Fate Velaj përmes ngjyrave dhe rreshtave Luljeta Lamce

Personazhi i rubrikës “I ftuar në votër” është një personalitet i veçantë si për Shqipërinë, ashtu dhe për Austrinë.

Ai është Fate Velaj, një personazh i njohur për kontributin e tij në fushën e kulturës. Piktor, fotograf, kurues i aktiviteteve të ndryshme politike dhe kulturore, së fundmi dhe shkrimtar, tepër aktiv për sa u përket temave të ndjeshme të shoqërisë, jeta e Velajt u ngjason shpesh pikturave që ai krijon. E kuqja, që shihet shpesh në tablotë që tashmë janë ekspozuar në galeri të ndryshme arti, duket sikur mbart pasionin e tij të lindur për të bukurën, për ta parë atë dhe aty ku vështrimi nuk arrin ta rrokë. Pa dashur t’u japë formë pikturave të tij, shpesh historitë që ato mbartin të emocionojnë teksa i vështron. Kjo, pasi çdo shikues arrin të gjejë diçka nga vetja, në ngjyrat e hedhura ashtu shkujdesur, por që ravijëzojnë aq mirë jetën tonë. Jeta e tij është e gjitha një kërkim drejt artit, që ashtu si të gjitha kërkimet në këtë fushë shoqërohen me një kalvar jo të lehtë. Me adoleshencën e kaluar në ish-Shqipërinë Komuniste, ai besoi fort tek ëndrra që ndjeu herët brenda tij, të pushtonte hapësirat. Të mendonte gjithnjë se përtej detit Jon një tjetër jetë do të ishte më e bukur përtej Kaninës. Një jetë që ai do ta vizatonte në mendje para se ta prekte më vonë. Ishte viti 1991 kur ai u largua nga Shqipëria, me një qese rrobash në duar, në kërkim të dritëzave që duhet të ishin diku tej. Por ky rrugëtim i ri nuk ishte drejt Italisë, por drejt një tjetër destinacioni.

Ai kishte ëndërruar si vlonjat që ishte, se një ditë do të kalonte matanë detit, të jetonte në Romë duke shëtitur në “Piaca D’Uomo” apo në Spanjë,por fati deshi që ai t’a gjente veten në një hotel në malet e Austrisë me emrin “Kreuztanne”. Hoteli mbante këtë emër pasi ndodhej pranë një udhëkryqi i cili të çonte në tre fshatra secili 5 kilometra larg nga njëri-tjetri.

I rrethuar nga dëbora dhe malet, mendja e Fates rendte për te familja e tij, te qyteti i tij i bukur bregdetar dhe te valët e detit që tani larg tij po ia kuptonte vlerat edhe më tepër dhe po ndiente aq shumë mall për të.

Në Vlorë kishte lënë të atin, Melon, nënë Afërditën dhe motrat. Gjithashtu, kishte lënë edhe një person shumë të veçantë, i cili sot e bën të ndihet i plotësuar si bashkëshort dhe si baba i dy fëmijëve, të fejuarën e tij, Klarën.

Në Austri, ai nis jetën e tij të re prej emigranti, duke bërë punë nga më të ndryshmet, që nga larja e pjatave deri tek puna në fabrikën e prodhimit të bombolave të gazit. “Në datën 2 janar fillova punë te firma “Heiser”, fabrika në Kienberg. Ishte hera e parë në jetën time që po punoja në një fabrikë. Ditën e parë të punës, dikush më mori e më shoqeroi duke më çuar repart më repart dhe në fund, mbasi më dha një filxhan kafe, më tha se duhet të qëndroja pranë një burri e të shikoja çfarë bënte ai”, tregon Fatja. Përgjatë dy javëve ai do të punonte pranë tij, dhe kur ai u bind se mund të punonte i pavarur, e la të punonte vetëm. “Tre muajt e parë kaluan mes vështirësive të shumta dhe punës së rëndë që m’u desh të bëja. Ata ishin muajt e provës dhe më duhej të haja veten me dhëmbë e të duroja çdo gjë derisa të bëhesha definitiv sepse, po të më largonin si të paaftë, ose të padëshiruar, do të fillonte përsëri odiseja e pafund e kërkimit të punës dhe rrugët e gjata nga një qytet në tjetrin dhe nga një prezantim në tjetrin”, tregon ai.

Kështu nisi jeta e tij prej emigranti, duke bërë punë të cilat as që i kishte menduar kur ishte në Vlorë. Por asgjë nuk mund t’ia hiqte ëndrrat. Në vetminë e paqtë të natyrës austriake, ai ndiente dëshirën të hidhte në telajo ngjyra.

Pasioni për pikturën nuk i kishte lindur rastësisht, dhe nuk ishte as për të thyer monotoninë e jetës, por ky pasion i rridhte ndër vena i trashëguar nga i ati i tij.

Kur i biri u nis në udhën e panjohur të emigrimit, ai i dha vetëm një këshillë, e cila nuk kishte të bënte fare me sigurimin e të ardhurave financiare ashtu siç ndodhte më së shumti në familjet shqiptare të atyre viteve: “Shko dhe përfito nga kultura e atyre njerëzve!” Këtë këshillë Fate nuk e largoi asnjëherë nga mendja, por e bëri motiv për të ecur përpara në jetë. Në vendin ku ai jetonte në Kienberg, austriakët që i shkonin për vizitë në folenë e re që ai kishte ndërtuar, nuk largoheshin pa folur për pikturat e tij.

Pikërisht këto piktura, një ditë do t’i pikaste zoti Braun, i cili i propozoi që të gjitha punimet t’i paraqiste në një ekspozitë. Kjo ide e gjen të papërgatitur Faten, madje ai habitet nga ajo që dëgjon, por njëkohësisht ideja për të hapur një ekspozitë e bën të drithërohet nga gëzimi. Hapja e ekspozitës së parë në Kienberg do të ishte një moment shumë i veçantë. Një ëndërr që po bëhej realitet. Artisti tregon se atë natë, ai dhe e shoqja e tij, Klara, nuk vunë dot gjumë në sy.

Pas promovimit të ekspozitës së parë një jetë krejt tjetër do të fillonte për çiftin e ri.

Asgjë nuk do të ishte më si më parë, udha drejt suksesit ishte çelur, ekspozita të tjera pasuan në Vjenë, në Itali, Kajro, në qytetin e tij të lindjes Vlorë, në Tiranë, USA etj.

Para syve tanë ndodhet një njeri që pasionin e tij e shpreh nëpërmjet ngjyrave ashtu sikur është dhe jeta në të vërtetë, herë me gri, herë me ngjyrën e pastërtisë së dëborës dhe herë me të kuqen e dashurisë pa lënë pas blunë e qiellit e të detit dhe jeshilen që në sytë e tij simbolizon shpresën.

Por Fate Velaj, përveç pikturës, na flet edhe përmes fotografisë. Ai nuk e heq nga dora aparatin e tij “Nikon” me të cilin fotografon pa fund, kryesisht portrete njerëzish që flasin pa fjalë, si portrete fëmijësh, të cilët simbolizojnë vazhdimësinë dhe të ardhmen, njerëz të thjeshtë e të munduar që në fytyrë u lexohen rrudhat që jeta u ka krijuar, personalitete të shquara e burra shteti.

Së fundmi, ai na shfaqet ashtu, sikur di ai, i paparashikueshëm në një gjini krejt tjetër, në artin e fjalës nëpërmjet autobiografisë “Kreuztanne”, një roman i cili mban emrin e hotelit ku ndenji për herë të parë në Austri, i shkruar në një stil origjinal e unik ashtu si vetë Fatja. Z.Velaj e shkroi këtë libër në 24-vjetorin e mbërritjes së tij në Austri ku bashkë me familjen vendosën të bënin një vizitë tek “adresa e tyre e parë”, e cila ishte e mbushur me emigrantë nga Siria.

Vetëm 6 muaj prej botimit, romani ka filluar të përkthehet në disa gjuhë si: gjermanisht, italisht, turqisht, rumanisht dhe së afërmi në gjuhën e Tolstoit e të Pushkinit.

Çdo sukses të arritur në jetë Fate e ka ndarë me njeriun që i është gjendur pranë dhe e ka mbështetur në çdo moment dhe vendim, me bashkëshorten e tij, Klarën, së cilës i fshiu pikat e lotit kur ata humbën foshnjën e tyre të parë të sapolindur.

“Ky ka qenë një ndër momentet më të vështira të jetës sonë bashkëshortore”, thotë Fate.

Ata të dy me forcën e dashurisë e kaluan, duke mos e lënë dhimbjen e madhe t’i mposhtte, duke ecur para pa e kthyer kokën pas. Ja si e përshkruan Fate momentin e vështirë të humbjes së foshnjës:

– Fëmija, vdiq!

– Çfarë? – i thashë.

– Po… – e pyeta dhe sa do shqiptoja emrin që më ngeli i ngrirë e i mpirë në gojë.

– Ajo është mirë, tani po fle, – m’u përgjigj ajo.

Nuk mbaj mend se çfarë më tha tjetër. Fjalët e saj s’i dëgjova deri në fund, pasi ndjeva që sytë po më erreshin dhe një pamje po më bëhej përreth.

Me sytë që mezi po më hapeshin fillova të shikoja një tavan të bardhë dhe një tub që vinte nga sipër dhe ishte ngjitur te dora ime.

Lëviza kokën sa majtas, djathtas dhe pashë që pranë meje ishte një infermiere.

E pyeta ku jam. Më tha se jam mirë e se po më bënin një serum qetësues.

Pas këtij momenti më duhej të përballesha me Klarën.  Doli krevati i saj dhe që e shtynin dy infermiere dhe një shishe serumi që tubi i varej poshtë.

Vajta shpejt, dyllë të verdhë. Sytë i ishin bërë tërë rrathë vishnjë. I buzëqesha.

I vura dorën te balli dhe ndjeva që ishte e ftohtë. E putha dhe i mbajta dorën me dorën time.

U futëm në dhomën e saj.

Të gjithë dhimbjen që ata përjetuan e kaluan së bashku duke mbajtur dorën e njëri-tjetrit.

Pas dy viteve në orën 5:17 të mëngjesit vjen në jetë vajza e tyre, Helena, ndërsa në 5:17 të pasdites babai i tij ndërron jetë. Një ironi e fatit, duhej të vinte Helena dhe të ikte Melo. Duket sikur të dy i hapën udhën njëri-tjetrit. Njëri të prehej në paqe e tjetra të sillte vazhdimësinë në familje, duke u ndalur lotët e dhimbjes.

Në vitin 1998 vjen në jetë djali, Romeli, dhe ata tashmë një familje e re dhe e plotë largohen nga Kienbergu për në Vjenë. Nisen drejt një sfide të re në metropol, por që dhe atje sukseset dhe çmimet do të ndiqnin njëra-tjetrën. Tani ata janë një familje e bashkuar që i ndajnë bashkë sukseset dhe të papriturat e jetës.

Fate jeton mes Shqipërisë dhe Austrisë duke u dhënë nga vetja e tij të dyja shteteve njëkohësisht.

Fate Velaj është atdhedashuria që nuk njeh kufij!

Fate Velaj ka marrë disa nderime dhe vlerësime si:

2014 – në Cleveland, Ohio-USA, kryetari i bashkisë i dorëzon “Rezolutën e mirënjohjes” për punën e tij nëpërmjet artit dhe kulturës si ndërtues urash midis popujve.

2013 –  Presidenti i Austrisë i akordon medaljen e lartë “Kryq i artë i kalorësit të shkallës I”- për merita të veçanta për Republikën e Austrisë.

2011- Presidenti i Parlamentit Europian, i jep medaljen e lartë “Civi Europaeo Preamium” (Qytetar Europian) për merita të veçanta për Bashkimin Europian.

2009 – në Novoli, Itali fiton çmimin “Focara” për fotografinë bashkëkohore

2003- në Kryeministrinë e Austrisë, i dorëzohet medalja “Bundesehrenzeichen”- (Qytetar Nderi) për merita të veçanta për Republikën e Austrisë.

Për më shumë informacion mbi të ftuarin tonë mund të vizitoni faqen e tij: velaj.com

Luljeta Lamce

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights