Lira e lirisë së popullit të Kosovës .Vajza që rilindi ndër flakë dhe u rrit me dashuri në liri

Ilir Murtezi

Të lodhur prej ikjes gati të çuditshme nga banesat në mal, banorët e fshatit B, rrëzë maleve të Sharrit kishin vendosur bashkërisht që të vazhdonin të qëndronin në shtëpitë e tyre.

Kafshët e pakta që kishin po shkonin dëm. Dikush, pavarësisht flakëve të luftës, kishte mbjellë edhe pak grurë dhe bimë të tjera. Por, kishte edhe një arsye tjetër që donin të qëndronin në shtëpi; dikush duhet të bënte ushqim për ushtarët e lirisë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gati çdo ditë po përballeshin në beteja të rrepta me pushtuesit sllavë edhe në ato male.

Në mesin e mbi 100 familjeve, ishte edhe ajo e Sylës, që numëronte 5 anëtarë, gruan dhe nënën e moshuar, një djalë 2-vjeçar dhe një vajzë 1-vjeçare. Deri para para fillimit të luftës, Syla kishte punuar në një fabrikë në qytet, kurse pas pushtimit serbët e larguan nga puna bashkë me të gjithë punëtorët e tjerë shqiptarë, prandaj iu desh të merrej me bujqësi.

Edhe atë ditë kishte filluar me punët e përditshme, kur krismat e pushkëve, afër fshatit të tij, sa vinin e afroheshin. Si duket, kriminelët serbë kishin zbuluar bazën e UÇK-së dhe e kishin sulmuar.

Nuk vonoi shumë dhe në hyrje të fshatit filluan të dëgjoheshin gumëzhimat e makinerisë luftarake pushtuese. Një tank dhe disa autoblinda po hynin në fshat në luftë e sipër me luftëtarët shqiptarë.

Të inatosur nga qëndresa dhe heroizmi i shqiptarëve të armatosur, ata ishin bërë si bisha, kishin filluar të gjuanin me tank e me armët e tjera drejt shtëpive të fshatit, prej të cilave filloi të dilte tym dhe flake.

Syla kishte grumbulluar familjen e tij në njërën nga dhomat dhe priste të kalonte edhe kjo furtunë. Nuk vonoi shumë dhe filluan të dëgjoheshin britmat e kriminelëve serbë dhe tek-tuk edhe ndonjë britmë e ndonjë fshatari, pastaj krisma pushke dhe fjalët e fshatarit nuk u dëgjuan më.

E kuptoi se ishte shumë vonë për të menduar ikjen; u kërkoi nënës dhe gruas të kishin kujdes fëmijët dhe vetë u bë gati të dilte jashtë. Në dorë mori pushkën që e ruante si sytë e ballit. Nuk donte që t’i lejonte pushtuesin t’i dhunonin shtëpinë, prandaj vendosi të rezistonte e të mbronte nderin dhe familjen e tij.

Sa doli jashtë në oborr, pa ushtarë e policë serbë me uniformë, shirita të lidhur në kokë, disa tërë gjak në fytyrat e tyre. Dukej qartë se po vinin pas masakrave që kishin kryer në shtëpitë e tjera të fshatit.

E drejtoi pushkën dhe mori në shenjë. Kauuu! Krisma e pushkës ushtoi fort dhe njëri nga ushtarakët serbë u shtri për tokë. Plumbi e kishte marrë në kokë. Shënjoi dhe gjuajti prap dhe përsëri rrëzoi një tjetër, pastaj dhe të tretën herë pushka e tij nuk doli huq.

Serbët po iknin nëpër oborr të tmerruar, pasi nuk e kishin pritur se dikush do t’u rezistonte. Edhe një krismë tjetër dhe tjetër një serb mbeti i vrarë. Sa po bëhej gati ta mbushte prap pushkën, serbët e kishin marrë veten nga hutimi që u bëri rezistenca dhe filluan të gjuanin drejt Sylës. Një plumb e mori në gjoks. U shtri, drejtoi pushkën dhe shënjoi edhe njëherë. Pastaj qëlloi. Gjaku po e mbulonte. Dera e shtëpisë u hap dhe e ëma doli në oborr. E pa Sylën që po jepte shpirt; u afrua dhe i mori pushkën. Syla i kërkoi të hynte brenda, por ajo ia drejtoi pushkën një serbi që po gjuante me automatik drejt tyre. Qëlloi dhe serbi ra. Sa po bëhej gati të gjuante prap, një krismë e fortë u dëgjua dhe nëna u rrëzua përtokë. I ra ngadalë pushka dhe gjaku i mbuloi fytyrën. Ktheu sytë nga Syla, djali i vetëm i saj që sapo kishte vdekur dhe vdiq me nder dhe ajo.

Shtëpia kishte marrë flakë dhe po shembej. Jashtë serbët po dëgjonin vajin e fëmijëve të Sylës dhe këndonin. Nuk vonoi dhe dikush i gjuajti nga mbrapa, pastaj një tjetër dhe  pastaj e pasoi një breshëri automatiku. U tmerruan. Luftëtarët e UÇK-së po afroheshin, duke  luftuar me shpirt ndër dhëmbë, për të ndihmuar vëllezërit e tyre që po masakroheshin në fshat.  20-30 luftëtarë shqiptarë me nga një pushkë, kundër 200-300 serbëve të armatosur rëndë me tanke dhe autoblinda.  

Serbët filluan të iknin, se po vriteshin një nga një. Pushka e lirisë nuk i falte. Më në fund një ushtar i UÇK-së hyri në oborrin e shtëpisë dhe pa Sylën me nënën e tij të vrarë, ndërsa nga brenda nuk dëgjohej asgjë. Zjarri kishte filluar të zvogëlohej dhe shtëpia gati ishte shembur e gjitha.

Beni kishte disa muaj si ushtar i UÇK-së. Pjesëmarrës në shumë beteja, në disa fronte, ai ishte kalitur në luftë. Sapo kishte mbushur 23 vjeç dhe në shtëpi kishte lënë gruan me të ëmën. Ishte rritur jetim, pa baba.

Dita i ishte dukur shumë e gjatë, duke ndjekur armikun pandërprerë. Papritmas dëgjoi zërin e foshnjës brenda mureve të djegura dhe u sul. Nuk pyeti për flakët që ende vazhdonin të villnin zjarr. Largoi një tra  gjysmë të ndezur, pastaj dhe një tjetër. Mezi e largoi një llamarinë, duart i digjnin nga nxehtësia dhe flakët. Poshtë llamarinës ishte një foshnjë, ndoshta 7-8 muajshe. E kapi me duar dhe e mbështolli për gjoksi, duke e ruajtur nga flakët. Me foshnjën në duar, iku drejt një çezme uji në fund të oborrit. Mbushi duart që i digjeshin me ujë dhe i lagu fytyrën foshnjës. Hoqi xhaketën dhe ia hodhi përsipër, duke e mbështjellë mirë.

Me foshnjën në duar u afrua te komandanti.

Komandant, të lutem më bëj një nder, kjo foshnjë i ka humbur të afërmit. Babain dhe gjyshen i pashë të vdekur në oborr. Ndoshta të tjerët janë djegur brenda shtëpisë ! Babain e foshnjës e kam njohur. Të lutem më lejo ta dërgoj në shtëpinë time. Kam nënën dhe gruan që me siguri do ta duan.

Merre dhe dërgoje në një vend të sigurt. Nëse dikush e kërkon, atëherë do e kthejmë, përndryshe duhet ta kesh detyrim ta rrisësh, – ia ktheu komandanti.

Benit i ndritën sytë nga gëzimi; i ndriti fytyra e nxirë nga blozët e flakëve.

Menjëherë u nis drejt fshatit ku jetonte dhe për dy orë ishte në shtëpi.

Dita kishte filluar t’ia lëshonte vendin mbrëmjes, kur Beni hyri në shtëpi. Shqipja, nusja e Benit, po merrte shilten në oborr, kur hyri Beni. Sa ia pa foshnjën në duar vrapoi, e kapi nga duart,  sikur ia ndiente zemra se çfarë kishte ndodhur.

Brenda i priste nëna plakë. Shqipja e zgjidhi foshnjën dhe pa që ishte vajzë.

Beni, kjo do të jetë vajza jonë!

Po, po, ajo sot i ka humbur të gjithë.

Është e jona, do ta rrisim bashkë! 

Nëna plakë u ngrit, e mori foshnjën dhe e puthi, pastaj iu drejtua Benit:

Të pastë nëna, edhe nusen e ke shtatzënë. Zoti na gëzoftë edhe me një fëmijë tjetër! Vetëm Zoti di të bëjë mrekullira! Të na fali dy fëmijë njëherësh. Beni u mallëngjye nga lajmi se do të bëhej baba.  Eh, mendoi me vete, paska qenë fat në fatkeqësi! Nënë dhe Shqipe, vajzën do ta quajmë Lira. Me këtë emër do ta quajmë për ta kujtuar Lirinë që do të rritet si vajza jonë. E gëzoftë emrin o bir, ia ktheu nëna dhe u ngrit t’i ndihmonte Shqipes ta pastronin e t’i bënin ushqimin Lirës së vogël.

***

Vitet iknin e Lira rritej, bashkë me lirinë që erdhi disa muaj pas vrasjes së së saj. Rritej me fëmijët e Benit e të Shqipes, të cilët e donin si motër.  Një ditë Beni dhe Shqipja e morën me vete dhe dolën në një restorant në periferi. Beni filloi t’i fliste dhe Lira e dëgjonte me vëmendje. Ai filloi t’i rrëfente për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për shokët e rënë në fushën e lavdisë, për trimëritë e ushtarëve dhe heroizmat, deri sa erdhi te ngjarja që solli ta merrte me vete.  Lira e dëgjonte dhe lotët i binin pa ndaluar. Edhe Shqipja qante. Babi, jam krenar me ty. E di, kam lexuar për luftën. Tani ne kemi shtetin tonë. Unë të kam ty, kam mamanë më të mirë në botë dhe gjyshen; jam shumë krenar me ju! Beni e kuptoi se ishte momenti që t’i tregonte të vërtetën.

– Bija ime, dua të tregoj një ditë të veçantë, ditën e rilindjes tënde!

E di, babi, e di, mos e kujto! Kam mësuar se më ke gjetur nën flakët e shtëpisë sime. Mos e mundo veten; unë e kam mësuar historinë e familjes sime. Babai im biologjik është Heroi i Lirisë, bashkë me nënën dhe gjyshen e të tjerët, kurse ti me mamanë dhe shokët e tu të luftës jeni heronjtë e jetës sime. Prandaj kurseu! Dua që ta dish se unë ju dua më shumë se çdo njeri tjetër në këtë botë. Do të mundohem të jem gjithnjë vajza e mirë e Benit dhe Shqipes, që ju të ndiheni çdo ditë krenar me bijën tuaj. Beni kishte duruar dhimbjen e humbjes së shokëve në vijat e frontit dhe të njerëzve të tij të afërt, por kjo ishte diçka krejt tjetër. Beni nuk mundi t’i mbante lotët. E afroi Lirën dhe e përqafoi fort. E puthi në ballë dhe mezi i tha: Zoti të bekoftë bija ime!

Lira, sot është një ndër studentet më të mira në universitet, krenare me njerëzit e familjes së saj. Shpesh i thotë me shumë krenari fjalët: “Unë jetoj që ata të ndjejnë veprën e madhe që kanë bërë. Jetoj që familja ta ndiejë sa më shumë dashurinë time. Jetoj që ta meritoj çdo sekondë të kësaj jete në liri! Këta njerëz të mirë m’u bënë prindër të dytë. Unë dua t’u jap kënaqësinë e të qenët vajza e tyre, që atë ditë, kur babai më nxori nga shkrumbi i tokës së të parëve të mi, të lagur me gjakun e prindërve të mi biologjikë.  Në flakën e zjarrit, në atë zjarr që më djeg dhe sot, e do më djegë çdo ditë deri në frymën e fundit, ata ishin, janë dhe do të jenë uji, fresku, fryma ime. Dua t’ia tregoj të gjithë botës, se sa e shtrenjtë është liria, sa e bukur është jeta. Një ditë do të filloj të shkruaj ditarin e jetës. Do t’ia nis nga e kaluara, nga dita kur më gjetën në flake. Unë vij nga flaka e lirisë dhe jetoj t’i tregoj botës Lirinë. Jam Lira e Lirisë së popullit tim!

Ilir Murtezi  

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*