Bukuria e gruas shqiptare

Dihet historikisht se gruaja shqiptare ka qenë e bukur që nga zanafilla e jetës në Tokë. Historia fillestare filloi me krijimin e dymbëdhjetë perëndive për çdo lëmë të fenomeneve natyrore. Një nga ato ishte Afërdita, perëndesha e bukurisë femërore dhe e dashurisë. Një mundësi etimologjike e kësaj fjale mund të jetë me origjinë ilire. Është emërtuar Afërdita (afër ditës), meqë ky planet në hapësirë është i dukshëm në mëngjes. Ajo, Afërdita, simbolizon fillimin e pranverës dhe është konsideruar si sjellëse e gëzimit për njerëzit dhe për Perëndinë. Shkrova disa të dhëna, sepse janë shprehur se shkrimi është vazhdim i jetës.

Tani, desha  të tregoj si erdhi fjala për të shkruar këtë artikull: – Një ditë ishim të ftuar në një drekë për të gëzuar ditëlindjen e Brian dhjetëvjeçar. Prindërit e tij, Elvira e Begator Hila, kishin ftuar plot miq e shokë të tyre dhe të djalit. Brian ishte rritur, zbukuruar me bukurinë e moshës, se për i pastër, nuk e ka shokun; kjo si pasojë e prindërve dhe gjyshërve shumë të kujdesshëm lidhur me edukimin, shkollimin e tij. Pothuajse të gjithë kërcyem. Veçuan dy çifte në tavolinën një dhe dy çifte në tavolinën dy. Kërcenin me nota të gjitha llojet e valleve. Nga eleganca e kërcimit të tyre, fillova të bisedoj me shoqet e tavolinës. "Sa bukur kërcejnë, sa gra të bukura janë, sa familjare të mira!.Petriti, im shoq më ndërpreu duke thënë se në bukurinë e gruas ka merita edhe burri, se vërtet ajo është dhuratë e Perëndisë, por Perëndia dhuroi mirëkuptimin midis një burri e një gruaje, u mundësoi harmoninë për krijimin e votrës familjare, krijimin e sythave të reja të jetës, pa të cilët nuk do të kishte përjetësi. Shtoj se në rolet që luajnë prindërit për rritjen e përkujdesjen, gruaja fiton një vend nderi; ajo edhe sikur të mos jetë shumë simpatike, sjellja e saj, ngrohtësia e saj e komunikimit, arti i saj i të shprehurit, eleganca dhe këmbëngulja e saj për të përçuar te fëmijët; është e mirë e jo e mirë, forca e logjikës së saj për të ruajtur gjuhën më të bukur e më të kuptimshme, pra përkujdesja e regjistruar në folderin e saj mendor, puna e saj kolosale për zgjidhjen e problemeve familjare e shoqërore, konsultimi bashkëshortor për zgjidhjen e duhur të çështjeve shqetësuese, puna e saj bindëse  për ngritje problemesh shqetësuese, e vendos atë, në renditje, të barabartë me burrin. Gratë shqiptare, që nga lashtësia jonë kanë drejtuar mbretëri. Pra ajo e ka të qëndisur bukurinë trup e shpirt. Brenda katër shkronjave “Nënë” , përmblidhet një univers i tërë. Dhe kombi ynë është personifikuar nga e madhërishmja, e shenjta Nënë Tereza, Nëna e gjithë Botës. Kjo lloj bukurie nuk është pak. Ditën e mërkurë, datë 10 gusht,2016, nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u nis një bust i saj, dhuratë për në Rio De Zhaneiro, ku zhvillohen lojërat olimpike. Populli i atij vendi e priti me shumë respekt e dashuri. Dhe tani busti i kësaj shenjtoreje shqiptare ndodhet edhe në metropolin e botës, në New York. Shpirtërisht, tema e shkrimit të sotëm doli në makinë, kur dëgjojmë zërin e mësuese Afërditës duke ardhur drejt veturës. Me zërin e saj karakteristik të ëmbël e të hollë, pyeti: “-A ka vend edhe për mua në makinën tuaj? Erdha me taksi sot.” Përgjigjja iu dha horazi, nga të gjithë ne, me në krye shoferen e mirë, shqiptaren mësuese në shkollat e New York-ut, Irisën: “-Po si jo!” Gjatë ecjes së makinës, bëra njohjen e Afërditës me Petritin. Është mësuese Afërdita, e cila u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të lindur në Amerikë, nga prindër shqiptarë e më gjerë.’ Një grua e bukur, shumë elegante, me një fytyrë lakonike mbi të cilën endet një buzëqeshje natyrale, e lindur, me një mimikë si të një artisjeje. Ajo buzëqeshje nxjerr në pah shpirtin e saj të mirë e të bukur. Zërin karakteristik të saj nuk mund ta përshkruash me fjalë. Atë mund ta improvizosh vetëm me ndonjë instrument muzikor (violinë, p sh). Me këto të dhëna, arrij në përfundimin se përse e duan kaq shumë fëmijët edhe ne. Më poshtë po rendis disa vargje kushtuar gruas së bukur shqiptare, e cila u ka shërbyer si muzë frymëzimi të gjithë shkrimtarëve e poetëve. Gruaja shqiptare është figura e simbolit të dashurisë, e flijimit, e atdhedashurisë, lirisë dhe e dhurimit të më së bukurës së saj. Femra shqiptare është çdo heroinë shqiptare që ka dhënë jetën për liri, është çdo nënë shqiptare që ka flijuar veten për fëmijët, është çdo grua dhe vajzë shqiptare nëpër botë e cila e bën botën më të bukur, më të mirë, më të pasur dhe më të dashur me praninë e saj. Femra shqiptare është e veshur me petkun e dashurisë sublime.

 

Të bukura janë gjithë gratë e botës,

Qoftë me trup, qoftë në mendim,

Veç kur sheh gruan shqiptare,

Bota vjen e freskët, vezullim.

 

Flasin bukur gratë e botës,

Për të bërë një punë të mirë,

Por, kur flet gruaja shqiptare,

Zëri saj ngjitet n'hapësirë.

 

Bukur vishen gratë e botës,

Qepur elegant e me modele,

Por qëndisjet e shqiptareve, (familja Balaj)

Janë me vulë e me themele.

 

Zemër kanë nënat e botës,

Si gjithë nënat përmbi dhe,

Veçse zemra Shenjte e Nanës (TEREZA),

Po lartësohet përmbi re!

 

Mundësja Majlinda Kelmendi,

Thomëni vendin ku e ka,

Shqiponjë malesh na u shfaq,

Bijë shqiptare qenka pra.

 

 

Fatbardha Pali

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*