Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, ndër institucionet më të besueshme në vend

Bisedë me z. Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës

I zgjedhur si një nga institucionet më të besueshme nga qytetarët, Policia e Kosovës është edhe ndër më të suksesshmet në rajon, pavarësisht se është në shërbimin e njërit nga shtetet më të reja në botë. E krijuar menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Policia e Kosovës tashmë ka kaluar sfidat e shumëfishta dhe ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit, duke treguar rezultate të suksesshme në garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ulja e ndjeshme e vrasjeve në vend, luftimi i suksesshëm i grupeve kriminale dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kontrollet e shtuara dhe ulja e numrit të aksidenteve të trafikut, janë disa nga sukseset e saj. Lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit ka qenë ndër më të suksesshmet vitin e fundit, me Policinë e Kosovës që ka arritur të detektojë dhe të parandalojë disa raste të veprimeve ekstremiste, përfshirë këtu edhe një plan për sulm në ndeshjen Shqipëri-Izrael gjatë muajit nëntor 2016.

Sigurisht se brenda këtij institucioni ka ende vend për përmirësim, por kësaj here do të përqendrohemi më shumë për arritjet dhe rezultatet pozitive të saj. Gjatë kësaj bisede të hapur me zëdhënësit e Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, në mesin e shumë temave të tjera kemi diskutuar edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, dhunën familjare dhe parandalimin e saj, si dhe arritjet në luftën kundër terrorizmit.

Siguria familjare/Parandalimi i dhunës familjare.

Kemi parë shumë fushata sensibilizuese kundër dhunës në familje nga shumë institucione. Sa është e pranishme dhuna familjare në Kosovë?

Daut Hoxha: Policia e Kosovës duke vlerësuar rolin e familjes në shoqëri, respektimin dhe garantimin e të drejtave njerëzore pa dallim, një qasje mjaft aktive i ka kushtuar edhe ngritjes së nivelit të profesionalizmit të zyrtarëve policorë edhe në fushën e trajtimit dhe hetimit të rasteve të dhunës në familje. Ne në kuadër të strukturës organizative të Policisë duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai lokal, pra edhe nëpër stacione policore kemi zyrtarë policorë të trajnuar, të cilët në mënyrë specifike trajtojnë rastet e dhunës familjare apo punojnë në vazhdimësi në parandalim të rasteve të tilla.

Policia e Kosovës ndaj kësaj dukurie (dhunës në familje) ka qasje apo ndërmerr veprime si në aspektin aktiv, por edhe atë proaktiv apo parandalues.

Siç e potencuat ju në fillim, Policia e Kosovës me njësitet kompetente që trajtojnë dhunën në familje ka zhvilluar një sërë aktivitetesh apo fushatave senzibilizuese deri te ligjërimet nëpër shkollat e vendit lidhur me rolin dhe rëndësinë e ngritjes dhe zhvillimit të një familjeje të shëndoshë, masat që parasheh ligji në rast cenimi të të drejtave familjare e të tjera.

Shumë familje (veçanërisht gratë e dhe fëmijët) ngurrojnë të raportojnë. Sa kanë ndikuar fushatat sensibilizuese në vetëdijësimin e popullatës?

Daut Hoxha: Rastet e dhunës në familje sikur në vendet e tjera edhe në vendin tonë janë të ndjeshme dhe duhen trajtuar me kujdes dhe profesionalizëm të madh.

Në të kaluarën ka pasur hezitim në raportimin e rasteve të dhunës në familje pra rastet nuk janë raportuar shumë, por nga viti në vit sipas statistikave numri i rasteve të raportuara ka shënuar një rritje, por kjo nuk do të thotë se kemi rritje të dhunës, por vetëm vetëdijesim në raportim apo lajmërim të dhunës familjare.

Policia, në bashkëpunim edhe me aktorët apo institucionet e tjera që kanë ndikim dhe rol në vetëdijesimin e qytetarëve, në vazhdimësi ka realizuar fushata të ndryshme, të cilat kanë arritur efekte pozitive në këtë aspekt.

A është e lehtë mënyra e raportimit dhe si duhet të veprojë një person i cili ndien dhunë familjare? Si vepron policia e Kosovës në raste të tilla?

Daut Hoxha: Policia ka krijuar parakushte sa më të lehta për qytetarët që të arrijnë apo të kenë qasje sa më të lehtë dhe më të shpejtë të raportojnë rastet kur ata ndihen të kërcënuar ose u cenohen të drejtat e tyre qoftë familjare ose të tjera.

Çdokush që ka nevojë për asistencë policore ka në dispozicion numrin e telefonit pa pagesë, që mund të thërrasë policinë 24 orë në ditë, apo të paraqitet në stacionin më të afërt policor ku ndërmerren veprime konkrete sipas procedurave dhe ligjeve të aplikueshme.

Shkalla e besueshmërisë

Policia e Kosovës është renditur ndër më të besuarat në rajon dhe është institucioni më i besueshëm në vend sipas disa studimeve. Çfarë e bën institucionin tuaj të suksesshëm në këtë drejtim?

Daut Hoxha: Duke marrë në konsideratë krijimin apo themelimin e Policisë së Kosovës, në shtator të vitit 1999 (atëherë Shërbimi Policor i Kosovës), filloi rekrutimi dhe seleksionimi i kandidatëve të rinj për zyrtarë policorë duke u bazuar në principe dhe standarde të shteteve më të zhvilluara mike, për të themeluar Policinë si një institucion i zbatimit të ligjit dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, si dhe në vazhdimësi duke aplikuar metoda të avancuara të trajnimeve për zyrtarët policorë si brenda dhe jashtë vendit.

Nëpër vite, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të zyrtarëve policorë, bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarë, Policia e Kosovës arriti ta mbajë dhe kultivojë primatin si një nga institucionet më të besueshme, më transparente dhe më profesionale në këtë pjesë të rajonit. Vlerësime të tilla afirmative për Policinë e Kosovës janë dhënë si nga mekanizma vendorë edhe nga ata ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës besueshmërinë ka arritur ta fitojë falë profesionalizmit të zyrtarëve të saj, bashkëpunimit që ka pasur dhe ka me qytetarët e Republikës së Kosovës në çdo aspekt, transparencës së treguar me mediat dhe opinionin në përgjithësi lidhur me aktivitetet policore dhe çështjet e tjera në interes të përbashkët. Pretendojmë që këtë besim të qytetarëve tanë ta ruajmë dhe kultivojmë me përkushtim edhe në të ardhmen.

Sa bashkëpunues janë popullata me policinë dhe anasjelltas? Pra, çfarë po bëhet që popullsia të bashkëpunojë me policinë dhe t’i besojë asaj?

Daut Hoxha: Mund të them që bashkëpunimi qytetar-polici dhe anasjelltas është i shkëlqyeshëm dhe ne për të avancuar këtë bashkëpunim edhe më tej i referohemi qëndrimit se policia është populli, populli është policia! Qytetarin e Republikës së Kosovës e kemi partnerin kryesor dhe gjithnjë do t’i shërbejmë me nder dhe profesionalizëm.

A organizoni trajtime për policët se si ata të trajtojnë masën, në veçanti fëmijët, me qëllim që këta të ruajnë besimin dhe t’i vlerësojnë ata dhe të ndiejnë siguri?

Daut Hoxha: Policia e Kosovës bën vlerësime të vazhdueshme të nevojave të trajnimeve për zyrtarët policorë dhe ka strategji të trajnimeve përmes së cilës trajnon zyrtarët e vet brenda dhe jashtë vendit në të gjitha fushat e nevojshme duke përfshirë edhe trajnimet që kanë të bëjnë me raportet me komunitetin dhe me trajtimin e fëmijëve në veçanti.

A ka evente ku policia për shembull viziton shkollat për të krijuar afërsi me fëmijët dhe të rinjtë? Nëse po, çfarë diskutohet në to dhe çfarë pyetjesh interesante merrni nga fëmijët?

Daut Hoxha:  Duke u bazuar në nevojën e vetëdijesimit të të rinjve, respektivisht nxënësve, për t’u informuar lidhur me pasojat nga veprimet e kundërligjshme, policia realizon ligjërata nëpër shkolla fillore dhe të mesme ku diskutohen, çështje të parandalimit të dukurive negative, pasojat që vijnë si rezultat i keqpërdorimit të internetit, pasojat nga përdorimi i substancave narkotike, delikuenca e të miturve e deri te parandalimi i rrezikut në trafikun rrugor.

Prania e terrorizmit në Kosovë

Kosova, së fundi ka qenë e përfolur edhe në mediat botërore për shkak të një numri të qytetarëve të përfshirë në luftërat në Lindjen e Mesme, saktësisht bashkimin e tyre me Shtetin Islamik. Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione ndaj personave të tillë. Sa efektive ishin ato?

Daut Hoxha: Edhe vendi ynë është prekur nga ndikime të zhvillimeve të tilla ku ideologji të ndryshme janë përplasur në përpjekje për të dominuar mbi njëra-tjetrën dhe se konfliktet e zhvilluara në botë kanë elektrizuar edhe elemente të caktuara ekstremiste në vendin tonë për t’u përfshirë në nxitje dhe mbështetje të organizatave të ndryshme edhe ato terroriste, gjoja në përhapjen e kauzave apo ideologjive të ndryshme.

Policia e Kosovës ka përcjellë me vëmendje këto zhvillime dhe ndërlidhjen e tyre me situatën e përgjithshme të sigurisë, si dhe ka pasur një bashkëpunim dhe rol reciprok edhe me aktorët e tjerë relevantë ku veprime konkrete janë ndërmarrë në parandalimin dhe reduktimin e përhapjes së ideologjive ekstremiste, si dhe izolimin e elementeve propagandistike të tyre. Profesionalizmi i shfaqur nga institucionet e sigurisë, toleranca, bashkëpunimi me qytetarë dhe me aktorë të tjerë me ndikim është avantazh që vendin tonë e radhit si të suksesshëm në luftën kundër terrorizmit.

Policia ka ndërmarrë veprime aktive dhe ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm në adresimin e kësaj problematike dhe aktivizimin e aktorëve të tjerë në funksion të përmirësimit të gjendjes së përgjithshme të sigurisë.

A ka rrezik nga akte terrorizmi brenda Kosovës dhe sa e gatshme është policia e Kosovës të përballet me situata të tilla? Nga mund të vijnë kërcënimet më të mëdha për qytetarët e Kosovës në aspektin e terrorizmit, nga brenda apo jashtë saj?

Daut Hoxha:  Sikurse edhe vendet e tjera me kapacitete dhe mekanizma të zhvilluar të sigurisë, as vendi ynë nuk mund të jetë plotësisht imun ndaj kërcënimeve të paparashikueshme terroriste, megjithatë organet tona të sigurisë kanë arritur që të menaxhojnë dhe mbajnë nën kontroll elementë, të cilët janë vlerësuar se janë potencialisht të ndërlidhur me individë apo celula terroriste dhe bazuar në situata evidente janë shënuar edhe raste konkrete të parandalimit të veprimeve terroriste që mund të kishin rezultuar me pasoja të paparashikueshme.

Prania e femrave në policinë e Kosovës

Femrat janë në shkallë të lartë të pranishme në policinë e Kosovës. Keni statistika për numrin e femrave të përfshira në polici dhe sa të suksesshme janë ato në këtë punë, që shpesh identifikohet si punë për meshkuj? Në cilat reparte janë më shumë të angazhuara femrat dhe a ka femra edhe në pozita udhëheqëse të policisë?

Daut Hoxha:  Ne në kuadër të strukturimit tonë organizativ një hapësirë mjaft të rëndësishme i kemi lënë edhe inkuadrimit dhe avancimit profesional të gjinisë femërore dhe në këtë kontekst jemi në hap me vendet më të zhvilluara për të mos të thënë qëndrojmë më mirë se shumë vende të tjera në rajon.

Në Policinë e Kosovës që tani numëron mbi  8900 punonjës janë të inkuadruara mbi 1200 punonjëse femra, të cilat kanë rol dhe pozita udhëheqëse që nga niveli lokal, në pozita si komandant stacioni policor, drejtor rajonal, njësite të specializuara e deri në pozita më të larta ku udhëheqin drejtori e divizione specifike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Femrat në Policinë e Kosovës kanë arritur suksese të mira dhe kanë qenë dhe mbesin një mbështetje e pazëvendësueshme në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që kemi ndaj komunitetit.

Policia dhe grupet e ndryshme etnike

A janë të gjitha grupet etnike pjesë e policisë së Kosovës?

Daut Hoxha:  Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila duke u bazuar në përqindjen e popullatës dhe etniteteve që jetojnë në Kosovë dhe sipas standardeve më të larta, ka në përbërjen e saj të gjitha etnitetet e zyrtarëve në mënyrë që të kemi një shërbim sa më efektiv dhe efikas. Në Policinë e Kosovës rreth 17% e punonjësve policorë përfshijnë etnicitetet e tjera, të cilat kryejnë detyrat dhe autorizimet ligjore.

Policia e Kosovës duket se është më tolerante me qytetarët serbë se ata shqiptarë. Ka të vërtetë në këtë supozim?

Daut Hoxha:  Detyrat dhe autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj të gjithë trajtohen njësoj para ligjit. Pra, siç edhe ju e quajtët, ky vetëm mbetet si një supozim.

Sa kontroll ka policia në komunat serbe brenda Kosovës? A po arrihet të kontrollohet gjithçka dhe a po pengoheni nga banorët e këtyre zonave?

Daut Hoxha: Policia e Kosovës ka një strukturë unike komanduese në tërë territorin e vendit dhe detyrat dhe përgjegjësit realizohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës bazuar në ligjet e aplikueshme.

Vjedhjet dhe aksidentet e trafikut

Për disa dukuri, policia duket e papërgatitur t’i luftojë. Rastet e vjedhjeve, edhe pse janë pakësuar, janë të pranishme dhe po mbyllen me shumë pak sukses. Flasin kështu edhe statistikat tuaja?

Daut Hoxha: Përveç mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike ne jemi të angazhuar edhe në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative dhe veprave të tjera penale ku përfshihen edhe vjedhjet e që kanë ndikim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Përveç punëve hetimore dhe operative ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme edhe në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve tanë dhe pavarësisht shqetësimeve që ngrihen për dukuri të tilla policia ka arritur suksese të prekshme në parandalim dhe jemi duke punuar në vazhdimësi edhe me komunitetin që të kemi sa më pak raste që paraqesin shqetësim për ta.

Aksidentet e trafikut janë të shumta dhe nga kërcënuesit më të mëdhenj të jetëve për kosovarët. A është shumë tolerante policia e Kosovës me vozitësit?

Daut Hoxha:  Policia e Kosovës është e përkushtuar në krijimin e një ambienti sa më të sigurt në trafikun rrugor, dhe mund të them se pas aprovimit të ligjit të ri për trafikun rrugor nga data 20.09. 2016, janë në proces masa të vazhdueshme operacionale policore.

Në përgjithësi, pas implementimit të ligjit të ri vërehet një vetëdijesim më i madh i shoferëve në trafikun rrugor dhe në veçanti në respektimin e kufizimit të shpejtësisë, por edhe shmangien nga kundërvajtjet e tjera.

Nga të dhënat statistikore për periudhën e njëjtë kohore njëmbëdhjetëmujore të vitit të kaluar (2015) krahasuar me periudhën e njëjtë të këtij viti (2016), vërehet ulje e aksidenteve, kryesisht tek ato me fatalitet që po ashtu ka qenë edhe objektiv i policisë.

Korrupsioni

Korrupsioni është një dukuri shumë negative në të gjitha sferat e jetës në Kosovë. Në çfarë mënyre luftoni përfshirjen e korrupsionit në Policinë e Kosovës dhe cilat janë ndëshkimet për policët që kapen duke u korruptuar?

Daut Hoxha:  Policia e Kosovës po punon me intensitet të madh në parandalimin dhe luftimin edhe të veprave penale që ndërlidhen me korrupsionin dhe që janë të specifikuara në Kodin Penal të RKS-së.

Policia e Kosovës me njësitë apo drejtoritë kompetente që trajtojnë këtë problematikë dhe në bashkëpunim edhe me departamentet dhe agjencitë e tjera relevante shtetërore, Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë veprime konkrete ku edhe janë shënuar rezultate konkrete.

Rastet e natyrave të tilla korruptive pavarësisht a iniciohen nga zyrtarët kompetentë, palë të ndryshme ankuese apo të tjerë, policia i trajton me seriozitet të madh dhe veprime të vazhdueshme ligjore ndërmerren në koordinim në funksion të garantimit të zbatimit të ligjit. Masa ligjore ndërmerren ndaj të gjithëve pa dallim dhe pavarësisht se çfarë roli apo funksioni kryejnë. Nuk do të lejohet që individë të caktuar ta zbehin apo lëndojnë imazhin e shkëlqyer të Policisë që kemi krijuar ndër vite me shumë mund dhe sakrificë.

Jaser Veseli

Back to top button
Verified by MonsterInsights