Mbrëmjet e verës
Vera me të nxehtit sjell sezonin e zgarave. Ku ka me bukur se të mbledhësh familjen e shoqërinë në një mbrëmje vere dhe të gatuash për ta përjashta me fëmijët që luajnë përreth dhe muzikën që ushton në mes të bisedave dhe të qeshurave.
Por, para se tē filloni të piqni, krijoni idenë e rregullimit tē vendit ku do të mblidheni. Tavolina do të jetë qendra e vëmendjes për të gjithë. Mund të përdorni enë me ngjyra të ndryshme, që ta bëni pamjen sa më festive.Por, mund të perdorni edhe dy tavolina, nëse doni që ta ndani ushqimin në njërën nga tavolinat dhe të vendosni pjatat, gotat, lugët dhe pirunjtë në tavolinën tjetër. Mos harroni të vini vazo me lule nga kopshti në tavolinat!
Gjithashtu, mund të krijoni ëmbëlsira të vogla, kaushë me fruta të stinës, perime të ndryshme në shkopinj, sallata shumëngjyrëshe, antipasta etj. Për fëmijët mund të krijoni një bufe më vete me zgjidhje të shëndetshme, ku ata vetë të krijojnë pjatën e tyre sipas dëshirës dhe lërini të lirë!
—————————
Çfarë na duhet për biftekët e zgarës
Në këtë numër do të tregoj se si të piqni biftekët më të shijshëm që keni ngrënë ndonjëherë, por më parë po jap disa udhëzime se si duhet të veprohet:
- Filloni me pastrimin e zgarës, sepse ajo duhet pastruar gjithmonë para dhe pas gatimit.
- Mësoni të përdorni zjarrin. Disa mishra duan flakë më të fortë e disa më të dobët. Me disa duhet ta mbash flakën të ulët gjatë gjithë kohës, e me disa të tjerë e fillon me temperaturë të lartë dhe e ul gradualisht temperaturën aq sa duhet.
- Lyeni biftekët me kripë, piper dhe erëza, para se t’i vini në zgarë. Kjo, jo vetëm i bën më të shijshëm, por edhe u krijon një siperfaqe të nevojshme që të shkëputen nga zgara.
- Hidhni edhe perime të ndryshme në zgarë, që nga asparagus, specat, misrat etj.
- Mundohuni të mos e prekni mishin dhe mos ta ktheni më shpejt se duhet. Vetë mishi iu tregon se kur është gati, sepse atëherë shkëputet lehtë nga zgara.
- Kujdes kur ta bleni mishin, duhet të ketë vijat e yndyrës nēpër të, që të ketë shije më të mirë, kur të piqet në zgarë.
- Por, mbi të gjitha, veproni në mënyrë praktike dhe sa më thjeshtë! Mos u mundoni të blini mish të shtrenjtë deri sa t’ia merrni dorën! Mund të filloni me hamburgera për fëmijë dhe të kaloni te biftekët.
Biftek me lulelakër
Përbërësit:
- 1 dhe 1/2 gjethe majdanozi.
- 1/4 gotë verē e kuqe.
- 2 lugë gjelle qepë të njoma të grira imët.
- 2 thelpinj hudhre.
- 2 lugë spec i kuq, i bluar.
- 1/2 e gotës me vaj ulliri.
- Kripë, piper i zi.
- 3 copë lulelakër.
- 3 biftekë.
Mënyra e përgatitjes
- Në një enë përzihen bashkë të gjitha erëzat, kripa, piperi, speci i kuq; u shtohet vaji i ullirit dhe vihen në një qoshe që të përzihen aromat.
- Ndizet zgara në temperaturë mesatare dhe piqen biftekët, të cilët i kemi lyer më parë me kripë dhe piper.
- Ndajmë në dy pjata një të katërtën e përzierjes së erëzave; pjesën tjetër e ruajmë për më vonë.
- Piqet mishi për 8-10 minuta, kurse lulelakra lihet të zihet në zjarr për 14 -16 minuta.
- I vendosim lulelakrën dhe mishin në pjatat e parapërgatitura dhe i lëmë për 10 minuta, duke e kthyer biftekun në të dy anët, që të marrë sa më shumë nga salca e përgatitur.
- Më pas ia hedhim biftekut sipër pjesën e ngelur të erzave.
Bruna Banushi