Receta shqiptare për reçelra dhe gliko me fruta.

Është vjeshtë dhe pemët e ngarkuara me fruta nëpër ferma dhe vreshta na ftojnë që të kujtojmë glikotë, reçelërat dhe shurupet e nënave tona.  Im bir shëtit nga pema në pemë dhe unë mbush çantën me kumbulla, dardhë dhe mollë që t’i bëj reçel kur të arrij në shtëpi.

Po ndaj me ju disa nga recetat e përcjella tek unë: 

Gliko  me rrush 

1 kg rrush

1 kg sheqer 

Pak limontoz ose lëng limoni 

 

Rrushi zgjidhet me kokrra të mëdha, i fortë dhe pa fara. 

Lahet me ujë të bollshëm dhe çdo kokërr pastrohet nga cipa dhe nga ndonjë fare, duke i hedhur  në ujë të valuar dhe pastaj duke i kaluar menjëherë në ujë të ftohtë.

Vëmë në zjarr sheqerin me 200 gr. ujë dhe e valojmë që të bëhet shurup. 

Në të hedhim kokrrat e rrushit të kulluara nga uji dhe i lëmë të valojnë përsëri deri sa shurupi të bëhet i trashë. 

Gliko me fiq

 

Fiq  1 kg

Sheqer 1.3 kg

Ujë  300 gr

Cipë limoni

Vanilje

 

Fiqtë zgjidhen të fortë dhe të plotë. Me një thikë u heqim bishtin, pak nga lëkura dhe i hedhim në ujë të ftohtë me akull. Pasi t’i kemi mbaruar të gjithë fiqtë, ua heqim ujin dhe i lëmë të kullojnë. 

Në një tenxhere ziejmë 600 gr. sheqer dhe 300 gr. ujë dhe e lëmë në zjarr deri sa të bëhet shurup. Hedhim fiqtë brenda dhe përzierjen e lëmë të marrë valë. Cilin zjarrin, hedhim një grusht sheqer sipër dhe i lëmë në qetësi për 10-12 orë.

Përsëri e ziejmë dhe pastaj e lëmë për 24 orë që të thithë gjithë shurupin.

Të nesërmen i shtojmë shurupin tjetër, të cilin e kemi bërë të trashë, sikur për glikotë e tjera, dhe i përziejmë bashkë, duke i dhënë disa valë. Shërbehet i ftohtë.

 

Gliko me trëndafila 

 

Sheqer  1 kg

Petale trëndafili

Ujë 1 litër 

Limontoz 1 gr 

Ngjyrë e kuqe  disa pika 

 

Zgjidhen petalet e trëndafilave të kuq me aromë dhe i shpëlajmë me ujë të ftohtë.

Në një enë bëjmë shurupin me ujin dhe sheqerin dhe e lëmë të marrë disa valë.

Shtojmë petalet, limontozin, disa pika të kuqe dhe e ziejmë deri sa të trashet shurupi.

E lëmë të ftohet dhe e hedhim në kavanoz.

Reçel me qershi

 

Qershi         1000 gr

Sheqer.         700 gr 

 

Qershitë i lajmë me ujë të ftohtë; u heqim bishtat dhe bërthamat dhe pastaj i ziejmë sa të zbuten pak. 

Më pas i kullojmë dhe i vëmë në zjarr të valojnë së bashku me lëngun e tyre të mbledhur nga greqja e bërthamës, sheqerin dhe i lëmë të valojnë deri sa të trashet shurupi.

Nëse shurupi nuk ka ngjyrë të bukur, mund të shtohen disa pika ngjyre të kuqe.

Reçel me kumbulla 

 

Kumbulla       1000 gr.

Sheqer           1000gr

Vanilje             Një paketë

 

Kumbullave të sapo lara, u heqim bishtat, i presim me thikë në mes, duke i ndarë më dysh dhe duke u hequr bërthamat.

I vëmë në zjarr të valojnë së bashku me sheqerin, duke i përzier herë pas here që të mos ngjiten, deri sa shurupi të trashet dhe të ëmbëlsohet.

Para se ta largojmë nga zjarri, i hedhim vanilje dhe e lëmë të ftohet.

Reçel me kungull 

 

Kungull          1000 gr

Sheqer.           1000 gr

Ujë.                 300 gr 

Vanilje 

 

Ky reçel mund të perdoret edhe si ëmbëlsirë më vete, nëse zbukurohet me një thalb are, mbi një lugë të vogël gjalpi të ëmbël.

Kungullin e pastruar nga lëkura dhe farat i presim në copa, ne forma të ndryshme, sipas dëshirës dhe i vendosim në ujë me gelqere për rreth një orë.

Në një enë, ku kemi sheqerin me ujin të bërë shurup, shtojmë copat e kungullit dhe i lëmë të valojnë deri sa të trashet shurupi. 

Në fund i shtojmë vaniljen dhe e lëmë të ftohet. 

 

Brunilda Banushi

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*