Notre Dame-in e pavdekshëm të Viktor Hygoit të mishëruar në muzikën e Riccardo Cocciante-s, në libretin e Luc Plamondon, në regjinë e Gilles Maheu, Esmeraldën në interpretimin me tone plot dhimbje dhe romanticizëm të vajzës sonë Elhaida Dani, Quasimodon nga Angelo Del Vecchio, e ku koreografia e Martino Muller, balerinët, këngëtarët, dritat shkaktuan edhe në Tiranë suksesin që Notre Dame ka në botë si shfaqja më e luajtur, mbi 5000 herë në gjithë botën.
‘’Notre Dame de Paris’’ mbajti peng për së paku 150 minuta zemrën e secilit të pranishëm në stadiumin Air Albania.
Drama e Kuazimodos dhe ciganes Esmeralda, bazuar në veprën e shkrimtarit Viktor Hygo prej 25 vitesh tashmë lë gojëhapur spektatorët në katër krahët e globit.
Notre-Dame de Paris është një shfaqje muzikore e cila e bëri debutimin e saj të parë më 16 shtator 1998 në Paris. Historia bazohet në romanin Notre-Dame de Paris (i njohur në anglisht si The Hunchback of Notre-Dame) nga shkrimtari francez Victor Hugo.
Notre-Dame de Paris, sipas Librit të Rekordeve Guinness, është shfaqja më e suksesshme ndonjëherë në vitin e parë të debutimit të saj.
Duke dëgjuar vargjet shpërthyese përpara Katedrales: Ne jemi të deportuar, të dënuar, të paligjshëm, pa atdhe, të pastrehë, klithmën se si ta bëjmë botën një vend pa mjerim e pa kufij, Shqipëria e ndjen si gjithë bota, e ndjen në lëkurën e saj vuajtjen racore, vuajtjen e emigrantit, të të përjashtuarit, të dënuarit e të vuajturit.
Siç u shpreh Cocciante në konferencën për shtyp: “Shqipëria e meriton Notre Dame. Ka vuajtur shumë në luftëra, diktaturë, e tashmë po hapet e ndoshta po nis të jetojë”.
“Amare la vita, morire per la vita…Të duash jetën, të vdesësh jo për vdekjen, por për jetën” iu drejtua Cocciante shqiptarëve në fund të shfaqjes përpara një publiku që i dha gjithë dashurinë e mundshme.