Fjala editor in chief

Mirë se vini në “Votër”!

Një “Votër” shqiptare ku ngrohtësia është pasioni dhe përkushtimi i një skuadre të tërë, misioni i së cilës

është përcjellja e vlerave tona kombëtare, duke e gërshetuar me më të mirën e vendeve ku jetojmë,

punojmë dhe rrisim familjet tona.

Për ta arritur këtë janë të mirëpritur të gjithë brezat, sepse ne në “Votër” besojmë se çdo njeri ka brenda

vetes mundësi për të dhënë nga vetja e tij, ndaj ne do të krijojmë një vend ku secili mund të sjellë atë që

na bashkon, atë që na ndihmon të bëhemi më të mirë dhe të rrisim familje të shëndosha, sepse ne

prindërit jemi ura lidhëse mes brezave, jemi trungu që i mban degët të lidhura me rrënjët.

Pasioni im për të mësuar më shumë nga të parët tanë, për ta krahasuar atë me kulturën dhe traditën e

vendeve të botës, besoj se më ka ardhur nga vetë mungesa e gjyshërve të mi, ose nga vetë lidhja e fortë

me gjyshet e mia, forcë që më drejton edhe tani.

Dhe vizioni im zuri vend te “Votra”, sepse ajo ka pasur një rëndësi të veçantë për familjen shqiptare; rreth

votrës është mbledhur familja, rreth votrës është pritur miku, rreth votrës janë bërë planet e rreth votrës

është kënduar kënga. E duke mbartur këtë simbolikë, “Votra” është ajo ku të gjithë së bashku të sjellim

atë që ju keni nevojë!

Është mençuria dhe dashuria e pakushtëzuar që brezat e parë dhurojnë, që u krijon atyre hapësirë të

veçantë në “Votër” ku ata të mund të përcjellin mësime të provuara të cilat i kanë rezistuar kohës dhe

receta të shijshme që t’i gatuajmë për fëmijët tanë.

Në “Votër” do të gjeni shoqata e fondacione si strehëza të ndërtuara larg shtëpisë, shkolla shqipe ku jo

vetëm mund të dërgoni fëmijët tuaj, por edhe të krijoni miqësi të reja për ta dhe të shkëmbeni përvoja.

Turizmi në Shqipërinë etnike do të jetë përparësi duke sjellë visaret e kombit. Në këtë numër do ta keni

Malësinë e Madhe në Mal të Zi në pëllëmbë të dorës.

Gjithashtu, nuk mund të mos kënaqem në “thellësi” të shpirtit kur kujtoj ‘photoshoot’ me valltarët nga

Kelmendi duke kërcyer vallen e Logut në mes të “Central Park” në New York, ku edhe pse filloi të binte

shi i rrëmbyer, turistët filmonin dhe pyesnin: “Cilës kulturë i përket kjo veshje e bukur?”, ose vogëlushët

me plis e me xhubletë duke vrapuar të lumtur e krenarë shkallëve të “Lincoln Center”!

Në këtë numër do të gjeni edhe procedurat që duhen ndjekur për t’u dhënë fëmijëve jetimë një shtëpi të

ngrohtë e të përhershme.Fëmijët e bukur autikë do t’ju tregojnë si të silleni me ta dhe me prindërit e tyre,

që të mos fshihen, por të dalin haptas dhe të pranohen nga shoqëria. Do të ketë personazhe, që edhe

pse kanë arritur komoditetet e duhura në vendet ku kanë emigruar, përsëri e mbajnë njërën këmbë në

tokën mëmë për ta ndihmuar, si dhe një armatë e tërë profesionistësh të specializuar nëpër shtetet më të

zhvilluara të botës do të sjellin përvoja dhe njohuri të domosdoshme për një shoqëri dhe familje

bashkëkohore.

Historianë, profesorë, albanologë, studiues të fushave të ndryshme do të përcjellin nëpërmjet “Votrës”

njohuritë dhe përvojat e tyre nga vende të ndryshme të botës, si dhe stilistët e talentuar do të sjellin të

rejat e modës dhe të kozmetikës si një pjesë e rëndësishme e jetës sonë të përditshme!

Pra, po ashtu si edhe toka mëmë, e pasur dhe e dashur, ashtu është edhe “Votra|, plot informacione të

vlefshme që ushqejnë jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin tonë.

Afërdita Delaj

Editor-in- chief

Aferdita.delaj@votramagazine.com

Ju mund të flisni me mua!

Çfarëdo që ju shqetëson ose ju frymëzon rreth revistës “Votra”, më pëlqen ta di!

Provoni dhe unë do t’u kthej menjëherë përgjigje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights