Udhetimi plot aventura per te takuar gjyshen. 11 vjecari udheton 2700 km ne kembe.

Në fillim të këtij viti Romeo kishte pritur të kalonte pushimet e tij të verës në Londër me gjyshen e tij, e cila është me shëndet të dobët, megjithatë bllokimi i koronavirusit dhe kufizimet e udhëtimit në atë kohë e penguan atë të fluturonte.

Pas shumë përpjekjesh, u vendos që ai të bënte udhëtimin prej 2,800 km për në Londër në këmbë, së bashku me babanë e tij Phil, një gazetar dhe krijues dokumentarësh.

Më në fund, të dielën e kaluar, Romeo Cox përqafoi gjyshen e tij Rosemary, 77 vjeçe, pasi nisi udhëtimin e tij, 3 muaj më parë, nga Palermo në Londër. Ata ecën në këmbë nëpër Itali, Zvicër dhe Francë, duke kaluar vështirësi të mëdha në rrugën e tyre, vetëm e vetëm që djali i vogël të takonte gjyshen e tij, të cilën nuk e shihte prej më shumë se një viti. Pamjet e publikuara tregojnë 11-vjeçarin duke vrapuar në metrat e fundit përpara se të përqafojë gjyshen e tij. Sapo hyri në shtëpi, Rosemary i thotë nipit të saj: “Unë jam shumë krenare për ty. Është fantastike ajo që keni bërë. Të lumtë!”

“Kur u afrova te shtëpia e gjyshes, unë nisa të vrapoj, ndërsa babai ngeli prapa. Ne patëm përqafimin më të ngrohtë ndonjëherë. Më kishte marrë shumë malli. Një natë më parë nuk kam fjetur dot”, tregon mes emocionesh djali.

Romeo, me baba anglez dhe nënë italiane, u zhvendos gjatë vitit të kaluar nga Londra, në Palermo. Kjo bëri që ai të mos e takonte gjyshen e tij për shkak të izolimit nga pandemia. Me fluturimet e avionëve të anuluar, Romeo vendosi të shkonte te gjyshja e tij në këmbë.

“I pyeta prindërit dhe më shumë se 50 herë mora një ‘jo’. Unë ngulmova dhe përfundimisht ata ranë dakord”, ka treguar 11-vjeçari. Gjatë aventurës së tyre, Romeo dhe babai i tij fjetën në qiell të hapur, u ndeshën me një tufë qensh, ndërsa gjetën edhe një gomar, të cilin e quajtën Pedro. “Më pëlqente të flija në qiell të hapur e të shihja yjet”, ka thënë Romeo.

“Ne kemi humbur rrugën disa herë, kemi fjetur nën një fole grerëzash, që nuk ishte një ide aspak e mirë. Këmbët na u bënë gjak, por kurrë nuk kemi menduar të hiqnim dorë”, tregon djali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights