinës.
PhD. Haxhi Ademi