Festë të madhe ka Shqipëria

​Koncert festiv kushtuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në New York, SHBA

Në Vlorën heroike, 105 vjet më parë, Plaku u urtë Ismail Qemali me një grup burrash të shquar të pushkës dhe të penës u mblodhën për ta bërë Shqipërinë të pavarur, për ta nxjerrë atë nga sundimi dhe errësira shumëshekullore dhe për të hedhur themelet e një shteti të ri shqiptar. Kjo nuk erdhi për një ditë, pasi ky popull i shtypur dhe i sunduar do të nxirrte kurdoherë djemt e tij, prijësa, figura të shquara të iluminizmit që si një fanar që ndriçn errësirat më të thella, ata ndriçuan edhe mendjen e shqiptarëve të shtypur e njëkohësisht, vunë në ballë trimat e shquar që nuk kursyen as jetën.

Historia e popullit tonë i thirri ata, që t’i dalin zot vendit të vet me shkrim e këndim, me sakrifica dhe gjak, sepse ky popull me këta bij, me këto sakrifica ka mbijetuar në historinë e gjithë popujve të Europës. Nuk kisha si ta nisja ndryshe këtë shkrim, që unë sot po e botoj për t’i bërë jehonë festimit të Ditës së Pavarësisë në Amerikë, nëqoftëse nuk do të përmendja Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Dom Nikollë Kaçorrin e dhjetra firmëtarë të tjerë që nënshkruan Aktin e Madh të Pavarësisë.

Ishin pra këta burra që në një periudhë kaq të vështirë e delikate, me guximin dhe kurajon e tyre bënë realitet amanetin e Rilindjes Tonë Kombëtare, e vëllezërve Frashëri, e Çajupit, e Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Jeronim De Radës e deri tek Asdreni i madh që na dhuroi fjalët aq madhështore, që sot ne i këndojmë me dorë në zemër në Himnin tonë Kombëtar. Pikërisht me këto fjalë, me këtë Himn u hap, ashtu siç hapet çdo festë e tillë kombëtare edhe koncerti i madh që Shoqata Atdhetare “Dibra” kishte organizuar në Teatrin njujorkez “St. Gorge Theatre”, në këtë tempull të kulturës amerikane dhe ku bashkëatdhetarët tanë, jo vetëm në Amerikë, por edhe nga Shqipëria nënë dhe gjithë trevat shqiptare kishin udhëtuar për të festuar së bashku, për të kënduar shqip së bashku dhe për ta ngritur lart flamurin tonë së bashku. Shoqata Atdhetare “Dibra” me kryetarin e saj z.Dashnor Miftari dhe grupin organizator kishin përgatitur një koncert madhështor, duke ftuar e bashkuar në këtë natë feste gjithë komunitetin shqiptar anë e mbanë botës. Ishte madhështore dhe emocionuese kur pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar u ngjitën në skenë mjeshtra të mëdhenj, yjet e artit dhe muzikës shqiptare, por edhe mjeshtra jo më pak të mëdhenj, që u rreshtuan përkrah tyre, duke filluar nga: Mirush Kabashi, “Nderi i Kombit”, Frederik Ndoci, “Mjeshtër i Madh”, Gëzim Nika, “Mjeshtër i Madh”, Kastriot Tusha “Mjeshtër i Madh”, Dëshira Ahmeti, Sinan Vllasaliu, Mira Konçi, Xhoi Bejko, Vedat Ademi, Arian Kerliu, etj. dhe Steven Fank-Dirigjent. Kjo natë kishte mbledhur rreth vetes në një sofër shqiptare bashkëatdhetarët tanë, jo si në një mbrëmje gala, jo si në një mbrëmje ceremoniale me personalitete të ftuar, por si në një shtëpi, ku gëzojnë të gjithë, që nga më të vjetrit e deri tek fëmijët, të cilët ishin edhe lulja më e bukur që ka çelur për të trashëguar kombin tonë në këtë vend. Kjo mbrëmje festive, e organizuar dhe e përgatitur në mënyrën më profesionale, natyrisht kishte edhe dorën e artistëve, që kishin menduar që më parë për ta realizuar atë. Nga suksesi që u arrit, isha i sugurte se do të ketë jehone, sepse do ta udhëhiqte një kompozitor i shquar, një mjeshtër i madh, si Shpëtim Saraçi. Isha i sigurtë se kjo natë e shënuar do të korrte sukses, sepse në skenë atë do ta drejtonte vajza e mrekullueshme shkodrane, ylli i skenës Kozeta Turishta. Interpretimi i gjigandit të skenës shqiptare, “Nderit të Kombit”, pathosi i fjalës së tij në këtë natë, dukej sikur vinte nga thellësitë e shekujve dhe sillte eposin legjendar të një populli, që ka qënë dhe do të jetë gjithmonë ashtu siç e njeh historia, që nga foshnjëria e tij, e deri sot në kohët moderne. Gjatë interpretimit të tij heshtja mbizotëronte në sallë. Mesazhet e tij bëheshin pjesë e krenarisë së të gjithëve.  Këtë krenari do ta bënte edhe më të ëmbël, edhe më shqiptare, kënga që solli para publikut zëri i mrekullueshëm i “Mjeshtrit të Madh” Kastriot Tusha, këtij virtuozi që na bën gjithmonë krenar në mbarë botën. Duhet të ndalem në këtë shkrim në momentet më të bukura dhe më emocionuese, megjithëse në këtë festë të madhe çdo moment, çdo çast ishte i bukur. Dalja në skenë dhe interpretimi i jashtëzakonshëm i “Mjeshtrit të Madh” Frederik Ndoci elektrizoi sallën dhe ngriti peshë zemrat e çdo shqiptari, për t’u pasuar nga një tjetër “Mjeshtër i Madh”, që solli atje jehonën e bjeshkëve dhe Alpeve  Shqiptare, si një kushtrim që ai e ka bartur në shpirtin e tij që në fëmini. Kështu u paraqit në këtë festë i madhi Gëzim Nika.

Shfaqja vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit. Këngët e interpretuara ishin gjithmonë pjesë edhe e publikut, që herë pas here, ngrihej në këmbë dhe këndonte së bashku me këngëtarët. Ishte atmosferë që nuk do të harrohet kurrë, pasi të gjithë këta së bashku dukej sikur me frymën e tyre valëvitnin flamurin madhështor që mbretëronte në skenë. Ishte ai flamur që kishte ditëlindjen e tij, ishte ai flamur që kishte mbledhur si një djalë i pashëm, i bukur e trim, familjen e tij, të afërmët e tij, bashkëkombasit e ti dhe shokët e miqt nga gjithë bota për të festuar. Atë natë ai valvitei shumë krenar, por ne ishim më krenar se ai, sepse, edhe pse kanë kaluar 105 vjet, është më i bukuri në botë. Mbresat e mia ndoshta janë të veçanta në këtë koncert. Ndoshta janë të tilla, sepse unë udhëtova nga Shqipëria për ta përjetuar ndryshe një eveniment të tillë dhe për t’u mbushur me frymëzim e krenari për çdo gjë që bashkëatdhetarët e mi bënë në këtë vend.  Për mua nuk është hera e parë që vij në Amerikë, por kjo radhë do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën time, njëlloj si një rrugë e drejtë që ma ka mësuar një mësues i ditur.

   New York 2017

Ramazan Çeka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights