Lavandra, kënaqësia që të dhuron kjo lule e shëndetshme dhe plot aromë

Pranvera vjen e bukur dhe shumëngjyrëshe, me aromë lulesh dhe ngrohtësi dielli. Nëpër tokën e shkrifët prej akullit të shkrirë fillojnë të dalin bulëzat e para dhe farat e luleve depërtojnë vendeve, qofshin ato luleborat e Shkodrës që lulëzojnë bordurat ose edhe lulet aromashumë që mbushin ajrin në netët e vona si tuberose (Polianthes tuberosa), trumbetat e engjëjve( brugmansia), lulja e hënës, jasmine( cestrum nocturnum) etj.

Në këtë artikull do të flasim për një lule që përdoret që nga sapuni e deri te çaji, lule lavandrën, e cila përmblidhet nga 450 llojet e saj.  Lavandra është një lule delikate dhe e ëmbël, por që fsheh një bimë të fortë pereniale që i reziston thatësirës e që është ëndrra e çdo kopshtari.

Ajo është një domosdoshmëri nëpër kopshte e lulishte qofshin ato lavandula angustifolia, lavandula intermedia apo lavendula dentata. Lavandra franceze dhe spanjolle dallohet për lulet si flutura në krye të një xhufke, të cilat lëshojnë një aromë si kamfor. Ato e tolerojnë jo vetëm thatësirën, por edhe lagështirën, prandaj ato janë të përsosura në pothuajse çdo zonë. Lavandra e do ngrohtësinë e diellit, prandaj ajo kërkon të paktën 8 orë diell të plotë në ditë.

Toka duhet të jetë e kulluar, si dhe nëse mbulohet me zhavorr ose guaska të copëtuara, lulet do të marrin edhe më shumë diell e toka do të kullojë më mirë. Nuk është e nevojshme t’u hidhet pleh sepse këto lule janë më të shëndetshme në tokë të papasur. Nëpër vazo mund të kombinohen me lule të tjera që e përballojnë thatësirën.

Çdo pranverë pastrojini kaçubet e lavandrës nga degët e vdekura dhe pasi të lulëzojnë krasitini në formën që dëshironi.  Të gjitha llojet e lavandrës mund të përdoren në ushqim dhe një nga sekretet e natyrës se kur janë në kulmin e aromës dhe freskisë është kur bletët zënë vend në to. Duket sikur vetë natyra është në  harmoni me lavandrën.

Më të preferuarat nga kopshtarët janë:

1- ‘Grosso’  Ky lloj francez është më aromatiku dhe meqë ka një trung të gjatë, duket dramatik në buqeta.

2-‘ Nana Alba’ Lulet e bardha dhe të dëlira shfaqen të shndritshme si perla nëpër vazo apo bordura.

3- ‘Ninulla blu’ Kjo bimë e qëndrueshme çel lule të gjata në mes të verës. Provojeni këtë specie angleze me aromë të dashur në një vazo të madhe.

4- ‘Guri i çmuar mbretëror’ Tufëz me lule të vogla blu të errët, të cilat çelin në verë, por që zgjasin shumë, janë zgjedhja numër një për të krijuar buqeta të freskëta ose të thata.

5- ‘Madridi Blu’  Një lloj lavandre spanjolle që çel herët, të cilat kanë një xhufkë të bardhë mbi lulen blu në vjollcë.

6- ‘Otto Quast’  Një tip tjetër spanjoll me gjethe të pastra e të radhitura bukur ngjyrë gri në jeshile dhe me petalet në krye në formë krahu. Këputini këto lule që të dalin të tjera.

 

Idriz Harlicaj

 Specialist bujqësie

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*