Dy familje atdhetare, tri herë miq me njëri-tjetrin

Bisedë me vatranet z. Sejdi Hysenaj, dhe z. Mustafë Elezi, në New York, USA

I mjeri ai fëmijë që ka parë gjithë atë botë e nuk njeh ende vendin e vet”, kështu ka zgjedhur për të përshkruar realitetin e emigrantëve shqiptarë poeti Lazer Shanto në vitin 1925. Është i njohur fakti i dhimbshëm i ikjes së shqiptarëve nga luftërat dhe pushtimi, por edhe nga politika diskriminuese e vetë regjimit komunist të asaj kohe në Shqipëri, i cili i detyroi shqiptarët anembanë të merrnin rrugën drejt vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe Europës,  Amerikës,  Kanadasë,  Australisë e deri në Rusinë e largët. Edhe pse nga kjo ikje kanë kaluar kufij kohorë që përkojnë me dy- tre shekuj,  breza të shumtë nga viti në vit i kanë shpëtuar asimilimit dhe është për t’u theksuar fakti se si këta banorë kanë ruajtur me fanatizëm dhe kanë transmetuar te fëmijët e tyre te nipat e mbesat  kulturën,  doket,  zakonet e traditat shqiptare. Për t’ua konkretizuar gjithçka u tha më sipër do të ndajmë me lexuesin e revistës “Votra” historinë e dy familjeve nga Veriu i Shqipërisë që emigruan nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ishte 7 prilli i vitit 1968 kur 16 anëtarë të familjes Hysenaj u larguan nga fshati Ahamataj i Tropojës jashtë kufijve të Shqipërisë për të emigruar në një nga vendet e Europës e pse jo edhe më larg  këtu në Amerikë. Përpos kësaj do të njiheni edhe me rrugëtimin e familjes së Mustafë Elezit nga fshati Dragobi të njohur me mbiemrin Jahelezi  në Tropojë. një rrugëtim që nisi në vitet 1968 e që fati na takoi me ta për të mësuar më shumë rreth fillimeve të vështira dhe përballjes me jetën në vend të huaj, por edhe me ndryshimin midis emigrantëve shqiptarë në USA në atë kohë dhe atyre sot. Këto familje dikur i bashkonte vetëm dashuria e malli për atdheun, ndërsa sot ata i bashkon miqësia që kanë ndër veti.

Në bashkëbisedimin që patëm me zotin Sejdi Hysenaj, një aktivist i njohur në Komunitetin Shqiptar në NY kujton se: babai i tij ishte nismëtari i kësaj ikjeje nga Shqipëria në vitin 1984  një vit, pasi familja e tij kishte përjetuar tmerrin e  internimit  dhe cilësoheshin si të persekutuar ashtu si shumë familje shqiptare që ndanin  të njëjtin fat  e vetmja zgjidhje ishte IKJA! Beogradi ishte në këto vite rruga e kalimit për në vendet e tjera të Europës  e me gjerë vendi i cili shërbeu për familjen Hysenaj si një trampolinë për t’u zhvendosur me banim me Francë dhe më pas në SHBA ku vazhdojnë të jetojnë edhe sot.

Hysenaj, si i kujtoni vitet e para në Amerikë dhe çfarë ndryshimi vini re mes kohës ku ju keni ardhur dhe sot ?

Çdo emigrant e ka të vështirë fillimin, sepse duhet t’ia nisësh gjithçkaje nga e para,  integrimi këtu ka qenë i vështirë, sidomos kur ke edhe 4 fëmijë  për të rritur,  vështirësia shtohet dyfish. Por emigrantët shqiptarë të asaj kohe në krahasim me sot  kanë qenë me të afrueshëm me njëri-tjetrin dhe ndiheshim si një familje e madhe,  çka do të thotë se ruanim të njëjtat rite, pas pune takoheshim te shtëpitë e njëri-tjetrit dhe rrinim me orë të tëra duke diskutuar për tema të ndryshme, gjë që sot e shoh të ndodhë shumë pak.

Çfarë diskutonit?

