Dita e Falënderimeve në një familje shqiptaro-amerikanësh

Çdo vit, të enjten e katërt të muajit nëntor, njerëzit përgjatë Amerikës udhëtojnë për t’u mbledhur së bashku që të jenë falënderues për gjithçka të bukur që ata ndihen të bekuar: familjen, shoqërinë, ushqimin dhe gjithçka tjetër. Kjo traditë e mrekullueshme amerikane e ka zanafillën e saj në fillimet e krijimit të Amerikës kur pelegrinët u ulën me indianët e Amerikës për të festuar së bashku Ditën e Falënderimeve. Më pas, për dy shekuj me radhë u festua nëpër koloni dhe shtete të veçanta deri në vitin 1863, ku në mes të luftës civile u shpall festë kombëtare dhe u vendos që të bjerë të enjten e fundit të nëntorit. Për emigrantët shqiptarë, përzierja me kulturën shqiptare i jep një pamje krejtësisht tjetër festës. Për mua nuk ka festë më amerikane ose më shqiptare se Festa e Falënderimeve. Kultura shqiptare është e njohur për patriotizmin e zjarrtë dhe mikpritjen e pashoqe.Prindërit e mi, si shumë emigrantë të tjerë shqiptarë, erdhën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.Amerika ua dha mundësinë që të arrijnë këtë dhe shumë më tepër. Megjithatë, diku mes viteve për t’u bërë mjekë, avokatë, dizajner, mësues etj., ne nganjëherë e humbasim ndjenjën e fortë të komunitetit dhe përqendrohemi në diferencat tona, të cilat nuk duhet të krijojnë përçarje, sepse sado që dialektet tona mund të ndryshojnë, besimet tona të jenë ndryshe, ne të gjithë ndajmë mes nesh mirënjohjen ndaj prindërve tanë, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka që të arrijnë këtu ku jemi duke na krijuar mundësinë që të ëndërrojmë, të jetojmë të lirë dhe të praktikojmë besimin që dëshirojmë.Pjesa më kryesore e festës është ushqimi i bollshëm dhe i shumëllojshëm.

Dita e Falënderimeve mund të ketë receta të ndryshme, por në shtëpinë time tri gjellë janë gjithmonë gati për t’u servirur: Ëmbëlsira me kungull, patatet e pjekura sipas recetës sime sekrete dhe gjeli i detit, ose më mirë të themi katër gjela deti. Shtëpia jonë mbushet me aromat, zërat dhe pamjet, të cilat jo vetëm e gjallërojnë festën, por e bëjnë një Ditë Falënderimesh shqiptare.Nuk ka rëndësi se çfarë do të gatuajmë, në tavolinë do të zënë vend mezet dhe byreku me kungull.Tavolinat tona mbushen me ushqim dhe ne mblidhemi rreth tyre duke qeshur, luajtur dhe duke e vlerësuar kohën që po kalojmë së bashku.Në shumë familje shqiptarësh do të gjeni të njëjtën histori: Babai i cili punon në restorant ose në ndërtim shtatë ditët e javës dhe rrallë i sheh fëmijët e tij, në këtë ditë ulet në krye të tavolinës dhe i shikon duke bërë zhurmë e duke qeshur, nëna, e cila pastron zyra nga pasditja vonë deri të nesërmen në të gdhirë, në këtë ditë mund të ulet në tavolinë me familjen në vend që të hajë darkën në një dhomë pushimi në mesin e natës nga ku telefonon vjedhurazi në shtëpi për të mësuar nëse fëmijët e kanë ngrënë darkën që ajo ka përgatitur më herët ose nëse kanë fjetur.

Fëmijë, nipër, mbesa, halla, teze, xhaxhallarë, daja, kushërinj, të gjithë mblidhen së bashku. Shoqëria, edhe pse me besim dhe nënshtetësi të ndryshme, e thërrasin njëri-tjetrin në shtëpitë  e tyre që të thyejnë bukë së bashku.Para disa vitesh në shtëpinë tonë në patëm mbi 20 mysafirë dhe kunata ime dhe unë vendosëm të bënim së bashku gjithçka dhe u siguruam që vjehrra të mos kishte nevojë të bënte asgjë.Kam përgatitur dhe gatuar për tri ditë radhazi dhe kur gjithçka ishte gati, më pushtoi gëzimi teksa i shikoja të gjithë të shijonin festën.Familja e burrit tim është nga Dibra, kurse prejardhja e familjes sime është nga Vuthaj,Mali i Zi dhe Kosova. Kam mësuar një dialekt krejt të ri dhe zakone të reja nga familja ku jam martuar, por një gjë është e sigurt kudo që shkoj: Dëshira e zjarrtë për të qenë sa më mikpritës që të jetë e mundur.Vjehrri im njëherë ia dha tavolinën e bukës një familjeje të re emigrantësh nga Kosova. Bujaria e shpirtit ekziston në të gjithë komunitetin shqiptar në diasporë.Janë komunitete që e dinë se çfarë do të thotë të luftosh, të mbijetosh dhe të arrish sukses.Shpesh u tregoj njerëzve që unë jam sa amerikane aq edhe shqiptare, prandaj dhe festat në shtëpinë time janë zakonisht një përzierje shqiptare, amerikane dhe nganjëherë edhe zakonesh dhe traditash fetare. Zbukuroj pafund për Bajram, por për festën e Falënderimeve është në një nivel krejt tjetër. Ne nxjerrim mbulesat e mira, pjatat speciale dhe mes të qeshurave dhe kënaqësisë së burrit tim, na duhet të ecim mes për mes dengjeve të sanës, kungujve dhe kallinjve të misrit.Vitin e parë që e zbukurova rrugicën e shtëpisë sime, vjehrri im i cili ka pasur një shtëpi të madhe në fshat para se të vinte këtu më tha duke buzëqeshur:”Tani, me të vërtetë kam parë gjithçka në Amerikë.”Entuziazmi ynë për traditat është diçka që prindërit tanë na e kanë futur në gjak, dhe Dita e Falënderimeve është mundësia ideale për ta nxjerrë atë në pah, sepse ajo është dita për t’u mbledhur me familje e shoqëri për të festuar, për të qeshur, për të luajtur, madje edhe për t’u grindur dhe për të shijuar bukurinë e vjeshtës së bashku.Kjo festë ka qenë gjithmonë festa ime e preferuar për ushqimin, zbukurimet, aromën që mbështjell ajrin e ftohtë të vjeshtës së vonë, por mbi të gjitha marrja e disa ditëve pushim nga ditët tona të stërmbushura me aktivitete të ndryshme ndërsa ngrihemi nëpër karriera, rrisim familjet tona, në mënyrë që të dhurojmë falënderimet tona për mundësinë dhe për bekimet që kemi në jetën tonë.Dita e Falënderimeve është me të vërtetë një festë gjithëpërfshirëse që i bashkon së bashku të gjithë njerëzit pa dallim origjine dhe feje. Është një përforcim i asaj që ne jemi më të fortë së bashku, dhe që ne të gjithë së bashku jemi një familje e madhe shqiptare!

Fatmire GJONBALAJ

Back to top button
Verified by MonsterInsights