Humbja e babait, motivi për të krijuar organizatën

Organizata ndërkombëtare të mjekëve shqiptarë“Jeta është një dhuratë nga Zoti dhe ajo çfarë ti bën me jetën për njerëzit në nevojë është dhurata ndaj Zotit”. Këto janë fjalët që më ka mësuar babai qëkur isha fëmijë. Familja ime ka qenë gjithmonë e bashkuar dhe asnjëherë s’kemi qenë të pasur, sepse pasuria jonë gjithmonë ka qenë dashuria dhe mbështetja. Unë tani jam mjek në një spital shumë të njohur në Amerikë dhe ndihem shumë krenar për këtë. Por jeta time ka qenë tepër e vështirë. Në fakt, pasioni im për kujdesin e shëndetit të të tjerëve është zbuluar përmes një fatkeqësie. Në fakt, pacienti tim i parë që më ka mësuar shumë për jetën dhe humanizmin ka qenë babai im, Luan Ademaj.

Babai im ka qenë një ushtar. E quaj ushtar jo se ka luftuar në ushtri, po ka luftuar me kancerin në shtatë vitet e fundit të jetës. Në fakt, kur u diagnostikua me kancer të pankreasit, mjekët i dhanë vetëm 6 muaj shpresë për të jetuar. Të gjendur në një shtet të huaj, në Amerikë, prindërit s’dinin as anglishten dhe as mënyrën se si funksiononte sistemi shëndetësor. Ky lajm tepër i hidhur na çorientoi si familje. Të gjithë: unë, motra ime, mamaja dhe babai, ndienim sikur na u ngul një thikë në zemër. S’na besohej. Unë me motrën ishim të vegjël, por të paktën kishim mësuar anglishten dhe filluam ta përdorim gjuhën për të ndihmuar babanë se si të kujdesej për sëmundjen që e kishte kapluar. Luftuam së bashku si familje. I mbaj mend shumë mirë ato ditë. Isha i vogël dhe i trembur. Por, megjithatë, kontaktova disa doktorë, lexova disa libra mjekësorë, investigova çdo opsion për kimioterapi për babanë. Por puna më e rëndësishme që bëmë për babanë ishte mbështetja morale që i dhamë.

Babai im, pavarësisht përpjekjeve të shumta ndërroi jetë para 3 vjetësh. Por, luftoi edhe 7 vjet pasi i thanë doktorët që i kishin mbetur vetëm 6 muaj jetë. Kjo është një ngjarje e pabesueshme në degën e Mjekësisë në aspektin e statistikave për llojin e kancerit që kishte. Besoj se përveç trajtimit mjekësor që i dhanë doktorët e shkëlqyer që takuam, ishte morali i lartë dhe optimizmi që kishte babai, sepse ne të gjithë ishim mbështetja e tij. Lufta s’ishte vetëm midis babait tim dhe kancerit, lufta ishte mes familjes sonë të bashkuar dhe kancerit. Dhe si përfundim babai doli fitimtar nga kjo luftë, pasi jeta e tij u zgjat me 7 vjet. Midis këtyre 7 viteve, babai ishte me ne kur motra ime me bashkëshortin e saj lindën fëmijën e parë dhe gjithashtu ai e pa ëndrrën time të realizuar kur u zgjodha ndër 150 studentë nga 5000 konkurrentë për të filluar shkollën e Mjekësisë në institucionin më të lartë në Amerikë, në universitetin “Wisconsin School of Medicine and Public Health”.

Nga këndvështrimi im, babai ishte pacienti im i parë. Eksperienca e tij, e familjes sime, kundër kancerit, më tregoi që kujdesi për njerëzit ishte pasioni im në jetë. Më saktësisht, desha t’u shërbej njerëzve që kanë nevojë për ndihmë dhe që gjenden në të njëjtën situatë si ajo që u gjet familja ime, jo vetëm me karrierën time, por ta kthej këtë në qëllimin e jetës sime. Prej kësaj u frymëzua dhe  lindi “Albanian International Medical Team”, një organizatë ndërkombëtare që sjell shërbime mjekësore falas për shqiptarët rreth botës. Me ndihmë të disa njerëzve dhe vullnetarëve të shkëlqyer, kemi organizuar disa klinika falas rreth botës për shqiptarët që kanë nevojë për ndihmë, në Amerikë dhe brenda Shqipërisë. Çdo vit, ne zgjedhim një vend me popullsi në nevojë që s’kanë shërbime mjekësore dhe u sjellim kontrolle falas, medikamente falas, teste falas, elektrokardiogramë etj. Tani kemi 3 vjet përvojë dhe organizata është rritur dhe janë shtuar mbi 25 doktorë dhe mbi 50 vullnetarë. Kemi dhënë shërbime për mbi 3000 njerëz deri tani, komplet falas dhe të organizuar nga kontribute nga njerëz humanë rreth botës.

Nga një fatkeqësi dhe dhimbje e madhe, u rrit një organizatë humane për njerëzit në nevojë. Ia premtova babait që do ta dedikoj jetën time për të ndihmuar njerëzit në vështirësi. Jeta ka dy stinë, stina e gëzimit dhe stina e dhimbjeve. Në gëzimet e jetës është kollaj për të gjetur njerëz që të festojnë me ty, por në periudha të errëta në jetë ose të dhimbshme është e vështirë të gjesh njerëz që të mbështesin. Prandaj, unë kam vendosur të bëhem mjek, dua të jem aty për njerëzit e  sëmurë në këto periudha të rënda të jetës, sepse e kemi provuar vetë peshën e kësaj fatkeqësie në jetë. Ju pres dhe ju, shqiptarë rreth botës, për t’u bashkuar me mua dhe me “Albanian International Medical Team”, në shërbimet tona humane për shëndetin e njerëzve rreth botës.

 Faleminderit!

Dr. Mario Ademaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights