Sigurimi vullnetar për emigrantët

Sigurimi Vullnetar,  një mundësi për të gjithë shtetasit shqiptar kudo që ndodhen, brenda
territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Në skemën e sigurimit vullnetar përfshihen
të gjithë shtetasit shqiptarë që :
-Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga
skema e sigurimit të detyruar;
-Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të
detyrueshëm;
-Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit
vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
-Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli
i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e
sigurimit vullnetar.
Sigurimi vullnetar është një e drejtë që vepron për të gjithë personat e interesuar, shtetas
shqiptarë në Shqipëri, dhe vetëm për shtetasit shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit. Në kushtet për
të përfituar një pension të pjesshëm pleqërie duhen minimalisht 15 vite sigurim, dhe për një
pension të plotë pleqërie  duhen 35 vite.
Çfarë të drejtash njeh skema e sigurimit vullnetar?
Kjo skemë njeh të drejtën për:
–sigurim vullnetar në kushtet kur personat e interesuar nuk janë ekonomikisht aktivë dhe
sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, 
për përfitime deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar;
-zgjerimin vullnetar të degës së sigurimit për dy grupe të mëdha: të vetëpunësuarit dhe
punëdhënësit, të cilët janë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Kjo do të thotë se ata mund të
sigurohen vullnetarisht për përfitime që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm si: në rast
aksidenti në punë, sëmundje profesionale dhe paaftësi të përkohshme në punë;
-mbulim vullnetar të periudhave të kaluara. Pra, personat e interesuar mund të sigurohen
vullnetarisht për periudha të kaluara që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke
filluar nga 01.10.1993 kohë kur ka hyrë në fuqi skema e sigurimit vullnetar. Përfitimet në këtë
fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
-më shumë të ardhura për të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë. Kështu, të
vetëpunësuarit, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, të punësuarit dhe punëdhënësit
privatë,  vazhdojnë krahas sigurimit të detyrueshëm,  edhe sigurimin vullnetar për një pension
më të lartë të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.
Për të përfituar një pension të plotë duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë mosha, si dhe
vjetërsia në punë. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të
pjesshëm apo të plotë, sipas rastit.

Në çdo moment të jetës së tij personi duhet të jetë i siguruar. Personat të cilët nuk janë në
marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qënë në
vazhdimësi të siguruar. Shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qëndra
të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një
pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë.  Aktualisht ka shumë shtetas që janë në
prag përfitimi por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi.  Në këto kushte, edhe periudhat e
mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të
munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm.
Shumë persona mund ta kenë plotësuar vjetërsinë për 15 vjet pune për të marrë një pension të
pjesshëm, por është më me interes të plotësojnë 35 vjet pune për të marrë një pension të plotë
pleqërie. Edhe këta individë mund “të blejnë vitet e punës” menjëherë,  për t’u  shtuar vitet e
siguruar të punës. Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e
sigurimit vullnetar duke paguar kontribute, çdo vit.  Parapagimi i shumës vjetore ka një ulje prej
6%, gjashtë mujore 3% dhe tremujore 1.5%. Një kategori relativisht e madhe personash është në
kushtet e emigracionit ilegal si dhe e regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga
skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të
marrëveshjeve bilaterale me këto vende.
Tek përjashtimi nga skema hyn dhe :
 Kategoria e punonjësve sezonalë ose dhe part-time, në emigracion, është jashtë skemës së
sigurimeve shoqërore.
 Kategoria e grave shtëpiake, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore.
Këto kategori janë të interesuara të përfshihet në skemë.
Është në interes të gjithë personave, që skema ju ofron këtë shërbim, të njihen me mundësinë e
pagesave dyfish, trefish deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare, për
të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë. Në rast fatkeqësie, kur personi pëson aksident
apo sëmuret, në kushtet e të qënit i siguruar dhe që plotëson kriteret, ai mund të marrë pension
invaliditeti gjatë gjithë jetës së tij. Në rast fatkeqësie ekstreme, vdekja e personit të siguruar,
shoqëron dhënien e pensionit familjar për bashkëshorten dhe fëmijët.
Por cila është procedura e sigurimit?
Procedura e sigurimit vullnetar është shumë e thjeshtë. Personi paraqitet në strukturat e Institutit
të Sigurimeve Shoqërore, agjenci ose Drejtori Rajonale dhe merr kontakt me punonjësin e
ngarkuar me sigurimin vullnetar, i cili i jep gjithë informacionin lidhur me këtë skemë sigurimi.
Pasi personi i interesuar vendos të aplikojë në skemën e sigurimit vullnetar i kërkohen këto
dokumenta:

–    Fotokopje e librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit dhe fotokopje e librezës së
kontributeve nëse ka.
–    Çertifikatë personale ose fotokopje e pasaportës /letërnjoftimit /kartës së
identitetit/pasaportës biometrike.

Punonjësi i sigurimit vullnetar pasi i llogarit vjetërsinë aktuale personit të interesuar e informon
për periudhën kontributive që i duhet për të përfituar një pension të pjesshëm ose të plotë si dhe
për masën e kontributit që duhet të paguajë. Kur personi i interesuar vendos të aplikojë, plotëson
marrëveshjen për periudhën dhe fushën përkatëse të sigurimit vullnetar. Pas nënshkrimit të
marrëveshjes punonjësi i sigurimit vullnetar, i plotëson dokumentin tip “Urdhër veprimin”. Me
marrjen e “urdhër veprimit”, personi paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e
pagesës ai pajiset me “Mandat arkëtimi”. Punonjësi i sigurimit vullnetar, pasi bën konfirmimin
me sektorin e financës për arkëtimin e shumës së shënuar në “urdhër veprim”, bën regjistrimin e
tij në një faqe të veçantë të rregjistrit. Më pas bëhet dhe regjistrimi në rregjistrin elektronik të
bazës së të dhënave të miratuar. Për çdo person të siguruar punonjësi i sigurimit vullnetar mban
një dosje të veçantë ku është i gjithë dokumentacioni përkatës. Emigrantët mund të kryejnë vetë
sigurimin vullnetar, por në rast pamundësie, mund të autorizojnë të afërmit e tyre këtu në
Shqipëri, të cilët kryejnë të gjitha procedurat e sipër përmendura.
Aktualisht ju ofrohet një mundësi që nëpërmjet shërbimit elektronik të merrni vërtetimin e
pagesës së kontributeve vullnetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights