“Juniku, vërtet UNIK”-Drenusha Gaxherri

HISTORIA

Juniku është një vendbanim i vjetër ilir që sipas të dhënave historike në bazë të emërtimit dallonte në periudha të ndryshme kohore. Emërtimin “Judiko” e gjejmë te Ptolemeu (87-150), në veprën e tij “Gjeographia”, që e mbështesin edhe shumë historianë, arkeologë e gjeografë. Emërtimi i këtij fshati, rrëzë Alpeve Shqiptare rrjedh nga fjala latine:
Judico- avi, atum, are – që do të thotë “me gjakun” .
Junetio-onis – që do të thotë “bashkim, lidhje”.
Unus, a unum – që do të thotë “ vend i jashtëzakonshëm, i veçantë, i pashoq”.
Ndër faktet arkeologjike që dëshmojnë vjetërsinë e Junikut, rëndësinë më të madhe e kanë lokalitetet në grykën e malit të madh te vendi i quajtur “Gradina”, që padyshim paraqet vazhdimësinë e vendbanimit të mëparshëm Dardan, që ka vazhduar të ekzistojë edhe gjatë shekullit të parë të sundimit romak. Gradina ka qenë qytezë që ka pushuar së ekzistuari rreth 1000 vjet para ardhjes së sllavëve në Ballkan. Termi Gradinë-a, është thirrje e pastër ilire që ka gjetur përhapjen e gjerë ndër gjuhët latine, greke dhe sllave. Veç materialit epigrafik në këtë vendbanim është edhe një numër objektesh arkeologjike që na tregojnë se këtu ka qenë vendbanim ilir. Në vitin 1570-1571, në Junik ndërtohet xhamia e parë në lagjen “Çoku” e emërtuar sipas lagjes “Xhamia e Çokut”, më vonë u ndërtua edhe xhamia në lagjen “Hoxhaj” në qendër të fshatit. Juniku njihet për tubimet e rëndësishme historike e këtu vlen të përmendet “Kuvendi i Junikut” i mbajtur më 21-25 maj 1912, ku mbi 300 përfaqësues të popullit shqiptar janë mbledhur në Junikun historik për të shpalosur të drejtat legjitime të tyre duke i formuluar ato në formë memorandumi, drejtuar qeverisë turke dhe fuqive të mëdha të kohës, për të përcaktuar kufijtë politikë të Shqipërisë. “Kuvendi i Junikut” i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.

 Juniku në periudhën Zonë Neutrale

Për shkak të agresionit serb ndaj popullatës shqiptare, fuqitë europiane bënë presion mbi pushtetin jugosllav me ç’rast u kërkua ‘demarkacioni’ i kufirit dhe tërheqja e forcave serbo-malazeze nga kufiri me Shqipërinë ku me këtë rast u formua Zona Neutrale e Junikut. Kjo zonë duhej të përfshinte gjithë rajonin e Dukagjinit, por me presionin e pushtuesve, kjo zonë u cungua vetëm në 18 fshatra kryesisht të Rekës ku qendër e kësaj zone ishte Juniku.
Zona Neutrale e Junikut u formua në dhjetor të vitit 1921 dhe zgjati deri më 21 shkurt 1923. Në këtë zonë erdhën shumë çeta çlirimtare nga Drenica, Poshteri, Rugova, Plava e Gucia, Dukagjini e Maqedonia. Edhe Ramë Binaku me çetën e tij qëndroi në këtë zonë. Tubimet e kaçakëve në Zonën Neutrale të Junikut ishin të fshehta, sidomos kur merrte pjesë Hasan Prishtina. Aty koordinoheshin punët rreth strategjive dhe planeve luftarake. Juniku u bë nyje e Lëvizjes Kombëtare ku qëndruan prijësit më të dalluar e më të përndjekur nga organet policore-ushtarake të pushtetit. Vlen të thuhet se pos të tjerëve, gjithnjë përmendeshin nga pleqtë e kësaj ane luftëtarët e dalluar duke filluar nga ideologët H. Prishtina, S. Gjurgjeviku, B. Curri, pastaj: Shotë Galica, Ker Sadria, Azem Bejta, R. Beka, Beqir Rexha, Isuf Mehani, Nak Berisha, Mehmet Uka, Qorr Ilazi, Sak Fazlia, Ramë Binaku, Rexhë Alia, Isuf Musa etj.
Duke ditur rrezikun nga aksionet dhe organizimi i çetave kaçake në këtë zonë dhe frikës së ndonjë kryengritjeje të gjerë popullore, pushteti serbo-malazez bënte çmos për shuarjen e Zonës Neutrale. Për shkatërrimin e kësaj zone, u angazhua edhe armata e tretë me kolonelin e zonës kufitare Kataniq. Krahas këtyre angazhimeve, shantazheve e sulmeve, duke ndihmuar edhe përçarjen e brendshme e krerëve të Lëvizjes, erdhi deri te shkatërrimi i Zonës Neutrale. Ndërsa, nga fundi i shek. XVI rrethina e Altun-ilu (Juniku), Peja e Gjakova janë përfshirë në kufijtë e Sanxhakut të Dukagjinit. Kjo gjendje është ruajtur edhe gjatë shekullit XVII, gjatë viteve (1945-1960) Juniku ekziston si komunë. Ndryshimet politike të sistemit të atëhershëm rezultuan me suprimimin e Komunës së Junikut në vazhdën e ristrukturimit të qeverisjes lokale (eliminohen rrethet), me ç’rast Juniku bëhet pjesë e Komunës së Deçanit.

Pavarësia i Junikut 

Më 22 korrik 2005 nënshkruhet Urdhëresa Administrative e UNMIK-ut nr. 2005/11 për themelimin e pesë Pilot Njësive Komunale përfshirë edhe Junikun.

 

SHTRIRJA GJEOGRAFIKE

Juniku shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës, sipas Planit Hapësinor të Kosovës (2003) gjendet në Zonën e Verdhë, ajo e “Urave të Kosovës”. Kjo hapësirë paraqet karakteristika të volitshme për zhvillimin e shërbimit tregtar, agro-industrisë, industrisë së lehtë dhe turizmit. Vendbanimi i Junikut shtrihet në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme transitore Shkodër – Kosovë, ose të Zetës (Via di Zenta) me rrugën që përshkon përmes Rrafshit të Dukagjinit, e cila kalon nëpër Qafë të Prushit dhe rrugës për në Pejë, lidhet me Sanxhakun dhe Malin e Zi. Ndërkaq, nëpër fshatrat e Rekës, Koshare dhe Morinë komunikon me Shkodrën dhe pjesët veriore të Shqipërisë, si dhe nëpërmjet bjeshkëve të Junikut dhe fshatrave Jasiq dhe Gjocaj lidhet me Malësinë e Shqipërisë. Reka është një tërësi gjeografike, e cila bën pjesë në rrafshin e Dukagjinit duke filluar nga Juniku, rrëzë Alpeve Shqiptare, deri në Gjakovë. Kjo anë përbëhet edhe nga krahina e Vokshit – që përbëhet nga 8 (tetë) fshatra rrëzë maleve (Alpeve Shqiptare) dhe shtrihet në mes të Deçanit dhe Junikut në drejtim të jugut. Distanca mes Junikut dhe Gjakovës është 20 km, me Pejën 25 ndërsa me Deçanin 13 km.

Topografia: Komuna e Junikut ka pozitë të përshtatshme gjeografike para grykës piktoreske të lumit Erenik. Lartësia mbi nivelin e detit e Junikut shkon nga 450 deri në 600 metra. Vetë qyteza e Junikut gjendet në një lartësi mbidetare prej 593 m. Maja më e lartë është Gjeravica, me lartësi mbidetare prej 2656 m, e cila është gjithashtu edhe pika më e lartë në Kosovë e Alpeve Shqiptare.
Veçoritë natyrore: Juniku ka tipa të ndryshëm peizazhesh, nga ai hidrografik (lumenjtë Erenik dhe Travë), peizazhe fushore (fusha e Junikut) dhe peizazhe kodrinore ose malore (Gjeravica, Moronica). Lumenjtë dhe sipërfaqet ujore: Lumi Erenik është më i madhi dhe më i rëndësishmi i rajonit, i cili shërben gjithashtu si burim uji edhe për vaditjen e fushës së Junikut. Ereniku buron nga liqenet e Gjeravicës. Ujërat që rrjedhin përkatësisht vijnë nga kurorat e maleve, nga gropa e Erenikut dhe nga Bjeshkët e Nemuna, formojnë rrjedhat sipërfaqësore të ujërave.Në aspektin e trashëgimisë kulturore, Juniku shquhet për kullat, banesa të fortifikuara familjare, tipike për rrafshin e Dukagjinit. Kullat më të vjetra janë ato të lagjes së Hoxhajve, ku kompleksi i kullave është formuar që nga fundi i shekullit XVIII. Kullat, përveç interesit arkitektonik që mbartin, kanë luajtur dhe një rol shoqëror të rëndësishëm. Për shembull, Oda e Junikut ishte njëkohësisht institucion juridik, shoqëror e politik. Aty u mbajtën tubime të ndryshme me rëndësi jo vetëm për Junikun, por edhe për tërë Kosovën.

Sporti

 Një ndër boksierët më të spikatur janë Luan Krasniqi dhe Haxhi Krasniqi me sukseset e tyre të shumta në arenën ndërkombëtare. Historia, tradita, kultura, bujaria, mikpritja dhe maja më e lartë e bjeshkëve të Kosovës, Gjeravica, e bënë Junikun vendin më unik në vend. Junikasit parimisht njihen për bujari e mikpritje, më shumë se 100 vite jetesë pa ngatërresa mes junikasve dhe të tjerëve. Këtu jetojnë 12 fise, martesat mes tyre janë të lejuara për këtë edhe nuk ka pasur ngatërresa mes familjarëve në Junik, përndryshe junikasit njihen me “Parinë e Junikut” që kanë kontribuar shumë në pajtimin e shumë familjeve nga komunat e afërta dhe më gjerë, interpretimi i kanunit, pastaj nga historianë dhe junikasi i njohur për urtësinë e tij, Avdyl Hoxha. Në qytezën e Junikut, kullat që aktualisht janë shndërruar në “Bed&Breafast”, po ashtu edhe Kulla e cila është Qendër Rajonale Turistike në funksion të informimit të turistëve për bukuritë dhe ofertat turistike të zonës së Dukagjinit. Kulla apo ndryshe Konaku i Ramë Zyberit, ofron fjetje dhe mëngjes, në hapësirat e kullës tradicionale me ushqim dhe fjetje tradicionale shqiptare. Po ashtu Kulla e Hoxhajve, në qendër të qytetit, ofron fjetje dhe mëngjes, në qendër të Junikut ku edhe mund të vizitohet Kulla e Brahim Hoxhës, aty ku edhe u mbajt Kuvendi i Junikut, aty ku paria e Junikut, e cila për vite e vite me radhë ndihmojë junikasit dhe rrethinën të mos hasmoheshin mes vete, afër kësaj kulle ndodhet kulla e Muhamet Hoxhës që tashmë është në funksion të dijetarëve të rinj, aty është biblioteka e qytetit, e nderuar me emrin e poetit të njohur junikas “Dinë Mehmeti”. Bukuritë e Junikut nuk janë vetëm në këto kulla të lartpërmendura dhe kullat e tjera përreth, por, në rrafsh dhe lehtë të arritshme janë edhe bukuritë e Lumit të Erenikut dhe parkut Moronica, me të cilat magjepset secili njeri me të kaluar rrugën andej, edhe sikur të jetë turist transit, këto bukuri, uji i Erenikut dhe ajri i Moronicës të ftojnë në gjirin e tyre. Në Moronicë mund të soditet bukuria e Junikut dhe fshatrave të Gjakovës nga restoranti tradicional “Freskia e Moronicës”, aty afër shtegu i ecjes nga Ereniku, kalon në amfiteatrin e hapur, ngjitesh dhe shijon frymëmarrjen më të freskët të mundshme, atë të pishave, bungut e ahut, biodiversiteti në këtë zonë është i mrekullueshëm. Eh, nga Moronica duhet të biesh në rrafsh të qytetit, të kalosh rrugës së lumit Erenik, kullat, shkollat dhe të nisesh për bukuritë e Majës më të Lartë në Kosovë, Gjeravicës. Rrugës duke parakaluar fshatin Jasiq mund të freskoheni në restorantin “Jasiqi”, nën gurgullimën e Erenikut dhe hijen e natyrës së pemëve, pishave dhe bimëve të tjera. Nuk mbaron me kaq, para se të rritet adrenalina për rrugën e bjeshkëve mund të ndaloni të shijoni edhe ushqimin tradicional, fli, leqenik, kaqamak e shumë ushqime të tjera tradicionale, si dhe qetësinë e freskinë e Erenikut dhe bjeshkëve të Junikut, e këtë mund ta bëni në restorantin “Trofta e Junikut”.Shijimi i bukurisë që vetë Zoti e ka krijuar për ta gëzuar ne. Aq bukur është kur kalon rrugës nga Kërrshi i Jedovës sa pyet veten si përshkruhet e bukura, arti, shpirti, nuk gjen dot fjalë. Duhet që çdo gjë ta shohë syri yt, nuk ka aparat më të sofistikuar se syri i njeriut.Njëri nga alpinistët e pasionuar është edhe Sali Shoshi që bjeshkët e Junikut i cilëson: “Bjeshkët e Junikut janë një simbiozë e relievit alpin – si pjesë e Alpeve Shqiptare dhe e shtresimeve kulturore gati mitike të thëna përmes emërtimeve të majave, krojeve, shpellave e liqeneve. Udhëtimi nëpër bjeshkët e Junikut është më shumë se aventurë”. Sali Shoshi ndryshe është përfaqësues i operatorit turistik “Catun” që organizon shumë ekspedita me shoqatën bjeshkatare alpiniste të Junikut “Rrasa e Zogut” dhe jo vetëm në Junik, por edhe më gjerë me të rinjtë SuperCampers. Rrasa e Zogut, është një tjetër zonë e bukur e bjeshkës së Junikut, që sodit Gjeravicën, Rrafshin e Dukagjinit dhe Majën e Shkëlzenit. Nga qafa e ulët shihet sylbica kufiri me Shqipërinë, ndërsa nga qafa e Gusanit shihet liqeni zemër, liqeni i vogël dhe i madh i Gjeravicës, kurse nga maja më e lartë në Kosovë, Gjeravica shihen mrekullitë shqiptare si: Alpet, Jezerca, Maja e Rupes, Maja e Strellcit, Marjashi, si dhe Rrafshi i Dukagjinit e deri në Rrafshin e Kosovës, e në lindje edhe maja e Lubotenit e Pashtriku. Këto bukuri, perla të Ballkanit Perëndimor nuk mund të përshkruhen dot as me fjalë e as me fotografi, duhet të përjetohet nata në Bjeshkët e Junikut që të shijohet mrekullia, freskia, dashuria dhe ushqimi tradicional. Nga bjeshkët e tjera mund të përmendim Qershizën, Lugun e gjatë, kërrshin e Jedovës, zonën e Karaullit të Ushtrisë, livadhet e pasura me bimë shëruese dhe shkëmbinjtë me burimet e panumërta të ujit. Në bjeshkët e Junikut, përveç florës dhe faunës, të cilat janë të ruajtura dhe mbrohen nga vendasit, po ashtu rëndësi të veçantë kanë edhe trashëgimia natyrore “Gurrat e Hasan Agës” që sipas turistëve është konsideruar uji i cilësisë së lartë dhe me ftohtësi të lartë. Nuk lë pa përmendur shpellat që i takojnë zonës së Rrasës së Zogut që sipas legjendave janë të pafundme, shpella e arushës që ndodhet te Kërrshi i Jedovës dhe shpellat te Kanioni i Bjeshkëve të Junikut, që të lë pa frymë me bukuritë e tij. Stanet apo tebanat, janë të stilit të vjetër, atje çobanët prodhojnë djathin tradicional, pjekin bukën në çerep, gatuajnë bukën e misrit si dikur, teksa shijon qumështin, kumshtën dhe ushqimin tjetër tradicional, bjeshka të magjeps me ajrin e pastër, të ndihmon të relaksohesh aktivisht, lodhje fizike, por dashuri pa kufi për syrin dhe mushkëritë të ofron Gjeravica. Sa i përket veshjes tradicionale, Juniku me zonën e Rekës së Keqe, por edhe Deçanin e Istogun vazhdojnë ta mbajnë traditën e veshjes së katundit, e cila është punë dore në çdo detaj, por që dallon nga vendi në vend sipas modelit të punuar.Në Junik, deri në periudhën e luftës së fundit janë punuar Valavicat nga të cilat edhe është shtypur zhguni i veshjes tradicionale të burrave. Së fundi, në këto bjeshkë me bukuri të egër është mbajtur edhe gara e parë ndërkombëtare “Mountain Bike”, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni. Por, gjatë dimrit një tjetër tërheqje e mrekullueshme në shtigjet e egra, sporti i skive nga të rinjtë në këtë zonë përveç rrezikshmërisë, të jep adrenalinë të fuqishme, me të zbritur poshtë kërkon adrenalinë të përsëritet, kështu është bukuria e egër e Gjeravicës, të duket se ke pushtuar atë, në fakt Gjeravica të pushton Ty!

E ardhmja e Junikut

Juniku, me pasuri të panumërta natyrore, burime të ujit, me florë dhe faunë mjaft të pasur, me bukuritë mahnitëse të bjeshkëve, mund të ofrojë ekoturizëm, turizëm malor, kamping, turizëm dimëror përgjatë shtigjeve të egra jo vetëm skijimin, por edhe çiklizmin. Po ashtu, lartësia mbidetare e këtyre bjeshkëve ju mundëson që të zhvillojnë edhe turizëm shëndetësor, gjë e cila duhet të jetë në favor jo vetëm të pacientëve, por edhe të banorëve përreth, të cilët me prodhimet e tyre bimore, organike dhe natyrale do të përfitojnë, duke mos u bërë barrë as për qeverinë qendrore dhe as atë lokale. E vetmja gjë që duhet të bëhet në këtë zonë është të krijohet infrastrukturë rrugore, lehtësim i qarkullimit të banorëve për të qëndruar në verë dhe në dimër, sepse bora në këto bjeshkë përveçse qëndron deri në muajin qershor, njëkohësisht arrin lartësinë deri në 4 metra trashësi. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në vend arrihet duke krijuar mundësi më të mira për të bërë biznes fermerët, agrobizneset të përkrahen fillimisht dhe kështu banorët nga atje nuk do t’i takojnë klasës së varfër, por asaj punëtore dhe me të ardhura të qëndrueshme financiare. Sepse turizmi në këto anë është e vetmja mundësi punësimi dhe ngritje e ekonomisë familjare.Duhet theksuar patjetër se Juniku si zonë turistike premton shumë jo vetëm me trashëgiminë kulturore në rrafsh, por edhe me atë arkeologjike në rrethinë, burimet e shumta të ujit, trashëgiminë natyrore siç janë Gurrat e Hasan Agës që disa nga turistët i dëgjon teksa e cilësojnë si ujin më të ftohtë dhe më cilësor në rajon. Jo vetëm kaq, Gjeravica me egërsinë e saj të rrëmben në gjirin e saj duke të ndalur frymën me bukuritë që ofron deri te pushimi i saj, nga kjo majë 2656 metra lartësi ku sheh bukuritë e Kosovës, bukuritë e gjithë bjeshkëve të bekuara të Kosovës dhe bjeshkët e Shqipërisë i sheh. Kësaj vere për të gjashtën herë maja e Gjeravicës është vizituar nga më shumë se 300 alpinistë, bjeshkatarë dhe bjeshkatari më i ri ishte 3-vjeçar. Ky eksplorim u realizua nga shoqata bjeshkatare alpiniste “Rrasa e Zogut” që padyshim është një nga shoqatat bjeshkatare që ka promovuar më së shumti bukuritë e kësaj zone. Në këtë takim tradicional vjetor ndërkombëtar, Kryetari i Federatës pati thënë se në SHBA “Rrasa e Zogut” është promotor i turizmit jo vetëm në Junik, por edhe më gjerë, duke qenë shembull për shoqatat e tjera. Në lartësinë mbi 2000 metra mbi nivelin e detit ndodhen liqenet e Gjeravicës, është liqeni i vogël dhe ai i madh. Gjatë dimrit bora qëndron në këto bjeshkë deri në qershor, në këtë muaj në liqene  dielli rrezaton pjesën gjysmë të shkrirë në njërën anë mbi ujë dhe në anën tjetër sheh borën teksa rri afër liqenit me thellësinë dhe peshën e saj prej bardhësie. Aq bukur ndërthuren dimri, pranvera e vera në këto bjeshkë saqë të bënë të meditosh për jetën në këtë zonë, në tebanat prej guri dhe druri, aromën e bukës në çerep, mishit të deles në hell, mazën e djathin në tinar, gjera merr miellin në hambar, kur kalon natën në Junik, prek syri yjet, e dashurinë e qiellit që mezi largohet nga bjeshkët, e diellit ia sheh dritën e rrezen, tek ndriçon qershizën e rekën, dëgjon gurgullimën e lumin ku buron, nuk ka fjalë as përshkrim hyjnor që Zoti ia ka dhanë bjeshkës tonë.Kjo zonë ka nevojë të ketë popullatë të përhershme më të madhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes ofrimit të shërbimeve turistike. Meqë mundësitë natyrore ekzistojnë me këtë rast shpresoj të inkurajohen shqiptarët në SHBA që të investojnë në këto anë, konform rregullave mjedisore të ndërtojnë një spital rehabilitues dhe shërues për persona me sëmundje të ndryshme që gjejnë shërim nga bimët, ajri dhe lartësia mbidetare në këtë zonë. Në bjeshkët e Junikut mund të akomodoheni tashmë në hotelin e parë në këtë zonë, në gropën e Erenikut, në lartësi mbidetare 1840 mld është ndërtuar, hotel “Grand Gjeravica”. Jo vetëm vera do ketë mundësi t’ju falë shëndetin dhe freskinë e kohës, por edhe gjatë dimrit akomodimi në këtë hotel do t’ju falë shumë kënaqësi dhe rehati. Ndër restorantet moderne, të cilat mund të vizitoni në Junik janë restorant “Besi”, “Tek Ura”, Oda e Junikut”, “Te Toni” etj. Kafeteria më e njohur e të rinjve është në qendër të Junikut “Bar Friends” – këtu vërtet e shijon kafen e mëngjesit, por edhe atë të mbrëmjes pas vizitës së Gjeravicës, sodit nga rrafshi majën që ke pushtuar orë më parë, mrekullohesh. Gratë junikase ende punojnë në vek, veshjen e katundit dhe punën e dorës e çmojnë shumë. Organizatat e grave të cilat përgatitin ushqim tradicional për festa të ndryshme institucionale dhe familjare janë OJQ “Qershiza” dhe OJQ, të cilat mbijetojnë nga këto organizime.Festat tradicionale në Junik: Ditët e Gjeravicës në qershor dhe Ditët e Boronicës në gusht organizohen nga SHBA Rrasa e Zogut, ndërsa festat e tjera si dita e shkollës fillore “Edmond Hoxha”, asaj të mesme “Kuvendi i Junikut” organizohen nga mësuesit, nxënësit dhe përfaqësuesit e qeverisë lokale. Ditët e diasporës po ashtu realizohen çdo vit nga kryetari i komunës dhe festa të tjera siç është edhe dita e gështenjës, me ç’rast duhet përmendur që për nga cilësia gështenjat e Junikut janë të ëmbla shumë dhe dallojnë nga zonat e tjera, ashtu siç njihen edhe boronicat e Junikut. Aktualisht në Junik funksionon një fabrikë e lëngjeve “UNIQUE” me prodhime vendase. Nisur nga fakti që Juniku ofron klimë të mirë për të investuar, për të bërë biznes duke ndihmuar edhe ekonominë lokale, por edhe atë nacionale. Kontributi i bashkatdhetarëve në vazhdimësi ka qenë një makineri për t’u zhvilluar ekonomikisht zona të ndryshme në vend, investimet në turizëm garantojnë të ardhme të qëndrueshme, me staf profesional dhe lehtë të menaxhueshëm. Në këtë aspekt kërkohet më shumë kohë, profesionalizëm dhe vullnet gjithsesi për të pasur produktet turistike vendore në tregun ndërkombëtar, e kjo arrihet bashkërisht me banorët e zonës dhe investitorët shqiptarë nga diaspora.

Ditët e Gjeravicës 

“Pushtimi” i saj tradicionalisht ndodh në javën e dytë të qershorit dhe këtë vit për herë të 6 është organizuar nga Shoqata Bjeshkatare Alpiniste nga Juniku “Rrasa e Zogut” në bashkëpunim me Federatën e Bjeshkatarisë së Kosovës. Ky organizim i cili realizohet çdo vit dhe zgjat dy ditë, ka arritur të marrë lëvdata nga të gjithë bjeshkatarët vendorë dhe ndërkombëtarë. Më shumë se 300 bjeshkatarë kanë pushuar një natë në Gropën e Erenikut, në stanet e junikasve, të cilët vullnetarisht i kanë liruar për këtë ditë, duke dëshmuar bujarinë dhe mikpritjen junikase ndër vite. Të nesërmen është realizuar edhe ecja me 5 udhërrëfyes, për në majën më të lartë Gjeravicën. Në kushte jashtëzakonisht të vështira, me shi dhe mjegull të dendur, koha nuk ndaloi as 3-vjeçarin bjeshkatarin më të ri në këtë vit 2016, që pushtoi Gjeravicën. Dhe zbritja në rrafsh u realizua po ashtu nën organizimin e anëtarëve të pandalshëm të shoqatës. Udhërrëfyesi i shoqatës, Bekim Gaxherri, më shumë se 10 herë në vit pushton Gjeravicën dhe thotë se dashuria për ngjitje nuk e ndal dot, ajri i pastër, pamje 360 shkallë e tokave shqiptare të bën të ndihesh vërtet Unik. Mirë se vini në Kullat e Junikut, freskohuni me ujin e Erenikut, pushoni në Moronicë, ngjituni në Gjeravicë.

Drenusha GAXHERRI

2 Comments

  1. E lexova te terin . Eshte gjynah te vjedhim dhe ta mbysim vendin ton . Eshte koha te kfillim koken e tpunojm ndershem . Bravo Drenusha vertet juniku esht unik

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*