Eh …çështja kombëtare ishte gjithmonë në krye të listës, pas kësaj ishte familja. Ne u kemi dhënë fëmijëve gjithçka që vetë nuk mundëm ta kishim, kemi punuar vetëm e vetëm që fëmijët tanë të mos rriten si ne, por të kenë gjithçka në dispozicion. Jemi mbledhur e kërkuar të drejtat tona, me qëllim bashkimin kombëtar të shqiptarëve kudo ndodhen. Tejet e rëndësishme ishte edhe çështja e Kosovës, e cila përbënte  prioritetin  e diasporës në  atë kohë, kurse sot gjithsecili po sheh interesat personale të bërthamës së familjes së vet.  Por u kemi dhënë me mijëra dollarë senatorëve dhe kongresmenëve shqiptare per te ndihmuar per ceshtjen shqiptare dhe mirenjohje kemi marre vetem nga z.Ibrahim Rugova dhe z.Sali Berisha.

Çfarë keni bërë ju emigrantët e parë për atdheun që ne emigrantët e rinj nuk po e bëjmë?

Në kohën kur unë isha i ri së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë nën ombrellën e shoqatës “Vatra”  kemi qenë shumë më bashkëpunues brenda dhe jashtë kësaj shoqate pra komuniteti shqiptar ka qenë shumë më bashkëpunues dhe ka kontribuuar me sa rol ka diaspora në çështjen kombëtare. Ajo që sot mungon është ndjenja e atdhedashurisë dhe patriotizmit te të rinjtë. Ajo çka e bënte edhe më të vështirë në atë kohë ka qenë mungesa e komunikimit me vendin tonë, Shqipërinë, kurse sot falë zhvillimit të teknologjisë çdo informacion merret në kohë reale dhe si rezultat efektet e bashkëpunimit duhet të jenë më të frytshme dhe konkrete. Sepse që të kemi një atdhe më larg korrupsionit duhet të kemi së pari një diasporë të fortë dhe shumë bashkëpunuese.

Në këtë kontekst ndalemi pak te “Vatra” z. Hysenaj, shoqata që ka shërbyer si burim frymëzimi dhe mbrojtëse e kauzës së çështjes kombëtare lirinë e demokracinë  si mendoni si anëtar i saj  në 10-15 vitet e fundit  është zbehur roli  i saj  mos ndoshta për shkaqe politike?

Bashkimi në komunitet tregon krenarinë e shqiptarëve,  por krahas kësaj ne e njohim veten dhe mentalitetin prej nga vijmë askush nuk është i përjetshëm dhe jo të gjithë kemi lindur për të qenë drejtues. Vatra do të rilulëzojë kur drejtimin ta marrë në dorë Rinia, e cila gjithmonë sjell ide të reja revolucionare mendoj se është koha për ndryshim pozitiv në kongresin e saj, pra ne zgjedhjet e reja  që do të mbahen në qershor, por do të arrihet vetëm nëse komuniteti ynë bashkëpunon dhe kam besim se do fitojë më i miri. Që të kandidosh, duhet që të paktën të kesh dy vite si anëtar i “Vatrës” dhe vendi i duhet lëshuar rinisë siç mua ma ka lëshuar babi im e kështu me radhë.

….Kanë qenë 368 familjeje që pas largimit të tyre në vitet 1944 u shpallën kundërshtare të komunizmit nga pushteti socialist, i cili me veprimtarinë e tij për 45 vjet me radhë dëshmoi se nuk mjaftonte vetëm një drejtori e posaçme që jepte informacion për diasporën shqiptare, por edhe në prag të ndryshimeve politike 1990-1991 regjimi diktatorial vazhdonte t’i cilësonte si “armiq” ish-familjet e internuara dhe më pas të larguara jashtë vendit dhe i ndaloi të ktheheshin në vendin e tyre, edhe pse ishte shpallur pluralizimi politik. Por pavarësisht kësaj, rikthimet e para në atdhe përkojnë me vitin 1994  rreth 34 vite shkëputjeje të emigrantëve shqiptarë në USA me vendasit e tyre në Shqipëri.

Pjesë e këtyre “armiqve të Shqipërisë” cilësuar kështu nga sistemi i atëhershëm komunist i Shqipërisë  janë edhe këto dy familje malësorësh,  të cilët pohojnë se emigrimi i tyre ishte krejtësisht me motive politike dhe jo ekonomike. Dy atdhetarë të flaktë dhe sot dy miq për kokë  Z.Mustafa Elezi Jahelezi  dhe Z.Sejdi Hysenaj do të ndajnë me lexuesit e revistës “Votra” përjetimet e tyre të përbashkëta familjare.

91-vjeçari Mustafë Elezi, me emocion flet për VITET LARG ATDHEUT. Si lindi miqësia mes jush zoti Mustafë, duke marrë parasysh faktin se fëmijët janë rritur këtu me një tjetër mendësi?

“Lulja duhet ujitur çdo ditë që të rritet”. Unë dhe bashkëshortja ime, megjithëse mbërritëm me 1968 në USA, së bashku me  fëmijët tanë,  të cilët duhej t’i mbanim e për këtë duhet të punonim fort të dy, asnjëherë nuk e kemi lënë pas dore mësimin e gjuhës shqipe për ta,  zakonet dhe kulturën e nuk ishte e vështirë që martesa të ishte me baza krejtësisht shqiptare. Ne na bashkoi atdhedashuria. Emrat e mbesave dhe të nipërve janë shqiptarë dhe ne me ta flasim shqip,  sepse çështja kombëtare për mua ka qenë edhe më parësore shpesh edhe se familja.

Me të njëjtën frymë janë edukuar dhe rritur edhe fëmijët e familjes Hysenaj pohon z.Sejdi, duke theksuar se mes gjithë vuajtjeve dhe sakrificave për mbijetesë, kultura, gjuha dhe zakonet shqiptare kanë qenë baza e formimit të fëmijëve të tyre teushqyera nga ai dhe nga bashkeshortja e tij, znj.Jackie. Z.Hysenaj nuk lë pa kritikuar familjet shqiptare, të cilat nuk ua mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe,  gjuhën mëmë.

Nga ana tjetër, Kontributi i zotit Mustafë Elezi nuk është vetëm financiar, por edhe  kulturor, sot 91-vjeçari nga Tropoja është botues i dy librave “Autobiografi”, si dhe “Malësisë së Gjakovës” , botime këto të cilat kanë përmbajtje katërcipërisht atdhetare dhe jopolitike.

A kishit miq e shokë dhe si i ruajtët lidhjet me ta Z.Elezi? Kam ruajtur lidhjet vetëm me ata që  u kanë shërbyer interesave kombëtare e pjesën tjetër jo. Kontributi fizik dhe financiar ka shkuar në drejtim të atdheut pa hezitim.

Cila ka qenë puna juaj e parë dhe kush ua ka gjetur këtu në Amerikë?

Ah, puna e parë (mes lotësh) sapo erdha këtu iu drejtova imam ISA Hoxhës, i cili më ndihmoi duke më punësuar pas 9 muajsh pa punë si larës i perdeve në një restorant më pas kam punuar portier derisa kam dalë në pension. U gëzova shumë …por ambientimi këtu ka qenë shumë i vështirë si çdo fillim ne nuk e dinim gjuhën, as rrugët, as asgjë,  toka e huaj është e rëndë,  por me vullnet dhe punë arrihet gjithçka.

Thellësisht i emocionuar dhe mes lotësh teksa kujton atë kohë baba Mustafë duke iu drejtuar rinisë shprehet se

“atdheu nuk lëshohet për qejf…Ne na detyroi regjimi “ e ashtu siç regjimi na detyroi të merrnim rrugët e largëta të kurbetit ashtu u detyruam të bënim çdo lloj  pune që na ofrohej,  duke mos bërë asnjë fjalë, sepse fëmijët duan darkë në mbrëmje dhe nuk e dinin se ishin ende të vegjël se ku ishim dhe për çfarë qëllimesh, por një qëllim ishte thelbësor një jetë më e mirë për ne dhe për ta larg përndjekjes së sistemit politik  …Gjetëm qetësi të madhe këtu në Amerikë, por zemra vajtonte për pjesën tjetër të familjes me të  cilët u takova pas 35 vitesh.

Kush të priti dhe si u ndjeve kur u riktheve në Shqipëri?

Atë ditë nuk do ta harroj kurrë,  në aeroport ishim vetëm ne shqiptarët që priteshim mes lotësh nga gjithë fisi, ndërsa shtetasit e tjerë humbitnin vetëm mes turmës. Janë emocione të papërshkrueshme që vijnë pas një sakrifice të madhe shumëvjeçare. Në ato çaste më është kujtuar koha e persekutimit kur ne pëshpëritnin  në vesh “mos gabo me kajt sa të jenë komunistët” ka qenë ky sistemi që na dha burgun dhe na dha rrugët e botës,  kjo ka qenë drama e jetës sime  dhe pas 35 vitesh e  kam parë vendin tim të shkatërruar ekonomikisht nga një sistem, i cili e kishte shndërruar në ushtar popullin e tij. E kam gjetur Shqipërinë më keq se ç’e kisha lënë, por kjo më bëri që me sa mundësi që kisha të jepja edhe unë ndihmën time në drejtim të veprave të mira që do të realizoheshin nga qeveria e 1994-s për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ashtu siç i ka hije një malësori me krenarinë dhe dinjitetin që e karakterizon për asnjë moment baba Mustafa nuk e hedh poshtë ndihmesën e bashkëshortes së tij znj. Mihane, e cila ka punuar 33 vjet duke kontribuuar në mirëqenien e familjes së saj, por duke mos harruar për asnjë çast të kryejë ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët edhe detyrat e gruas e nënës dhe një familjareje të devotshme për familjen, por edhe për miqtë dhe të afërmit, të cilët nuk ishin të paktë në vizitat e ndërsjella të familjeve shqiptare, ku miku zë vendin parësor në sofër.

Arritjen më të madhe të tij, babai i 3 djemve dhe dy vajzave, zoti Elezi e quan me modesti shkollimin e fëmijëve dhe nuk ua hedh poshtë mundimin e tyre që krahas studimeve kanë punuar që në vogëli për të ndihmuar familjen dhe për këtë thekson se ndihet i prekur..


“Jeta e emigrantëve shqiptarë të viteve ’80-’90 në USA ishte e ndarë në dy pjesë mes çështjes kombëtare, si një detyrim ndaj atdheut dhe familjes.”

Zoti Mustafë: na përmendni disa nga çastet më të rëndësishme të jetës tuaj për t’i ndarë me lexuesit e “Votrës”?

Pas 8 viteve burg në Shqipëri,  daljes nga internimi,  largimi fillimisht në Kosovë më pas largimi jashtë kufijve më kanë bërë më këmbëngulës për lirinë dhe demokracinë e vendit të origjinës,  me qëllim që mos  e përjetonin edhe të tjerët atë çka familja ime dhe shumë familje u detyruan të kalonin. Kam qenë pjesë e demonstratave të  para në USA në kuadër të fatit të Shqipërisë dhe Kosovës ku u mblodhën njëherazi 8 deri 10 mijë vetë  në demonstratën më të madhe të asaj kohe, të cilat shpërthyen në të katër anët e Amerikës. Po në këtë kuadër u ndërtua edhe xhamia në Brooklyn,  si dhe botohej revista “Përpjekja Jonë “ me përmbajtje kulturore dhe atdhetare dhe jopolitike.

Po si e shikoni rininë sot dhe cila është këshilla juaj?

Rinia është në rrugë të mbarë, pasi ka më shumë mundësi sesa ne dikur  për shkollim,  por e meta e tyre është mungesa e bashkimit  dhe këshilla ime është që të mos harrojnë kurrë prej nga kanë ardhur,  mos ta fshehin vendin e origjinës, sepse “pa krahë nuk mund të fluturosh”.

Po ju zoti Hysenaj, duke u bazuar në punën tuaj të përditshme ku sigurisht në kompaninë tuaj keni të punësuar edhe shqiptarë veç të huajve. Çfarë duhet të përmirësojmë?

Në kompani, rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe sigurisht që është kënaqësi të punosh me bashkëkombësit e tu në një vend të huaj,  por duhet të mësohemi të jemi më të përkulur ashtu siç thotë edhe Fan Noli “Ne jemi një komb i ftohtë ku secili mendon për veten e vet..” dhe kjo sipas meje duhet të ndryshojë që të ecim përpara si komb.

Ndalemi pak te familja si gjëja më e shtrenjtë në jetën e gjithsecilit prej nesh.

I ngacmuar nga stafi i revistës “Votra” për marrëdhënien me bashkëshorten,  91-vjeçari Mustafë Elezi përgjigjet me buzë në gaz se: Kam qenë pak i vështirë si burrë,  por ama kam qenë i drejtë në familje,  ndërsa për fëmijët  baba Mustafë u është mirënjohës se e kanë ndihmuar duke punuar edhe pse të njomë dhe me një ngarkesë të konsiderueshme shkollore. Sot mërzitem, vijon ai,  kur shoh se femra nuk ka rëndësinë që ka pasur,  nuk çmohet për vlerat e saj,  sepse në kohën e sotme  meshkuj ka shumë, por burra pak.

Ndërsa zoti Hysenaj shprehet se shqiptarët janë edhe të punës edhe të lapsit, edhe të pushkës, por ju mungon ndjenja patriotike, e cila do t’i bënte më të suksesshëm nëse do të ishte më mbizotëruese.

Në një vëzhgim të profilit tuaj, vumë re jo vetëm se jeni përkrahës i së djathtës në Shqipëri, por se ju zoti Hysenaj keni qenë i pranishëm në dasmën e princ Lekës, si mendoni a ishte e realizuar plotësisht?

Kjo dasem ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, por larg të qenët një dasmë mbretërore në gjykimin tim dhe bazuar në kushtet që duhet të plotësojë një dasmë mbretërore për nga detajet, elemente, të cilat përbëjnë diferencën mes një dasme normale dhe një dasme mbretërore.

Dy familje atdhetare kontribuese për çështjen kombëtare  si fizikisht ashtu edhe materialisht  3 herë miq me njëri-tjetrin nisën rrugëtimin e tyre në takimin e para në Kosovë për ta vazhduar edhe sot në harmoni të plotë ashtu siç e do tradita dhe zakoni në zonat veriore. Këto ne i vumë gjatë bashkëbisedimit me dy miq të vjetër tropojanë. Shqipëria ishte e pranishme, në veshjet popullore, në martesat e fëmijëve të tyre etj. Vlen për t’u theksuar fakti se edhe pse larg atdheut, këto dy familje ndoqën karakteristikat e një dasme tipike shqiptare,  mënyra se si lypet vajza  si përcillet për te dhëndri  një dasmë që përfshin tipare që nuk i gjejmë në vende të tjera të botës. E në fakt, me të trokitur në derën e kësaj familjeje tropojane,  na përqafoi flladi i mikpritjes së ngrohtë dhe bujarisë ndaj mysafirit. Edhe pse disa pika shiu na zhvendosën nga oborri i bukur i kësaj shtëpie shqiptarësh në USA për në ambientet e brendshme të saj  respekti që nga mbërritja jonë deri në ikje tregon më së miri bujarinë, fisnikërinë dhe zakonin e shqiptarit me tryezën e mbushur plot me gatime tradicionale shqiptare m’u në zemër të Amerikës.

Me mikpritjen e familjes Rick dhe Shpresa Elezi,  ne u ndjeme si në shtëpinë tonë dhe vumë re cilësitë e virtytet tona  trashëguar brez pas brezi, duke na bërë me dije se ka pasur traditë  kulture e respekt në brezat e shkuar dhe ne duhet te jemi ata që ta vazhdojmë dhe t’i çojmë para këto vlera të mira tonat duke i trashëguar te më të vegjlit tanë  që janë fëmijët  me qëllim që në kohët e sotme moderne të mos e kemi të vështirë të ndajmë se cila traditë është e jona dhe cila e mbjellë nga vendi ku ne kemi zgjedhur të jetojmë.

Drena Qelia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights