Albanian Cultural Center/ Qendra kulturore shqiptare “Clifton New Jersey”.

Intervistë me drejtorin e QKSHCNJ, z.Shaban Gjoka.
Ç’do të bëhet me fëmijët tanë?!
“Shqip të flasim përherë, të thjeshtë dhe të papërzierë”, kështu shkruante rilindësi Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe në ato kohë për të gjithë ata pseudoshqiptarë që kishin për turp të flisnin gjuhën shqipe.
Sot, jetojmë në kushtet kur çdo ditë e më shumë lexojmë e dëgjojmë gjuhën shqipe të mbushur me fjalë të huaja, kryesisht të shqiptarëve, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës ose të atyre që kanë zgjedhur për të jetuar përgjithmonë në Ballkan, Europë dhe SHBA.Tranzicioni dhe emigrimi po bëjnë që çdo ditë e më shumë shqiptarët të humbasin kujdesin për një gjuhë të pastër dhe të thjeshtë shqipe. Është pikërisht gjuha, një ndër faktorët më të rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor.
Në këtë kuadër, redaksia e revistës “Votra” me qendër në NY, zgjodhi për të vizituar një ndër qendrat kulturore shqiptare për mësimin e gjuhës shqipe në Clifton NY të SHBA-së. Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si funksion ky institucion arsimor në kontributin për mësimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe brez pas brezi, por edhe vështirësitë në hapjen, drejtimin dhe zgjerimin e kësaj shkolle. Për këtë, drejtori i Qendrës Kulturore Shqiptare në CLIFTON, z.Shaban Gjoka, u shpreh se “në rrethanat e emigrimit jashtë vendit gjuha është faktor kyç në mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën dhe mosasimilimin e traditave tona”. Diaspora shqiptare dhe në veçanti arsimi shqip jashtë vendit përballet me shumë sfida dhe vështirësi, por kur ekziston dëshira gjendet edhe mënyra për mësimin e gjuhës shqipe. Në bashkëbisedimin me z.Gjoka zbuluam se ishte ideja e vetëm katër prindërve, të cilët dëshironin që fëmijët e tyre të porsaardhur me banim në USA të integroheshin në jetën amerikane, por duke mos harruar të jenë shqiptarë të mirë, të mos harrojnë të flasin e shkruajnë shqip, të njohin traditat dhe vlerat e kombit shqiptar të vendlindjes së tyre, çka bëri që të ndërmerrej nisma për  hapjen  e një prej shkollave shqipe në Clifton në USA. Kjo shkollë u hap në vitin 20013 dhe kishte vetëm 8 nxënës dhe 4 mësues që ishin njëherësh edhe prindërit e nxënësve të parë të kësaj shkolle, numër i cili sot është shumëfishuar. Sipas zotit Gjoka, “shqipja është gjuhë me vlera të mëdha, por është  pikërisht gjuha elementi që humbet dhe shuhet më shpejt te çdo individ e sidomos te fëmijët  nëse ajo nuk kultivohet dhe ruhet siç duhet. Ajo çka ne duhet të bëjmë, vijon drejtori i shkollës së Clifton, është se duhet të punohet me më të vegjlit ndër ne që janë fëmijët, në mësimin e gjuhës së vendit amë, Shqipërisë dhe për këtë duhet bashkëpunimi i prindërve, përkushtimi i nxënësve dhe puna e palodhur e mësuesve, por edhe i institucioneve përgjegjëse për komunitetin shqiptar në USA.
Emigrantët nuk kanë asnjë justifikim që përziejnë fjalët e huaja kur flasin shqip, vlen të përmendim këtu rastin e dy shkrimtarëve të mëdhenj Faik Konica dhe Fan Noli,  të cilët edhe  pse emigruan dhe jetuan jashtë atdheut për shumë vite kryesisht në SHBA, zgjodhën që të flisnin dhe shkruanin një gjuhë shqipe të pastër e që ia vlen t’i rikthehemi gjithnjë edhe në ditët e sotme, pasi veprat e tyre janë shembull edhe për shumë shkrimtar të rinj.  Ata nuk futën as edhe një fjalë të huaj në veprat e tyre, edhe pse dinin disa gjuhë të huaja, por  sollën në gjuhën shqipe fjalë të reja në përkthimet e tyre, duke e pasuruar gjuhën shqipe dhe jo duke e përçudnuar atë me huazime nga gjuhët e huaja siç po ndodh sot.


Nisur nga këta dy shembuj, Gjoka thekson se jemi në kohën kur kombet e mëdha po luftojnë të ruajnë me fanatizëm gjuhën e tyre, dhe ne si komb i vogël duhet të luftojmë dyfish, që fëmijët tanë të jenë njohës të mirë të një prej 3 gjuhëve më të vjetra në botë.
Në këtë kuadër, një ndër problemet kryesore është mungesa e vetëdijësimit të prindërve shqiptarë për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si forma e vetme e ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar, por edhe institucioneve përgjegjëse. Në një vëzhgim të kryer nga redaksia e revistës “Votra” vumë re se shumë familje shqiptare janë në dilemë se a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësime plotësuese për mësimin e gjuhës shqipe apo jo?
Në lidhje me këtë fenomen,  zoti Gjoka, bazuar në punën e tij të përditshme si drejtues i kësaj shkolle, theksoi se prindërit shqiptarë e kuptojnë rëndësinë e edukimit dhe mësimit të gjuhës shqipe, por sigurisht janë të shqetësuar se dygjuhësia shpeshherë  bëhet  edhe ngarkesë për fëmijët e tyre, por ai thekson  se problematik mbetet fakti që fëmijët  shkëputen në moshën 14-15-vjeçare nga shkolla shqipe, sepse mbaron cikli mësimor dhe prindërit e kanë të pamundur t’i kontrollojnë dhe ndjekin, sepse janë në moshën më delikate dhe shpeshherë janë kritikues ndaj prindërve të tyre me argumentin se  Ju nuk dini gjithçka”. Pikërisht këtu nis sfida për prindërit shqiptarë, sepse fëmijët nuk i dëgjojnë më, ata vendosin vetë për zgjedhjet e tyre. Por ka edhe shumë prindër, të cilët flasin me fëmijët e tyre në gjuhën e vendit pritës dhe ndihen krenarë për këtë, ka edhe nga ata që nuk duan që fëmija i tyre të ketë emër shqiptar, por të huaj me arsyetimin se do të integrohet më shpejt në shoqëri, duke ia humbur identitetin fëmijës që nga lindja, shprehet zoti Gjoka.
Problematik  mbetet hartimi i programeve konkrete, të cilat i ndihmojnë fëmijët në mësimin sa më të lehtë të gjuhës shqipe. Nga zoti Gjoka mësuam se Shkolla Shqipe në Clifton ka hartuar disa programe mësimore  bazuar  në metodat bashkëkohore në të cilat bëjnë pjesë lëndët :
1. Abetarja
2. Si të flasim gjuhën shqipe
3. Të njohim vendlindjen
4. Këngë dhe valle shqip
Gjithçka mundësohet vetëm falë vullnetit, humanizimit  dhe kontributit vetjak financiar të mësuesve e prindërve, kjo qendër vijon të ofrojë
procesin mësimor normalisht, edhe pse nuk paguhet nga askush.
Këto programe mësimore janë hartuar mbi konceptin e zhvillimit të orëve mësimore sa më të lehta dhe argëtuese për nxënësit, pasi edhe mësimi zhvillohet në fundjavë.Vlen për t’u theksuar fakti se në lëndën “Të njohim vendlindjen” shqiptarët e rritur dhe shkolluar në diasporë do ndihen njësoj me bashkëmoshatarët e tyre, pasi shkolla në Clifton i njeh ata me vendet, të cilat duhet të vizitojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të zi, Çamëri, njihen me historinë e popullit shqiptar, si dhe me personalitetet më të shquara të historisë së Shqipërisë dhe çdo javë në ambientet e kësaj shkolle nxënësit njihen me karakteristikat e një prej qyteteve shqiptare. Veç kësaj, programi që ofron shkolla jonë, vijon zoti Gjoka, përfshin edhe mësimin e këngëve dhe valleve nën koreografinë e Arjana Çelës dhe  Ilir Çelës, ish-pjesëtarë të ansamblit “Migjeni”, ndërsa këngët dhe vallet vijnë të përgatitura nën drejtimin e Faton Krasnit dhe Fadil Sahatqiut. Festivali i tretë i shkollave shqipe e dëshmoi më së miri përkushtimin e këtyre artistëve në mësimin e valleve dhe këngëve tradicionale.
Sa u takon detyrimeve që institucionet kanë për komunitetin shqiptar që jeton në USA zoti Gjoka deklaron se: Vetëm Ambasada e Kosovës dhe Ministria e Diasporës kanë dhuruar disa materiale mësimore, ndërsa Ambasada Shqiptare e ka parë të paarsyeshme të japë kontributin e saj në ngritjen e cilësisë së mësimit në diasporë. Në hulumtimet e kryera nga “Votra”, vumë re se ekziston ligji për diasporën, (neni12) por në kontaktet që patëm rezulton se ky ligj nuk aplikohet për asnjërin shtet përfshirë edhe USA-n ku zhvillohet procesi mësimor në gjuhën shqipe.
Gjuha shqipe thekson z.Shaban Gjoka, shpeshherë mësohet edhe nga të huajt, sidomos ata që janë të martuar me partner ose partnere shqiptare.  “Megan Miller Mullici, soprano e njohur amerikane, ndërsa erdhi për të vizituar shkollën tonë, shprehu dëshirën për të mësuar gjuhën shqipe dhe ne sigurisht i ofruam të gjitha burimet tona, pas kësaj ajo  ka premtuar që së shpejti do të këndojë këngë shqiptare, tregon Gjoka, duke theksuar se ky është një shembull i mirë se si ne duhet të mësojmë të vlerësojmë më shumë gjuhën dhe kulturën tonë dhe mos të mbivlerësojmë kulturat e huaja .
Shkrimtari ynë i madh, Gjergj Fishta, përmes vjershës “Gjuha Shqipe“ porosit gjithë brezat shqiptarë për kultivimin e saj brez pas brezi si trashëgimi dhe vlerë për të cilën duhet të kemi kujdes të veçantë, e nëse në 2013-ën kur kjo shkollë hapi dyert me vetëm 8 nxënës, sot numri i tyre është 35 nxënës në qendrën kulturore shqiptare në Clifton. Shtimi i kërkesave ka bërë që të hapet edhe një tjetër degë në Bronx me 12 nxënës, thekson Gjoka duke shprehur besimin se ky numër do të rritet me rifillimin e vitit shkollor në muajin shtator. Drejtori i qendrës kulturore shqiptaro-amerikane në Clifton NEW JERSEY, Shaban Gjoka, si ish-Shef I Katedres se gjuhës Anglese  në Izmir të Turqisë, thotë se shqipja është gjuhë me vlera të mëdha duke mos lënë pa cituar PROF. Eqrem Çabej se “RUAJTJA, ZHVILLIMI DHE PASTËRTIA E SHQIPES KA TË BËJË ME PALCËN E KOMBIT “

Intervistoi: Drena Qelia

Back to top button
Verified by MonsterInsights