Një gjermane me kostumin e femrës shkodrane

 

Njohja mes tyre nisi 14 vite më parë. Lekë Imeraj kishte emigruar pas viteve 90 në Gjermani. Me shaka ai thotë se njohja e tyre u bë në një diskotekë të atij qyteti të vogël me emrin Kassel, e cila frekuentohej nga një moshë madhore. Komunikimi i mirë mes tyre vuri themelet e një lidhje, e cila pas pak vitesh do të finalizohej në martesë. Gudrun Loffler, ose Gudi, siç e thërrasin të gjithë, ishte një lexuese e mirë e letërsisë, botimeve filozofike apo dhe atyre që pasqyronin aktualitetin jo vetëm në Shqipëri. Një çift, që do ta bashkonin jo vetëm ndjenjat më të mira njerëzore ndaj njëri-tjetrit, por edhe niveli i tyre intelektual.

 

Lekë Imeraj ka lindur në Lekëbibaj të Bashkisë Tropojë në një zonë të thellë. Është larguar nga vendlindja që në moshën 11 vjeçare. Profesioni i tij ka qenë ai i ushtarakut dhe falë karakterit të tij dhe aftësive, ka mbajtur edhe poste drejtuese në disa institucione të sigurisë së lartë. E kanë tërhequr gjithmonë botimet që nxjerrin në pah të metat e shoqërisë njerëzore, e pas leximeve të shumta nisi të shkruajë edhe vetë. Krahas shkrimeve të librave me tema sociale, ai bëri dhe përkthimin e disa prej veprave më të lexuara në Gjermani. Nëse do bënim një numërim të këtyre veprave të shkruara apo dhe të përkthyera nga Imeraj, do të kishim 16 të tilla, të cilat janë pritur mjaft mirë nga lexuesit në Shqipëri.

Leka dhe Gudi, bëjnë një jetë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Leka ka lindur ne Lekëbibaj të Tropojës ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për të banuar sa herë vjen në Shqipëri. Fakti që qyteti verior ka lidhje të forta me artin dhe shquhet për personalitetet që ka nxjerrë, ka qenë vendimtar në përzgjedhjen e tyre për të jetuar atje. Prej kohësh çifti Imeraj ka krijuar edhe rrethin shoqëror e mbi të gjitha ndihen mjaft mirë në Shkodër, duke shijuar pozicionin gjeografik të favorizuar nga liqeni, dy lumenjtë dhe deti afër.

Ardhjet në Shkodër, gjithmonë krijojnë kujtime të bukura për Lekën dhe Gudin. Gjermania fisnike kishte ëndërruar të vishte qoftë dhe një herë të vetme një kostum shqiptar. E frymëzuar nga bashkëjetesa me një shqiptar të ditur, por edhe nga traditat e zakonet që ajo gjen në Shqipëri, vendosi që mes dhjetra kostumeve kombëtare të punuara nga mjeshtrja Ardiana Handraj në qytetin e Shkodrës, të zgjidhte pikërisht kostumin tradicional të gruas shkodrane. Si një burrë që respekton dëshirat e gruas së tij, shkrimtarit Imeraj iu desh të linte veshjen zyrtare, e t’i përshtatej gruas së tij, duke zgjedhur edhe ai një kostum kombëtar. Tashmë çifti, veshje të tilla nuk i shihte me kureshtje apo si një aventurë, por si krijim i emocioneve të forta që i lidhin ata me të shkuarën historike të kombit shqiptar dhe me veçoritë identifikuese e tij, që e realizojnë edhe këto kostume.

Vitmir Smakaj është fotografi i mirënjohur, që ka realizuar një set fotografik, i cili tashmë ka marrë edhe pëlqimet e miqve të Lekës dhe Gudit, por edhe të mjaft përdoruesve të rrjeteve sociale. Me Gudin, shprehet Smakaj, – është e lehtë të bashkëpunohet. Ajo sillet e lirshme dhe në pozicionet e saj përpiqet të përcjellë mendësinë  e gruas shqiptare. E ku ka më bukur, kur traditat shqiptare vlerësohen edhe nga një shtetase gjermane. Gudi, me një veprim të tillë të sinqertë, shpreh njëherësh edhe dashurinë për popullin shqiptar, një ndjenjë kjo e krijuar jo vetëm nga bashkëjetesa me bashkëshortin e saj, por edhe nga miqtë e shumtë që ajo ka në Shkodër.

 Kozeta Bruçi

 

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*