Kisha e “Shna Ndout” në Laç vizitohet nga mijëra pelegrinë përgjatë 13 të martave deri të martën e fundit, atë të 13 qershorit.
Pelegrinazhi i “13 të martave” bashkon shqiptarët që i përkasin feve të ndryshme, myslimanë, katolikë, ortodoksë, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”.
Janë të shumtë pelegrinët, të cilët respektojnë të 13 te martat, ndërsa shumë të tjerë i drejtohen Kishës mrekullibërëse për tre të marta rresht.
Ndjekja e tre të martave është ogur i mirë për ata që shokojnë në këtë kishë. E marta e 13-të përkoi me 12 qershorin, ndërsa 13 qershori është edhe dita kur fluksi i pelegrinëve arrin kulmin pasi shënon edhe ditën e festës në përkujtim të Shenjtit Andon.
Këshilla më e rëndësishme nga të gjitha kur vizitoni këtë vend është që është të besoni, të ndjeni energjinë e vendit dhe të keni zemër të hapur. Pelegrinazhi në Kishën e Laçit është një përvojë shpirtërore më tepër se fetare.
Historitë dhe misteret që rrëfehen vazhdimisht për vendin e shenjtë
1. Sipas besimit të krishterë, një pelegrinazh që praktikohet në një ditë si kjo është në emër të sacrificës, shenjë lutjeje a falënderimi që i dërgohet shenjtorit, i cili njëherësh bën edhe mrekulli.
2. Sipas besimtarëve, mrekullitë e këtij vendi të shenjtë janë të faktuara me shembuj konkretë. Të lindurit të verbër, pasi kanë shkuar në këtë vend të shenjtë, kanë nisur të shikojnë e të paralizuarit janë ngritur në këmbë.
3. Lutjet në këtë vend të shenjtë thuhen se dëgjohen nga Shna Ndou, i cili bën mrekulli nga më të paimagjinueshmet.
4. Mrekullitë e Shna Ndout ndër shqiptarë e më gjerë nuk kanë fund.
5. Pelegrinazhi realizohet çdo vit për 13 të marta rresht (por edhe ditë të tjera) deri në ditën e 13 qershorit.
6. Vizitorët e Shna Ndout kanë dy pika të rëndësishme referimi: kishën dhe shpellën e Shën Vlashit.
7. Historia thotë se Shën Vlashi ka qenë ipeshkv dhe jetonte në qytezën e lashtë të Sebastes, por paganët e ndoqën deri tek kjo shpellë ku u strehua dhe të pafetë e gjetën dhe e mbytën.
8. Të moshuarit tregojnë se ritualin e 13-të të martave e kanë ndjekur edhe në kohën e regjimit, edhe atëherë kur besimi në Zot ishte i ndaluar.
9. Shën Antoni vdiq në moshën 36-vjeçare pas një jete shenjtore. Për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen, ai u kanonizua një vit pas vdekjes nga Papa Gregori IX. Në vitin 1946, Papa Pio XII e ka renditur Shën Antonin mes doktorëve të kishës katolike dhe i ka dhënë titullin doktor evangjelik, në lidhje me shkrimet e tij dhe në predikimet që bazohen në citimet e Ungjillit.
10. Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës mori urdhër të shkonte te kodra e Shna Ndout, në Laç, për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Të krijohej përshtypja se qeveria kishte frikë edhe nga rrënojat. Ndërtesa qe shembur në vitin famëkeq 1967, kur regjimi komunist doli haptazi në shesh të mejdanit kundër Kishës. E, natyrisht, edhe kundër Shna Ndout. Duel i heshtur i armës me uratën! Po më kot u mundua t’ua presë udhën besimtarëve. Një frymë misterioze i tërhiqte aq sa të përballonin deri diktaturën, që nisi të shqetësohej seriozisht për këtë fenomen. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e, me ta, të shlyenin përgjithmonë edhe kujtesën e kishëzës e të Shna Ndout.
11. Dëshmitarë të shumtë okularë thonë se këtu janë bërë mrekulli të pabesueshme. Një dëshmitarë shprehet: “Kam parë me sytë e mi se si e sollën një vajzë pa gojë e që nuk ecte me këmbët e veta. Fjetën një natë këtu, të nesërmen i erdhi goja dhe këmbët”.
12. At Mikel Pëllumbi, i cili mban edhe meshë në Kishën e Shën Antonit, ka thënë se çdokush është i mirëpritur në këtë vend, pavarësisht se cilit besim fetar i përket.
13. Shtypi i huaj është nxitur nga një lajm që agjencia Reuters ka komentuar për vendin “çudibërës” ku ndodhet kisha e Shna Ndout në Laç. Në një kronikë të realizuar, Agjencia e lajmeve Reuters flet për kishën magjike, e cila vizitohet çdo ditë nga qindra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Siç shprehet Reuters, ajo që besimtarët kërkojnë në këtë kishë është shpëtimi fizik dhe shpirtëror.
Kisha e Shna Ndout është një kuvend dhe kishë katolike dedikuar Shën Antonit të Padovës, në Laç, e ndërtuar dhe e shuguruar për herë të parë në 1557 dhe më pas shkatërruar në 1967. U rindërtua pas rënies së komunizmit për t’u kthyer në vend pelegrinazhi nga njerëz pa dallim fetar.