“A po bëhet gjuha shqipe, gjuhë e dytë nga shqiptarët e diasporës?”

Intervistë me mësuesin e pasionuar të gjuhës shqipe në Vjenë, z.Hazir Mehmeti.Në vendin ku lindën dhe u rritën yjet e muzikës klasike, ku malet e larta me dëborë na kujtojnë Shqipërinë etnike dhe ku qytetet moderne na tregojnë se Austria është mes vendeve me standardin më të lartë të jetesës në botë, jetojnë mbi dymbëdhjetë mijë fëmijë shqiptarë ku prej tyre vetëm një e pesta e kanë vendosur të ulen në bankat e shkollave shqipe për të mësuar gjuhën e të parëve të tyre, sado që këto shkolla financohen dhe mbështeten nga vetë institucionet shtetërore austriake.

Në anën tjetër, përparimi i teknologjisë, duke përfshirë këtu internetin, e ka bërë më të lehtë komunikimin mes shqiptarëve dhe si rrjedhojë edhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Por interneti ndikon njëkohësisht edhe në shtrembërimin e gjuhës dhe përdorimin e tepruar të barbarizmave dhe fjalëve banale, që shpesh janë edhe fjalët që kapen më lehtë nga fëmijët shqiptarë të diasporës.

Këto dhe tema të tjera kemi diskutuar në këtë intervistë me z.Hazir Mehmeti, mësues i gjuhës shqipe në Vjenë dhe autor i shumë librave dhe teksteve. Ai është edhe autori i Abetares Ahqipe në Austri, i vetmi libër shqiptar që përdoret zyrtarisht në shkollat e këtij vendi.

Hazir Mehmeti është mësimdhënës në një prej shkollave më të mira në botë (e shpallur e dyta në Austri dhe e treta në Europë), si pjesë e një projekti europian, ku gjuhën tonë e mësojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe të interesuar  me kombësi të tjera.

  • Na tregoni në fillim, si është i organizuar mësimi i gjuhës shqipe në Austri?

Mësimi i gjuhës shqipe në Austri zhvillohet në kuadër të sistemit mësimor shtetëror, i programuar, i financuar dhe i siguruar nga qeveria. Austria, bashkë me Finlandën dhe Suedinë, janë vende shembull për sa i takon mësimit të gjuhëve të huaja. Kjo do të thotë se ne nuk mund të flasim për një shkollë shqipe në aspektin klasik, por për mësimin e gjuhës shqipe, gjuhës amtare, në një vend si Austria.

  • Cilët janë hapat që duhen ndjekur që një fëmijë të shkojë në shkollën shqipe dhe të mësojë gjuhën amtare?

Në Austri, prindi është faktori kryesor, i cili në momentin e regjistrimit plotëson një formular, ku mund të shprehë dëshirën që fëmija i tij të mësojë gjuhën amtare. Pastaj, në varësi të numrit  të fëmijëve brenda një shkolle krijohen edhe grupet e fëmijëve. Këto grupe duhet të kenë të paktën dymbëdhjetë nxënës. Më pas caktohet edhe numri i orëve dhe detajet e tjera. Në rastet kur ka më pak fëmijë brenda një shkolle, të themi dy-tre, atëherë ata grumbullohen në një shkollë tjetër me më shumë fëmijë dhe e organizojnë mësimin aty. Të gjitha tekstet janë të siguruara nga shteti,  ekziston edhe mundësia e porositjes së teksteve shtesë, edhe jashtë katalogut të teksteve bazë në gjuhën amtare.

  • Në ç’nivel është interesimi i shqiptarëve të diasporës, në Austri, për të mësuar gjuhën shqipe?

Me gjithë këto favore në Austri, vijueshmëria e fëmijëve shqiptarë për të mësuar gjuhën amtare nuk është aq e kënaqshme dhe është vetëm rreth 20 për qind. Numri i përgjithshëm i fëmijëve që janë deklaruar se kanë gjuhën shqipe si gjuhë amtare është rreth 12 500, por megjithatë nëpër shkolla mësojnë vetëm rreth 2500 nxënës. Prindërit shpesh mundohen të argumentojnë gabimisht, se gjuha amtare pengon mësimin e gjuhës vendase dhe pengon integrimin. Por, në fakt, është e kundërta, pasi të gjitha hulumtimet shkencore tregojnë se mësimi i gjuhës amtare ndihmon mësimin e gjuhës së vendit ku fëmija do të integrohet.

  • Çfarë mund të bëhet që prindërit shqiptarë në diasporë të vetëdijesohen për këtë mundësi dhe të ndihmojnë që fëmijët e tyre të ndjekin gjuhën shqipe?

Mendoj se një rol të madh në këtë drejtim luajnë mediat dhe me plot bindje them se ato kanë rënë nga provimi në këtë pikë. Duhet që në fund të qershorit, kur mbyllet viti shkollor, dhe ndoshta në fillim të shtatorit kur fillon viti, media të bëjë fushata ndërgjegjësimi, sepse mësimi i gjuhës amtare e ndihmon integrimin e fëmijëve.

  • Shpesh jemi dëshmitarë kur fëmijët e diasporës flasin mes vetes gjuhën e huaj edhe kur vijnë në vendlindje. Sa mendoni se ruhet gjuha shqipe nga shqiptarët e diasporës?

Rreth kësaj mund të flas vetëm në bazë të përvojës personale. Në rrethin që unë njoh shoh se shumë  syresh në komunikimin e  përditshëm flasin gjuhën e vendit ku jetojnë dhe jo gjuhën amtare. Këtë e kam vërejtur edhe nga testet që kam bërë nëpër shkolla, ku nxënësit që mësojnë gjuhën shqipe tek unë, deklarojnë se flasin gjuhën gjermane në komunikim me të afërmit e tyre në rrethin kur jetojnë. Por kur vijnë për vizitë në vendlindje, ata thonë se flasin shqip, dhe mendoj se kjo i ndihmon ta ruajnë gjuhën amtare dhe lidhjen me vendlindjen. Në këtë aspekt edhe Ministria e Diasporës mendoj se ka bërë një punë të mirë në vazhdimësi kur organizon ekskursione dhe vizita të nxënësve në shumë vende nëpër Kosovë. Kështu do të duhej të ndodhte edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, pasi kjo forcon lidhjen me vendlindjen dhe ruan edhe gjuhën.

  • Përveç mësimit të gjuhës amtare nëpër shkolla, a organizohen edhe aktivitete të tjera që ndihmojnë ruajtjen dhe forcimin e gjuhës amtare në diasporë?

Ka shumë aktivitete, veçanërisht kulturore. Ne, si mësues të gjuhës shqipe, së bashku me disa shoqata të tjera në të gjithë Austrinë marrim pjesë në festimin e festave tona kombëtare. Nxënësit përgatiten për to për disa muaj, dhe gjatë këtyre aktiviteteve ne flasim shqip. Ne festojmë 7 Marsin, 28 Nëntorin, 17 Shkurtin,  festën e abetares, marrim pjesë në programe ndërkulturore,  luajmë drama në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën gjermane.

  • Për çfarë janë të interesuar më shumë prindërit, për të ndjekur mësimin e gjuhës shqipe, apo për të ndjekur aktivitetet kulturore që organizohen nga komuniteti shqiptar në diasporë?

Sipas asaj që unë shoh, prindërit janë shumë të ngarkuar me punë dhe nuk kanë shumë kohë të mendojnë se në cilat aktivitete është më mirë t’i angazhojnë fëmijët. Por një gjë e di, prindërit të cilët janë të interesuar që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe,  bëjnë të mundur përfshirjen e fëmijëve edhe në aktivitete të  tjera kulturore ose sportive. Në Vjenë, ne kemi raste ku nxënësit tanë tani luajnë në ekipe shumë të mëdha, shfaqin talente të ndryshme dhe bëhen shembull për fëmijët e  tjerë. Me shumë prej tyre, të cilët kanë qenë nxënësit e mi dhe tani janë të suksesshëm në fusha të ndryshme, sigurisht që mburrem edhe unë, veçanërisht për faktin se ata e flasin shumë mirë gjuhën shqipe dhe janë kombëtarisht, por edhe profesionalisht shumë të formësuar.

Sa ndikojnë mediat shqipe në ruajtjen e gjuhës te popullata shqiptare në diasporë?

Mediat kanë ndikim të madh. Sidomos përcjellja e emisioneve televizive në gjuhën shqipe i ndihmon shumë fëmijët. Unë e vërej se nxënësit që shikojnë filma vizatimorë në gjuhën shqipe me kënaqësi i tregojnë ato në orët e mësimit. Por fatkeqësisht, një pjesë e madhe e familjeve nuk i edukojnë fëmijët me emisione dhe programe edukative në gjuhën shqipe, por i  lënë të shohin CD dhe videoxhirime që kanë përmbajtje banale dhe mendoj se kjo gjë duhet të ndryshojë.

  • Interneti sot përdoret gjerësisht edhe nga fëmijët. Çfarë ndikimi mendoni se ka ai në mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe?

Unë shpesh bisedoj me nxënësit për këtë dhe shumica e tyre e përdorin gjerësisht internetin për të komunikuar me familjarët dhe miqtë e tyre në vendlindje. Ky është një indikator që nxënësit mund të mësojnë gjuhën shqipe edhe përmes internetit, pavarësisht gabimeve që mund të bëjnë. Më mirë ta mësojnë edhe me gabime, sesa të mos e mësojnë fare. Unë jam i mendimit se internetit duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi edhe institucionalisht. Në Austri është një ueb-faqe, të cilën ne e shfrytëzojmë edhe në orët mësimore, ku edhe fëmijët shqiptarë mund të hyjnë dhe të mësojnë në gjuhën shqipe.

  • Cili mendoni se do të jetë trendi i ruajtjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe në diasporë?

Është vështirë të parashikohet kjo, por unë jam i bindur se edhe për  disa breza gjuha shqipe do të flitet, do të shkruhet dhe do të mësohet nga shqiptarët e mërgatës. Lidhjet me vendlindjen tani janë edhe më të fuqishme, përmes formave elektronike, përmes internetit, përmes vizitave. Është një përparësi e madhe që kemi edhe detin, ku shqiptarët anembanë takohen dhe flitet shqip. Madje, shumë shqiptarë me krenari ftojnë edhe miqtë e tyre të huaj të vizitojnë vendin tonë dhe u mësojnë atyre edhe fjalë shqipe kur vijnë në Shqipëri.

Intervistuar nga Jaser Veseli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights