Vallja Kelmendase

Vallja që po kërcehet nga ky çift i bukur malësor nëpër foto quhet “Vallja e Logut” dhe është një valle lirike dashurie, që interpretohet në zonën e Veriut nëpër dasma, gëzime familjare dhe festa tradicionale në log (në natyrë të hapur).
Gjatë viteve të fundit, në Kelmend, çdo verë organizohet Logu i Bjeshkëve, ku bëhet konkursi i bukurisë malësore dhe kjo valle kërcehet me shumë hijeshi nga djemtë dhe vashat e bukura kelmendase.
Fillesa e kësaj valleje është nga Logu i kishës ku është kërcyer pa muzikë fare, duke i dhënë muzikalitet të fuqishëm ndjenjës, ritmit dhe përshtatjes së lëvizjeve të çiftit, por me kalimin e kohës vallja filloi të shoqërohej me çifteli, fyell dhe tupan.

Vallja hapet nga vajza, e cila kërcen vetëm për pak çaste duke shpalosur bukurinë, hijeshinë, fisnikërinë e saj prej malësoreje dhe nëpërmjet lëvizjeve plot sharm të shamisë ajo tërheq djalin në valle.
Dhe ashtu së bashku kërcejnë duke përshtatur lëvizjet, duke u afruar dhe duke u larguar nga njëri-tjetri.
Vallja përfundon me cekjen tri herë të kokës me njëri-tjetrin.

Larmia dhe lirshmëria e lëvizjeve së bashku me motivin dhe bukurinë e xhubletës i japin kësaj valleje madhështi brenda lirikës dhe erotikës së saj.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*