Njohja e të drejtave të fëmijëve nga Konventa nërkombëtare

Avv. Danaida Delaj 

Njohja e të drejtave të fëmijëve nga Konventa Internacionale.

Çdo fëmijë ka nevojë për një familje, për shkollim, të luajë, por mbi të gjitha, ka nevojë për respekt dhe dashuri. Ai ka nevojë gjithashtu të ketë në dispozicion kohën e nevojshme për t’u rritur. Të drejtat e fëmijëve janë të drejta elementare, të cilave u duhet dhënë rëndësi jo vetëm në sistemin e vlerave juridike, por dhe në çdo ambient shoqëror, në të cilin personaliteti i tij vepron dhe formohet. Bota është ndërgjegjësuar për këtë, sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit,dhe për këtë arsye e drejta ndërkombëtare është akoma një shkencë në zhvillim e sipër. Kuptohet lehtë që situata nuk është më premtuese në nivel kombëtar, ku sidomos në disa shtete, të drejtat e fëmijëve deri tani janë njohur vetëm formalisht dhe duhet akoma shumë punë që ato të zbatohen konkretisht. Në këto vende marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara vazhdojnë të injorohen, duke bërë që me miliona fëmijë të jetojnë pa të drejtat e tyre themelore. Deri pak vite më parë, nga ana ligjore, fëmija nuk kishte një status të caktuar, por konsiderohej si një qenie në progres, e cila duhej akoma të formohej, e kështu dhe të drejtat e tij shiheshin në lidhje me zhvillimin dhe jetën e tij të ardhshme.

Kuptohet lehtë që kjo është diçka e gabuar, pasi jeta e çdo personi është mbi të gjitha jeta e tij e tanishme. Pranimi i të drejtave që në fëmijëri e ndihmon të miturin, që nesër të jetë një i rritur më i përsosur, e sidomos, i vetëdijshëm ndaj rolit të tij në një kontekst të caktuar shoqëror.

Të drejtat e fëmijëve, ku është bota?

Bota është e madhe për të qenë homogjene, sidomos mbi të drejtat e fëmijës. Vihet re që asnjë vend nuk është i përsosur në këtë sektor. Vende të ndryshme i kanë dhënë një interpretim në mënyrën e vet temës mbi të miturin. Shtetet e Bashkuara, për shembull, janë një hap më para, sepse e kanë vënë në fokus konceptin e interesit superior të fëmijës. Kjo do të thotë që çdo dyshim interpretativ në lidhje me të drejtat e të miturit, do të zgjidhet duke i dhënë përgjigje pyetjes se mesiperme! Përveç rëndësisë së këtij rregulli para organeve gjyqësore, kjo duhet të jetë dhe linja që të rriturit duhet të aplikojnë në çdo rast kur bien në kontakt me një të mitur, pasi fëmija është një qenie e brishtë që mbart në vetvete një botë shpirtërore akoma të paprekur. Prandaj kjo pasuri duhet trajtuar me delikatesën më të madhe, pa manipuluar e prishur brishtësinë karakterizuese, por duke respektuar natyrën dhe prirjet e tij, që ai nesër të jetë një i rritur që di të respektojë botën që e rrethon, gjithashtu dhe të vegjlit që do të vinë më pas. Ndërsa Europa Veriore sheh të drejtat e fëmijës në lidhje me familjen në të cilën ai jeton, duke përcaktuar se mjedisi perfekt për rritjen e tij është çdo familje ku ka dashuri dhe respekt mes partnerëve, Europa Jugore në të kundërt, ka akoma shumë punë për të bërë në lidhje me të drejtat e fëmijëve, pasi varfëria dhe kultura e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë negativisht në këtë fushe, saqë shpesh garantimi i të drejtave ka nevojë për ndërhyrjen e sistemeve sociale, që dhe ato janë akoma shumë të dobëta. Situata është dhe më e prekshme në kontinentet e tjera ku lufta dhe varfëria mbizotërojnë. Në këtë kontekst ka lindur ideja e një konvente e të drejtave të fëmijës (Convention on the Rights of the Child) e aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 20 nëntor të vitit 1989, datë kjo që shënon dhe ditën ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.

Cilat janë të drejtat e fëmijëve?

Rëndësia e kësaj konvente qëndron në faktin se ajo është fryt i përvojës kulturore dhe juridike të shumë shteteve, por çfarë është akoma dhe më e rëndësishme, eshte se ajo përmbledh për herë të parë të drejtat themelore që çdo fëmijë i botës duhet të gëzojë. Është një ndër konventat me më shumë pranime, pasi ka 196 shtete të anëtarësuara, të cilat e njohin si pjesë normative të zbatuar. Është e përbërë nga 54 nene dhe tri protokolle shoqëruese, ku pjesa e parë u dedikohet parimeve dhe të drejtave, ndërsa e dyta trajton situatat më dramatike që fëmijët mund të përjetojnë, si lufta dhe abuzimi seksual. 2 Në bazë të principeve themelore, së pari, të miturit duhet të gëzojnë të drejtat e tyre pa dallim race, gjinie, gjuhe, feje, opinioni, qoftë ai i fëmijës ose i prindit të tij.

Le të japim një shembull praktik: sot shumë fëmijë shqiptarë rriten nëpër vende të ndryshme te botes dhe në bazë të këtij principi atyre duhet t’u garantohen të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë fëmijëve të tjerë të vendit ku ata jetojnë, pa bërë dallime që nuk kanë si qëllim një integrim më të shpejtë në kontestin shoqëror të fëmijës. Shkolla të disa shteteve, në cenim të dukshëm me këtë parim, kanë parashikuar themelimin e klasave ekskluzive për të huaj. Lind nevoja në këto raste që të kërkohet ndërhyrja e organeve kompetente, të cilat duhet t’u japin fund këtyre masave diskriminuese.

Së dyti, atyre duhet t’ju garantohet që në çdo situatë, qoftë dhe ato familjare (diskutim i prindërve mbi metodën edukative, adoptim, birësim i përkohshëm, ndarje ose divorc i prindërve, proces penal kundër minorenit etj.) vendimet duhet të merren duke pasur parasysh interesin parësor të tij, në mënyrë që t’i jepet prioritet kujt nuk ka arritur akoma pjekurinë e duhur për të ushtruar në mënyrë vetjake të drejtat e tij.

Së treti, shtetet duhet të investojnë në mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Së katërti, ajo çfarë është dhe më delikate, pasi kërkon vlerësim psikologjik të fëmijës, të miturit duhet të interpelohen drejtpërdrejt në çdo proces vendimor që ka lidhje me ta. Fëmija gëzon të drejtën për të jetuar, për të pasur një emër, një nënshtetësi, të rritet me prindërit, të shprehë lirshëm mendimin e tij, opinionin dhe të jetë i informuar mbi gjërat që i përkasin. Gjithashtu gëzon dhe të drejtën për shkollim: fëmija ka të drejtë të kuptojë botën që e rrethon, të studiojë e të shpresojë në një të ardhme ndryshe. Ka të drejtë të ëndërrojë e të fantazojë, ashtu si ka të drejtë të luajë e të jetojë dhe me fëmijët e tjerë. Ka të drejtë të ketë dhe një identitet të vetin, si rrjedhim dhe të zgjedhë të rritet me ide ndryshe nga ato të njerëzve që e rrethojnë. Thelbësore është dhe e drejta për të gabuar: një fëmijë mundet dhe duhet të gabojë, sepse vetëm kështu ai rritet. Kush i qëndron afër duhet ta ndihmojë që të kuptojë, por s’duhet ta qortojë pa kriter dhe sidomos pa kuptuar gjendjen shpirtërore dhe qëllimet e tij. Kjo vlen për të gjithë: familjen, shkollën, drejtësinë. E gjitha kjo s’do të thotë që të rriturit duhet të 3 zbatojnë çdo gjë që fëmija thotë, por që ata së pari duhet t’i shpjegojnë fëmijës në gjuhën e thjeshtë që ai kupton objektin e diskutimit, të stimulojnë opinionin e tij e pastaj të vendosin, duke i dhënë dhe kohën që atij i duhet për të menduar e formuar një opinion.

Të drejtat e fëmijës kanë një çmim. Cilat janë përgjegjësitë tona?

Bota është shumë e madhe e fëmijët janë kaq të vegjël… Në fakt, kam opinionin se, nëse një fëmijë mund të zgjedhë vendin ku të lindte, ekzistojnë vende ku të lindesh e rritesh është pa diskutim më mirë se në disa të tjera… Pa dyshim të drejtat e fëmijëve kanë një zbatim më konkret në botën perëndimore, pasi varfëria e vendeve të tjera ndikon negativisht në mbrojtjen e të drejtave. Në vendet e varfra të drejtat themelore, si ajo për shkollim e kura mjekësore, nuk janë akoma të mbrojtura, ashtu si në disa vende të tjera, nuk mund të flitet akoma për liri fetare, për lirinë e zgjedhjes së identitetit gjinor etj. Për fat të keq, kriza ekonomike ka lënë gjurmët e saj dhe në perëndim, e në nje bote jo perfekte si ajo e jona, për një fëmijë, varfëria e familjes shpesh shndërrohet në më pak të drejta për të. Siç e dimë, gjërat nuk janë akoma ashtu siç duhet të jenë. Përkundrazi, ka probleme të ndryshme akoma për t’u zgjedhur, në lidhje me të drejtat e fëmijës. Por ajo çfarë është e rëndësishme se familjet për sa vështirësi kanë përballuar, vazhdojnë akoma të jenë shtylla e parë themelore e fëmijëve të tyre, e pavarësisht nga çdo gjë, vazhdojnë të jenë të parat që ndërtojnë një rrjet mbrojtjeje për të vegjlit, duke ju dhënë gjithmonë atyre mbështetjen e duhur për të pasur një fëmijëri sa më të shëndetshme. Prindërit duhet të jenë të informuar e të njohin të drejtat e fëmijëve, pasi për realizimin e këtyre të drejtave ata mund të kërkojnë dhe mbështetjen e organeve kompetente të ndryshme, si asistentëve socialë, psikologëve të shkollave, autoriteteve gjyqësore etj.

Avv. Danaida Delaj STUDIO LEGALE LANCELLOTTI ED ASSOCIATI Via Cesare Battisti 85, Modena (MO), Italia.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*