Kur shërbëtorët e shtetit ia njollosin fytyrën shtetit që i shërbejnë me gjakun e dy fëmijëve, një e rritur dhe një i palindur, ngelet vetëm gjykimi i Zotit dhe i “robit” të vërë drejtësi.

Winston Churchill ka thënë:” Ka shumë gënjeshtra të tmerrshme në botë, por fatkeqësisht, disa prej tyre janë të vërteta.”

Kjo thënje më erdhi në mendje kur mësova ngjarjen dramatike mbi vajzën nga Drenasi, Kosovë. Një krim i organizuar nga trekëndëshi i shtetit i ndërtuar për t’i shërbyer popullit, i cili provon fuqinë karshi një fëmije.

Është e pamundur të përshkruhet indinjata, por nganjëherë duhet të ngushëllohemi me faktin dikush duhet të bjerë theror që të mësojnë të tjerët, dhe në këtë rast janë shumë ata që duhet të ulin kokën me turp; që nga mësuesi, mjeku, polici, komshinjtë, shoqëria por edhe familjarët, të cilëve siç duket vajza nuk ka guxuar t’u tregojë.

Le të shpresojmë që abuzuesit do të marrin dënimin e merituar dhe vajza do të sigurohet për jetë me çfarë t’i nevojitet. Ajo tashmë është vajza e të gjithë neve, sepse është abuzuar nga ata që mbajnë në punë taksat tona për të na shërbyer ne dhe kombit.

Dhe ndërsa nëpër botë femrat shqiptare po lënë gjurmë të pashlyeshme, në folenë e familjes ato lihen të pambrojtura karshi abuzimit prej atyre që janë shkolluar dhe paguhen për t’i mbrojtur.

Ne të gjithë duhet t’i kërkojmë falje asaj. Po filloj unë më e para:

“Më fal e dashtun që brezi ynë nuk arriti të ngrejë zërin ku malet prekin qiellin që secili ta mësojë njëherë e mirë se femra nuk preket, se fëmija është i shenjtë, se nënat që i kanë rritur këta djem me siguri kanë qenë vetë të abuzuara dhe nuk kanë ditur më mirë. Fali sepse sikur nënat shqiptare t’i rrisin djemtë sikur rrisin vajzat, t’u mësojnë atyre të njëjtat gjëra qe u mësojnë vajzave, ne të gjithë do të jetonim në një botë më të mirë. Na fal të lutem sepse nuk e dimë çfarë bëjmë!”

Aferdita Delaj

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*