Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë”.
Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.
Kur, Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë “bereqet”, nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen “Ditës së Verës”.
Ky ritual vazhdon deri me datë “14 mars. Me “14 mars” në mëngjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes (sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkoj i gjithë viti në të shumtë në kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë. Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet).
Këto ngjarje ndodhin zakonisht në një livadh ose në qendër të fshatit, ku përvec këtyre riteve bëhen edhe mjaft lorja të tjera si : “Kala Dibrane”, mundje mes djemve të rinj e etj. Gjatë paradites nënat përgatisin drekën e bollshme, ku një vend të veçante zë flija (gatim tradicional kryesisht i zonës së Dibrës). Pas drekës, njerëzit dalin për vizita tek të afërmit. Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.