Anila Velaj: A do e ruajnë gjuhën amë fëmijët shqiptarë në Greqi?

Ilda Hoxha

Kryetarja e Lidhjes së Mësuesve, Anila Veliaj, rrëfen mbi punën e saj në shtetin helen,

Profesioni i mësuesit është ndër më fisnikët, pasi janë ata që ndërtojnë të ardhmen tonë. Mësuesit janë bashkudhëtarë të përbashkët të fëmijëve. Përvoja tregon se mësuesi nuk harrohet, përkundrazi mbetet si një personalitet, i cili kujtohet gjithmonë me respekt.

Mirëpo, ky profesion ka edhe shumë vështirësi, aq më tepër kur duhet të ushtrohet në një mjedis jo fort miqësor me popullin e tij. Kryetarja e Lidhjes së Mësuesve në Greqi, Anila Velaj Kila, në një intervistë për revistën “Votra” tregon mbi shkollat shqipe në shtetin helen, vështirësinë e të mësuarit të nxënësve në një shtet ku shqiptarët janë të diskriminuar dhe ku mësimi i gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës sonë është i ndaluar.

Mësuesit e diasporës dhe shoqatat e ndryshme, për dekada me radhë kanë luajtur rol vendimtar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja. Zonja Kila rrëfen emocionet që ndien kur del para fëmijëve shqiptarë dhe dashurinë e madhe që ka për këtë profesion. Ajo tregon për “Votrën” se në Greqi nuk ka shkolla të mirëfillta, por kurse të mësimit të gjuhës shqipe. Fëmijët shqiptarë shkojnë dy herë në javë, përkatësisht të shtunë dhe të diel për të mësuar. Mësuesja thekson me dhimbje se numri i fëmijëve shqiptarë që ndjekin këto kurse është shumë i vogël, krahasuar me numrin e përgjithshëm të fëmijëve shqiptarë që janë në Greqi. Mirëpo, përkushtimi i mësuesve është maksimal, të cilët veç gjuhës u mësojnë edhe historinë e gjeografinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Zonja Kila thekson se duhet më shumë mbështetje nga Shqipëria për të mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona.

Lidhja e mësuesve shqiptarë ka rreth 70 anëtarë të saj dhe qëllimi i vetëm i krijimit të kësaj lidhjeje është përhapja e gjuhës së shkruar dhe të folur në të gjithë territorin e Greqisë. Me krenari mësuesja tregon se ata festojnë të gjitha festat kombëtare.

“Ne u mësojmë poezi shqiptare, vetë mësuesi zgjedh materialin. Unë fëmijëve u kam folur edhe për ditën e Verës. Bëjmë verore më fëmijët, u tregoj për origjinën e kësaj feste, mundohemi që t’u tregojmë dhe t’i informojmë mbi çdo gjë që ka lidhje me Shqipërinë. U mësojmë edhe traditat, veshjet kombëtare”, rrëfen ajo. Pavarësisht gjithçkaje, zonja Anila na tregon se kjo nismë e tyre ka si qëllim futjen e gjuhës shqipe brenda shkollave publike greke. Gjithashtu synohet që të rritet niveli i mësimdhënies në të gjithë diasporën dhe që mësuesit të paguhen për punën e tyre.

Zonja Anila Velaj Kila, ju drejtoni Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, si funksionon ajo? Cili është qëllimi i kësaj lidhjeje dhe sa mësues kontribuojnë që fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe?

Në Greqi është formuar Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, kjo lidhje përbëhet nga mësues të diplomuar në Shqipëri, që kanë pasur eksperiencë ose jo. Janë diplomuar dhe kanë emigruar në Greqi. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë ka rreth 70 anëtarë të saj. I vetmi qëllim i krijimit të kësaj lidhjeje është përhapja e gjuhës së shkruar dhe të folur në të gjithë territorin e Greqisë. Kemi 15 vjet si aktivitet që nga hapja e kursit të parë, por nuk janë shkolla të mirëfillta, pasi zhvillohen dy orë në javë. Kemi filluar që nga 7 marsi i 2001-it.

Kemi 16 kurse të mësimit të gjuhës shqipe në të gjithë Greqinë. Kemi në Selanik, Patër, Korinth, Volos, Athinë, rreth e qark Athinës, në bashkitë e vogla. Pra kemi gjithsej 16 kurse të mësimit të gjuhës shqipe. Në këto 16 kurse kemi 800 nxënës dhe është një numër shumë i vogël po ta krahasojmë me numrin e përgjithshëm të fëmijëve shqiptarë në Greqi. Nga të dhënat e fundit rezulton se janë mbi 120 mijë fëmijë shqiptarë që janë në sistemin 9-vjeçar ose 7-17 vjeç.

Ne e organizojmë të shtunave dhe të dielave, pasi të gjithë ne kemi një punë të dytë, që nuk ka lidhje me profesionin tonë, por e bëjmë për të mbijetuar. Bëhet të shtunave ose të dielave, varet si është ambienti që të ofrohet. Shumë pak bëhen brenda mjediseve të shkollave publike, sepse nuk jepet nga shteti grek, por nga bashkitë greke e drejta për të zhvilluar mësim. Më shumë zhvillohet brenda mjediseve të shoqatave dhe kemi shumë të tilla, si për shembull, ajo e Patrës, e Korinthit, që brenda statusit të tyre kanë edhe përhapjen e kulturës së gjuhës, duke bërë të mundur edhe hapjen e kurseve. Më pas kurset mbështeten nga Lidhja e Mësuesve si në bazë materiale ashtu edhe në programe.

Çfarë programesh përdoren?

Këtu ka shumë mangësi, sepse çdo gjë duhet ta bëjmë vetë. E vetmja ndihmë që kemi pasur nga Shqipëria janë tekstet, por edhe ato dërgohen me shumë vonesë. Duke qenë se shkollat greke hapen më 11 shtator ne e hapim më 1 tetor që të mos kemi përplasje. Ndërsa librat nga Ministria e Arsimit nga vijnë në dhjetor. Është shumë e vështirë të fillosh me fotokopje, pa bazë materiale.

Ne e zhvillojmë vetëm 2 orë në javë, pasi nuk kemi klasa të mirëfillta, bazën materiale duhet ta marrim me vete dhe ta sjellim sërish të dielën tjetër dhe kjo është shumë e lodhshme. Vetëm tekstet na sigurohen nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Ne kemi më shumë ndihmë nga Ministria e Kosovës.

Kemi abetaren që është ndërkombëtare që përdoret në të gjithë diasporën, gjuha 1 dhe 2 që është e përshtatur. Ne mund t’i përgatisim fëmijët edhe për të mbrojtur gjuhën shqipe nëse ata kanë dëshirë. E marrim edhe këtë përsipër. Gjuha shqipe mbrohet në Selanik dhe në Tiranë. Deri tani nuk kemi arritur, pasi personi që e mbron duhet të jetë mbi moshën 18 vjeç. Nxënësit tanë, i mësojmë mirë të flasin dhe të shkruajnë.

I keni bërë kërkesë Ministrisë së Arsimit për tekstet?

Kërkesën ata e kanë marrë. Kërkesa sivjet është bërë që në qershor, përpara mbylljes së kurseve, madje edhe më herët akoma. Ne e bëjmë këtë nëpërmjet ambasadës tonë në Athinë, nga ambasada më pas i dërgohet Ministrisë së Jashtme dhe kjo e fundit e dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe më pas zinxhir, ku Arsimi e dërgon në atë të Jashtme dhe ajo në ambasadë. Kërkesat bëhen në kohën e duhur. Nuk e di ku ngec puna. Tekstet ngelen 3 muaj në Ministrinë e Jashtme dhe nuk vijnë në Athinë, nuk e dimë se çfarë nuk funksionon.

A lexojnë nxënësit, kanë interes për gjuhën shqipe?

Ata që vijnë kanë interes. Ne kemi nxënës që janë në nivelin zero, pra që nuk dinë fare shqip dhe arrijmë që brenda vitit fëmijët të mund të komunikojnë. Në Greqi është ndryshe, nuk është si në shtetet e tjera, ku gjuha shqipe mund të flitet lirshëm. Në Greqi është problemi i racizmit dhe druhen pak që ta flasin gjuhën në të gjitha mjediset. Por e shoh që ata kanë interes, pasi prindërit motivohen, lexojnë. Fëmijët kanë ndihmë edhe nga prindërit në shtëpi.

A e ndiejnë indiferentizmin dhe racizmin e bashkëmoshatarëve grekë?

Tani kjo ka ardhur duke u zvogëluar, sepse shqiptarët aty janë integruar dhe janë nga të vetmit komunitete që janë integruar më shpejt se komunitetet e tjera dhe pak a shumë është zbutur racizmi që ka qenë, pasi fëmijët janë brezi i dytë, kanë lindur në Greqi dhe nuk dallohen.

Janë prindërit ata që interesohen për t’i sjellë në kurse?

Varet direkt nga prindërit. Nëse nuk interesohen ata, fëmijët vetë nuk do ta marrin kurrë një hap të tillë, sepse nuk e kanë ndërgjegjen se sa e rëndësishme është gjuha shqipe. Ata shkojnë në shkollë normalisht dhe janë në rregull me sistemin në Greqi. Nëse prindërit nuk do t’u tregojnë se sa e rëndësishme është gjuha amtare, fëmijët nuk e kuptojnë. Kështu që është prindi ai që i nxit. Mirëpo, jemi edhe ne që bëjmë një punë për ndërgjegjësimin e prindërve. As ata vetë në disa raste nuk janë të ndërgjegjshëm që duhet t’i mësojë gjuhën fëmijës. “Ç’i duhet”,- na thonë. Ne bëjmë edhe punën për ndërgjegjësimin, i bindim se u duhet, nuk i pengon. Ata na thonë se i pengon, më ngatërrohet fëmija, pasi po mëson dy gjuhë. Bëjmë një punë të madhe me prindërit. Kur prindërit janë të bindur ose ka prindër që vetë kërkojnë, e kuptojnë sa e rëndësishme është gjuha amtare dhe na kërkojnë vetë. Më vijnë shumë mesazhe nga prindër nga zona të ndryshme në Greqi dhe më pyesin a ka kurse për fëmijët afër zonave ku jetojmë. Mirëpo, ka edhe prindër që sado t’u thuash, sado t’i bindësh se është shumë e rëndësishme, nuk i sjellin.

Sa informacion kanë fëmijët për Kosovën?

Fëmijët tanë kanë një mangësi në shtetin ku jetojmë, sepse nuk njihet Kosova dhe e dyta nuk kanë asnjë informacion për Kosovën ose çdo informacion që kanë është i gabuar. Çdo gjë që dinë është negative dhe bëjmë shumë punë që ne fëmijët tanë t’i mësojmë për Kosovën. Kemi shkuar në ekskursion që na është mundësuar nga Ministria e Diasporës së Kosovës, e cila na ka futur në diasporën e saj edhe pse nuk kemi fare fëmijë nga Kosova. Bëhen ekskursione çdo vit dhe fëmijët kur kanë shkuar në Kosovë kanë thënë: “Mësuese këta flasin shqip?”. Është e çuditshme, por aty ata e kuptojnë akoma më mirë që jemi një, një gjuhë, një gjak, një gjeografi.

Çfarë gjuhe flitet në shtëpitë e tyre?

Parvjet kam bërë një studim dhe një pjesë e mirë flasin shqip në shtëpi. Ka të tjerë që flasin dy gjuhë, por më rrallë flasin greqisht, kur njëri nga prindërit është grek. Këtë e kam konstatuar nga studimi, pasi jam marrë me këtë çështje.

Sa informacion kanë për historinë e Shqipërisë?

Fëmijët kur vijnë nga shtëpia, kanë një informacion pothuajse zero. Ose kanë atë informacionin që u kanë dhënë prindërit më shumë nacionalist dhe dinë simbolet. Janë shumë krenarë se ua ushqejnë prindërit, por nuk dinë asgjë të saktë mbi historinë e Shqipërisë. Ne në shkollë i japim peshën e duhur edhe historisë. Në çdo orë mësimi që ne na jepet mundësia, që kemi një temë apo një fjalë që ne na jep mundësinë që t’u flasim fëmijëve për historinë, ne e bëjmë. Në ato dy orë unë mund të marr një qytet, për shembull Gjirokastrën dhe t’u flas për kalanë. Pra u flas në këtë mënyrë, nuk bëj orë të veçantë historie. Nuk e kemi luksin për këtë.

Ne flasim për të gjitha festat kombëtare. Ne u mësojmë poezi shqiptare, vetë mësuesi zgjedh materialin. Unë fëmijëve u kam folur edhe për ditën e Verës. Bëjmë verore më fëmijët, u tregoj mbi këtë festë, nga ka ardhur, mundohemi që t’u tregojmë dhe t’i informojmë mbi çdo gjë shqiptare. U mësojmë edhe traditat, veshjet kombëtare. Mundohemi që për festa të marrim me qira veshje kombëtare. Tani i kam bërë një kërkesë Ministrisë së Diasporës së Kosovës dhe ma miratuan kërkesën, për një fond për të blerë veshje kombëtare dhe jam shumë e lumtur për këtë. Këto janë vlerat tona kombëtare që duhet t’i transmetojmë dhe përpiqemi që t’ua transmetojmë fëmijëve. Brenda orës së mësimit u flasim edhe për gjeografinë e Shqipërisë. Ne kemi një konkurs që bëhet një herë në vit, me të gjitha shkollat dhe aty përveç gjuhës dhe leximit që janë të parat, kemi histori dhe gjeografi Shqipërie dhe Kosove, pa i ndarë absolutisht asnjëherë.

Po personat mbi 18 vjeç si riintegrohen, si veprohet me ta?

Për këtë nuk kemi. Ne jemi vetëm për moshat nën 18 vjeç. Nuk ka kërkesa për ata mbi 18 vjeç, pasi nëse do të kishte ne do t’u ofronim mësimin falas.

Pse e morët përsipër këtë punë kaq të bukur?

E para, jam shqiptare dhe kjo nuk ka për të ndryshuar në asnjë vend të botës, kudo që të shkoj. E dyta, jam mësuese e gjuhës dhe e letërsisë. Nëse unë nuk e marr përsipër këtë, kush do ta marrë? E treta, që unë e them dhe do ta them gjithmonë është se nuk e kemi atë komoditetin si komb që të humbasin gjuhën, identitetin. Jemi shpërndarë në të gjitha vendet e botës dhe jemi aq të vegjël që nëse ne humbasim, humbasim fare. Unë këtë e kam shumë merak. Është shumë e vështirë. Është edhe tjetra, profesioni. Ne ndihemi të mangët atje, nuk plotësohemi, duke bërë një punë që nuk e kemi me pasion. Një punë që je i detyruar që ta bësh, pasi duhet të mbijetosh, një punë që nuk ka asnjë lidhje me atë që ke studiuar. Ëndrrat e tu i ke lënë mënjanë dhe sapo të jepet mundësia që të hysh në klasë, e bën me shumë dëshirë.

Unë jam futur në klasë pas 15 vitesh shkëputje nga mësimdhënia. Udhëtoja tri orë për të shkuar, por nuk e ndieja rrugën. Shkoja për të dhënë dy orë mësim dhe ishte dita më e bukur e javës. E prisja të dielën sikur do shkoja në një festë. Unë e kam pasur më shumë pasion, nuk do ta ndërroja më asnjë gjë profesionin e mësuesit. Plotësojmë shumë gjëra bashkë dhe kështu janë të gjithë kolegët.

Si funksionon një orë e juaja, si organizoheni?

Ka shkolla që kanë vetëm një klasë, ka të tjera që kanë 4 klasa. Ne kemi shkollën shqiptare të Athinës, shkollë private që është pronë e një emigranti që ka qenë në Greqi, por ka shkuar në Kanada. Megjithatë, vazhdon ta mbajë hapur shkollën shqipe në Greqi. Nuk ka asnjë interes, absolutisht, por vetëm se është shqiptar dhe do që fëmijët të mësojnë shqip. Aty ka një numër prej 120 nxënësish dhe 4 mësues.

Ka klasa që vijojnë nga 9 deri në 23 nxënës. Një orë mësimi është një orë gjuhe.

A bëhet një ndarje e nxënësve sipas nivelit apo moshës?

Është një klasë heterogjene, nuk ka ndarje sipas moshave apo nivelit të tyre gjuhësor. Nuk mund t’i ndajmë, sepse nuk i kemi kushtet. Ne nuk bëjmë mësim gjatë gjithë javës, por vetëm në fundjavë dhe nuk i ndajmë dot sipas moshës, pasi një 17-vjeçar mund të mos e njohë gjuhën shqipe po aq sa një 8-vjeçar. Në fillim i marrim, i testojmë sa dinë, por klasat janë të ndryshme, pasi edhe niveli gjuhësor nuk është i njëjtë. Ka edhe frymë grupi, pasi nxënësit që dinë ndihmojnë ata që nuk dinë. Nxënësit me njëri-tjetrin japin edhe marrin, mësojnë njëri-tjetrin. Ne duhet t’ua bëjmë të lehtë, pasi një pjesë kanë vështirë t’i shqiptojnë, të tjerëve u vjen zor t’i thonë nga frika se mos bëjnë gabime. Por ne u themi që do mësojmë, pasi askush nuk ka lindur i ditur. Ka fëmijë që dinë të këndojnë, ndërsa ka të tjerë që duhet t’u mësosh gjërat bazë.

Cilat janë synimet për të ardhmen?

Ne synojmë që ta fusim gjuhën shqipe brenda shkollave publike greke. Që të futet ose gjuhë me zgjedhje siç është në vendet nordike, pra kjo është ajo që duam. Prej tre vitesh ka një marrëveshje mes tri qeverive, Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Diasporës së Kosovës.

Një marrëveshje që ka këtë qëllim, financimin e një kurrikule të përbashkët për të gjithë diasporën, një rritje të nivelit të mësimdhënies në të gjithë diasporën dhe pagesën e mësuesve.

Kush është financuesi për aktivitetet që bëni?

Përveç librave që na vijnë nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, çdo aktivitet tjetër që organizohet, që nga shëtitjet e fëmijëve me temë “Të njohim atdheun”, shkollat verore, ekskursionet, kampet verore, konkurset e dijeve mbështeten nga Kosova. Ai është një shtet i ri dhe shumë thjesht mund të thotë që nuk ka, por shqiptarët e Kosovës e kanë më të lartë atdhedashurinë.

Për herë të parë këtë vit, në konferencën që mbajtëm në Shkodër, i kishim prezentë të tre ministrat, atë të Arsimit të Shqipërisë, zonjën Lindita Nikolla, atë të Kosovës, zotin Arsim Bajrami dhe ministrin e Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, zotin Valon Murati.

Sapo i bëra kërkesën ministrit Valon Murati që më duhen kostume kombëtare në Greqi. Më thanë që janë bërë kërkesa nga shumë shkolla të tjera nga shkollat e diasporës, por “unë nuk mund t’ia jap Zvicrës përpara Greqisë. U kam thënë jo atyre, ndërsa juve po u them po. Më bëni kërkesën dhe do t’ua japim”. Madje u shpreh se “për çdo gjë që ju doni, ne do jemi pranë jush”.

Si është niveli i teksteve, a përputhet me kërkesat tuaja?

Niveli i teksteve lë shumë për të dëshiruar. Kemi pasur një tekst që përdoret në të gjithë diasporën dhe tani po punohet për një tekst të ri.

//////////////////Ishte një tekst që u kthye mbrapsht nga Greqia. Kjo tregon se sa të papërgjegjshëm janë në Shqipëri për atë që bëjnë dhe kujt i drejtohen, sa pak dinë për ne atje, sa pak dinë për vështirësitë tona atje.

Ishte një tekst me kopertinë të kuqe, me shqiponjën dykrenare. Që nga pamja e jashtme e tekstit, pra futja e tij në Greqi do të ngjallte provokim. Brenda këtij teksti ishin pjesë disa tema që unë nuk mund t’i zë me gojë në Greqi. Unë nuk mund të flas për ndarjen e kufijve në 1913, nuk mund të flas për Çamërinë, pasi rrezikohem direkt, me burg ose me largim përgjithmonë nga Greqia. U kapën këto libra, u shfletuan, u morën mësues në polici dhe librat u kthyen mbrapsht./////////////////

Parvjet në Berat ne i pyetem përse na i dërguat këta libra, kur ju e dini se ne rrezikohemi. Ose sqaroni pikat e nxehta të historisë me shtetin ose ne mos na fusni në politikë. Ne nuk jemi politikanë, ne jemi mësues. Unë fëmijës do t’ia them historinë, por në të shkruar nuk ia them dot. Nuk mund ta kem të dokumentuar, pasi atje ku jam unë nuk pranohet, nuk është pranuar.

Përgjigjja që morëm ishte: “gris fletën”. Si mund të gris fletën, kur ai mund ta gjejë librin? Kjo është një logjikë fëmije. Unë mund ta gris fletën, por ai libër është botuar me atë fletë dhe mungon nëse unë e bëj një gjë të tillë. ///////////////Nuk mund ta bëj një gjë të tillë./////////////////////////////////

Unë do t’i flas fëmijës nga mëngjesi në darkë për Çamërinë, por nuk mund ta kem të dokumentuar dhe Ministria duhet të kujdeset për këtë pjesë.

Kam biseduar me përfaqësues të ////////////////Ministrisë së teksteve?????????????? ku i kam pyetur si do jenë tekstet, a do kenë standarde europiane? I keni marrë parasysh çështjet e rajonit, pasi ne kemi shumë pika të nxehta dhe jo vetëm një. Më tha: “Zonjë nuk kemi arritur akoma te teksti”. I kërkova që para se të arrijnë te teksti të pyesin, të marrin mendim. Në hartimin e teksteve nuk është përfshirë asnjë mësues i diasporës. Madje u ngrit me të madhe nga mësuesit, të cilët kërkuan arsyen përse nuk janë përfshirë. MAS na dha një draft, na tha shikojeni, pa marrë asnjë mendim.

Sa e vështirë është puna e një mësuesi të diasporës?

Ka shumë punë një mësues i diasporës. Vetëm një mësues që punon atje e di vështirësinë e punës me fëmijët. Ata e mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë të huaj, pasi nuk e dinë, ose ka nga ata që e dinë, por me dialekt, ashtu siç e kanë mësuar në shtëpitë e tyre.

Ne kemi edhe shumë gjëra të tjera, pasi duhet t’u mësojmë edhe historinë, gjeografinë, kulturën dhe mjaft çështje të tjera. Madje duhet të merremi edhe me probleme të tjera, të tipit si përballen ata me racizmin. Për mendim tim është shkolla ajo që duhet t’i mbledhë shqiptarët që ndodhen jashtë. Ne përpiqemi ta bëjmë këtë duke ftuar edhe prindërit në aktivitetet që bëjmë. P.sh u kërkojmë të sjellin gatimet tradicionale dhe të festojmë bashkë. Ftojmë edhe miq dashamirës grekë. Bëjmë të pamundurën që t’i bashkojmë rreth shkollës. Kjo do të ishte gjëja më e bukur nëse do të arrihej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights