Tre musketjerët vulosën historinë e rrokut shqiptar

Ata mbajtën flokë të gjatë në kohën kur në Shqipëri nuk perceptohej ky fakt, ata këndonin rrok, kur thjesht ta dëgjoje këtë lloj rryme ti rrezikoje të burgoseshe. Ishin ata që sollën ndryshimin dhe revolucionin e muzikës rrok në Shqipëri. Ata mblodhën turma, ata thyen zemra, ata u ndanë por nuk mundën të qëndrojnë të tillë, ata kanë lindur për të qënë bashkë. Ata kanë lindur për t’i dhuruar Shqipisë tre Musketjerët e saj të lavdishëm.

Ata përjetuan ndryshimet politike në Shqipëri përmes këngës, vargjet e tingujt e së cilës janë ende aktuale, ndonëse kanë kaluar 27 vjet nga demokracia jonë e brishtë.

Ata kanë ngritur sa e sa trofe, sa e sa çmime, sa e sa mirënjohje. Ata u tërhoqën nga kompeticionet, ata u rikthyen sërisht, atyre iu dhanë poste drejtuese, por ata kanë lindur për të qënë në skenë, aty ballë për ballë me publikun. Ata kanë lindur për të dhuruar emocion, me çfarëdolloj mënyre që munden. Pas një mungese prej dy dekadash, çfarë mund të ndodhë nëse bëhen bashkë një orkestër simfonike dhe këta tre rrokerë, për të cilët publiku është përmalluar?

“Një natë e çmendur me 2000 njerëz të hipnotizuar nga atmosfera” , do të ishte përgjigja më e dënjë e kësaj pyetje.

Dhe në të vërtetë kështu ndodhi. Mu në zemrën e kryeqytetit shqiptar, ato rishkruajtën historinë, me firmat e tyre të pandryshueshme, fiks aty ku e nisën, dikur Pallati i Kongreseve, sot Pallati i Koncerteve.

Ata ishin tre, tre legjenda, tre artistë, tre musketjerë që na përfshinë në botën e tyre artistike duke na kthyer në 2003 musketjerë që këndojnë njëzëri. Nuk ka patur ngjarje, artist, politikan apo orator që të elektrizojë publikun në atë mënyrë dhe të bëjë njësh sallën me skenën, pa patur dallim, siç bënë ato: Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi. Koncerti u lançua një muaj përpara, që përvec natës së magjishme, të na falnin edhe 30 ditë padurimi dhe emocioni në të njëjtën kohë, duke numëruar sekondat deri në datën 15 maj 2017.

Për standartin e jetës në Shqipëri, biletat kishin një çmim relativisht të lartë, por kjo nuk pengoi aspak që të ishin të gjitha “sold out” vetëm disa orë pas nxerrjes së tyre online. Në bidesat e tavolinave, tashmë nuk flitej për gjë tjetër, veç për ribashkimin e famshëm të pas 27 vitesh që do t’i rikthente Tiranës ritmet rrok’n’roll të munguara prej kohësh.

Padurimi për të shijuar rrok të vërtetë nga dashamirësit e kësaj rryme, u lexua që në orën 17:00 para Pallatit të Kongreseve që filloi të mbushej me njerëz të veshur me rroba lëkure, kryesisht ngjyrë të zezë, ndonëse në biletat e tyre shënonte ora 20:00 dhe ishte ditë e hënë.

Zemra e një gruaje, them shpesh me vete

Ngjan me një xixëllojnë që digjet në heshtje

Provoni t’i buzëqeshni një zemre të thyer

Mos përbuzni lotët në sytë e mallëngjyer

Ishte kjo kënga që startoi koncertin, ndoshta për të respektuar seksin e dobët, por që atë natë nuk e tregoi veten aspak të tillë, por tundte flokët “me sa i hante koka”.

Nuk mundem ta imagjinoj, që ty të kam humbur vërtëtë

Dikur unë luaja me ndjenjën e saj, e sot e vuaj vetë…

Më duket se asnjëherë, s’do të dashurojmë kaq fort

Por janë kujtimet që më shkatërrojnë…”  

pasoi Redoni, për tu kthyer nga meshkujt dhe si për të vënë në sedër Don Zhuan-ët e penduar që ndodheshin në publik. Por shumë shpejt melankolinë e thyu Aleksandri me “Kuturu”-në e famshme të tij. Kaq mjaftoi që spektaqtori të çohej e të mos ulej më në karrige. Fati i keq që nuk menduan për disa veshje rezervë, pasi këngëtarët kërkonin herë pas here ndjesë për disa minuta, që të ndërronin bluzat e qullura nga djersa, që atë natë dukej sikur dilte nga shpirti e jo poret e lëkurës.

Repertori ishte përzgjedhur në mënyrë të atillë që të ndërthurte melankolinë e Redonit, me pop rrokun e Tonit deri tek potenca e papërsëritshme e Sandrit.

Orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar pothuajse inekzistente gjatë vitit, e “shpërfillur” nga publiku edhe në festivalin e fundvitit, dëshmoi edhe një herë se muzika live nga instrumenta të vërtetë, ka potencialin të të rrënqethë mishtë e të çojë zemra në peshë.

Publiku që pritej të kishte një moshë mesatare tek të 40-at nuk rezultoi aspak i tillë. Kishte qindra të rinj duke kërkuar copëza arti të vërtetë, ndoshta të mbingopur nga muzika komeciale e brezit të tyre që ka pushtuar tregun. Kishte madje edhe fëmijë të vegjël, me prindër në moshë të re, ku këta të fundit dukej sikur donin t’ju impononin këtë lloj muzike bijve, të trembur nga ajo që u servir “moda e fundit”.

E duam jetën ndaj na lini ta jetojmë

O mik o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë

E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo

I kam harruarr përkëdheljet mos harro

ishte padyshim kulmi i mbrëmjes që çoi në delir të gjithë të pranishmit, duke na treguar edhe një herë se populli shqiptar e do jetën, njësoi si ai që sapo ka hedhur hapat e parë, si ai që ka disa vite më shumë mbi shpaltulla, thjesht duan arsye dhe lirinë e duhur për ta shijuar atë sipas mënyrës së tyre.

Në dy rreshtat e parë të sallës dukshin emra të njohur të ekranit, politikanë të bindjeve të ndryshme, të ulur pranë e pranë, këngëtarë aspak xhelozë për kolegët, por duke kënduar njëzëri, duke treguar se arti nuk ka bindje politike nuk ka dallime apo dasi, nuk ka fe as ngjyrë, por bashkon zemra, arti është universal, arti është ndjenjë. Eh sa mesazhe na dha kjo natë…, sa gjatë do të mbetet në memorien kolektive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights