Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, Atë Shtjefën Gjeçovin (1874-1929) pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Gjeçovi mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
“Mësuesi i Popullit, Shtjefën Gjeçovi, lindi në Janevë, një fshat i varfër i Kosovës, më 12 korrik 1874 dhe u vra në Zym të Kosovës, më 14 tetor 1929 nga shovinistët serbomëdhenj. Pasi ndoqi për do kohë kolegjin françeskan të Troshanit, një fshat i bukur i Zadrimës, në vitin 1888 vazhdoi studimet, në Bosnje dhe në Kroaci. Kur kthehet në Shqipëri, këmba e tij do të shkelë në dhjetëra fshatra, duke shërbyer si famullitar në Laç të Kurbinit, Troshan, Gomsiqe e Gojan, Theth, Shalë e Shosh, por edhe në Pejë, Gjakovë e Prizren, si dhe në Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Zarë. Mori pjesë në organizimin e kryengritjeve antiosmane në vitet e para të shek. XX dhe qe një ndër ata patriotë, që dënoi me forcë politikën shkombëtarizuese të Serbisë dhe të Malit të Zi, si dhe pushtimin austriak të vendit tonë.” (Citon Dr. Tomor Osmani)
Përralla, dramaturgji, proza, përkthime nga Shtjefën Gjeçovi
Shkruajti dramat Dashtunija e atdheut më 1901, Kushtrimi asé Mark Kuli Kryeqitas 1903, Shqiptari ngadhënjyes 1904, Princi i dy Dibrave asé Mojs Golemi 1904; Shqiptari ngadhënjyes, 1904; Katër të lumtun, asé Edipi i Shqipnis, 1926; një pjesë prej të cilave ende në dorëshkrim që gjenden në ASH.
Shqipëroi dramat Atil Reguli. Dramë me trii pamje të Metastasit më 1905, botuar më 1912; Vajza e Orleansit asé e Lumja Joana D’Ark nga A.F. Bergamo, botuar më 1915; Shna Ndou i Padues i N. Dal-Gal, botuar më 1912.
Ai ka shkruar po ashtu edhe novelat, Mnera e Prezës 1902 dhe Rrafgime 1903. La pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar Quo vadis (1916) të Shenkieviçit dhe pjesëve nga ‘Scritti su Parga’ të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo. Përveç kësaj, Gjeçovi na ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë pjesë teatrore dhe disa tregime. Pa llogaritur artikujt e shumtë Përralla popullore (1903), Doke dekësh (1907), Rrnesa e kombit shqiptar nder malcina (Gomsiqe, 1908), Doke darsmore në kanu (1910-1911), Vajtorëja (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij.
PLEQNIA
Shqiptari i maleve u jetos.
Jetesa e një plakut të mbetun asht e veshtirë nder malet tona, porse ankime nuk ka. Njimend se gjindja e shpisë mundohen me ja lehtësue barren e pleqnisë; asgjamangut s’munden me e knaqë plakun që rrinë githe ditën e lume e të shumten e nates e kalon pa gjumë rranxë votret. Pleqve e të smutève kurri punë e kurrnji shërbim s’ua mbush synin! Gjindia e shpisè, ndër malcina sideomos, u rrinë me kambë pleqve e kurre s’ia përbuzin fjalën, mundohen mos me ja çarte zemren, sido që jane të merzitshëm. Nder porosi tè para që u jep njerzve i zoti i shpisë, ashtë me ju bindue plakut e mos me e merzitë. Argtimi i pleqve jane fëmia. Keta i joshin e fmija u përjoshen.
Me u bertit kush fëmijve me turra shkojne ke tatgyshi, i cili rrin ratë me bri në do barë a krethil a ndeniun si ne të kotun. Sa të hyjë fëmija në anë të gjyshit prej deret fillon me i ferkue sytë me ato duer të vocrra e me belbèzue fialët e ankimit. Tatëgjyshi që mban nji shkop afër vedit, për me ruejt pulat e me u pështet në të për çdo nevojë, i pret me dashtni, tuj u thanë; Hecni te tatgjyshi të vokrrit e mij! Kush ju ngau?” E fëmija tuj u zhgrrehun ne vaj edhe ma tepër përmbas fjalëvr të ambla të gjyshit, fillojn me ba vaj herë me njanin, e herë ne tjetrin. Ky i afron vedit ose i merr në prehën, dikënd e pshtet në gju, e me atë shkop u matet atyne që e ngan fëminë: “ Tash i rref tatgjyshi të vokrrët e mi. Mos kjani se tash i coptoj unë me këtë shkop!” Fêmila pajtohen e fillojnë me luvrue rreth tatgjyshit tuj ju kacavjerrë në qafë.
Votra Team