Futbolli dhe rëndësia e tij për fëmijët tanë.

Enver Halili

Futbolli, ky sport magjepsës  ka pushtuar botën me mbi 265 milionë lojtarë, pra rreth 4 përqind të popullsisë. Ky sport luhet edhe në një vend të bukur shqiptar që quhet Kosovë. Shkolla e futbollit “Presingu” ndodhet në Vitia të Kosovës. Të  gjithë fëmijët e saj që nga 3 maji janë pjesë e familjes së futbollit europian e botëror e përkatësisht të UEFA-s e FIFA-s. Kjo është një arritje shumë e madhe për ne, sepse kemi qenë të izoluar për plot 25 vjet edhe pse jetojmë mu në zemër të Ballkanit. Tani, fëmijët tanë barazohen me fëmijët anembanë botës dhe kjo na lumturon shumë, sepse fëmijët shqiptarë e fillojnë futbollin në të njëjtën kohë me hedhjen e hapave të parë, kryesisht djemtë. Këtu futbolli është loja më e pëlqyer dhe kjo jo vetëm sepse mungojnë argëtime të tjera apo për shkak të gjendjes ekonomike, por sepse kjo lojë e rrëmben dita-ditës dashurinë fëmijërore me lëvizjet e bukurinë e saj. Dëshira e fëmijëve këtu nuk është blerja e një I-phoni apo loje tjetër, por ajo e blerjes së një topi dhe pjesëmarrjes në një shkollë futbolli.

Ata flenë e zgjohen me ëndrra për futbollin dhe e presin me shumë emocion stërvitjen.

Për të kuptuar sesi u lindi dëshira për futbollin nuk nevojiten shumë argumente, sepse kudo flitet për të, në shtëpi, nëpër kafene, kur shkojnë mysafirë etj, por edhe media ka ndikimin e saj, pasi shumë shpesh shfaq ndeshje të ndryshme si ne rangun kombëtar ashtu edhe atë botëror . Fëmijët mësojnë shumë duke parë, prandaj është shumë e rëndësishme ndjekja e sportit në televizor ose në stadium, në mënyrë që të mësojnë konceptin e lojës së bashku me rregullat dhe anën matematikore të llogaritjes së pikëve.

 Një tjetër arsye është  edhe forcimi i lidhjes së baballarëve me fëmijët e tyre, vëllezërve, shokëve etj, kur i shohin ndeshjet së bashku.

Ndaj kjo këshillohet nga shumë psikologë në rastet kur fëmijët janë të mbyllur në vetvete ose janë të turpshëm.

 Fëmijët krijojnë mirëbesim te njëri-tjetri duke luajtur.

Që në moshë të vogël, fëmijët mësojnë të luajnë dhe është pikërisht kjo lojë që në një mënyrë  imiton lojën e jetës së vërtetë duke u mësuar kështu si të veprojnë  në një shoqëri konkurruese dhe kompetitive.

Atletët e mirë qëndrojnë në lojë deri në fund, edhe pse e shohin që po humbasin, sepse ata e dinë se jo gjithmonë do të fitojnë.

Fëmijët disiplinojnë vetën e tyre dhe kjo bëhet nëpërmjet stërvitjes së vazhdueshme. Prindërit  duhet të kujdesen që fëmijët të luajnë, sepse ata duhet të kuptojnë që dhe fitimi edhe humbja janë të përkohshme dhe nuk u lejohet që të heqin dorë ose të ndalojnë thjesht sepse u duket e vështirë. E ndërsa disa fëmijë janë sportistë të lindur, disa të tjerë janë më të tërhequr, prandaj ndërtimi i mirëbesimit nëpërmjet sportit është gjë e mirë. Madje, ndoshta kemi të rinj që bëhen edhe më të zotët sesa vetë prindërit kanë ëndërruar duke tejkaluar çdo parashikim.

Ne si trajnerë duhet që në fillim, para se këta vogëlushë të bëhen futbollistë, të krijojmë sportistë e fëmijë të edukuar, dhe më pas t’i trajnojmë dhe t’i përgatisim për në fushë. Janë trajnerët ata që me përvojën e tyre  ndikojnë drejtpërdrejt në largimin e stresit dhe ankthit para ndeshjeve. Fëmijët nëse stërviten në sporte të ndryshme do të kenë një zbavitje e lumturi fëmijërore, njëkohësisht marrin mbi vete një përgjegjësi që të jenë vetvetja, të shoqërohen me moshatarë të tjerë jashtë arsimit të detyruar. Në udhëtimet jashtë qytetit, për zhvillimin e ndeshjeve, ata do të ndjejnë mungesën e prindërve, por edhe do të fillojnë të mësohen e të  përshtaten me rrugët e jetës dhe të krijojnë pavarësinë e tyre individuale shkallë-shkallë. Ky është një stad i jetës në të cilin fëmijët bëjnë një hap të madh drejt pjekurisë.

Veshja e  uniformës sportive, dalja në fushë, loja kundër një kundërshtari të panjohur është një emocion i veçantë jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit. Imitimi i idhujve të tyre kur shënojnë gol, është i papërshkrueshëm për të gjithë ata që janë të pranishëm , trajnerin, lojtarin, bashkëlojtarët e prindërit. Emocion e kujtim që përcillet tërë jetën. Prindërit duartrokasin, bërtasin e japin këshilla, por këto të fundit e  kalojnë etikën sportive të futbollistëve. Me bindje të plotë mund të them se janë armiku numër një i trajnerit duke penguar punën e tij dhe fëmijëve duke i’u ndalur rrjedhën e përparimit të tyre.Kur fëmija fiton, disa prindër bëjnë sikur fituan edhe ata,dhe të kundërtën, kur humbasin nuk e përmbajnë dot veten. Fitorja dhe humbja janë pjesë e jetës dhe duhen pranuar si të tilla, prandaj prindërit duhet të përmbahen në mënyrë që të ndihmojnë fëmijët të kontrollojnë emocionet e tyre. Fëmijët kanë ndjenja aq të pastra, sa i pranojnë me eufori  e kënaqësi bashkëlojëtarët e rinj që vijnë në ekipin e tyre. Ata nuk kanë fare xhelozi nëse shoku i tyre është më i mirë ose nëse shënon gol, sepse fëmijët nuk njohin egoizmin e të rriturve, prandaj prindërit duhet t’i përgëzojnë ata për lojën e bërë.

 Futbolli mund edhe të  teprohet.

Ndodh që sporti të bëhet edhe pengesë dhe të krijojë probleme në edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Kjo ndodh në përgjithësi atëherë kur prindërit i japin përparësi sportit, përkundër mësimit në shkollë, qoftë kjo duke luajtur në fushë ose duke parë futboll në televizor. Kjo ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e fëmijës, sepse kur një fëmijë mendon se  po bëhet futbollist, ai vendos papritmas që shkolla nuk i duhet më dhe lë mësimet pas dore. Sado i talentuar te jetë një fëmijë, është detyra e prindit që ai të  ketë një fëmijëri të  barazpeshuar . Kjo ndodh  kur sporti luhet brenda normave të caktuara pa dominuar në jetën e fëmijës. Sporti ka rëndësi të jashtëzakonshme në formimin e një të ardhmeje të shëndetshme. Por, kur pjesëmarrja në një sport teprohet, fëmija rrezikon të ngelet pas, sepse sporti jo vetëm që ka konkurrencë shumë të madhe, por ka edhe rrezikshmëri të lartë për t’u dëmtuar.

 Pak informacion rreth nesh.

Jam i privilegjuar që punoj me Sh.F “Presingu”, i cili ka mbi 80 fëmijë lojtarë të të gjitha grupmoshave, që e duan futbollin e përjetojnë lojën e rriten me topin. Këta fëmijë nuk i kanë kushtet për t’u stërvitur si fëmijët e tjerë anembanë botës së civilizuar, por janë të pajisur me guximin e dëshirën dhe janë të gatshëm për sakrifica. “Presingu” për pak kohë ka arritur rezultate mbresëlënëse  si kampion i turneut mbarëkombëtar “Topfutboll” me parafatosa, kampioni garës “Pitpower” me fatosa, kampion “Kushtrimi 2015″ me fatosë dhe nënkampion me parafatosa “Kushtrimi 2015” në Durrës të Shqipërisë. Në përbërjen e kësaj shkolle ka individë të dalluar që do t’i kishte lakmi çdo akademi futbolli për t’i pasur në gjirin e saj. Ata janë:

Butrint Azemi (2005),

Edon Hajdini (2005),

Yll Zuka (2005),

Qlirim Kamberi,(2005),

Shqiprim Tafa(2002),

Drilon Hajrizi,(2002),

Martin Dodaj (2001),

Leont Jakupi(2000).

Këta djem të vegjël kanë nevojë për vëmendje dhe përkrahje, dhe ne kemi nevojë për ta, sepse janë e ardhmja e futbollit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights