Qyteti i Durrësit në dy romanet e Gjergj Vlashit: Njeriu i netëve të vjeshtës dhe Netët e një qyteti

Gjergj Vlashi (Durrës, 13 korrik 1928 – 4 tetor 2020) ka qenë regjisor, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Ka qenë për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin “Nderi i Kombit”.

Interpretimi i veprave: Njeriu i netëve të vjeshtës dhe Netët e një qyteti

Sa herë nis e lexoj një vepër në prozë, thënia e të madhit Ernest Heminguej se, gjëja më e vështirë në botë është të shkruash një prozë të sinqertë e të ndershme për qeniet njerëzore, zë vendin e shënjueses në kalimin e çdo faqeje. Në rastin e dy romaneve të shkrimtarit Gjergj Vlashi, Njeriu i netëve të vjeshtës  dhe Netët e një qyteti, kjo vështirësi është tejkaluar, duke u bërë edhe shembull i një rrëfimi të sinqertë nga ana e shkrimtarit i cili qytetin, njerëzit e tij, i ka vënë në qendër të universit të tij letrar.

Romani Njeriu i netëve të vjeshtës, është bazuar në një ngjarje të vërtetë siç është bombardimi i qytetit të Durrësit, në tetor 1943. Një njeri, që thjesht për të mos iu bindur verbërisë arbitrare të një urdhri të dhënë, vendos të rrijë i vetëm në qytetin e braktisur nga njerëzit, bëhet figura bosht e romanit, në të cilin ngrihet një analogji mes tij, dhe Robinson Kruzosë. Por, ndërsa Robinson Kruzoja bridhte pjesët e panjohura të ishullit të tij dhe nuk dinte me kë do të përballej, Mariani ngre një ishull brenda fatkeqësisë së përgjithshme, me shpresën për të gjetur vetveten.

Përdorimi i ëndrrës në rrëfim, duket sikur e zgjat kohën në roman dhe Vlashi përdor gjashtë të tilla. Ato janë të shkurtra  dhe shpjegojnë drejtpërdrejt gjendjen shpirtërore të Marianit dhe situata të caktuara, të cilat e kanë prekur në mënyrë të veçantë kur ka qenë zgjuar. Pyetja e Marianit, se a mund të shkruhen ëndrrat?, na kthen mbrapa në kohë tek Coleridge dhe “Kubla Khan-i i tij”, për të cilin ka shkruar Borghes dhe Pessoa. Poetin që nisi të shkruajë ëndrrën, por që i mbeti e pambaruar për arsye se një person e ndërpreu nga shkrimi i saj, duke e thirrur jashtë.  Sipas Coleridge, imazhet kur jemi zgjuar, frymëzojnë ndjenja, ndërsa gjatë gjumit, janë ndjenjat ato që frymëzojnë imazhet. Kandili i vjetër i nënës, frymëzon qirinjtë të cilët transformohen në njerëz-qirinj dhe ndjenja që provoi Mariani kur u larguan të gjithë njerëzit, frymëzoi ndjenjën e frikës kur ai mbeti i vetëm dhe i zhveshur plotësisht në ëndërr.

Metafora e qytetit të zbrazur si një trup pa jetë e pa gjak, ku e vetmja pikë gjaku e mbetur është Mariani, është si një pikënisje e gjendjes vetmitare te Mariani. Gjendje kjo, që duhet analizuar në kufij kohorë të ndryshëm: para dhe pas braktisjes së qytetit nga njerëzit. Para se Mariani të mbetej i vetëm fillikat në qytet, ai ndihej i vetëm edhe mes njerëzve, për arsye të natyrës së tij dhe këndvështrimit për jetën. I vetëm, ai mendoi se do të ishte i lirë, por jo. Lirinë po e gëzonte vetëm brenda shtëpisë së tij në lagjen Kala, me të cilën ishtë i lidhur ngushtësisht. Veçimi i Marianit ishte i vullnetshëm. Disiplina e tepruar që  duket se i kishte tharë lëngun e jetës, nuk do ta mundonte më,  as vargu i gjatë i shifrave sa një autokolonë.  Dy ëndrrat e para janë të njëpasnjëshme, në dy ditë rradhazi, gjë kjo, që shpjegon ndryshimin në jetën e përditshme të Marianit. Në roman, vihet re numërimi i veprimeve apo objekteve të ndryshme: dita e parë, dita e dytë, kafja e parë, cigarja e parë, që tërheq vëmendjen e lexuesit dhe thekson pambarimisht, idenë e vetmisë së personazhit. Mariani, është personazhi i vetëm që do të mbajë në këmbë rrëfimin në roman. Aftësitë e Gjergj Vlashit  si regjisor, e kanë ndihmuar në krijimin e një subjekti të copëzuar, por që lidhet me fije të padukshme  ëndrrash, përfytyrimesh dhe fantazish.

Vizitat në shtëpitë e zbrazura, simbioza e re që fillon e shfaqet, përfytyrimet.

Vizitat e mbrëmjes në shtëpitë e zbrazura, fillojnë me një shkak që mund të duket disi qesharak, siç është mungesa e kafesë, por që përbën një lëvizje të mirëmenduar të autorit, për ta rrethuar Marianin jo fizikisht, por mendërisht me persona të tjerë. Ndërtohet kështu hap pas hapi, një subjekt sa i çuditshëm, aq edhe interesant, si një ilustrim i pohimit të Todorov-it, i cili mendon se fantastikja i shërben narracionit, ajo e mban pezull interesin për zhvillimin e ngjarjeve, sepse prania e elementeve fantastikë, lejon një organizim të veçantë të intrigës. Bashkë me erëmimet e secilës shtëpi, do të shfaqet edhe një simbiozë e re tek Mariani: në secilën prej tyre, nga ajo e Idrizit ku merr kafenë dhe shikon albumin familjar të tij, te doktori ku lexon ditarin dhe zbulon të fshehtën e tij lidhur me Aneloren, (që në të vërtëtë ndryshe nga ç’mendohet, është e dashura e tij), ai  merr diçka prej secilit dhe, i ndihmuar nga përfytyrimet dhe imagjinata, ndërton historitë e tyre. Duke analizuar shkollat e ndryshme të mendimit përsa i përket raportit imagjinatë – vullnet, Gudrun Dalla Via sjell një ndër ligjet e funksionimit të këtij raporti: Në konfliktin midis vullnetit dhe imagjinatës, fuqia e imagjinatës ndryshon në një raport në  katror në lidhje me vullnetin. Vetëm me forcën e imagjinatës, Mariani arrin t’ì ngrejë një barrierrë vetmisë. Ai nëpërmjet vizitave në këto shtëpi njeh nga afër njerëzit që në kushte normale, nuk do të kishte pasur as mundësinë dhe as vullnetin që t’i njihte, pasi Mariani ishte një njeri indiferent dhe i tërhequr.

Trilli, vijim i njëmendësisë, apo njëmendësia është vijim i trillit?

E vështirë t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje në rastin e veprimeve të kryera nga Mariani. Ai tashmë është peng i vetmisë, e cila jo pak herë i errëson vetëdijen. Në roman ky kufi, herë zbehet, herë thellohet, herë zhduket. Në bashkëjetesën mendore me të tjerët, vështirë të kuptohet kur është Mariani, kur bëhet Idrizi dhe kur sytë e Analores i ngjasojnë me sytë e Vikës, vajzës që ai dashuroi. Kur Mariani është zgjuar, pështjellimi i fytyrave, e hedh herë pas here në gjendje jermi. Kur fle, sa te kolltuku i doktorit, në një shtëpi tjetër, ëndërron çuditshëm dhe, kur largohet për t’u kthyer në shtëpinë e tij, ai sikur merr me vete diçka nga njerëzit e shtëpisë ku ka shkuar dhe humb diçka nga vetja e tij. Elementet natyrorë në roman, si errësira shiu, drita,  luajnë një rol të veçantë në gjendjen emotive  të Marianit. Shiu e bën nostalgjik, mbrëmja të tërhequr në dhomën kthinë pa dritare, drita i jep kurajo të dalë edhe gjatë ditës, edhe pse mbi krye ka vazhdimisht një rrezik që i kanoset: ushtarët gjermanë.

Në ditët e Marianit hyjnë dy prezenca fizike: një qen të cilin e quan Premti (analogjia me Robinson Kruzonë është gjithmonë prezente) dhe Nasi, një personazh  i gjetur i romanit që mesa duket, nuk ishte larguar nga qyteti. Nasi është mësuesi i çmendur i qytetit, i cili ndryshe nga Mariani që,  nuk e gjen veten as me njerëz, as pa njerëz, ai e ka gjetur atë  duke u shtirë si i çmendur dhe duke humbur në biseda të gjata me detin. Nasi, çmendurinë e ka zgjedhur si barrierë për të mos mbetur i vetëm, pasi vetëm kështu ai mund të bashkëjetojë me të tjerët, shpërfillës ndaj rregullave shoqërore, i lirë, i çiltër.

Mariani nuk e njihte shumë Nasin, por keqardhja që ndien për vdekjen e tij, pasi është goditur nga patrulla gjermane,  do ta shoqërojë edhe në ëndrrën e katërt, ku i mbetur i vetëm në një udhëkryq, nuk dinte se nga të shkonte. Qen të veshur si ushtarë i afrohen me sytë që nxirrnin xixaAi iu flet atyre duke iu thënë: – Unë jam Nasi… Nasi…. Simbioza e çuditshme që i shfaqet kur është zgjuar, tani i shfaqet edhe në ëndërr.

Ditët dhe netët e Marianit janë veç ëndrra, përfytyrime, trill. Realiteti i tij janë vizitat në shtëpitë e zbrazura. Vizita në gjysmë shtëpinë e gjysmë pijetoren e dy vëllëzërve, Latifit dhe Xhikut; njerit që shiste pije dhe tjetrit qivure e kurora për të vdekurit. Në këtë shtëpi Mariani do të dehet, aq sa për të hyrë në një nga qivuret e punishtes. Nga aty, do të dëgjojë bombardimin ajror, i cili do të jetë edhe subjekti i ëndrrës së pestë të Marjanit: Ai ndodhej lart në qiell i mbajtur në hava nga projektorë të fuqishëm dhe papritur bie, rrëzohet pingul dhe në çastet e fundit hipën në shpinën e një shpendi që herë zbriste poshtë dhe herë hipte me një shpejtësi marramendëse dhe ulërinte. Shpendi goditet nga predha e zjarrtë dhe nis të zbresë me shpejtësi.

Përfytyrimin onirik, halucinacionet do t’i gjejmë deri në fund të romanit. Ato arrijnë kulmin e tyre kur Mariani nuk është më i sigurt nësë ka folur me të vërtetë me Nasin në qytetin e braktisur, apo nëse vërtet e ka takuar Aneloren.

Dialogu Marian- Nas, vë përballë një njeri të shqetësuar nga ëndrrat, përfytyrimet, veçimi dhe vetmia dhe një të çmendur, që ironizon deri në sarkazëm për të mençurit. Ti  kujton se vetëm ju të mençurit jeni të mençur? Shumë nga ne që ju i mbani të çmendur, janë më të zgjuar se juFundi i fundit të luash rolin e budallait është një provë e madhe mençurie. Çmenduria është një zgjidhje ideale për të shmangur telashet e jetës, për të jetuar si të do qejfi, për të thënë çfarë dëshiron. Ne të çmendurit jemi të lirë dhe të pavarur.

Por a është çmenduaria një zgjidhje? – pyet MarianiI çmenduri Nas, edhe për këtë e ka një përgjigje: Secili të gjejë mënyrën e tij për të mbijetuar në këtë botë.  Ai,  Nasi, e ka zgjedhur të vetën.

Në pikën në të cilën ka arritur tani Mariani, ku edhe qeni Premti duket se mendon që i zoti i tij i ri është një njeri i çuditshëm që flet në ëndrra, bërtet dhe trembet, përfytyron e fantazon, ai gjendet përpara dilemës: bëra mirë apo keq që ndenja në këtë qytet fantazëm? Këtë nyje Mariani nuk e zgjidh dot por, çuditërisht, ai ndihet më i mbushur me jetën nga ç’ishte javë më parë dhe çdo copëz që ka marrë nga secila shtëpi që ka vizituar, e ka ndryshuar atë. Njeriu i netëvë të vjeshtës, ka ndryshuar, ose të paktën kështu dëshiron. Në momentin që mendon kështu, del në rrugicën e shtëpisë ku ka kaluar shumë vite të jetës së tij dhe, kur trimëria apo pandërgjegjshmëria i ngatërrohen nëpër këmbë dëgjohet një: – Alt! Një Alt dhe më pas një krismë që i shoi dritën dhe i  ndaloi erën që i përkëdhelte fytyrën. Romani Njeriu i netëve të vjeshtës, është një roman socio-psikologjik. Sociologjik, pasi ka në qendër individin dhe luftën që bën ai për të gjetur vetveten, si një përfaqësues i një shoqërie që mbart në vetvete paragjykimet e kohës. Psikologjik, pasi ka një rrëfim të copëtuar vende-vende prej ëndrrës, halucinacioneve të personazhit dhe simbiozës që përjeton ai duke u lidhur me anën e vërtetë të njerëzve. Atë anë që ndodhet pas barrierrës që ngremë çdo ditë për t’u dukur të bukur, të qetë dhe të lumtur. Mariani ka nevojë për njerëzit, por do anën e fshehtë të tyre, atë anë që ai e gjen në shtëpitë e zbrazura, në sirtarë ku mbajnë letrat e shkruara dhe albumet e familjes. Zgjidhjet që gjen çdonjëri prej nesh për të mbijetuar në shoqëri, janë të ndryshme dhe në monologët e tij,  me një ironi therëse, Mariani  do të dritësojë një sërë problemesh thelbësore të shoqërisë së asaj kohe. Ai jetoi në kufirin e paqartë mes trillit dhe njëmendësisë, në vetminë e tij që zgjati sa një stinë (15 tetor – 20 dhjetor 1943). Vendimi që mori Mariani për të qëndruar i vetëm në qytetin-hije, braktisur prej luftës dhe bombardimit, ishte sfida e parë që i bëri vdekjes, sfidë që e çoi duke e përqafuar atë.

***

Romani Netët e qytetit tim, një roman jo shumë voluminoz, por që ngërthen në vetvete probleme të shumta, të cilat parë me syrin e autorit dhe shprehur me gjuhën e tij, na japin një panoramë të qytetit të quajtur Kodrishtë. Rrëfimi në vetën e parë, ka formën e një ditari, shënime të mbajtura në një periudhë kohore prej një muaji, ose 30 ditësh.

“Shëtitësi ynë” (do ta quaj kështu personazhin tonë), preferon shëtitoren pranë detit, por në programin e tij të mbrëmjes, herë pas herë ka devijime, si rezultat i njerëzve të cilët takon.

Çdo natë sjell një personazh. Historia e tij  zakonisht fillon dhe mbaron  brenda kohështrirjes së shëtitjes. Një kohë që nuk lë shumë mundësi për pjekjen e situatave dhe identifikimin e personazhit. Këtë ngërç të vogël, autori Gjergj Vlashi  e zgjidh duke  vënë në dispozicion të  rrëfimit një gjuhë të thjeshtë, dialog të shpeshtë në funksion të situatës dhe përzgjedhjen e kujdesshme të gjuhës së personazheve, të cilët duken sikur rendin për të kapur një tren. Trenin që niset kur personazhi kryesor mbaron shëtitjen e tij dhe i duhet të kthehet në shtëpi.

Me të drejtë ju do të pyesni: – po këtyre njerëzve, nuk u mjaftoi dita që duhet të rendin edhe natën? Kjo është edhe një nga zgjedhjet mjeshtërore që e karakterizojnë rrëfimin në këtë roman. Autori zgjedh që personazhi i  tij të bredhë mbrëmjeve, për faktin e thjeshtë se qyteti, natën është tjetër gjë. Ai i përngjan një trupi të rraskapitur nga punët e ditës që kur shtrihet, ndien dhimbje dhe lodhje. Natën gjithçka është ndryshe. Ato që ditën mund edhe mos t’i shohim fare dhe mos t’i vëmë re, natën vishen me një tis misteri që nuk mund t’i japësh zgjidhje tjetër  veçse të vazhdosh shëtitjen dhe të kthehesh sërish në strehën tënde.

Në natën e parë ndesh Maznikun, inxhinierin e pamartuar që punon minierave, në të dytën Lumnikun, skulptorin që po realizon një skulpturë të Xhon Lenonit. Figura e  skulptorit i sjell ndërmend gjendjen dhe jetën e artistëve shqiptarë në kohën e diktaturës. Sipas autorit, ata nuk ishin të lirë aspak, por duhet të paraqisnin skulptura të fryra, gra me muskuj që ishin të zhveshura nga çdo delikatesë femërore. Në roman nuk ka retrospektivë, ngjarjet rrjedhin shpejt dhe janë të freskëta dhe të sapo jetuara. Dita e parë e shëtitjes, dita e dytë, të tretën ndalet. Personazhi ynë nuk del shëtitje, për të na sjellë ngjarje e personazhe të tjerë, por në natën e tretë, flet për veten, për familjen e origjinës: vëllanë, motrën, babanë dhe nënën. Edhe kur nuk del shëtitje dhe nuk takon njeri, mjafton të flasë për babanë e tij dhe jep një shembull përfaqësie të gjithë atyre individëve që punuan me ndershmëri dhe përkushtim, por që vetëm një refuzim i thjeshtë për t’u bërë bashkëpunëtorë të Degës së  Brendshme, i çoi drejt një fundi të dhimbshëm. Nuk mundej kurrësesi autori  që në “gostinë e personazheve të natës” mos të na sillte një figurë femërore. Hana… ose Sabihania, shoqja e klasës së “shëtitësit të mbrëmjes”. Një figurë tipike e vajzës së ndrojtur, që i vetmi luks të cilin mund t’ia lejojë vetes, është të rrijë  në stolin para shtëpisë, në mbrëmje, nën vëzhgimin e rreptë të atit fanatik.

Tepër interesante është nata e pestë e shëtitjes nëpër qytet, hyrja e tragetit që vjen nga Bari në portin e Durrësit. Bashkë me udhëtarët dhe valixhet e tyre, ky traget sjell edhe një sërë historish të trishta, si ajo e Kujtimit që pret Zinetin gruan e tij. Pyetja: a do të vijë, e mundon atë në momentet e gjata të pritjes.

Gjatë shëtitjeve, ka edhe mungesa, të cilat mendoj që autori i përdor për thyerjen e monotonisë në shënime. Një lloj shmangieje edhe në numërim: 5, 7. Natë të gjashtë nuk ka. Shëtitjet e munguara në këto netë, ngjasojnë si apele pa përgjigje, por që gjithmonë e kanë një justifikim. Në natën e gjashtë tezja me të cilën jeton u sëmur, ndaj duhet t’i qëndronte pranë.

Nëse do të vazhdoja të sillja këtu për ju përvojat e çdo nate të personazhit, do të zgjatesha e do të zgjatesha pafund. Pasi edhe Idriz mashinisti, që shoqëron Silvanën në shtëpinë e hallës, do vëmendjen e tij. Silvanën që rrezikon të kthehet në një Anë Kareninë, apo Viktori, arkeologu që punon për një libër kushtuar Kodrishtës.

Mbrëmjet në vetvete janë misterioze, por ato bëhen edhe më të mistershme kur: kalon pranë një sheshi ku xhirohet një film dhe babai fanatik nuk  pranon rolin e vajzës; kur sheh padrejtësitë dhe allishverishet që bëhen nëpër spitale; kur dashuron në heshtje dhe ditën që merr guximin të shfaqësh dashurinë, stoli është i zbrazur (Hana nuk ka dalë…).

Shëtitjet vazhdojnë… Tek- tuk me mungesa, por vazhdojnë dhe na sjellin, një ish-hetues të lidhur me Degën, (Zigur zemërguri, që tani i kanë rënë puplat), një farmaciste që pas çdo fjalie përsërit si një refren që jep besueshmëri: – Dëgjo Valën ti!

Kapërcimet janë të fuqishme nga njëri personazh tek tjetri: Nga Spiro, aktori me një memorie fantastike, tek roja i gabinave me një sy, tek Orest peshkatari, varrezat e qytetit dhe më pas këmbët e çojnë atje, tek Hana e tij dhe stoli i zbrazur. Nuk lodhet “shëtitësi i natës”. Në mbrëmjen e njëzetë e tretë, shkon në qelitë e paraburgimit ku takon toger  Shemen, Piktor Paskalin me vese të këqija dhe Islamin, romin që vetëm këndon. Pas zhgënjimit që pëson në natën e njëzetë e pestë,  ku Hana nuk e mban fjalën për të shkuar të jetojë me të, “shëtitësi” gjen ngushëllim tek sheh Altinin depresiv, komshiun e katit të parë, që e jëma e ka braktisur, Dhimitrin që punon e djersitet në furrin e bukës, Maznikun që rreh Zigurin dhe pastruesit e natës që zihen me njëri-tjetrin nën refrenin e fësh-fësheve të fshesave të gjata.

Nata e tridhjetë është një bredhje pa plan. Autori sikur rreket të na thotë se: –Pavarësisht planeve dhe ëndrrave tona, jeta do të ndjekë udhën e saj, diku do të ketë një dasmë e diku do të ketë një vdekje. Kështu e ka ajo: me njërin sy qesh e me tjetrin qan.

Romani  “Netët e qytetit tim”,  më ra në dorë rastësisht, gjatë një shëtitjeje mëngjesore të Gjergj Vlashit në Bibliotekën e Durrësit. Durrësit apo Kodrishtës? E ç’rëndësi ka? Ai  është për t’u vlerësuar për arsenalin e gjallë të personazheve që sjell. Personazhe që kanë një vërtetësi bindëse, edhe për nga natyra e rrëfimit, pjesë e të cilit janë. Një rrëfim i thjeshtë, i qetë, realizuar me një gjuhë pa shumë ojna, por që na sjell me vërtetësi jetën e netëve në qytet. Një realitet herë i trishtë e herë i gëzuar, siç është edhe jeta vetë. Gjergj Vlashi e ka vënë në fokus qytetin që aq shumë e deshi, Durrësin, për të cilin Vlashi mbetet ikonë.

Nga Teuta Dhima

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights