Ali Asllani: Zëri patriotik i patriotizmit shqiptar dhe i dashurisë 

Përshkrimi i shpirtit të një kombi nëpërmjet vargjeve, natyrës dhe zemrës.

Ali Asllani, poeti atdhetar, lirik shqiptar për të cilin dashuria për atdhe, për të dashurën e zemrës së tij, gruan labe dhe natyrën ishin të pandara.

Ali Asllani (1882 – 1966) është pa dyshim një nga poetët më të rëndësishëm të Jugut shqiptar Ai arriti ta kapë shpirtin e poezisë anonime shqipe si rrallëkush tjetër. Dhe meqë i këndoi aq bukur Vlorës dhe atdheut, trimërisë e dashurisë së mirëfilltë dionisiake, gabimisht e mbajtën si një poet gjysmë – folklorik. Ndërkaq poezia e tij ishte po aq e kultivuar sa dhe jeta dhe pamja e ish – sekretarit të qeverisë së Ismail Qemalit, e diplomatit të viteve ’20 e ’30 dhe kryebashkiakut të Vlorës. Ali Asllani ishte njëri ndër përkrahësit më të zjarrtë të Ismail Qemalit dhe nga të parët që u kërcënuan nga qeveritarët osmanë me arrestim dhe internim në Alep të Sirisë. Ai, pas arratisë në Korfuz, përfaqësoi klubin “Bashkimi” të Janinës në Kongresin e Dibrës 1909.


Në këtë kohë, ashtu si Ismail Qemali, edhe Ali Asllani, si një intelektual poet ka kundërshtarët e vet. Kështu që, më 1914 ai arratiset në Itali dhe qëndroi atje disa kohë. Në mërgimin dhe arratinë në Itali shkruan tanimë, në hapësira të gjera poetike. Njihen 28 poezi të kësaj periudhe, një pjesë janë të botuara në shtypin e atëhershëm të Vlorës si “Shpresa Kombëtare”, “Mbrojtja Kombëtare” dhe disa ruhen në dorëshkrim.


Në poezitë patriotike të Ali Asllanit, shprehet optimizmi i poetit për fatet e atdheut, me një vizion real poetik. Ndër poezitë më të realizuara me këtë temë, që ai shkroi në vitet 1916-1922 janë: “Gjoni” (1916), “Dëshpërim dhe shpresë” (1918), “Buza ime kur do qeshë” (1918), “Do na bënet Shqipëria” (1919), “Unë dhe bota” (1919), “Sazani” (1919), “Ismail Qemali” (1919), “Vlora-Vlora” (1919), “Rreth epopesë së Vlorës” (1919), “Mirë se ardhët” (1920), “Këngë 1921”, “Për dëshmorët” (1922) etj. Por krahas optimizmit, në krijimtarinë e tij shfaqen edhe dëshpërimi dhe zemërimi i poetit, pa kaluar asnjëherë në pesimizëm.
Krijimtaria e tij në ato vite gjendet në faqet e shtypit të kohës, sidomos në gazetat e revistat: “Përpjekja shqiptare”, “Kombi”, “Illyria”, “Shkëndija”, “Bota e Re”, “Shqipëria e Re”, “Kosova”, “Tomorri”, “Miku i popullit”.


Ndër vjershat e poetit Ali Asllani, të botuara në shtypin e kohës mund të shënojmë: “Mirë se erdhët”, “Marshi i Vlorës”, “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, 28 tetor 1920. “Vjersha për shkollarë”, revista “Minerva”, nr. 1, 1932; “Hanko Halla” në “Kosova”, nr. 1,2,3, maj 1932, Kostancë të Rumanisë. “Në Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa” nr. 1273, viti 1935. “Vajza shqiptare”, revista “Kombi”, nr. 1/1937. “Gjoni”, revista “Kombi”, nr. 2/1938. “Çupa shqiptare”, revista “Bota e Re”, I-II, nr. 6/1940. “Te pragu i pleqërisë”, revista “Shkëndija”, nr. 24-25/1942. “Ah ky vend, ky vend, ky vend”, revista “Shkëndija”, nr.3/1942. “Ah ky vend, ky vend, ky vend”, revista “Bashkimi Kombit”, nr. 106/1942. “Dasma e madhe”, gazeta “Bashkimi i Kombit”, nr.190/1942.


Poezia e Ali Asllanit “Vlora-Vlora”, kompozuar prej Thoma Nashit dhe ekzekutuar prej bandës muzikore “Vatra”, u bë ndër këngët më popullore, jo vetëm në çaste të vështira kushtrimi e lufte, por edhe në festa e gëzime.


Dashuria gjithashtu është prezencë e fortë në poezinë e Ali Asllanit. Ai i këndon të dashurës së zemrës së tij. E dashura e Ali Asllanit është një “Vajzë shqiptare”, një “Arbëreshe”, “Zonjë vendi” dhe kjo përcakton edhe vetë përmbajtjen e dashurisë së tij. Pastaj, këtë dashuri labe, poeti e spërkat edhe e praron me qëndrime dhe ngjyrime të shkallës “së lartë” të aristokracisë së vendit. Vajza e tij është hënë, diell, flori, qelibar, por edhe “xhinde” e dalë prej jetës së vargjeve popullore. Në ndërgjegjen poetike të Ali Asllanit, femra ngrihet pikërisht në ato përjetime, që ka jetuar ai vetë. Sa ishte i ri, ai ishte një djalë fshati, një fshatar lab dhe mban me vete përfytyrimin e gjallë dhe të ndezur të femrës labe, të gruas besnike, por në të njëjtën kohë, edhe të një dashnoreje të ndezur.


këtë përjetim ia ushqejnë sidomos këngët popullore, në të cilat ai e ndjek “zonjën e zemrës së tij”, çap pas çapi, ashtu si do të ndjekë thëllëzën, pëllumbin, sorkadhen, guguftunë. Janë këto epitetet që përshkruajnë këtë dashuri. Por, gjithashtu, kur poeti del në jetë, hyn nëpër administratat shtetërore, ka një tjetër pozitë shoqërore, intelektuale dhe filozofike, atëherë ai, këtë grua shqiptare nis edhe e këndon si një femër më të emancipuar, më të kulturuar. Është një tjetër dashuri, e cila në vetvete sjell dëshminë e një emancipimi të ri të femrës sonë. Në këto çaste, femra e Ali Asllanit edhe pse mban nëpër trupin e vet tërë ato hire labe, është në të njëjtën kohë një femër, e cila hyn tashmë në një shoqëri tjetër të botës shqiptare. Tek Ali Asllani vargjet më brilante mbeten ato që i këndojnë një dashurie konkrete, të përjetuara prej tij në ambientin që e rrethon. Për xha Aliun, dashuria vjen si një dallgë spontane e zjarrtë. E dashura e tij është një “guguftu”, “trëndafili i mbirë në hënë”, “dallëndyshe”, e zeshkët “si pjeshkëz”, me sytë “gjysmë fjetur”, me vetulla “çapraz”, etj. Në konceptin poetik të poetit, jeta është një kopsht i lulëzuar, ndërsa dashuria një mall i pashuar.


Lirika e dashurisë përbën pjesën më të madhe të poezisë së Ali Asllanit: “Mbrëmje vallëzimi”, “Zonja Lu”, “Vidi-vidi pëllumbeshë”, “Dasma shqiptare”, “Dëshira e Labit”, “Gu-gu, guguftu”, etj. Bukuria e femrës shqiptare do të ngrihej prej poetit në hapësirat sublime të shpirtit dhe kështu ai bëhet një bohem, i cili e shikon jetën jo vetëm nga anët e ndritshme të saj; për të pothuajse nuk ekzistojnë brengat, hallet e mjerimet. Shpesh të duket sikur poeti jeton në një kohë dhe në një botë tjetër nga ajo që gjejmë te poezia e Migjenit dhe e poetëve të tjerë. Siç duket, poetit nuk ia ka shumë ënda të shkëputet nga bota romantike e letërsisë sonë, aq më shumë nga reflekset e pasura të lirikës popullore. Ai e dashuron jetën pa brenga e halle, ashtu si në poezinë “Mbrëmje vallëzimi”, ku rrëfen jetën mondane, ku botës së shfrenuar ia merr mendjen salltaneti i zonjave dhe zonjushave.Temperamenti prej bohemi i poetit shfaqet në shumë poezi, të cilat përshkohen nga fryma khajamiane si: “Vishet mëni, zhvishet vasha”, “Çupëz, moj çupëz”, “Plaç o zemër që s’u plake”, “Them ta them”, “Më lejon ta puth njëherë” etj., në të cilat poeti u dorëzohet vetëm dashurisë, verës dhe vargut të tij. Dashuria për një “guguftu”, iu bë një dhimbje në shpirt, aq sa i mbeti plagë e përjetshme. Kështu, pastaj zemra e poetit Ali Asllani, nuk mund të durojë dot pa dashurinë, prandaj ajo nuk plaket kurrë. Edhe kur shkroi vargje për pleqërinë, ai e pa atë kurdoherë në raport me dashurinë. Parapëlqimi i poetit mbeti përgjithnjë, t’i spërkat lirikat dashurore me refleks filozofik. Në dashurinë e vet, Ali Asllani mbetet përherë burri lab me pasione të fuqishme, i gjallë, i gatshëm ta rrëmbejë dhe ta shkëpusë dashurinë e vet edhe prej perëndive. Ai nuk mund të jetojë pa këtë dashuri, e kërkon, e gjen dhe e zotëron atë. Mbasi e ka zotëruar, ai i thërret asaj “madhëri e artë”, “ka të tilla shtate si të zotërisë sate?”. Poeti i përgëzohet me gjithë zemër asaj: “Rrofsh e qofsh sa malet, zotrote ku linde?”. Kështu poeti e ngre përfytyrimin e gruas në pastërtinë e jetës reale, tokësore, që bëjnë në të vërtetë shqiptarët.


Një nga karakteristikat në poezinë e Ali Asllanit është këngëtimi i tij me mbizotërimin e humorit, që shpeshherë kthehet edhe në humor e sarkazëm therëse. Kryesisht kjo ndodh në poezitë me motive sociale e shoqërore. Në vargjet e këtyre poezive qeshen e përqeshen me humor të lehtë e thumbues probleme e fenomene të jetës shoqërore të kohës si: uzurpimi pa merita i pushtetit (“Puna bëhej me hatër”), anarkia e krijuar në pushtet (“Dynjallëk or tungjatjeta”), ato që pasqyrojnë konfliktet me botën e vjetër (“Qeveria është e pashës”, “Flet dada Selvia”, “Hanko Halla, Hanko Halla”, “U betova një ditë rëndë”), ku poeti na jep përfytyrime mbi realitetin e asaj bote.


Më tepër se kudo, në poemën “Hakërrim” shfaqet dufi dhe dëshpërimi i poetit kundër politikanëve antipopullorë, shpërthen me një breshëri akuzash, përbuzjesh, që kalojnë në humor e sarkazëm. Në të vërtetë poeti e ka këtë tharm edhe në vjersha e poezi të tjera, kujtojmë këtu poezinë “Ali pashë Tepelena”: “Ky zabit, ky dreqo lab,/ pa kalem e pa qitap”, apo në poezinë “Ja, programi im është ky”. Këtu, në këtë poezi, Ali Asllani që i di fare mirë “Çelësat e qeverisjes së vendit” nuk kursen as veten, e bën veten “bashkëfajtor” për të goditur më hithët keqpërdoruesit e pushtetit politik: “Do përpiqem për një hua,/ dy të tretat janë për ty/ dhe kusuri është për mua…”. Pastaj poeti shkon më tutje, bëhet më sarkastik, i papërmbajtur: “Shqipëria është një lopë,/ rrofshim ne që dimë ta mjelëm…” Ky është më tepër dufi popullor, gjykimi dhe stigmatizimi që njeriu i thjeshtë i bën qeveritarit të korruptuar.


Kjo tendencë e çon poetin drejt poemës “Hakërrim”, ku në mënyrë më të përqendruar ai portretizon politikanët e vendit, të cilët bëhen të pandalshëm në paturpësinë e tyre. Këto janë të vërteta të mëdha, për fatin e keq të vendit tonë, të përsëritura vazhdimisht në jetën shqiptare. Tanimë, poeti e ka bërë detyrën e vet, ai i ka treguar popullit të keqen, i ka bërë gjyqin më të pamëshirshëm korrupsionit të qeveritarëve. Ironia goditëse, sarkazma e hidhët e lindur prej dëshpërimit të thellë të zemrës e bën poemën “Hakërrim” një nga arritjet e shquara të poezisë shqiptare dhe poetin e saj, një nga personalitetet më të ndershme të kësaj lufte. Këtu nuk është vetëm poeti, por edhe qytetari që thotë gjithë guxim: “Ju do thoni si të doni…/ por e drejta dërmon hekur…”.


Ali Asllani i perdor shpesh elementet e natyrës në poezinë e tij. Hëna, dielli, mali, fusha, vala, zalli, kroi, dreri, qielli, rrufeja, pylli e pëllumbi etj., janë përherë të pranishëm në poezinë e tij. Dhe këto detaje dëshmojnë edhe vendin edhe natyrën e vendit. Por të gjitha këto janë në përdorim dhe në funksion të poezisë me temë atdhetare, për të ravijëzuar e portretizuar sa më mirë historinë, të kaluarën krenare të shqiptarëve: Ku është Labëria, Labëri e parë, Vend i jataganit, vendi i pallës larë? Ku është zonja e vëndit dorë e llërë çelnik, qaf’e çap sorkadhe hedhur me deftik? Qafë e çap sorkadhe, me deftikë vërtitur, dhe me thelp lajthie rritur e gostitur?…


Peizazhi i Labërisë është derdhur i tëri në këto vargje, poezia merr ngjyrime të theksuara nga vendi ku lindi poeti. Dhe kjo tregon se Ali Asllani, edhe ose i rrëmbyer nga luftërat dhe bëmat e kombit, ai në thellësi është një talent tepër i ndjeshëm, i përpunuar së thelli edhe prej peizazhit që e rrethon. Dhe për fatin tonë, poeti ka shkruar edhe poezi të pastër peizazhi, siç është poema “Katër stina, katër çapa…”, ku plotëson kuadrin e poezisë së tij, përfaqëson pjesën tjetër të botës së Ali Asllanit, atë të peizazhit dhe meditacionit: Vjeshtë… Nëpër hije s’ka më shije, lot’i par’ dhe më i thjeshtë, është fletë e gjor’ që bie! Nëpër dega, nëpër gjethe, dor’e erës po trokit: me rënqethje si në ethe, fillon pema pëshpërit! Ali Asllani krijoi këngën e tij, përherë me një ndjeshmëri të rrallë, elegante: “Lot’ i parë dhe më i thjeshtë,/ është fletë e gjorë që bie…”, “Katër stina, katër çapa” është një poemë lirike e ëmbël, e përzier me trishtim, sepse në jetë, në natyrë, gjithçka ikën, na le, shkon…: Dallandyshja ime, haj! Do më lerë e do më shuaj, kudo shkeli këmb’ e saj, loti im do jetë i huaj!


Dhimbje, trishtim, por edhe një qetësi shpirti reflektojnë një shpërthim dhe ringjallje të natyrës dhe të shpirtit. Kështu, në poezinë e peizazhit Ali Asllani i qëndron besnik vetvetes, është po ai, njeriu që në fund të fundit e do dhe e lavdëron jetën: “Zbriti drer’ i madh nga shtrati,/ po andej nga zbret rrufeja…” Vargje vërtet brilante, të cilat na detyrojnë të përfytyrojmë “Malin e Vetëtimave”, ku “Dreri i madh” ka shtratin e vet.


Së fundmi vjen edhe “Vepra e plotë poetike” e atdhetarit Ali Asllani. Për herë të parë, pas një numri sprovash e përzgjedhjesh prej vitit 1992 e këtej, krijimtaria e poetit i jepet e plotë publikut. Duke e patur në dorë publiku do të kuptojë që Ali Asllani, i cili në dhjetëvjeçarin e kaluar shpesh u trajtua si një barb gjysëm – folklorik, në të vërtetë është një nga poetet më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit 20. Hapi i krijimtarisë së tij shkon nga poezia e mirëfilltë patriotike-politike, te sotirat e holla shoqërore e sidomos poezia lirike-sensuale, ku rivalet i ka veç në krijuesit anonimë të popullit dhe poetët e mëdhenj të Orientit.

Fragment nga libri “Vepra e plotë poetike”


Si përhera në shtëpi
dhe përhera puth e pi,
Pi e puth,
Si një zog i zën në kurth
Përpëlite nëpër odë,
Mbush një got e zbraz një gotë
dhe më flet për poezi

Komente mbi autorin


“Ali Asllani shfaqet si një bir i vërtetë i vendlindjes së tij duke kënduar burrërinë me aksente që janë një dokument atdhedashurie e xhelozije kombëtare shqiptare tradicionale.”
Lasgush Poradeci


“Njohës i thellë i kulturës antike sidomos asaj greke, i botës lindore, i letërsisë perëndimore, para së gjithas asaj franceze e italiane, i ndërgjegjshëm se, ashtu si dhe vetë Shqipëria, ai gjendej në takimin dhe ndarjen e dy botëve, krenar më në fund që ishte vlonjat, dmth luftëtar për Pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të parë shqiptar… përsëri ndërgjegjia politike e Ali Asllanit zotërohet fuqishëm prej ndërgjegjies së tij poetike, që është shprehje dhe vokacion më i natyrshëm i këtij njeriu. Ali Asllani me shpirt bëri jetën e poezisë së vet.”
Fatos Arapi


“Vjershat më të mira të Ali Asllanit janë si farë pjesësh të vogla muzikore, pikërisht për shkak të ekspresivitetit të tyre të veçantë eufonik. Shëmbëllyeshëm Nolit, edhe ai përsërit me mjeshtëri tingujt e natyrshëm më ekspresivë, krijon asonanca dhe aliteracione të mrekullueshme, që në ndonjë rast janë më të shquara se ato të Nolit. Ali Asllani, pa dyshim, është krijues i rrallë i poezisë shqipe.”
Rexhep Qosja

Poezi nga Ali Asllani

Vajza shqiptare

Kush të ka dërguar, hëna apo dielli?
Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qielli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë,
Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
Trupi i yt i bukur si flori i situr!

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
Ku është ai pyll, ku është ai mur
ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
Desha që ta dija ku është ylli yt,
Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
Nga se po të digjet trupi ylyver?
Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

Çdo të mira kemi, djelli si ar
Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
Edhe erë e bukur na deh e na vel!

A e more vesh kush më ka qëndisur?
Është dritë e djellit që më ka stolisur,
Është dritë e djellit, është dritë e hënës,
Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights