Si ia arrin Elvana Tufa të jetë një grua e plotësuar, një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme

  1. Një çift në karrierë (mjaft të suksesshme) dhe me 5 fëmijë. Për këdo që e dëgjon tingëllon çuditshëm! Po për ju si është jeta e shumëzuar me shtatë?
  2. Zaimi: Është një përditshmëri e lodhshme, një “maratonë” rraskapitëse, që s’ka të mbaruar e s’dihet kur do të mbarojë. A do të mbarojë ndonjëherë? Shqetësimet shtohen me rritjen e fëmijëve, sipas natyrës së moshës së secilit; përqendrimi e përkushtimi ndaj tyre kërkon gjithmonë vëmendje dhe e gjitha kjo është një sforcim i vazhdueshëm, përpjekja për durim, për vetëkontroll. Kjo është pjesa realiste, pragmatike. Tani ne po prekim vërtetësinë e një fjale të urtë dibrane “Me rritë nji cullë, asht si me ngrehë nji kullë”. Bukuri. Ne kemi për të ngritur 5 kulla(!). Paralelisht, na duhet t’u përmbahemi fort detyrimeve tona profesionale, standardeve, me gjasë, të jetës akademike universitare, sikundërse projekteve të vazhdueshme përkthimore. Po kështu dhe im shoq, i cili midis universitetit, Institutit të Studimeve që drejton dhe familjes, duhet ta gjejë kohën e pakët për të shkruar, lexuar e përkthyer, kohë të cilën gjithë e më fort ka filluar t’ia marrë gjumit.
    Miqtë e të njohurit tanë shpesh perceptojnë vetëm anën ekzotike e romantike të gjërave. Sa bukur, thonë, me 5 kalamaj, shtëpia plot, variacione pa fund… lum si ju, çfarë gallate! Sigurisht që po, është dhe kjo pjesë, më e bukura, më shpërblyesja. Ka momente argëtimi që na shkulin gazit, na mahnitin, na bëjnë të mendojmë, shkurt na japin forcë e kurajë duke na bërë më të ndjeshëm e të lumtur, ndonëse të dërrmuar. Por shpesh, ata që perceptojnë vetëm këtë anë të medaljes, harrojnë kryesoren: ç’do të thotë të rrisësh fëmijë sot në Shqipëri. Harrojnë se me çfarë të takon të përballesh, duke nisur nga niveli parashkollor, shkollor e universitar, mandej harrojnë se ç’do të thotë të përballesh me nivelet e shërbimeve shëndetësore, arsimore, edukative, të mos përmendim mungesën e hapësirave të mjaftueshme të banimit, shëtitjeve, ushtrimit të aktiviteteve fëminore, argëtimit. E mbi të gjitha, ajo që të trishton, është mungesa e një perspektive për të nesërmen e këtyre fëmijëve në këtë vend, mungesa e sigurisë për një ambient të qetë social. Kjo na bën t’u përkushtohemi më shumë, t’u rrimë afër, të plotësojmë boshllëqet dhe cilësinë e dobët të paketave arsimore, t’i mbajmë nën një kontroll të vazhduar të higjienës mendore e shpirtërore.

 

  1. Si arrin ta menaxhosh kohën, të merresh me mësimdhënie, të përkthesh, të redaktosh, të jesh nënë e grua e përkushtuar?

Gjithçka arrihet përmes planifikimit dhe riplanifikimit të rreptë të agjendës javore, ditore, rast pas rasti. Të llogarisim sa ndihmë shtesë kemi nga gjyshërit, e nëse jo (siguri asnjëherë nuk ka), të dublojmë njëri-tjetrin me tim shoq. Mjafton njëri nga fëmijët të sëmuret dhe çdo agjendë e planifikuar shkërmoqet. Atëherë duhet kaluar në “planin B” etj., për shkak se auditori nuk para pyet për arsyet pse nuk paraqitesh në leksion. Për asnjë arsye. Me përkthimet është më ndryshe. Është rëndom ajo hapësirë e brishtë kohe që ka zënë të hollohet vazhdimisht, e cila fillon fill pasi i kemi vënë fëmijët të flenë. E gjithë koha tjetër, para kësaj, është e tëra në shërbim të fëmijëve.

  1. Fëmijët ishin të planifikuar apo dhuratë e fatit?

    Kanë qenë të planifikuar vetëdijshëm dhe, pandaras me këtë, padyshim, edhe dhuratë e fatit. Kjo e fundit peshon si ca më rëndë, apo jo? Sepse “dhurata e fatit” është përmbushja e vullnetin hyjnor, pa të cilin çdo “planifikim” do të dilte i pavlefshëm.
  2. Po abort ke menduar ndonjëherë?

Larg o Zot! Në këtë pikë unë jam një femër tradicionale dhe njëmend e konsideroj abortin si një ndër llojet më të ulëta të krimit. Nuk jam në gjendje as ta imagjinoj se si do të ishte jeta jonë pa njërin nga pesë fëmijët. Makabre.

  1. Sa mendon ta çosh numrin e fëmijëve?

Ndiejmë se e kemi ngarkuar jetën tonë familjare aq sa nuk kemi më mundësi t’u përgjigjemi pa sforco këtyre fëmijëve që kemi. Sepse gjithçka varet nga kushtet ekonomike, niveli i mirëqenies, pikërisht aty ku na lë në baltë realiteti ynë. Në kushte të tjera, si të shoqërive perëndimore euro-amerikane, do ta kishim vazhduar zgjerimin e familjes, ndoshta deri në dyfishim.

  1. Të gjithë fëmijët kanë emra shqiptarë dhe kuptimplotë (e rrallë në ditët e sotme), pse kjo zgjedhje?

Jemi shqiptarë. Kemi një identitet. Duhet të jemi krenarë për këtë identitet, ta mbrojmë e jo ta zhveshim në pikëtakim me botën e huaj. Rrjedhimisht, si prindër që punojmë e krijojmë me lëndën më identitare shqiptare, gjuhën, edhe fëmijët duhet të mbajnë këtë shenjë të identitetit të gjuhës së tyre amtare. Dhe mundësitë për të shprehur emra të bukur shqip, ka sa të duash. Sepse identiteti fillon që tek emri. Shqip, pra, natyrshëm, harmonishëm, bukur e pa komplekse.

  1. “Pas çdo burri të suksesshëm fshihet një grua e fortë”. Si është të jesh gruaja e fortë e një burri të suksesshëm?

Duke qenë se unë jam e përfshirë jo vetëm emocionalisht në aktivitetin krijues të tim shoqi, por edhe profesionalisht, për vetë natyrën e formimit tonë të përbashkët, atëherë shkalla e përfshirjes në mbështetjen e tij është jashtëzakonisht e madhe. Nëse kjo afri “të përbashkëtash” më krijon lehtësi, atëherë karakteri impulsiv e i kreshpëruar i karakterit të Agronit ta bën të vështirë. Tekstet e tij si në prozë, poezi, përkthim, publicistikë etj., kalojnë vetvetiu përmes meje, jo vetëm si lexuesja e parë, por dhe si redaktorja, korrektorja e recenzentja e parë. Dhe duhet fuqi e kthjelltësi argumentuese që bindin, sikundërse dhe besim nga ana e tij, besim të cilin, për fat të mirë, ai e ka pasur gjithmonë. Duhet t’i përshtatem ritmit të tij, që është gjithnjë një ritëm i ethshëm, i lartë, edhe në periudhat më të vështira.

  1. Po marrëdhënia në çift a ka ndryshuar pas ardhjes së fëmijëve?

Si çdo lidhje me një familje të madhe, marrëdhënia jonë në çift ndërkalon nga një cilësi në një cilësi tjetër të re, në akord me rritjen e përgjegjësive dhe përballimin e tyre. Jemi një çift që vështirësitë vetëm se na afrojnë, na bëjnë më solidarë, rrjedhimisht më intimë.

  1. Çfarë prirjesh kanë më shumë fëmijët? A mendoni se kombit po i vjen Agron Tufa Junior?

Secili prej tyre ka karakter të veçantë, të dallueshëm qartë nga tjetri. Unë me shaka them përherë se në shtëpinë time kam 5 universe paralele. Ndoshta është ende herët për të dalluar ndonjë prirje të dukshme (që të mos jetë pasion i përkohshëm), por në këtë fazë të moshës mund të hamendësohen disi. Vesa, për shembull, është tip që i pëlqen të rrijë e veçuar, e patrazuar me fanatizmat e saj, muzikën dhe leximet, ndërsa mezi pret t’i vijë dita kur ka basketboll. Kjo nuk do të thotë se ajo mund të bëhet një basketbolliste e famshme. Sikundërse dhe Shendi, i papërmbajtshëm, i zhurmshëm e hiperaktiv frekuenton futbollin dhe lexon kryesisht enciklopeditë moshore për kuriozitete historike, gjeografike, kafshë, kozmos e shkenca. Bubulina është një “perfeksioniste”, nxënëse e dhjetës, me përgjegjësi dhe e pavarur, thuajse një fëmijë ideal, e cila është përpirë kokë e këmbë në mësimin e pianos, madje me mjaft sukses, aq sa na detyroi të “shtrëngojmë rripin” dhe t’i blejmë piano për ditëlindjen e dhjetë të saj. Niku (Fisniku) është një natyrë e pavarur, skrupuloz, sa i sjellshëm, aq dhe “kryengritës”, me një aftësi të rrallë për të shprehur nuanca të holla të emocioneve të veta. Më i vogli, Agu (Agzoti) është një fëmijë diellor, i cili, siç më duket mua, po shijon gjithë ëmbëlsinë, vëmendjen dhe kujdesin e të tjerëve dhe e reflekton me karakterin lojacak, gjeste e truke të lazdruara, duke ndezur një show gazmor në krejt familjen.
A do t’i ngjajë ndonjëri të atit? Nuk e di kush, nga vajzat apo djemtë. Ndoshta jo në atë kuptim kulturor… nuk është e thënë të trashëgohet dhuntia. Këtë koha do ta tregojë.

  1. Cilat janë planet më të afërta të familjes Tufa?

Ne, siç kemi folur më lart, nuk bëjmë dot plane afatgjata. Duam të ndryshojmë diçka, padyshim. Mendojmë të krijojmë një rregullsi në përmbushjen e detyrimeve javore, që të premteve të largohemi si familje deri të dielën nëpër qytetet shqiptare veri-jug ose Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi. Thjesht, për t’i larguar fëmijët dhe veten nga monotonia dhe për t’i mësuar me lëvizjen.

  1. Po një këshillë për nënat që bëjnë planifikim familjar?

Nëse planifikojnë diçka, duhet ta duan atë, ta dinë se ç’duan e pse e duan dhe, sidomos të jenë realiste të pamëshirshme me veten. Të mos harrojnë për asnjë çast se ku jetojnë, në çfarë kushtesh e me se do të duhet të përballen.

 

Sashenka Ndreka

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*