“Kujtimi i bashkëshortit, djali im dhe puna si muza ime, më japin forcë për të ecur përpara”

Intervistë me znj. Najada Sojli, konsulle në konsullatën shqiptare në New York

 

Znj. Najada Sojli e aka kthyer konsullatën shqiptare në New York, në një shtëpi të ngrohtë për shqiptarët, ku mund të shkosh me ndjenjën se do të gjesh përkrahjen dhe përgjigjet e duhura.
Një grua e dashur dhe e afrueshme në shërbim të komunitetit e cila rron me kujtimin e të shoqit, është një nënë e përkushtuar e birit të saj 10-vjeçar dhe një bijë që i gjendet pranë babait të saj të dashur.

 

1- Fëmijëria juaj dhe çfarë ngjyre i ka dhënë ajo jetës suaj me përvojat e saj?

Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. E rrethuar me shumë dashuri, vajzë e vetme me dy prindër dhe tre vëllezër të mrekullueshëm, jeta më kishte buzëqeshur në këtë drejtim. Jam rritur me shumë përkujdes nga ana e tyre. Kanë qenë vite të vështira sigurisht, por kishte shumë dashuri, ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin.

2.Sa ka ndryshuar filozofia juaj për jetën ndër vite? Si është ajo tani?

Filozofia ime për jetën është që çdo njeri duhet të ketë besim te vetja, të ecë me një qëllim dhe të arrijë atë që ai dëshiron. Unë sot i kam arritur qëllimet që i kam vënë vetes dikur dhe jam pothuajse e plotësuar. Asgjë nuk është e pamundur. Me durim dhe përkushtim çdo gjë arrihet. Sot për mua ka rëndësi kryesore një jetë e shëndetshme në shumë drejtime, duke u përqendruar kryesisht te mirëqenia e tim biri, ndaj dua që ai të rritet në një mjedis të shëndetshëm dhe të ngrohtë.

3.Cili është idhulli juaj dhe përse?

Është e vështirë që përmes një teksti të tregosh atë që ndien për idhullin tënd, por tepër e lehtë t’i gjesh fjalët, sepse dashuria që ndiej për idhullin tim, i cili është djali im, Rejoni, është aq e madhe saqë do të kisha material për 10 romane! Megjithatë, me shumë emocion e dashuri, po filloj rrëfimin p

 

ër atë që e adhuroj dhe do ta adhuroj deri në frymën e fundit. Rejoni është djali im i ëmbël, i cili më jep forcë për të ecur përpara në jetë, pas humbjes së bashkëshortit tim. Ai është aty për të më fshirë lotët, për të më bërë të buzëqesh sa herë që trishtimi më pushton. Ai është idhulli im i përjetshëm të cilit i bie në gjunjë njëlloj si Zotit.

4.Ju keni qenë konsulle në Romë, cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat me NY?

E përbashkëta mes të qenët konsulle në të dyja vendet është aspekti i shërbimit përkundrejt popullatës shqiptare me nevojat e tyre në raport me çështjet konsullore. Është një punë që unë e kam bërë gjatë  për 22 vjet dhe ende e bëj me pasion. Është kënaqësi për mua t’u vij në ndihmë bashkatdhetarëve tanë kudo që ata ndodhen. Të dyja vendet janë të pakrahasueshme,  jam mirënjohëse që kam pasur fatin të punoj në këto dy qendra të rëndësishme botërore.

 

 

5.Çfarë është tani më e rëndësishme për ju se ç’ishte para 20 vjetësh?

Është një pyetje shumë e rëndësishme, dua të them që në këto 20 vite, kurba   për gjërat që kanë pasur vlerë për mua ka ardhur duke u ngritur. Fillimisht ishte puna, të punosh në një institucion shtetëror, i tillë si Ministria e Punëve të Jashtme, është një privilegj, por pa dyshim një detyrim shumë të madh. Puna ka qenë dhe mbetet muza ime. Koha evoluon  dhe qenia njerëzore ka gjithmonë nevojë për risi dhe frymëzime të reja. Në jetën time më pas erdhi Besniku, ish-bashkëshorti im, një njeri i mrekullueshëm, gjysma ime që më plotësoi. Vitet pranë tij kanë qenë lumturia ime e përjetshme, kujtimi i tij më frymëzon dhe më mban gjallë ende edhe sot. Gjatë rrugës, jeta më dhuroi kënaqësinë e paçmueshme,  Rejonin, në ato momente për mua pranvera lulëzoi. Jeta është me stinë, por njeriu duhet të jetë i fortë për të jetuar në secilën prej tyre. Pas humbjes së bashkëshortit, bota ime u thye, e dua të theksoj, se në ato momente asgjë nuk kishte më rëndësi për mua. Por kujtimi i tij, djali im dhe puna që bëj, më japin forcë për të ecur përpara, le të themi që shpesh mes dhimbjeje. Të pandara këto janë një trinom shumë i rëndësishëm për mua sot.

 

 

Aferdita Delaj

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*