Manastiri i Llëngës

Manastiri i Llëngës në rrethin e Pogradecit i është kushtuar Shën Marenës. Banorët e Llëngës janë arumunë dhe kanë pasur lidhje me banorët e Voskopojës. Manastiri zë një sipërfaqe të madhe toke, e cila fillon nga livadhet e Mujazeve. Kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 1660 dhe është rindërtuar më 1754. Kisha është e stilit bazilikë njënefëshe me përmasa 11.85×6.75 metra. Kisha është e pikturuar me afreske, ku më i spikaturi është ai që i kushtohet martirizimit të Shën Marenës. Afresket janë pikturuar në vitin 1754 nga Kostandin Shpataraku.

Mbi portën perëndimore të naosit brenda kishës është shkruar: “U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i dëshmores së madhe të Krishtit, Shën Marinës, me ndihmën e të gjithë të krishterëve, të esnafëve, të mjeshtërve, të rrobaqepësve, të kasapëve dhe të karvaneve të vegjël e të mëdhenj, që gjenden në qytetin Llëngë, me përpjekjet dhe shpenzimet e të shumëdevotshmit prift Gerasimit dhe mbikqyrsit të këtij manastiri të shenjtë, me kujdesin dhe kontributin e të shumëndershmit, kryetarit Gjergj Nikollë Manit, së bashku me pleqtë që e pasonin atë, emrat e të cilëve së bashku dhe të peshkopit dhe të priftërinjve gjenden në tempullin hyjnor të Shën Gjergjit, në mes të qytetit, si të ekspozuara për ata që do ti lexojnë. U përfundua në vitin prej Krishtit 1754, muaji tetor 2”.

Me anën e një mbishkrimi tjetër mësojmë së kunga e kishës është pikturuar me shpenzimet e Kostë Nirrës: “Kjo kungë hyjnore dhe e hirshme e pikturuar me shpenzimet e Kostës, birit të Mark Nirrës, për shpëtimin e shpirtit të tij dhe të prindërve”.


Mbishkrimi është shkruar me dorën e Kostandin Shpatarakut dhe gjendet në faqen e murit lindor, mbi nikën e prothesit. Në portën perëndimore të narteksit të kishës është shkruar: “Do të hyj në shtëpinë tënde, do të adhuroj në kishën e shenjtëruar tënden, me frikën tënde, zot, më hiq udhën në drejtësinë tënde për punë të armiqve të mi. Drejto përpara teje udhën time”.


Gjithashtu peneli i Kostandin Shpatarakut ka pikturuar një pjesë të ikonave që gjenden në ikonostasin e kishës. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi që gjendet në ikonën e madhe të Krishtit në ikonostasin e kishës: “Prej Krishtit 1755, dora e jerodhiakon Kostandinit”. Gjithashtu ikonografi Shpataraku në ikonën e Shën Thanasit ka lënë këtë mbishkrim: “Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Gjergj Manit”. Në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar është ekspozuar ikona Kryqëzimi i Krishtit, me përmasat 37×28 cm dhe numër inventari 3652.


Gjatë vizitës së një delegacioni zyrtar në Maqedoninë e Veriut pamë në Galerinë e Ikonave të Ohrit, ikonën “Shën Marina me skena” të ikonografit Kostandin Shpataraku. Ikona ka përmasat 92.5 x 60.5 dhe etiketa shkruan se e ka origjinën nga kisha “Nëna e Zotit Peribleptos” në Ohër. Duke kërkuar në arkivin personal gjeta një artikull të studiuesit Moikom Zeqo, i cili është i mendimit se ikona bënte pjesë në repertorin e ikonave të manastirit të “Shën Marinës” në Llëngë të Pogradecit.

Në kërkimet e mëtejshme në një artikull të shkruar nga kuratori i Galerisë së Ikonave në Ohër, studiuesi Milco Georgievski rezulton se ikona është blerë në vitin 1962 nga Naum Koteli me shumën e 15 mijë dinarëve. Ky fakt vërtetohet nga akti i blerjes që disponon Galeria e Ikonave në Ohër, por nuk thuhet se ku e ka blerë dhe nga kush e ka blerë Naum Koteli ikonën e “Shën Marinës me skena”.


Pjesa tjetër e ikonave është pikturuar nga Kostandin Jeromonaku. Ndër to mund të përmendim ikonën Krishti Pandokrator, e cila aktualisht është në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Mbi gurin arkitra të portës jugore të kishës gjendet një mbishkrim, i cili tregon kohën e ndërtimit të strehës së hajatit jugor: “E ndërtoi at Sotiri 1832”.

Mbrapa kishës gjenden konakët e vjetër të manastirit. Manastiri i Llëngës në rrethin e Pogradecit në vitin 1948 është shpallur monument kulture. Me prishjen e kishave në vitin 1967 në mjediset e manastirit u vendos një repart ushtarak dhe vite më vonë zyrat e ndërmarrjes pyjore. Klerikët që kanë shërbyer në kishën e Shën Marenës kanë qenë vendas nga fshati Llëngë: papa Jorgji, papa Kostandin Kokoneshi, papa Qirill Gegprifti, atë Dhimitër Kokoneshi etj.

Burimi: Andre Llukani

Back to top button
Verified by MonsterInsights