Nënë Tolja: “Xhubleta, sharmi i malësores, që duhet të ruhet”.

E kush i ka shpëtuar tundimit dhe nuk e ka kthyer kokën për të dytën herë pas kur ka parë malësoren e pashme sikur zana me pamjen e saj solemne?

Të bukura, të mençura e fjalëpakë si toka që i rriti, të qeta e të përmbajtura si shqiponja që i shoqëroi maleve, të dashura e të ëmbla sikur uji i krojeve që shpërthen nga të çarat e shkëmbinjve janë malësoret tona.

“Moj e mira bregut t’Cemit bardh’ si bora e Kelmendit” i këndon malësores legjendari Sali Mani. Por, ajo që të dërgon te fytyra e qeshur e malësores stoike është pamja madhështore e xhubletës, e cila e bën atë të qëndrojë drejt si shkëmb. Është kjo një veshje së cilës po i vjen fundi, sepse asnjë nuk e merr përsipër ta punojë ashtu siç e kanë punuar brezat e nënave dhe gjysheve që në kohën e Mbretëreshës Teuta, edhe pse është e vetmja veshje që i ka rezistuar pushtimit turk dhe përshtatjes me rrobat e tyre. U ruajt kjo veshje dhe zbukurimet e saja pagane ndër shekuj dhe ajo kapërcen delikatesën e femrës shqiptare përtej pamjes së mëndafshtë të perëndeshës perëndeshave dhe nxjerr në pah syrin e mprehtë të Norës së Kelmendit, Shotë Galicës, Tringë Smajljas, prandaj dhe unë doja që të flisja me atë grua që duart e saja kanë bërë të ndihen si Mbretëresha Teutë, dhjetëra gra dhe vajza, por kur unë i telefonova, ajo me mikpritjen malësore më ftoi te shtëpia e saj, e cila ndodhet pranë kishës ku valëviten flamujt kuqezi: “Mjafton të ndjekësh flamujt dhe do ta gjesh menjëherë shtëpinë time!” – më tha ajo. 
Nëna Tole Lekja Berishaj, një grua malësore e lindur me 22.02.1927 në fshatin Pjetroshan – Bajzë në Malësinë e Madhe në Shqipëri, jeton në Tuz, në Malësinë e Madhe në Mal të Zi, dhe akoma vazhdon të punojë me dashurinë më të madhe xhubletat e malësoreve, por megjithatë ajo mbështjell me keqardhje çdo fjalë të sajën, sepse nuk arriti ta përcjellë zanatin e saj, që asnjë grua ose vajzë nuk mësoi dot ta krijonte një xhubletë të plotë nga fillimi.

“Askush nuk do të mësojë. U duket e vështirë dhe nuk ia fillojnë aspak. Tani vajzave të reja nuk u intereson tradita. Janë të lira të vishen si të duan e të dalin kur të duan! Kur unë isha vajzë ishte ndryshe. Vajzat punonin bashkë me nënat dhe i ndihmonin në gjithçka që nevojitej. Unë bëja vizatimet e nëna ime  krijonte xhubletat. Dhe në përgjithësi kështu ka qenë me të gjitha. Edhe në Kemend më parë kanë bërë xhubleta të bukura, por tani i kanë lënë pas dore, sepse asnjë nuk do të mësojë më dhe kjo më trishton, sepse tani jam plakë dhe nuk dua që zanati im të shkojë me mua!”. Pyetjes sime se sa kohë i ka marrë një vajze të ndërtojë pajën e saj, ajo u përgjigj: “Kemi punuar për 3-4 vjet me radhë për një pajë nusesh. Janë bërë rreth pesë xhubleta ku një ose dy kanë qenë për pazar e për në kishë e të tjerat për t’i veshur përditë. Xhubleta ka shumë pjesë, por ‘brezat’ e saj i ka sjellë burri, kurse ‘postavat’ i ka bërë vetë vajza. ‘Kapicat’ i kemi qëndisur me rruaza duke krijuar lule shumëngjyrëshe edhe pse vetëm një vit është dashur të mbahet kapica. Më pas është hequr fare. Po ashtu edhe ‘bofcja’ e kuqe është mbajtur vetëm për 2-3 vjet. Por e di ti cila është e veçanta e kësaj veshjeje, përveç faktit që është veshja më e vjetër shqiptare? Gratë në atë kohë kanë punuar shumë dhe kanë bërë punë të rënda fizike, që nga kopshti e deri te mbartja e ujit dhe e druve në shpinë, por megjithatë trupi u ka qëndruar i drejtë dhe i fortë dhe unë besoj që ka qenë xhubleta ajo që e ka mbajtur trupin e femrës në formë”. Meqenëse kjo revistë i kushtohet familjes shqiptare, mua më interesonte të dija edhe diçka më tepër, kështu që kur e pyeta se si kanë qëndruar familjarët darkave në shtëpi, ajo u përgjigj: “Në shtëpinë time në Priftën të Grudës kemi qenë 13 gra dhe darkave kemi qëndruar të gjithë së bashku, kurse fëmijët sapo ka ra dielli i kemi larë, ushqyer dhe i kemi vënë në gjumë. Po të kalonte njeri darkave vonë pranë ndonjë shtëpie, as që do ta kuptonte se aty ka fëmijë. Por ndodhte që ndonjë fëmijë kërkonte të rrinte, dhe ata fëmijë i lejonin të rrinin më vonë. Kështu, ata mësonin të kuvendonin ose të luanin ndonjë vegël muzikore.

 

 

 

Afërdita Delaj

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*