Humori shkodran e bën më të bukur valsin e jetës.

Intervistë eksluzive për Votra Magazine me artistin e mirënjohur shkodran, Zef Deda nga Alketa Çeku.

Zef, njiheni si një person i suksesshëm jo vetëm në skenë, por edhe në dashuri, e cila është kurorëzuar prej 40 vitesh tashmë. Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj dhe çfarë ju tërhoqi më shumë tek ajo në fillim?

Për të dashur një vajzë të cilën do ta kesh pranë gjithë jetën si shoqe të mirë, si bashkëshorte të mirë, propozimi ka ardhur krejt seriozisht, me gaz dhe hare. Është aprovuar nga të dyja palët me dëshirë e me gjithë zemër, plot dashuri, gjithmonë seriozisht, sepse seriozisht duhet marrë puna për të krijuar familjen dhe mbarëvajtjen e saj.

Gjithçka ka vajtur mbarë dhe mirë, pa e përzier humorin në këtë seriozitet të madh të jetës bashkëshortore. Ai gjithmonë na ka shoqëruar rrjedhshëm, me dëshirë dhe simpati për atë çka mund ta bëjë të gëzueshme jetën tonë të bukur me Rozin, e cila i është përshtatur mrekullisht Zefit dhe profesionit të tij.

Cili është sekreti i një martese të fortë prej më shumë se katër dekadash?

Tani krejt sekret nuk është, por unë po e tregoj ty, e ju mos ia tregoni askujt se ma kopjojnë. Atëherë:

Në marrëdhënien time bashkëshortore, na shoqëron mirëkuptimi, puna e përbashkët me marrëveshje të paqtë, gatishmëria për t’u bërë ballë sfidave të jetës e dashuria e pafund deri në palcë për njëri-tjetrin, sa edhe kur kemi debat për ndonjë problem që s’po i gjejmë zgjidhje e na mundon, e temperatura e nervave na shkon 600 gradë, i fusim një puthje të gjatë dhe e ftohim komplet këtë temperaturë nervash të ngritura dhe shpërthejmë në një të qeshur me lot. Pas saj vazhdojmë valsin e bukur të jetës. Në jetën time me Rozin, kurrë nuk i kam lënë pas dore apo nënvlerësuar edhe gjërat e vogla, në dukje të parëndësishme. Se kur mblidhen gjashtë apo më tepër prej tyre, në dukje të parëndësishme,  ato bëhen më të rënda se të rëndësishmet.

Nëse do të kishe kthyer kohën pas, çfarë do të kishe bërë ndryshe?

Ndryshe nuk kemi pas lejen për të bërë, në kohën time s’na ka lënë kush!  Po të ishte kjo kohë që ka ardhur sot e di unë çfarë bëj …. Hë hë hë, por nejse u plakëm, pa ndryshime.

Si një humorist puna ju ka lidhur edhe me udhëtime në vende të ndryshme. Si e përballonit largësinë?

Formimi kulturor dhe aftësia për të marrë pjesë në spektakle të ndryshme, kërkon që të jesh korrekt me skenën, duke e ndarë mënjanë kohën e pjesëmarrjes nga problemet familjare e bashkëshortore. Partnerja duhet trajtuar me kujdes dhe mirëkuptim për të pasur rezultate të mira familjare e bashkëshortore. Më vjen në mendje një thënie e psikologut të artit Stanislavski, i cili thotë: “Kur hyn në teatër, hiqe xhaketën e shtëpisë (halleve dhe problemeve) dhe vish xhaketën e teatrit (roleve, tipave dhe karaktereve për interpretim ) dhe përsëri kur del nga teatri, hiq xhaketën e teatrit (të roleve, tipave dhe karaktereve që interpretove ) dhe vish xhaketën e jetës për marrëdhëniet me familjen dhe bashkëshorten. Jepi …. Ta priftë Zoti mbarë pa i ngatërruar xhaketat.

-Po tani që jeni gjyshër, ndodh të kaloni momente romantike bashkë?

Po, pooo deri në vdekje! Do të shkrihemi për njëri-tjetrin, inamoraten për të e kam pafund.

Të kujtohet ndonjë rast kur keni parë ‘kulmin e xhelozisë’ së bashkëshortes?

Po. Aktorët interpretojnë në skenë, shumë afër njëri-tjetrit si partnerë, si p.sh., në rolet : Burrë, grua, të dashuruar, të fejuar etj. Si fillim Rozi u bënte xheloze sa s’më fliste me nga 2 apo 3 ditë, duke kujtuar se e kam  me gjithë mend. Por jo. Shkoi shumë vonë dhe hoqi dorë nga kjo ide që është krejt normale për një bashkëshorte plot dashuri. Kishte frikë se mos ia hanin Zefin,…. Mos t’ia mbaronin se e kishte veç për vete, por duke u rritur e duke kuptuar se në punën tonë profesionale edhe në shoqëri Zefi është korrekt  dhe gjithçka çfarë  i ka shpirti e jep për Rozin,  për profesionin, për fëmijët!

A keni menduar ndonjëherë të ndaheni nga ajo?

Prite Zot rrezikun! Kurrën e kurrës. As nuk ka ardhur si ide ndonjëherë. Si mund ta mendoj këtë, kur kam të gjithë thesarin e botës për krah.

Cila është sakrifica më e madhe që keni bërë në emër të dashurisë?

Sa isha adoleshent dhe i ri, me aktivizimin tim shumë të fortë në skena dhe ekrane, sukseset pafund dhe rritjet profesionale me bënë që të jem i gjallë dhe i lirshëm.

I pafre në entuziazëm, me dëshirën e madhe për të qenë i  lirë në veprimet e mia shoqërore edhe liberale deri në një farë mase, për ta gëzuar jetën shpejt si me thënë, a thua se po mbaron pasnesër, unë u angazhova në krijimin e familjes në kulmin e karrierës dhe suksesit me seriozitetin më të madh. Pra u martova 27 vjeç….Lind pyetja, a ka kund sakrificë më të madhe? Me ia lidh këmbët vetes hahahaha….

Po ky kapitull i ri që u hap më nxiti të punoj më fort në dy drejtime, atë të skenës dhe të familjes së re. Të them të drejtën s’ia hëngra hakun asnjërës, por me forcë e dashuri iu përkushtova të dyjave, në këtë rast sakrifica ishte dopio.

Kur mendoni ndryshe për situata të caktuara, si e gjeni gjuhën e përbashkët?

Jam tip shumë i  hapur. Kapërdij gjithçka e merrem vesh me të gjithë, dhe më e bukura është kjo: të gjithë merren vesh me mua. Po kështu edhe me bashkëshorten time,  Rozin, që në fillim para 39 viteve edhe pse ishim shumë të rinj , ne kemi rënë në konsensus për mbarështrimin e familjes, dhe kemi firmosur unanimisht të dyja palët me vullnet të lirë. Për çdo kundërshti apo akses i  kthehemi kodit familjar dhe I shqyrtojmë nenet një për një. Kemi bërë gjithmonë më të mirën për integrimin europian … më falni , integrimin familjar me liberalizimin e vizave … më falni desha të them me liberalizimin e kushteve familjare, të cilat me rregull, disiplinë, devotshmëri realizohen më së miri, në bazë të tolerancës dhe mirëkuptimit familjar. Me vullnet të mirë e kemi përhapur këtë përvojë edhe te fëmijët.

Cila është ëndrra juaj në sirtar?

Kemi kaluar 25-vjetorin e martesës së argjendtë uhhhh … më fal, kanë kaluar 39 vjet. Sa shpejt kanë kaluar plot ngjarje, gëzime, mundime, impenjime, rezultate të mira, lumturi.

Edhe 11 vjet po të jemi shëndoshë festojmë 50-vjetorin e artë…

Alketa Çeku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights