Shqipja ulet në Angli. Shtrohet në Londër “Sofra e Shqipes” 2017

Për të gjashtin vit radhazi “Art Center Blue Sky” organizon aktivitetin më të rëndësishëm vjetor të tij me spektaklin mbarëshqiptar të pagëzuar me emrin “Sofra e Shqipes”. Ky aktivitet tanimë ka krijuar  identitetin e një sofre bujare, rreth të cilës ka grumbulluar në vite artistët më të mirë të të gjitha trevave, është “shtruar” mes shqiptarëve fillimisht në qytetin e Shkodrës e më pas në Ulqin, Prizren, Athinë e New York, duke krijuar kështu një festë tradicionale në mbyllje të një viti, festë që po kaq tradicionale ka qenë edhe më parë shumë e dashur në Shqipëri. Organizime të tilla kërkojnë gjithmonë një përkushtim, sepse ajo mbanë firmën e një ideatori dhe organizatori të sprovuar, atë të z.Gëzim Brahusha, presidentit të “Art Center Blue Sky” dhe të televizionit “Blue Sky”. Shqipja jonë, krenaria dhe simboli i flamurit tonë, ashtu i lirë dhe krenar për çdo vit fluturon jo vetëm mbi trojet tona, por edhe mbi gjithë rruzullin, duke i ftuar të gjithë shqiptarët kudo që janë, në një sofër ku të festojnë e gëzojnë së bashku. Këtë radhë ajo kishte fluturuar drejt ishullit britanik, për t’u ulur së bashku me bashkëatdhetarët tanë në sofrën që ajo shtroi në mes të Londrës, atje ku komuniteti shqiptar ka vite e vite që jeton e punon. Jemi pra në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, në Londrën historike, buzë Tamizit, atje ku edhe sot i thonë “Mbretëria e Bashkuar”. “Sofra e Shqipes” për një natë pambarim mblodhi gjithë shqiptarët,  por edhe miqt e tyre, duke sfiduar ndoshta edhe evenimente të rëndësishme të anglezëve, siç janë ndeshjet e futbollit, sepse në Fore Street Edmonton, LONDON N9 0PD për një natë çdo gjë ishte shqiptare: Kënga, vallja, muzika, humori e në krye të vendit Flamuri kuq e zi. Ishin në këtë sofër gjigande, në këtë natë të paharrueshme rreth 1000 pjesëmarrës të të gjitha trevave, të të gjitha profesioneve, por mbi të gjitha të të gjitha moshave. U ulën në këtë sofër shqiptarët për të gëzuar së bashku, gra, burra, vajza e djem të rinj, por kënaqësia më e madhe ishte kur shihje edhe gjyshe e gjyshër me nipa e mbesa përdore. “Sofra e Shqipes” i kishte grishur të gjithë në këtë festë të madhe thellësisht shqiptare.

“Art Center Blue Sky” dhe i palodhshmi Gëzim Brahusha së bashku me stafin e tij kishin menduar për çdo detaj, sepse organizimi i një feste të tillë, mijëra kilometra larg atdheut nuk është aspak e lehtë, por ashtu, me krahë të lehtë, siç fluturon shqiponja, ashtu “fluturuan” edhe ata për të realizuar një eveniment të tillë, për t’i treguar botës se ne jemi shqiptarë të lashtë e të rinj, se ne dimë të festojmë në gëzimet tona, dimë të rreshtohemi me të gjithë popujt e Europës dhe të tregojmë se jemi pjesë e saj.

“Sofra e Shqipes”, pra ky spektakël madhështor u hap me Himnin tonë Kombëtar, madhështia e të cilit elektrizoi qiellin e Londrës dhe për një natë çau mjegullën dhe smogun e saj, duke sjellë një copëz qiell të pastër mbushur me yje nga Shqipëria jonë. Këngët, muzika, interpretimi dhe çdo element tjetër i këtij spektakli e tundën këtë natë të magjishme. Libreti i këtij koncerti u përgatit nga poeti dhe publicisti shkodran Ramazan Çeka. Si një zonjë shtëpie, ikona e televizionit shqiptar Silvana Braçe, moderatore dhe prezantuese e kësaj sofre i ftoi të gjithë të pranishmit të kalonin një natë të këndshme, një natë ku as ora e madhe e “Big-Bangut” të mos kishte vlerë, por vlerë të kishte qejfi që kishte mbledhur së bashku këta vëllezër dhe motra.  Në këtë skenë u ngjitën me radhë këngëtarë të ardhur nga Shkodra, Dukagjini, Tropoja, Kukësi, Tirana, Vlora, Mitrovica, Kosova e Diaspora, me pjesëmarrjen e këngëtarëve Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh”, Maya Alickaj, Alma Velaj, Elisabeta Marku, Eli Malaj, Donika Ndrecaj, Prek Mrishaj, Gazmend Kelmendi, Gëzim Zefi, etj. Secili prej tyre u ngjit në skenë me shumë emocion, por secili prej tyre solli emocinet më të mëdha për ata që ishin të pranishëm.

Zërat e mrekullueshëm të këngëtareveMaya Alickaj, Alma Velaj, Elisabeta Marku, Eli Malaj, etj. elektrizuan gjithë sallë, duke krijuar padashje një kor madhështor me këngët e bukura shqiptare e për të ardhur në një nga momentet më kulminante, kur në skenë u ngjit “Mjeshtri i Madh” i këngës Bujar Qamili, i cili kishte zgjedhur për këtë natë një repertor shumë të larmishëm, duke performuar këngë nga Jugu në Veri, e duke e bërë “Sofrën e Shqipes” të tillë, mbarëkombëtare. Orkestra e drejtuar nga Engjëll Çuli shoqëroi këngëtarët pjesëmarrës, të cilët korrën duartrokitjet e publikut të mrekullueshëm në sallë.

Iniciativa e gjithë viteve më parë nga “Art Center Blue Sky” tanimë nuk është e tillë, por një organizim artistik, i cili nga viti në vit bëhet më i dashur, më popullor, duke marrë kështu edhe vlerat e një tradite të re, por shumë të vlefshme për të gjithë shqiptarët, e në mënyrë të veçantë për brezat e ri, e deri tek fëmijët që pak ose aspak nuk i njohin traditat tona. Në këtë kontekst unë kam të drejtën të them dhe të lavdëroj punën e kësaj qendre kulturore “Art Center Blue Sky”, pasi me punën e saj anashkalon çdo vlerë apo përfitim komercial, sepse mbi të gjitha me anë të kësaj sofre sjellë anë e kënd botës mesazhin e bashkimit. Siç e përmendëm edhe më lart, kjo sofër është shtruar me artistë e këngëtarë edhe në vende të tjera me një pjesëmarrje dhe interesim shumë të gjërë të bashkëatdhetarëve tanë, por Sofra e Londrës këtë radhë i kalonte të gjitha, sepse në këtë festë, në këtë sofër të radhës, ishin tubuar mbi 1000 vetë, një numër që tregonte jo vetëm interesimin, por dëshirën e madhe për t’u mbledhur një natë së bashku, për të kënduar një natë së bashku, për të festuar një natë së bashku, për të valvitur flamurin tonë të gjithë së bashku.

Nuk ka asgjë të çuditshme në qoftë se evenimente të tilla nuk i organizon në këto formate shteti, por në këtë sofër edhe shteti shqiptar, që natyrisht i përkrah, do të ishte i pranishëm, por një meritë të veçantë në realizimin e këtij aktiviteti, me kujdesin e tij të drejtpërdrejt, ka deputeti i Qarkut të Shkodrës z.Luan Harusha. Numri jashtëzakonisht i madh i artistëve pjesëmarrës, programi shumë i pasur me këngë e këngëtarë nga të gjitha trevar e vendit, si dhe pjesëmarrja mjaft e gjërë e përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar i dhanë këtij eventi përmasat e duhura, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje. Për këtë veprimtari sa të vlefshme aq dhe patriotike, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër, me ambasador z.Qirjako Qirko, i dhanë televizionit “Blue Sky” me president z.Gëzim Brahusha, “Mirënjohje dhe vlerësim për organizimin e eventit kulturor “Sofra Shqiptare” në Londër”.   Në fjalën e tij z.Qirko ndër të tjera tha: “Vetëm ai që jeton jashtë e kupton sa mall ke të dëgjosh të flitet shqip, të dëgjosh të këndohet shqip, aq më shumë kur këto këngë vijnë nga zërat virtuozë të këngëtarëve më të mirë shqiptarë, dhe për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës”.

Një falenderim të veçantë, duke i uruar z.Brahusha suksese në aktivitetine tij profesional, ai bëri edhe për të gjithë sponsorët, pa kontributin e të cilëve nuk do të ishte i mundur realizimi i këtij eventi, duke shpresuar se në të ardhmen do të organizojnë së bashku aktivitete të ngjashme për të promovuar kulturën e lashtë shqiptare dhe vlerat tona kombëtare. Ky vit po mbyllet dhe shqipja që shtron këto sofra diçka ka menduar edhe për vitin e ardhshëm e vite të tjera që do vijnë. Të shohim edhe presim ku ka menduar ta shtrojë sofrën tjetër.

Ndoshta në…

   Dhjetor 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights