Historia e zhvillimit të posterit

Prof. Rrezeart GALICA

Edhe pse posterët nuk kanë histori të gjerë si gjinitë e tjera të artit, posteri mund të quhet si një lloj relativisht i ri i artit dhe si formë e rëndësishme e shumë ko­leksioneve kombëtare dhe private. Numri i festivaleve dhe i konkurseve ndërkom­bëtare i posterëve dëshmon se ky lloj i artit ka një pozitë të rëndësishme në mesin e zhanreve të tjera dhe ka adhurues e krijues të tij.

Origjina e posterit lidhet me fillimet e shtypit. Gjermani Alois Senefelder ka shp­i­kur litografinë në vitin 1796, kurse dekada më vonë, diku rreth vitit 1827, është preza­ntuar kromolitografia (fjalorë të ndryshëm të artit dhe burime të tjera mund të japin të dhëna paksa të ndryshme). Mënyra e shtypjes dhe e shumëzimit pas këtij zbulimi hapi mundësinë për të krijuar posterë me ngjyra të ndërthurur me tipografi e imazhe. Kjo përbënte bazën e veprave të artit më të rëndësishme të shtypit të asaj kohe. Megjithatë, hapi më i rëndësishëm në tërë historinë e posterit është zhvillimi i teknikave për shtyp.[1]

Posteri porsa kishte lindur në Francë nga duart e Zhyl Shehrre (Jules Chéret) pas shpikjes së litografisë me ngjyra. I lindur në vitin 1836, Zhyl Shehrre është konsideruar nga një rreth i gjerë si “babai” i posterit modern. Shehrre filloi të studiojë litografinë në moshën 30-vjeçare dhe në moshën 60-vjeçare mori klasën në Shkollën Nacionale të Artit (Ecole Nationale de Dessin) në Paris. Ai bëri posterët e parë bardhezi në vitin 1855 dhe nga viti 1859 deri në vitin 1866 studioi litografinë në Londër.[2] Në vitin 1858, Shehrre krijoi posterin e tij të parë për kompozitorin Jacques Offenbach dhe kur ky poster nuk i kaloi në komision, ai vendosi që të kthehet në Londër që t’i japë këtij posteri dorën e dytë.

Si në Europë ashtu dhe në Amerikë ka pasur përparime në teknologjinë e shtypit nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Francë, litografia me ngjyra përparoi dukshëm nga Zhyl Shehrre, duke lejuar ngjyrën e madhe dhe nuancat në riprodhimin e posterëve. Artisti Shehrre, përveçse konsiderohet si “babai i posterit”, ai është edhe mjeshtër i ngjyrave. Veprat e tij artistike kanë frymëzuar breza të tërë të artistëve, duke i përfshirë edhe artistët Tulyz-Liutrek (Touluse-Lautrec), Pjerr Bonar (Pierre Bonnard) dhe Alfons Muha (Alphonse Mucha), krahas të tjerëve që punuan në stile të ndryshme, duke filluar nga ai bizantin e roko e deri tek ai realist dhe arti novu. Zhyl Shehrre u shqua si një kri­jues posteri dhe gjeni i madh, sepse kishte prodhuar më shumë se 1000 posterë gjatë ka­rrierës së tij shumë të gjatë.

Pa litografi dhe pa Zhyl Shehrre, posterët siç i njohim ne sot, thjesht nuk do të ekzistonin.

Sot në botë ekzistojnë disa muze të posterit, si në: Francë, Angli, Amerikë, Gjer­ma­ni etj. Po përmendim atë më të hershmin, muzeu i posterit në Uilanou (polonisht: Mú­zeum Plakatu w Wilanowie) është muzeu i parë dhe më i vjetri i posterit në botë, i cili u hap më 1968 si degë e Muzeut Nacional të Varshavës në Poloni. Në themelimin e tij, muzeu kishte 13.000 artikuj, duke përfshirë rreth 500 posterë të ruajtur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Koleksioni i muzeut është vazhdimisht në rritje, nëpërmjet dhuratave nga donatorë polakë e ndërkombëtarë.

Vlen të theksohet se bienale ose trienale ekspozitash të posterëve organizohen gji­tha­ndej në botë, si në Bërno, Chaumont, Esen, Fort Kollins, Katovice, Lahti, Meksi­ko Si­ty, Mons, Moskë, Riga, Tallin, Tojama, Tërnava, Vilnius, Varshavë, Zagreb, Sofje etj.

(Autori është doktorant pranë Qendrës për Studime Albanologjike në Tiranë)

[1] Man, Felix H. 150 Years of Artists’ Lithographs: 1803-1953, William Heinemann Limited, 1953 – Litho­graphy, United Kingdom (Edicioni I) 1953, f. 12-18.

[2] Gallo, Max &Quintavalle, Arturo Carlo. The Poster in History. W.W. Norton, New York, 2002, f. 5-10.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights