Turizëm dhe shpresë, vëllezërit që gjallëruan jetën e fshatit Fishtë

Një fjalë e urtë thotë: “Distanca midis ëndrrës dhe realitetit quhet veprim”.Vërtetësinë e kësaj thënie e kanë përjetuar vëllezërit Prenga nga fshati Fishtë i Lezhës. Pas viteve ’90, dy vëllezërit Anton dhe Altin Prenga emigruan në Itali në kërkim të një jete më të mirë. Përvojën e agroturizmit të marrë nga shteti fqinj vëllezërit vendosën ta sjellin në vendlindje, me një vizion të qartë në mendje, që përfitues të biznesit të ishin të gjithë banorët e zonës. Udhëtimin e transformimit të fshatit Fishtë dhe hapjen e lokalit me produkte tradicionale shqiptare, i cili tani është ndër vendet më të frekuentuara në Shqipëri na rrëfen Antoni.

Si ju lindi ideja për të hapur restorantin?

Ne punuam 9 vjet si kuzhinierë në veri të Italisë dhe aty pamë se sa shumë rëndësi i kushtohej agroturizmit dhe promovimit të produkteve vendase. Menduam që të njëjtën gjë të bëjmë edhe ne, fshati ynë nuk ka nevojë për restorante luksi, por për promovimin e produkteve bio të zonës. 6 vjet më parë u kthyem në Fishtë dhe filluam të ndërtojmë lokalin. Kur kalonin bashkë fshatarët na pyesnim se çfarë po ndërtonim, ne u përgjigjeshim po bëjmë stalla lopësh, sepse të gjithë na tallnin kur shpreheshim se po ndërtonim lokal. Ishte e pabesueshme që të mendohej se dikush mund të frekuentonte një lokal në mes të një fshati që është 25 km larg Lezhës. Sfida jonë ishte grumbullimi i prodhimeve bujqësore bio.

Pse vendosët ta quani lokalin “Mrizi i Zanave”

Ideja ishte që t’i dedikonim diçka edhe shkrimtarit të madh, Gjergj Fishta, i cili ka jetuar në këtë fshat. E quajtëm “Mrizi i Zanave” ashtu sikurse titullohet edhe njëra nga veprat e Fishtës. Lokali ynë nuk ofron vetëm ushqimin tradicional shqiptar, por këtu klientët mund të lexojnë edhe disa pjesë të poezive të poetit të madh. Pas tavolinave prej druri në pjesën e jashtme të lokalit fillon edhe ‘Shtegu i meditimit’. Kjo është një hapësirë e blertë disa hektarë, me një rrugë të shtruar, ku përgjatë gjithë ecjes njerëzit mund të lexojnë poezitë e Gjergj Fishtës.

Cilat janë recetat më të veçanta që ofrohen këtu?

Ne shërbejmë gatime tradicionale me produktet e zonës, recetat janë nga më të ndryshmet, por unë po përmend disa si: grosha në vorbë, lakrorin me kungull, pogaçen, bukën e misrit, këmbë kungulli me hirrën e djathit, mishin e kecit, verën “Kallmet” të zonës, disa lloje djathi, gatimet me saç etj. Dua të theksoj se për çdo gjë që gatuhet në lokalin tonë prodhimet merren nga bahçet e fshatarëve të zonës, duke filluar nga perimet, mishi, qumështi, veza, vera etj. Unë kam folur personalisht me secilën nga familjet për të më sjellë furnizim, dhe jam i lumtur që biznesi im sjell të ardhura për të gjithë banorët e Fishtës. Kjo ka qenë dëshira jonë më e madhe, që biznesi ynë të rriste edhe mirëqenien e bashkëfshatarëve tanë. Pra zinxhiri është ky, sa më shumë punojmë ne, aq më shumë të ardhura ka fshati, duam që leku të qarkullojë brenda fshatit.

Sa të punësuar ka biznesi juaj?

Si staf jemi 30 persona, por janë edhe 200 familje me të cilat kemi lidhur marrëveshje mirëkuptimi për t’i marrë prodhimet. Njoh mentalitetin këtu dhe njerëzit nuk bëjnë kontrata, por mbahen me fjalë bese. P.sh, me ato familje që unë u blej qumështin çdo ditë i kam thënë se unë do t’ua blej edhe më shtrenjtë, mjafton që qumështi të mos ketë asnjë pikë ujë. Banorët këtu janë njerëz të fjalës, ndryshe nga kryeqytetet që bëhen marrëveshje noteriale.Por nga ana tjetër, ne kemi detyrim moral ndaj kujtdo që i kemi thënë se do t’i marrim prodhimet, p.sh. nëse familja që më furnizon me vezë më sjell kur kam gjendje, unë nuk i kthej mbrapsht, por ia blej, kemi një banak që i vendosin produktet që kemi me shumicë dhe i shesim. Ndodh që klientët, pasi konsumojnë një drekë, kur largohen blejnë edhe produkte të zonës. Kështu veprojmë në çdo rast, dhe të dyja palët ngelemi të kënaqura.

 

Ajo që mësova për lokalin tuaj është se duhet të rezervosh një tavolinë disa ditë para se të vish, pse?

“Mrizi i Zanave” frekuentohet nga 55 mijë persona vendas dhe të huaj gjatë gjithë vitit dhe duke parë fluksin e madh të klientëve, kemi vendosur që të punojmë në këtë mënyrë, që të gatuajmë ushqime të freskëta dhe receta të ndryshme sipas stinës, sepse kur punon me rezervime konsumohet çdo gjë që përgatitet.

 

Çfarë u ofroni klientëve përveç ushqimit?

Ne kemi fermën tonë dhe kushdo që ka dëshirë mund të vijë ta vizitojë. Ne i shoqërojmë vizitorët te mulliri ku bluajmë grurin, është mulli tradicional me pllakë guri, ashtu si kanë përdorur para shumë vitesh gjyshërit tanë. Për këdo që ka interes i tregojmë vendin ku mbajmë lopët, kuajt, shpendët dhe më pas i shpjegojmë zinxhirin e ushqimit nga ferma në tryezë.Kemi menduar edhe për fëmijët duke improvizuar një tren, i cili i bën shëtitje përgjatë fermës dhe kjo është falas. Ndërsa për këdo që përveç ushqimit do edhe qetësi këtë ia ofron “Shtegu i meditimit”.


Tani besoj se e keni realizuar ëndrrën, tashmë ajo është kthyer në realitet?

Ne kemi realizuar një pjesë të ëndrrës, dikur ky vend shërbeu si kamp internimi, ku diktatura syrgjynoste armiqtë, sot falë punës tonë dhe banorëve që na mbështetën, ai është kthyer në një pikë turistik.Dëshira është të mbajmë rrënjët thellë në vendlindje, me kusht që fëmijët tanë të mos rriten në një fshat ku ka të varfër, por mirëqenia të jetë e përbashkët.Njeriu nuk duhet të jetë ishull dhe të mendojë vetëm për vete, ne po ndihmojmë edhe bashkëfshatarët që kanë mundësi të hapin biznese agroturizmi, kjo do gjenerojë më shumë të ardhura këtu dhe në fshatrat përreth.  Prandaj dua të them se ëndrra jonë vazhdon…

Intervistoi: Alketa Çeku

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*