Mesazhi sensibilizues nga Fjodora Fjora për të birësuar fëmijë nëpërmjet Komitetit të birësimit

Teksa i kërkojmë një prononcim, intervistë a mesazh sensibilizues, përvec kohës shumë të strukturuar në karrierë, biznes dhe përkushtim familjar, ajo është edhe shumë fanatike për ruajtjen me kujdes të imazhit të të birit. Bëhet fjalë për Fjodora Fjorën, gazetaren shqiptare e cila ka birësuar një djalë nga shtëpia e foshnjes “Hannah dhe Rozafa” dhe po e rrit e vetme. U bënë katër vjet tashmë që Alteo është bërë pjesë e pandashme e saj,duke u kthyer në motiv jete e dite. Në një rrëfim emocionues për ne, ajo thotë se nëse do të kishte mundësi ekonomike dhe fizike do ta merrte sërisht guximin për të birësur fëmijë të tjerë, t’iu dhënë atyre mundësinë e një jete më të mirë. Fjodora u bën thirrje të gjithë çifteve me mundësi financiare, të gjithë çifteve pa fëmijë dhe pse jo vajzave apo djemve single ta marrin pa frikë një hap të tillë, sepse jo vetëm që do t’i ofrojnë një krijese të pafajshme ngrohtësi familjare dhe kushte më të mira jetese, por do të ndryshojnë edhe jetën e tyre katërcipërisht duke marrë mbrapsht dashuri pa kushte.

” Me Alteon është gjithcka ndryshe, mendoj ndryshe, flas ndryshe dhe jetoj ndryshe. Tashmë çdo vendim e marr në baze të djalit tim. Unë po e rris e vetme, por po mundohem me të gjitha mundësitë që ai të mos e ndiejë mungesën e një babai në shtëpi. Fati deshi të na bashkonte përgjithmonë, sepse u dashurova me të që në takimin e parë. Dhe sot që në jetën time është Teo, them me bindje që nuk e kisha ditur kuptimin e vërtetë të jetës. Kthehem shpesh në shtëpinë e foshnjes ku ne të dy u takuam për herë të parë. Atje ka aq shumë ëngjëj që meritojnë një mundësi për një jetë më të mirë, për të ndier dashuri prindërore, për një të ardhme më të sigurtë. Atje duhet të shkojë çdokush, qoftë edhe për punë vullnetare, qoftë edhe një herë një jetë, por duhet ta shihni realitetin në sy. Në një vend të vogël si Shqipëria, unë e kuptoj që ka paragjykime, barriera të mëdha, etiketime pa sens apo veçime shoqërore, por unë në rrugën time me Teon nuk kam hasur asnjë të tillë. Madje edhe pse sot kanë kaluar pothuajse katër vjet, ka ende njerëz që më ndalojnë në rrugë dhe më përgëzojnë për vendimin, ndonëse unë nuk e kam bërë kurrsesi për tu dukur apo për tu marrë shembull. Kjo është edhe arsyeja pse shpesh refuzoj të flas në media për këtë temë. Ndaj përmes këtij mesazhi dua t’ju bëj thirrje të gjithë atyre që duan, kanë mundësi financiare dhe fizike, apo për arsye biologjike nuk mund të jenë natyralisht prindër, të mos ngurrojnë dhe të mos ngrenë barriera në vetvete. Komiteti i Birësimit, një institucion mjaft serioz, që unë i jam shumë mirnjohëse do ta bëjë edhe më të thjeshtë punën tuaj. Le ta shfrytëzojmë potencialin tonë sot, për një Shqipëri më të mirë nesër”

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*