Shkodra, nje nga bukurite shqiptare
3 min read
KANGA E RINISË
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. – Migjeni
Shko Dallëndyshe,
Filip Shiroka
Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!
Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!
T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…
Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…
Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue,
ti dallendyshe, veshun në zi,
ti aty pra qaj për mue,
me nj’at za t’përmallshëm shqim,
kangën tande për vajtim!
SHKODRËS SIME
Kur krijoi zoti boten
T’parin vend krijoi Shkodren
Bashk’ me diell e bashk’ me han’
T’paren her’ bani kalan’
K’tu ka lind kanga, humori
K’tu të bajn’ me qesh me zori
Porsa lind fëmia k’ndon
K’tu kurr qejfi nuk mbaron
Plot freski rrethu prej ujit
K’tu buron urtia burrit
Dy mij’ vjet në kët’ qytet
Shkodran bahesh qysh në djep
Drandofil e fasligen
L’shojn’ aromen mbi liqen
Si dy njerz që përqafohen
Drini, Buna k’tu bashkohen
K’tu rriten vajzat për nuse
Të flladitna nëpër puse
Me virtyt e me pashi
I rrit’ Shkodra djemt e ri
Kur vijnë festat varg e vi
Për krishtlindje e vit t’ri
Për Bajram edhe për Pashkë
Mblidhen tan’ e festojn’ bashkë
Qysh n’Kosov’ der’ n’Labëri
Tan’ shqiptar’t bajnë histori
Por gjithkush me Shkodren mburret
Për gjithkend asht djep kulturet
Ramazan Çeka